Energjia, në vitin 2017 do të kalojë në vetëfinancim

redaktor

Sektori i energjisë i konsideruar si një pikë e kontestuar që ka sjellë humbje të mëdha, është kthyer tashmë në një prioritet të qeverisë shqiptare. Për këtë është hartuar një ligj kryekëput i ri, janë marrë iniciativa për mënyrën e blerjes së energjisë, apo pagesën e faturave të prapambetura. Dje nëpërmjet fletores zyrtare është prezantuar dhe një plan rimëkëmbjeje financiare për pesë vitet e ardhshme, duke bërë gjithashtu dhe një bilanc të deritanishëm të këtij sektori

Çfarë parashikohet për energjinë?

Sipas vlerësimit të bërë për këtë sektor, citohet se “kombinimi i masave të vazhdueshme dhe atyre që ndërmerren vetëm një herë është i kontrollueshëm në këtë periudhë kyçe nga sot deri në vitin 2017, pas së cilës sektori do të arrijë një fluks të parasë (cash) pozitiv dhe do të hyjë në një proces që do të çojë në një pozitë të shëndoshë financiare”. Kjo parashikohet të arrihet nëpërmjet masave që kryhen në mënyrë të vazhdueshme, të tilla si: përmirësimi i arkëtimeve për faturimet, përpjekje për reduktimin e humbjeve, ristrukturimi i tarifave, racionalizimi i operacioneve të biznesit, veçanërisht në OSHEE, lëshimi i Garancive Qeveritare për Shpenzimet Kapitale (Capex) (në rend zbritës), ristrukturimi i kërkesave për kreditë tregtare afatshkurtra (overdraft) dhe forcimi i zbatimit të disiplinës së pagesave mes kompanive të sektorit dhe nga institucionet shtetërore; dhe masave që merren për herë të parë, të tilla si shuarje me kompensim të detyrimeve të institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, reforma në strukturën e modelit të Tregut të Energjisë Elektrike, pastrimi i detyrimeve të prapambetura ndaj PPE/Ashta dhe injektime të mundshme në kapitalin e vet (equity) të OSHEE. Por i gjithë ky proces parashikon tre rreziqe që parashikohen të vështira, veçanërisht në tri aspekte: raporti i borxhit total me vlerën totale të aseteve (leva financiare), varësia nga ndryshueshmëria e motit dhe plani i zbatimit.

OSHEE me pjesëmarrjen e kapitalit privat

Pjesë e planit strategjik për funksionimin e OSHEE-së është strukturimi i saj për të lejuar pjesëmarrjen e kapitalit privat, sapo të rivendoset fitimi dhe bilancet financiare të jenë kthyer në gjendje të mirë financiare. Kombinimi i masave tregtare, financiare dhe strukturore mendohet ta kthejë këtë sistem nga një rrezik financiar, në të qëndrueshëm në fund të vitit 2018. Po kështu do të sillte investime private në sektor në mënyrë konkurruese dhe të hapur si dhe do të përmirësonte sigurinë e furnizimit me energji elektrike duke përfshirë dhe forma të tjerë nga gjenerimi i energjisë nëpërmjet gazit.

 

Si i ka akumuluar borxhet KESH

Me qëllim fillimin e procesit të liberalizimit të tregut, në vitin 2011, të gjithë konsumatorëve jofamiljarë të furnizuar në linjën e tensionit të lartë 220 kV dhe 110 kV, u detyruan të bëhen konsumatorë të kualifikuar dhe të zgjedhin furnizuesit e tyre, gjë që bëri që Shqipëria të ketë aktualisht gjashtë konsumatorë të kualifikuar të tensionit të lartë (TL) me konsum vjetor prej 700 GWh në vit (14 për qind e kërkesës së përgjithshme të energjisë elektrike), duke e çliruar KESH-in nga detyrimi për t’i furnizuar ata me tarifa të rregulluara. Nga ana tjetër kapacitetet e disponueshme të gjenerimit të KESH u zvogëluan me 81 MË për shkak të privatizimit të Hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit, Bistricës 1, 2 dhe Lanabregas. KESH-i si kompani prodhuese e energjisë përfshin brenda saj edhe strukturën autonome “Furnizuesi Publik me Shumicë” (FPSH). Roli i FPSH-së është të blejë së pari energjinë elektrike të prodhuar nga prodhuesit e hidrocentraleve të vegjël të energjisë (PVE) dhe prodhuesve të pavarur të energjisë (PPE) nëpërmjet çmimeve feed-in (të aprovuar nga ERE). Sipas rregullave në fuqi, është vendosur që FPSH të blejë së pari energjinë e prodhuar nga PVE/PPE, më tej nga KESH/Gen. KESH-i është një kompani prodhuese dhe përfshirja e FPSH-së në strukturën e saj krijon barrë shtesë në planin e saj financiar për shkak të kostove të paparashikueshme të importit, apo tarifave arbitrare të imponuara si rezultat i konflikteve të vazhdueshme me CEZ Shpërndarje mes viteve 2011-2014. Mungesa e marrëveshjeve të shërbimit midis enteve (KESH, OST, dhe OSHEE) dhe e procedurave të veçanta në aspektin e sigurimit të pagesave të faturuara, ka krijuar hendeqe të paparashikueshme financiare që nuk mbulohen nga marrëveshje financiare me qeverinë. Kjo ka çuar në marrjen e detyruar të huasë nëpërmjet kredive afatshkurtra (overdraft) me një kosto të lartë, por që këto kosto parashikohen të mos jenë më.

Si funksionon sistemi energjetik

Sektori elektro energjetik shqiptar funksionon si një sistem i ndërlidhur i aktiviteteve të prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike. Kërkesa për energji plotësohet kryesisht nga kompanitë publike – aktivitetet e prodhimit kryhen nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH); aktivitetet e rrjetit të transmetimit dhe operimit të tregut kryhen nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), ndërsa aktivitetet e shpërndarjes dhe furnizimit me pakicë kryhen nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ose OSHEE (ish-CEZ Shpërndarje). Sektori është i monitoruar dhe pjesa më e madhe e tij e rregulluar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *