Roman i ri i shkrimtares Alda Mehmeti
Kohët e fundit ka dalë në qarkullim romani “Engjëjt e errësirës” i shkrimtares Alda Mehmeti, një vepër e realizuar me mjeshtëri ideo-artistike, me një harmoni të shkëlqyer të formës dhe përmbajtjes, që në vetvete është një sintezë e plotë e persekucionit fizik, psikologjik, moral e shpirtëror të shoqërisë shqiptare në vitet e rënda të diktaturës komuniste.
Në qendër të romanit qëndron familja “Raveli”, e cila, si shumë familje të tjera, iu nënshtrua përndjekjes së gjatë e të pafund vetëm e vetëm pse ishin intelektualë, faji i vetëm i të cilëve ishte mençuria dhe dija e tyre dhe siç ka cituar autorja në vepër, politikën e nuhasnin mirë, e dinin se si gatuhej me brumin e këtij vendi, ndaj regjimi këta njerëz nuk i honepste, i druhej si djalli nga temjani.
Personazhi kryesor i romanit arrestohet për tentativë arratisje, gjë e cila u bë shkak që familja të binte në humnerë… dhe kështu drama në roman zhvillohet në dy paralele: nga njëra anë jeta e Flori Ravelit në burg me dhunën, torturat e metodat çnjerëzore dhe nga ana tjetër jeta dhe vuajtjet e kësaj familjeje në kampin e internimit, buzë kënetës së Adrios, ku puna rraskapitëse, trysnia dhe përbuzja e pushtetit, varfëria dhe kushtet mizerabël midis baltës dhe të ftohtit apo vapës zhuritëse, ku kufiri midis ekzistencës dhe mosekzistencës ishte pothuajse i padukshëm, japin më së miri një panoramë rrënqethëse në roman.
Personazhet e romanit janë të skalitur, gjithashtu përfaqësojnë në vetvete tipa dhe karaktere të shoqërisë së asaj kohe, të cilët me dramën që përjetonin në kushtet e privimit të lirisë në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, bëjnë që çdo lexues të mos e ketë të vështirë në ditët e sotme ta perceptojë atë kohë, e cila për fat të keq duket sikur po harrohet, madje tek-tuk ringjallet nëpërmjet nostalgjikëve të asaj periudhe, të cilët as kanë hequr, as do të heqin dorë kurrë, madje as nuk janë penduar, ndonëse ajo kohë tashmë është përmbysur njëherë e përgjithmonë.
Fati i kësaj familjeje dhe i djalit të tyre, heroit kryesor të romanit, është mjaft tragjik dhe i paimagjinueshëm për shoqëritë bashkëkohore perëndimore që nuk mund ta konceptonin atë kohë, se deri në ç’shkallë përçudnohej tek ne degradimi shpirtëror, moral dhe fizik i individit dhe i shoqërisë.
Ne kampin e internimit vijnë njëri pas tjetrit njerëzit e artit e të kulturës, të cilët akuzohen për liberalizëm. Pas tyre vijnë gjeneralët që kishin fituar luftën me nazifashizmin, të cilët akuzohen si puçistë; vijnë armiqtë e ekonomisë socialiste që akuzohen si sabotatorë, e kështu me radhë të gjithë vihen në ndëshkimin komunist të diktaturës së asaj kohe.
Ky roman me një gjuhë të pasur artistike, me shumë shprehje të figurshme, aforizma dhe proverba të popullit, të gjetura e të mbështetura në folklor e në traditën e pasur kombëtare, dialogu i gjallë e i larmishëm me skena dhe ngjarje mjaft të dhimbshme, tragjike, intermexot dhe kapitulli pa numër që bëjnë sintezën filozofike të mesazheve që jep libri, e bëjnë këtë vepër të tipit klasiko-modern të veçantë në llojin e vet dhe lehtësisht të perceptueshëm nga cilido lexues që e ka jetuar apo jo atë kohë.
