Enigma 22.02.2022

J L

Sefedin Çela

 

Kjo shifër si kriptogram, e vendosur  me simetri  ngaqë kështu desha , është një ditëlindje. Ndodh rrallë, në dhjetëra vjet, të kesh një përvjetor me kaq shumë numra që përsëriten njëherësh, si për gines!

Do t’a zbërthej  këtë shifër, t’i jap gojë e të  tregoj  copëza të një historie  fare të  thjeshtë njerëzore , e ngjashme  e simetrike me fatet e secilit, nga fëmijëria, kur nuk kishim ato që donim e, hiq e këput, nuk na mungonin ato për të cilat kishim nevojë, duke filluar nga ëndrrat. Shpesh gjërat  për të cilat ke nevojë, të mbyllin gojën. Gjimnazi i Fierit, aty ku sot është shkolla e mesme artistike Jakov Xoxa, ishte i vetmi në llojin e vet : tre vjeçar, me profil  kryesisht për matematikë e gjuhë letërsi,  me konvikt, me nxënës nga Veriu në Jugë, nga  Shkodra, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Lushnja, Mati,  Skrapari, kryesisht nga zonat e thella fshatare. Vendi  ende kishte shumë gropa të mëdha, mungesa  për godina shkollash por dhe për arsimtarë. Kontingjentet që përfunduan për tre vjet këtë gjimnaz parapërgatitor u çuan për  shkollim të mëtejshëm të lartë  në  institute pedagogjike.

Mbi 500 djem e vajza,  me disa klasa paralele, filluan në vitin 1963 e përfunduan në vitin 1966, nuk pati pas tyre vit tjetër të parë e nuk gjetën maturantë të tjerë para vetes . Historia e këtij profili fillon e mbaron me ta.

Në  50 vjetorin e përfundimit  të gjimnazit , në vitin 2016,  gjetën njëri tjetrin  në rrjetet sociale , të shpërndarë tashmë edhe në kontinente të tjera,  pas fëmijëve, të hedhur si me hobe, kështu një ditë të bukur u gjendën të rreshtuar në oborrin e shkollës si dikur, në vitin 1963.

Shumë prej tyre nuk ishin parë më që nga dita e ndarjes në 1966! Ishin të ngjashëm me mësuesit e tyre të dikurshëm, fizikisht të tjerë, duhej të prezantoheshin kush ishin!

U kishte thënë në ndarje mësuese Ana, një rumune e martuar me  mjek vendës. “Fëmijët e mi, do të rriteni  e do të ndryshoni, nuk do t’u njoh më kush jeni. Do të plakem dhe vet e do të harroj, po këto vite kurrë. Besoj se nuk do të harroj  emrat  Mina Pina, Kici Bici, Xhixh Xhixhi!” . Dy të parët ishin lushnjarë dhe i treti krutan. Dikush  kujtoi edhe  Haxhi Haxhiun, nga Miloti, përsëritur  një  herë si emër  në të  pa shquar e  si  mbiemër në  të shquar, por për mësuese Anën nuk dihet pse s’ ishte nga ata emra që s’ duhej  t’i harronte…

-Jam këtu ! – tha krutani Xhixh Xhixhi,  pesëdhjetë vjet më vonë, në vitin 2016, veç mësuese Ana nuk ishte më. Për një si ajo, nëse kishte botë tjetër, duhet të ishte duke shëtitur në kopshtet e Parajsës  me doktorin e saj,   buzagaz, ndoshta  me emrat Mina Pina, Kici Bici, Xhixh Xhixha në mendje. Për të pranishmit  shprehja  më e zakonshme  e emocioneve ishin lotët! Jorgji Shundi, mësuesi i frikshëm tiranas i fizikës, emër i njohur ndërkombtarisht si arbitër  volejbolli, me prefiks  8  në vitet e tij, gjeti  me vend  të hapte zemrën ndoshta si kurrë më parë.

– Vija nga Tirana,  Fieri më dukej si fundi i botës jo se ishte larg, po prej jush, të mbledhur nga ana e anës, të qethur me gërshërë të mëdha arnash, që flisnit secili në dialektin e vet, që fshinit fytyrën me mëngë e që më dukeshit të gjithë kokëqoshe, ku nuk mund të zinte vend asnjë ligj i Njutonit. U sfidova prej jush që ato tre vjet e u sfidova gjatë tërë këtyre dekadave për atë që keni bërë. Se puna e mirë bën këmbë e ecën e dëgjohet edhe pse nuk bërtet.

– U kërkoj ndjesë sot, – tha ai, – nuk është kurrë vonë të kërkosh ndjesë e të shikosh te vetja!

Vuri dorën në ballë, pastaj te sytë, sikur fshiu një lot brenge, dhe tha :

– Kishim një orë të madhe muri në sallën e mësuesve. Në pritje të ziles, dërgova një piciruk t’a shihte. Ai shkoi e u kthye e nuk tha asgjë. Ai nuk e njihte orën!

– Isha unë! – u dëgjua një zë nga fundi i rrjeshtave. Të gjithë kthyen kokën!

Ishte  një emër  i njohur për të gjithë , jo për atë që kishte qenë, po për atë që ishte bërë e  kishte bërë.

Ishte Bashkim Koçi.

Le të jetë gjithçka e shkruar më sipër një hyrje e gjatë.

Gjithçka më poshtë ka të bëjë me këtë emër, Bashkim Koçin, se  jam i sigurtë që edhe bashkë gjimnazistet do të gjejnë veten, madje do të gjejnë veten edhe bashkëmoshatarët e bashkëfejsbuksat e mij,si gjej veten edhe unë.

Duhej të hapje sytë  të shihje e mësoje ca gjëra që i shihje e mësoje për herë të parë. Ishin shumë gjëra njëherësh e duheshin mësuar me radhë:

Mësuese  Meliha Dodbiba, të cilën druheshe t’a shihje në sy, aq e mirë dhe e veshur bukur ishte,  pas mësimit vinte dhe në mensën e ngrënies, dilte në krye të sallës , ngrihej në majë të gishtave e thoshte : “ Fëmijë, mbajeni mbyllur gojën kur hani, ja kështu!”. Dhe mbyllte buzët e bënte sikur përtypej.

Gati çdo mëngjes  te oborri i shkollës shfaqej i shoqi, Piroja, i madhi i rrethit, i jepte një trëndafil e ikte në punë t ë vet. Sikur nuk  e kishte në shtëpi. Vonë  kuptohet se disa gjëra, sidomos grave, u pëlqen të duken që të quhen!  Pak burra i marrin vesh këto, shumë  nuk i kuptojnë e nuk i bëjnë gjithë jetën.

Ishte rrugë e gjatë ajo që kishte bërë Bashkimi  i vogël nga Prishta në gjimnaz, me shumë kthesa. Së pari ndjeu se kishte një dhunti për mbledhjet e zbritjet, për shumëzimin e pjesëtimin, edhe pse hesapet nuk i dilnin ashtu si dëshironte  : Kishte ardhur vjeshta, bashkë me të ftohtit e ai nuk kishte çorape!  I qëndisi një letër të atit, pyeti  rrotull e rrotull si ishin të gjithë, si po ia dilnin me zahirenë e dimrit, deri sa arriti të thotë se i duheshin 50 lekë për çorape!

Një pasdite, në orën e studimit, ia behu në klasë ministri i Arsimit, Thoma Deliana. Sa kishte filluar reforma për kthimin e shkollave të ciklit të ulët nga shtatë në tetë vjeçare e ky kontigjent nxënësish  ishte përcaktues për një fillim të mbarë.

Ministri pyeste për gjithçka, për gjëra të thjeshta , nga ato që fillojnë nga mëngjesi , që i has përditë e që gati nuk i vë re e nuk u vë as emër, sa harron të pyesësh. Zakonisht nuk i vënë re ata që gjëra të tilla nuk u mungojnë. Bashkimit këto  i mungonin, i prishnin hesapet e gjumin . Ngrinte të dy duart të përgjigjej, në këmbë, edhe që të binte në sy, nga që ishte  sa një trumcak.

Nga pas shpinës së ministrit  drejtoresha e konviktit  Ksanthipi  Bufi i bënte me dorë, “fol, fol!” Përgjigje pas përgjigjeje, atij i erdhi zëri, madje guxoi e bëri përpara në rreshtin midis bankave.

Ndaloi kur ministri nuk  po e shihte në sy po poshtë, te këmbët. Uli kokën dhe vet. Kërcinjtë , deri te ato që quheshin këpucë, ishin skuqur nga të ftohtit si të përcëlluara me hithra! U ndje ngushtë, po nuk i erdhi   në mendje  asgjë për të  qenë e për të thënë . Bëri një prapaktheu e gati me vrap shkoi e u fsheh pas shokut diku në rreshtin e fundit.

Sa doli ministri nga klasa  ngjeshën hundët te xhamat e dritares për t’a parë  përsëri. Ishte e para herë që shihnin kaq afër një ministër. Ishte dhe hera e fundit. Vetë ministri pas disa kohësh pagoi  shtrenjtë faturën e asaj reforme që kërkonte  zemër e kokë po jaqë dhe të  hante kokën. Disa minuta më vonë mësuese Ksanthipi u kthye në klasë e u drejtua te banka e fundit. Ai fshehu edhe fytyrën me të dy duart.

-Eja me mua! – tha ajo.

Shkuan drejt e te magazina.  Shkolla kishte dy magazina  me   vetëm një magaziniere. Ajo dilte paradite për t’i lënë kuzhinierit tërë artikujt e nevojshëm për menynë e ditës, dilte edhe pasdite e mbante hapur magazinën e veshmbathjeve për çdo porosi që jepej për konviktorët.

– Dëgjomë tani, – tha mësuese Ksanthipi, – do të ma veshësh këtë djalin nga koka te këmbët!  Tani!

– Por sikur…

Dukej se magazinierja hezitonte për diçka.

– Bëje tani. E di , nesër do të të sjell vendimin e këshillit të shkollës, mos ki merak!

– Si urdhëron, drejtoreshë!

Ksanthipi Bufi ishte drejtoreshë e konviktit  e atyre u dukej se e çmonin më shumë po ta thërrisnin mësuese.

Gjysmë ore më vonë ai ishte veshur nga koka te këmbët si një kalli misri , me disa shtresa. Provoi dy tre  kostume, se i vinin të mëdha, sidomos te mëngët, solli nëpër duar çorapet. Mban mend edhe sot këpucët çeke, shumë të forta, aq të forta sa  hoqi dorë prej tyre vetëm kur  u rrit e iu rritën këmbët!

Të nesërmen shkroi  letër në shtëpi  duke filluar “ato 50 lekët nuk më duhen më”,  e pastaj tregoi me hollësi  “ kështu e kështu e kështu!”..

Kësaj radhe llogaritë i dolën ashtu si nuk e kishte menduar. Zakonisht kështu trajtoheshin fëmijët e jetimoreve! Ai nuk ishte një përjashtim: për  të gjithë konviktorët ardhur nga zona të thella rurale trajtimi ishte  njëlloj, mësim, ushqim, veshmbathje falas. Vendi ishte ende në pasluftë.

Nuk ishte e thënë të vazhdonte për matematikë. Rrethi kishte nevojë për specialistë të bujqësisë e blegtorisë. I doli bursë për veterinari në Institutin e Lartë Bujqësor. Duhej të hiqte dorë nga matematika, që e donte aq shumë. Nuk ishte zgjedhja e tij e as që bëhej fjalë për zgjedhje.  Nuk i pëlqente as veterinaria. Të merrej me kafshët? I donte ato, ishte rritur me keca e qingja po  kafshë ishte dhe gomari e nuk duronte dot veten të merrej me kafshë që bënin punë angari, si ngarkonin gomerët… Për dy javë emri i thirrej në auditoret e veterinarisë  e ai ndiqte leksione  agronomie. Një ditë drokiti në derë të rektorit, profesor Gaqo Tashkos. Duhej zgjidhur kjo punë!

Rektori fshiu syzet e i doli në një shteg tjetër. Siii,  të tjerë si ti  më kërkojnë të kundërtën. Në këtë degë bëhesh mjek, djalë. Shpëton jetë!  Si të rritësh të shëndetshëm një fëmijë, si t’i shtosh ditët një të moshuari. Ndryshimi është se njerëzit thonë ç’kanë, kafshët jo, duhet të dish ç’u dhëmb!

Djalit nuk iu mbush mendja. Fundja edhe bimët nuk kanë gojë, edhe për to duhet të dish ç’kanë e ç’duan. Prishta  e tij ishte gjithë mollë e dardhë e fiq e qershi, nga ato që të dalin në ëndërr.

-Mirë,- tha rektori, – u bëftë si  do! Veç atë që zgjedh  e do të bësh në jetë duhet t’a duash. Ndryshe  do t’a vuash!

Kështu ai një ditë u diplomua agronom e filloi rishtar  në fermë, në sektorin e frutikulturës në Munushtir. Fshati ishte bri Osumit, e rrihte dielli e rrushi piqej sa të ngjitej në gishta. Rakia ishte aq e mirë sa kishte marrë emrin e fshatit , me zë në gjithë Skraparin.

Kishte ardhur koha për drufrutorë të tjerë, pjeshkë, kajsi,  mollë, kumbulla ,madje u provuan dhe portokalle!  Agronomi  i ri nisej në mëngjes në Munushtir e harrohej rrënjëve të pemëve.  Ky pasioni pas punës, si një lloj ileti, nuk dihet si të vjen! Ndoshta ia ngjiti një usta i vjetër i pemëtarisë, Qazim Caka. Për të thuhej se ishte i goditur nga ky ilet, sikur ishte zënë nën pemë!

Nuk mbaj mend, kam njohur Bashkimin para Qazimit, apo  Qazimi më ka njohur me Bashkimin. Ishte viti 1972, sapo isha transferuar në gazetën e sapohapur  lokale pas vetëm disa muaj “ushtrim” te Zëri i Rinisë, pra isha dhe unë rishtar fringo, as njihja e as më njihte njeri  kush isha e ç’isha i zoti të qullosja.

Më duhej të gjeja personazhet e bukës time  të gojës.  Qazimi  ishte emri i parë që dëgjova nga  Abdulla Braçe, edhe ai agronom në  fermë, në sektorin e Qendrës, bashkëpunëtor i gazetës që kur ajo ishte  buletin. Qazimin e  njihnin të mëdhenj e të vegjël, edhe pse i pafjalë, gati i padukshëm. Thoshin se u rrinte fidanëve  te koka , i shtratifikonte, dimrave me ngrica i mbështillte me lloj lloj kashte, thasë të hedhur letre, madje edhe me guna të vjetra. Ai nuk merrte urdhra nga askush për këtë,  ai urdhëronte  veten : i mbronte fidanët nga bryma me frymën e vet!

Ata kultivarë fidanësh , sidomos mollësh e kumbullash, shumëfishoheshin e  klimatizoheshin  nga

Qazimi e shpërndaheshin për t’u mbjellë në  rrethe me terren e klimë të ngjashme, nga  Librazhdi e deri në Dibër e Kolonjë.  Ndoshta mbi  një milion fidanë të rritur e selitur në duart e Qazimit!

Them se iletin për të dashur pemët e pemëtarët ky personazhi  im i sotëm, Bashkimi, e ka marrë nga Qazimi, një ilet nga i cili nuk deshi të shpëtojë e të shërohet më!

Një vit provuan të kultivonin luleshtrydhe, aty në Munushtir.  Mbollën dy lehë të mira, thuajse dy dynym,  e ato u bënë që ç’ke me të! Dheu  i ka dashur luleshtrydhet në anët tona, rriteshin në gëmusha, në gjendje të egër, kokërrvogla , të ëmbla, ngjyrë floriri në të kuqërremtë. Fëmijët i shkonin  në pirra a në pe e bënin vargje  e byzylykë me to,  pasi dendeshin  më parë.

Problemi i vetëm me luleshtrydhet e Munushtirit ishte krejtësisht i pa parashikuar : me çfarë çmimi duhet të dilnin në treg? Në manualet e çmimeve nuk ekzistonte një produkt i tillë! Nuk bëhej fjalë për kosto e më the të thashë për një frut që njerëzia ishin mësuar ta gjenin në pyll falas, punë e madhe se kokrrat  qenë sa një lajthi e këto munushtirset sa një kokërr  arrë!

Krijuan shpejt e shpejt një komision, mblodhën e zbritën gjykimet e vunë një çmim sa për të thënë. Fundja sasi të vogla do të dilnin në dyqan, disa kilogram në ditë!

Rezultati  ishte surprizë, brenda ditës  ato ishin zhdukur: njerëzve  ua hëngri syri e syri  shpesh  nuk bën  fare hesap!

Ndoshta, pa e ditur se si, Qazimi e soji i tij i njerëzve të punës me dheun, me bimët, me gjënë e gjallë,  prej të cilëve mësoi, i shtoi dëshirën  të shkruajë, të tregojë për ta.

Ishin të njohur të vjetër e të rinj, shumë të tjerë të njohur nga ajo që kishin bërë, duke u përpjekur me mish e me shpirt për diçka më tepër se sa merrnin, se njeriu kur punon për vendin e vet  punon dhe për vete, për sot e për nesër.

Unë vet kam besuar e besoj se dje e sot e nesër ka patur , ka e do të ketë njerëz të tillë, të vërtetë, jo të nxjerrë nga përralla.

Bashkimi  këta personazhe vitin që sapo lamë pas, pasi ia hodhi pandemisë, i bëri bashkë në librin  e mrekullueshëm  “Kapedanë të Bujqësisë”.

Titulli është në të pashquar, ai ka bindjen  se ka shumë kapedanë  që kanë ushqyer bimët, pemët, kafshët e çdo gjë tjetër të gjallë që  jep jetë.

Këta nuk kanë zënë topin nga gryka si Mic Sokoli, nuk kanë vrarë bimbashin si Çerçiz Topulli,  nuk kanë hedhur gunën mbi tela e nuk  janë sulur me duar kundër dushmanit si Çelo Musai e për ta nuk ka këngë. Por Ata edhe për mua, si për Bashkimin, janë Kapedanë!

Njerëzit që ia dalin mbanë përherë janë quajtur kapedanë!

Një agronom  si Todo Gjermani, që e ktheu ultësirën  tërë gëmusha të Shtoit, buzë Zallit të Kirit, në vreshta me famë hardhish, që riktheu kultivarin shqiptar me emrin e madh Kallmet e që nga dashuria për  këtë profesion  i  vuri djalit të vet emrin Agrikol a nuk është kapedan? Gjen sot  prind që nga dashuria  të venë emra të tillë të ngjashëm? Që dashurinë  e pasionin për punën e krijimin t’a përcjellin nga ati te biri, si emrin?

Sot Agrikoli është një emër i madh i vreshtarisë e prodhimit të verërave në Greqi. Për të kthyer dashurinë e mirënjohjen, një nga verërat e tij quhet Todo!

Bedri Lumani Lumani e filloi me disa fidanë ulliri në Otllakë e vit pas viti veshi e qëndisi me ullinj kodrat  e Kutallisë, Qafës së Sqepurit, të Kuçovës, të Perondisë e të Lapardhasë, të Lumasit e të Starovës. Ai i dha emër , e bëri mbret tavoline Kokërrmadhin e Beratit. Namin ia çoi deri në Kinë, ku mbolli fidanin e parë në vitin 1964. Sot ai ulli është në lulëzimin e moshës, 57 vjeç, se ulliri është jetëgjatë! Ata që i dinë këto punë thonë se mund të gjesh ende bashkëkohës  të Skënderbeut, Monumente Kombëtare  të Natyrës !

Emri i Bedri Lumanit dhe të ngjashmëve me të do të kujtohet tej jetëgjatësisë së drurëve që mbolli , saherë që në pjata do t’i ruhet pirunit ulliri mistrec  kokërrmadh i Beratit. Ky burrë i shtruar e i duruar,  që e u bë mjeshtër pasi bëri çirakun, që besonte se nuk ka toka të këqija po bujq të këqinj, para se të mbyllte sytë, në vitin 1985, i dhuroi gërshërët e krasitjes e shartimit, – zgjatim i duarve të tij, bashkëpatriotit më të ri, Qazim Cakës, jo si relike, por si amanet se punët e mëdha bëhen me mjete të tilla të thjeshta e me dashuri të madhe.

Gjeneralit të pemëtarisë shqiptare, Abedin Çiçi, kuptimin  e jetës së vet , që e nisi herët si jetim, do t’ia jepte dashuria për pemët, gjelbërimi që i mbiu në shpirt e që nuk njohu dimër në asnjë stinë të jetës së vet të gjatë : pas një specializimi në Firence në Itali, në një nga shkollat e agronomisë më të famshme të botës, tërë kursimet e veta, deri qindarkën e fundit, ai i bëri fidanë drufrutorësh të ndryshëm, nga kultivarët më të mirë. Në kthim, para imbarkimit në anije, i doli një problem   i paparashikuar me zhdoganimin, nuk kishte të paguante!  Para alternativës “fidanët në det”, nëse donte të kthehej, ai zgjodhi  “ose bashkë me fidanët, ose dhe ai në det , bashkë me fidanët!”

Një rast si ky të vë në provë të zgjedhësh në jetë çfarë do të bësh e çfarë  je në gjendje të bësh për atë që do të bësh. Beteja të tilla të fituara edhe me veten janë prova për gjeneralë të ardhshëm…

Në vitin 1928  paska qenë në Shqipëri për hartën e bimësisë një nga botanistët më të mëdhenj europianë, Mark Graff. I paska rënë Shqipërisë kryq e tërthor, nga Jugu në Veri e paska bujtur edhe në  kullën e vëllezërve Gjeri në  Bogë. ( Bogë? Hajde merri vesh punët e Zotit e të njerëzisë si e qysh fshati mori këtë emër!) Dy vëllezërit ishin shtatlartë, njëri 2 m e 14 cm e tjetri 2 m e 9 cm!

U paska thënë mysafiri vëllezërve : Prisja të gjeja në Shqipëri mrekullinë e natyrës, me kaq diell e ujë e klimë që kini, po nuk mendoja se do të zbuloja Njeriun e Alpeve!

Për sa më sipër tregon Ahmet Osja,  vet Njeri i veçantë, për mbi tre dekada kërkues e drejtues në  Institutin e Misrit e Orizit në Shkodër, ministër i bujqësisë, i dashuruar  me gjithçka ka ky vend, ky dhè, njëherësh mëmë e atë!

Botanisti Mark Graff e mbaroi hartën e bimësisë të Shqipërisë në vitin 1935. Me  Ahmet Osjen ka  një  intervistë të gjatë miku im Bashkim Koçi. Them se Bashkimi krijoi rastin e lumtur  të ulem  për herë të parë  e të fundit  me këtë Njeri  në një kafe  në Shkodër, në tetor 2018. Në harkun kohor të “një kafeje” kuptova për herë të parë ca gjëra që mendoja se i dija.

Harta e bimësisë së Europës mbështetet  mbi hartën e bimësisë së Shqipërisë të Mark Graff! Shqipëria jonë ka shumë gjëra që nuk i ka Europa. Në një territor të përthyer , të ngjeshur , kemi det, ultësirë, lumenj, male të lartë: lartësia mesatare e Shqipërisë është 708 metra mbi nivelin e detit, ndaj 304 metra të mesatares europiane. Figurativisht jemi antena e Europës.

Kemi 2,2 herë më shumë dritë se pjesa veriore e kontinentit. Mendohet se Shqipëria derdh çdo vit në det rreth 30 miliardë metro kub ujë: vendet rreth nesh, me sipërfaqe disa herë më të madhe se vendi ynë, kanë 3 deri katër herë më pak ujëra të brendshme. Dielli dhe uji janë pasuri që i ke ose nuk i ke, nuk i ble kund, as prodhohen në fabrikë. Ne i kemi me bollëk, po nuk ua dimë kimetin, na rrëshqasin nga duart!

Po toka? E kemi të pakët, me diellin e ujët  bëhet shumë. Edhe kësaj nuk ia dimë kimetin, po e gërryejmë, shkatërrojmë bimësinë, lumenjtë, faunën. Këto nuk kanë këmbë të ikin vetë, as të mbrohen, të keqen e të mirën e kanë prej nesh. Tokën nuk ka fabrikë që ta prodhojë . Mëmëdheun e Atdheun nuk e ble dot.

Në inspektimin e parë si ministër në rrethin e Elbasanit, duke u folur për tokën e kujdesin ndaj saj , në një moment ai tha :

-Nëse më ndodh të vdes këtu, më varrosni vertikalisht! Do të kursehet një metër tokë më tepër…

Them me vete, ç’ bij e bija nënash kanë qenë këta emramëdhenj , që mbetën të tillë me atë që bënë e jo me atë që morën për gjithçka bënë? Ç’ bir nëne është ky Bashkim Koçi, vetëm katër ditë më i ri se unë, ç’i punon zemra e mendja që, në këtë moshë, mbledh bëmat e këtyre njerëzve, i kthen në kohë, i sjell tek ne në një libër nga i cili nuk nxjerr as shpenzimet?

–  Flori e shkuar floririt janë,  o Tunxh, kapedanë e bij kapedanësh janë ! – do të thoshte Sandër Prosi  i Udhës së Shkronjave!

Në celularin e Bashkim Koçit ka 1837 numra të regjistruar! Gjithë kohën ai është me aparatin në dorë, sikur nuk ka xhep, jep e merr,  pyet, uron, ngushëllon, thërret ! Nuk e kam ditur të tillë, edhe pse është nga ata të paktët që, si i thonë,  ke ngrënë  bashkë thesin proverbial me kripë!

E nisim ditën me “kafellafe”  te Komfort, afër shtëpisë time në rrugën Fortuzi, pastaj  fillojmë ecjen si terapi nga  “kilometri zero”, Sheshi Skënderbej. Ai përshëndet majtas e djathtas me emër. Në trotuarin te Ministria e Arsimit  i thotë çdo ditë “si je, komandant?” një burri  që mosha sikur e ka futur në ujë, si dok!  “Ka qënë oficer madhor”, më thotë. “ Oficeri  madhor” shtyn kohën  nga mëngjesi në darkë para një peshoreje.  Pranë Kishës Katolike  i flet me emër një lypësi. “Si je, Baç?”, i a kthen tjetri.

Një ditë nderoi me grusht  një esmer.  Është arixhi safì më thotë. Është enverist, edhe pse në atë kohë ka bërë burg. Quhet Sadri  Korteshi nga Yzberishi. Banon në Kombinat. Ka bashkëjetuar me 13 gra e ka bërë 63 fëmijë!

“Uaau!”,  – bëra unë. Si Nastradin efendiu m’u duk Bashkimi , jo Sadriu. M’u duk se e shpiku për mua këtë histori, në vend të fizioterapisë . ”Uau bëra dhe unë, – tha ai -, po ma ka treguar me gojën e vet. I thashë se ke bërë burg e ti mban kaseta e vidiokaseta me Enverin”.”Nuk e kam burgun prej tij, m’u kthye, por nga ata poshtë tij. U vinte plasja që unë kisha shkuar me 13 gra”!

Epo, i thashë  vetes, edhe sikur të jetë marrë nga 1001 netët, kjo  ishte përrallë e bukur : 63 fëmijë  nuk i bën zori, bëhen nga dashuria. Ato gra kanë parë diçka të mirë te ky njeri, diçka që ëndërronin e nuk e provuan kurrë…

Kur ngula këmbë se po e tepron, se po rrimë aq kohë bashkë sa iu mbaruan së thëni  të vërtetat Bashkimi e plasi në fb historinë  e Sadriut,  edhe me foton e tij. Madje shkruante se kishte punuar në NB “17 Nëntori” dhe se kishte përfituar tokë  nga ligji 7501!

Në “kafellafen” e mëngjesit tjetër i thashë   se ai vetë ishte  një arixheshkë që nuk lë dy gurë bashkë, të zi e të bardhë!

Bashkimi ishte bërë tym, e kishte pësuar prej dyshimit tim : historia e Sadriut  i kishte hapur punë! Disa tv kishin gjetur skupin e pëlqimeve te Sadriu me 13 gra e 63 fëmijë!

“Më është mërzitur telefoni, – tha, – gërr gërr! Kërkojnë adresën e numurin e tij! Ja ç’më bëre !”

“Halle  halle kjo dynja, – thashë unë, – halli hallit nuk i ngja! Mos u mërzit, çdo çudi zgjat vetëm tre ditë!”

I tillë është ky miku im Bashkimi, i hap vetes punë kur s’ka punë e i hapin punë  kur ka punë! Dhe unë them pse mbetet me celular në dorë, sikur nuk ka xhep!

Eh, sikur unë jam ndryshe! Pa shikoni këtë fotografi bardhë e zi,  bërë 50 vjet më parë, në vitin 1972. Me kokën në rè, as ai e as unë nuk mbajmë mend ku  ishim  e ku po shkonim në këtë mjegullnajë.

Shihnim përtej, tej portokalleve e luleshtrydheve të Munushtirit, në një nesër ku do të gjenim qumësht blete e qumësht dallandysheje njëherësh!

22. 02. 2022 do të thotë  22.02.2022. Dmth sot! Është dita e lindjes  e këtij kapedani, Bashkim Koçit! Edhe 100 vjet, miku im!  Më hape punë, më duhet të të ndjek, të më durosh e të të duroj, duke parë të japësh e të marrësh  24/24 orë me celular në dorë!

Share This Article
3 Comments
  • I nderuar Sefedin Cela te pershendes e do te doja tete kisha prane,une 86 vjecari,nje jete MESUES,qe me Ju sa lexova,sidomos me FOTON me te NDERUARIT e rralle,dobesia ime.)veten vleresova…Qenkam *ANALFABET*.
    ..Ju faleminderit sa sjelle, per ate figure te shquar si Bashkim Koci,dobesia ime,(une nje mik nje jete me te ndeiri e pa shoq;kryenjeriun se pari, Abedin Cicin e rralle <Ndiese paste.)dhe jo vetem ate patur dobesi,nga sa permendni Ju,ne kete shkrim.Nje jete mesues (sa drejtor shkolle me emeronin) mes sa shkruani Ju,o i ndeuar Sefedin Cela,(pa tjeter jemi takuar ne Tirane), per mua, pas Abedin Cicit te ndiere dhe ish ministrit te arresimit Thoma Deliana e .tere ish te pasionuarit si Ju, i kam te ngulitur ne TRU,..me TRINITRINE*-te mirin e te rrallin,si e pershkruani Ju,Te pasionuari,POLIGLOT* -Bashkim Kocin – jetoj, te 85 vit, fatekeqesisht ne emigracion.deri tej oqeani.
    Ju faleminderit ju me kete shkrim,vertet TRINITRINE* per mua. Nuk po e gjej dot-ANALLOGUN-sa njohur e lexuar.. Ju faleminderit e DITET NJEMIJE! Ju, dy KOLLOSEVE te PENAVE te kohes qe jetojme. *TRINITRINA*per mua. (.Fatkeqesisht me *COVID*in e pasherrushem qe perjetojme.)
    Nga Toronto ju pershendes e uroj,me lente COVID-I *ne Atdhe, prane Jush dhe Atij vendi,(vertet si e pershkruani Ju dhe Bashkim Koci,)me dalte shpirti ..!
    Toronto 23 shkurt 2022
    Me Ju Guri Naimit D.

  • Dogmatiku enverist bashkim koci,.Artisti i Pemetarise,frutikultures Abedin Cici. Hane Shan Hane Bagdat.
    50 vjet pune te Abedin Cicit ne Fermen Gjergj Dimitrov,,ja rrafshuan brenda vitit kafshet maloke qe i leshoi Tiranes Sali Berisha.Kafsha nuk ka brejtje ndergjegje.Nuk ka pishmane per ato qe i ka bere tokes,,Se pemet dhe hardhite e Cicos kishin shpirt.
    Mijra drufrutore ne prodhim,,mijra hardhi,,I prene kafshet,ndertuan Kamzen Bathoren .
    Per shpirt te Abedin Cicos,i ve boben atomike edhe kamzes edhe bathores,te shkojne andej nga kane ardhur.
    Prandaj nuk behet Shqiperia.

  • Ka lezet te lexosh dicka apo shumecka nga njeriu i vecante Sefedin Cela. Atij i flet shpirti origjinalisht e jo artificialisht. Dhe i ka te tera te verteta. Per emrin bashkim Koci ka aq shume per te shkruar por , Sefedini, qe realisht di te shkruaje e jo te nxije letren si shume kush, i ka thene me art e thjeshtesi shumicen e te vertetave te bashkimit tone: agronom, gazetar, gjysh, baba,shok, mik, njeri. Ju uroj te dyve , me qe paskan kater dite largesi nga njeri-tjetri?! tere te mirat e ketyre diteve plot genjeshtra. Festofshi edhe njeqind vjetorin i dashur bashkim.
    Ilmi qazimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *