Energjia, zyrtarizohen marrëveshjet KESH-OSHEE dhe OST për blerjet

redaktor

Kanë marrë formë zyrtare dy vendime të rëndësishme për blerjen e energjisë për vitin 2015. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) për blerjen e energjisë për vitin 2015.

Situata hidrike e kohëve të fundit çoi në një vendim të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për blerjen e energjisë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga KESH për OSHEE, vendim që u nënshkrua mes palësh dhe tashmë është botuar në fletoren zyrtare.

Vendimi thotë qartë se është miratuar marrëveshja për shit-blerjen e energjisë elektrike ndërmjet KESH sh.a. dhe OSHEE sh.a. për tepricat e energjisë elektrike, përfshirë tepricat në kushtet e prurjeve të mëdha me qëllim plotësimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për vitin 2015.

Ky vendim i botuar dje në fletoren zyrtare erdhi si shkak i një situate jo normale në treg. Kjo pasi në bazë të ligjeve aktuale KESH i shet energji OSHEE vetëm për të përballuar nevojat e konsumatorëve të rregulluar, si familjarët dhe pjesa më e madhe e bizneseve.

Ndërsa pjesën e humbjeve në rrjet, Operatori i Shpërndarjes është i detyruar ta zëvendësojë duke blerë nga importi. Por këto rregulla, në raste të veçanta, kur vendi ka rezerva të larta hidrike çojnë në një situatë pa precedent, e cila shkakton humbje të mëdha financiare për dy kompanitë shtetërore dhe rrjedhimisht qytetarët.

Marrëveshja e arritur tenton t’i japë fund paradoksit që imponon modeli shqiptar i tregut të energjisë që bën që KESH-i të shesë tepricat tek tregtarët e energjisë me një çmim më të lirë ndërsa OSHEE e blen energjinë nga tregtarët me një çmim më të shtrenjtë.

Për muajin shkurt, nisur nga prodhimi në kushte emergjencë prej prurjeve të mëdha, KESH shiti me çmim 38.5 euro megavat energjinë tek tregtarët ndërsa këta ja shitën mbi 50 euro megavat OSHEE-së.

Marrëveshja parashikon se OSHEE, përpara çeljes së procedurës mujore për blerjen në treg të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, do të njoftojë KESH-in për sasinë e energjisë elektrike që ka planifikuar të blejë për mbulimin e humbjeve në rrjet, duke i kërkuar me këtë rast KESH-it përcaktimin e sasisë së energjisë elektrike që kjo e fundit mund t’i shesë për mbulimin e tyre, sasi e cila mund të mbulojë pjesërisht apo plotësisht kërkesën për mbulimin e humbjeve.

Ndërkaq, KESH-i përpara çeljes së procedurave të shitjes së energjisë elektrike në kushtet e prurjeve të mëdha apo dhe tepricave, pasi ka garantuar plotësimin e kërkesës me energji elektrike për furnizimin e konsumatorëve tariforë, do t’i komunikojë shoqërisë OSHEE mundësinë e furnizimit me energji elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, ndërsa kjo e fundit duhet të konfirmojë brenda afatit të përcaktuar në kërkesën e KESH-it pranimin ose jo të sasisë së energjisë elektrike të ofruar nga KESH për mbulimin e humbjeve.

Marrëveshja me OST

 

Operatori i Sistemit të Transmetimit i blen KESH energji për humbjet e saj teknike. Mes palësh është zyrtarizuar marrëveshja kontraktuale për vitin 2015. Objekt i kësaj kontrate është përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve të palëve për skedulimin, deklarimin dhe garantimin në sasinë dhe cilësinë e kërkuar të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në rrjetin e transmetimit, mënyrën e llogaritjes dhe faturimin e saj.

Në bazë të marrëveshjes KESH sh.a. merr përsipër të sigurojë energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në sistemin e transmetimit për OST sh.a., në sasinë dhe kohën e kërkuar prej saj. Në bazë të kësaj marrëveshje OST sh.a. merr përsipër të skedulojë energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në sistemin e transmetimit për OST sh.a., me bazë mujore, javore dhe ditore/orare, në përputhje me përcaktimet e dispozitave përkatëse të Rregullave të Tregut dhe akteve të tjera në fuqi.

Skedulimet do të paraqesin vlerësimin më të mirë të nivelit të humbjeve teknike. OST sh.a. paguan KESH sh.a. për energjinë elektrike të blerë për mbulimin e humbjeve në sistemin e transmetimit, me çmimin të miratuar, nga ERE.

Çmimi i aplikueshëm në momentin e lidhjes së kontratës është çmimi në fuqi i miratuar nga ERE. Aktualisht të tre kompanitë janë shtetërore dhe në reformën të diskutuar vetëm pak kohë me parë në kuvend, është përcaktuar liberalizimi i këtij tregu që i vendos këto tre kompani në kushte të reja.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *