Energjia në plazhe, nënstacion i ri elektrik në Gjirin e Lalëzit

Dita

Përmirësimi i rrjetit elektrik në zonat turistike duket se po shihet me prioritet nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Gjatë inspektimit të ndërtimit të nënstacionit të ri në zonën e Gjirit të Lalëzit, ministri Damian Gjiknuri tha se investimet janë fokusuar tashmë në zonat me potencial ekonomik, siç janë ato turistike.

Sipas tij, do të punohet paralelisht edhe për uljen e humbjeve në rrjet.

“Këtu jemi në një nga zonat, por njëkohësisht do të investohet në zonën e bregut, në zonën e Orikumit dhe në bregdetin e Velipojës, në mënyrë që i gjithë brezi ku pritet një investim i madh në fushën e turizmit dhe ku do të ketë aktivitet ekonomik të shtuar të mbulohet me një furnizim bashkëkohor të energjisë elektrike.

Investimet do të drejtohen në miradministrim dhe uljen e humbjeve, që do të thotë se investimet e ardhshme do të fokusohen në sistemet e matjes, në sistemet e menaxhimit të flukseve të energjisë në mënyrë që të administrohen më mirë të ardhurat nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe që do të bëjnë të mundur në të ardhmen edhe fillimin e hapave të parë të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike”, tha Gjiknuri.

Ndërsa administratori i OSHEE-së, Adrian Çela tha se investimi për ndërtimin e nënstacionit të ri në Gjirin e Lalëzit arrin në vlerën e 458 milionë lekëve dhe pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm. Ai vijoi të thoshte se në këtë zonë nuk është vënë dorë që nga koha e elektrifikimit të vendit.

Deri më tani OSHEE ka investuar mbi 1.5 miliardë lekë për infrastrukturën energjetike nga Gjiri i Lalëzit dhe deri në Golem të Kavajës.

s.a/dita

Share This Article
1 Comment
  • Te krijohet idea qe, kane nisur investimet ne kete zone, sepse pjesa me e madhe e kusareve, zuzareve dhe zullumqareve kane vilat ketu, dhe domosdo kerkohet investim, pasi e meritojne plotesisht……….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *