Enigmat e arit shqiptar

Ornela

Alfred Papuçiu

Rreth librit të prof. Ksenofon Krisafi me titull “Në kërkim të arit”

Historia e arit shqiptar, i rrëmbyer gjatë Luftës së Dytë Botërore vjen në një libër me vlera akademike të rralla, nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi. Libri “Në kërkim të arit”, mund të quhet me plot gojën një manual i vërtetë shqiptar i artit të negociatave diplomatike. Një përvojë e rrallë për diplomatët, shtetarët dhe zyrtarët, të cilët mund të mësojnë nga përvojat personale dhe profesionale, nga formati, taktikat, stategjitë, etika dhe gjuha e përdorur nga diplomacia ndërkombëtare, gjatë debatit 50 vjeçar për arin shqiptar.

Ari ishte shqiptar, kurse gjetja e rrugës së kthimit të tij ishte ndërkombëtare, gjë që i jep temës dhe trajtimit të saj një hapësirë më të madhe se koha kur kanë ndodhur ngjarjet. Ksenofon Krisafi ishte një nga pjesëtarët kryesorë të grupit të ngushtë të punës, që ndërmorën 10 vjet bisedime me palën britanike, për kthimin e 1574 kg ar, të depozituar atje pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e njihte thellë atë problem dhe dha një ndihmesë të veçantë, në ecurinë pozitive të bisedimeve me anglezët, që natyrisht ndiqeshin me interes, nëpërmjet kanaleve të tyre diplomatike, edhe nga vendet e tjera europiane apo SHBA. Interesimi ishte i madh edhe nga shtypi perëndimor edhe ai i pavarur në Gjenevë, kur zhvilloheshin bisedimet dhe duhej të kishe kujdes të përgjigjeshe në mënyrë të saktë dhe jo si “robot”, apo të përgjigjeshe: “Les bureaux sont fermés” ( Zyrat janë të mbyllura), si ai diplomati i mefshtë, diku në një ambasadën tonë, atë kohë të trazuar. Gjë që e skandalizoi diplomatin e shquar, Kujtim Hysenaj, kur e dëgjoi gazetarin francez që i kërkonte spjegim një diplomati shqiptar.

Alfred Papuçiu

Përmes dokumenteve dhe kujtimeve, ai sjell për lexuesin përmes librit “Në kërkim të arit”, këtë proces të gjatë që nuk solli vetëm kthimin e arit, por ishte edhe një hap i rëndësishëm për hapjen e Shqipërisë drejt Perëndimit. Unë kam marrë pjesë në bisedimet e Gjenevës midis delegacionit shqiptar dhe atij britanik dhe të them të drejtën ka qënë një punë e lodhshme që vazhdonte deri natën vonë, për të vënë në dijeni për ecurinë e tyre, ministrin e jashtëm të përkushtuar dhe tepër njerëzor, Reis Malilen dhe Presidentin e Republikës. Gjithashtu për të ndërtuar bisedimet me një frymë të ngrohtë, miqësore, që do të shpinin shpejt në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe, por edhe me SHBA. Sidoqoftë, në përgjithësi e ndjeja veten të qetë pasi Ksenofoni ishte aty, si dhe Muhamet Kapllani, zëvëndës ministër i punëve të jashtme, njohës i thellë i problemeve ndërkombëtare dhe i gjuhës angleze, me të cilin kisha qenë 8 vjet në OKB dhe kishim ndarë orët e mira dhe ato me shqetësime…

Kisha shumë respekt të veçantë për Ksenofonin, në krahasim me kolegët e tjerë, pasi më kishte qëndruar në çdo kohë pranë. Jo vetëm që njiheshim familjarisht por për më tepër, ky njeri fisnik, më kishte dhënë një ndihmë të çmuar dhe një këshillë “të artë”, kur një ish kolegu ynë i mbrapshtë dhe cmirëzi, për përfitime personale, donin të ndalonin ecurinë time në rrugën e diplomacisë. Vazhdimin e saj ja dedikoj, në radhë të parë, fisnikut Çajup Rusmaili, Todi Kokoneshit, vjehrit tim të thjeshtë dhe të mirë, Behar Shtyllës, Reis Maliles, Sokrat Plakës, por edhe Ksenofonit dhe disa shokëve të mij të ngushtë, si Ilia Jankut, Bashkim Pitarkës, Agron Agalliut, Piro Vitos, Sulo Myftiut. Vlerësimi i tyre për punën time me organizatat ndërkombëtare, edhe pse ishte modest, më dha forcë për të përballuar vështirësitë e jetës, por edhe katër vitet, në krye të Misionit shqiptar në Gjenevë, kur shpesh duhej të përgjigjesha vetë për probleme të koklavitura. Sa “t’i ngroheshin llampat” atij diplomatit që ishte futur në atë rrugë për përfitime personale dhe jo për të menduar për çështjen e Kombit, mund të gjendesha shumë shpejt në rrugë pa krye.

Zyrat me Ksenofonin i kishim ngjitur dhe një derë nga ndante, por ajo qëndronte gjithmonë e hapur. Ai ishte drejtor i Byrosë Juridike dhe unë zëvëndës drejtor i drejtorisë së organizatave ndërkombëtare. Atëhere ishim vetëm tre vetë që mbulonim një mori organizatash ndërkombëtare, si OKB, INATOM, FAO, PNUD dhe 7 projektet e tij me Shqipërinë , UNICEF, Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, UNCTAD, OMS, Byronë Ndërkombëtare të Punës, UNESCO, UNIDIR, etj. Edhe Ksenofoni kishte vetëm një punonjës dhe barra më e madhe për çështjet e koklavitura juridike, politike, si edhe kjo e arit shqiptar, i binin atij. Qëndronte deri vonë, duke shfletuar analet e diplomacisë shqiptare. Për çështjen e arit, por edhe të tjera, që ishin objekt i diskutimeve tona të hapura dhe të sinqerta, pa doreza. Shpesh mbyllnim derën dhe pinim nga një gotë të vogël, duke bërë shaka, për të hequr lodhjen. Me ne bashkohej dhe Pirua juristi, Sulo, diplomat i vjetër. Shkonim edhe përballë tek restorant “Arbana” ku na përgatisnin atë “tavën e Tiranës” dhe kalonim çaste që nuk harrohen…

Sa herë kemi diskutuar bashkërisht me Ksenon për “çështjen e arit”, sidomos kur unë duhej të shkoja të ndiqja Komisionin e gjashtë Juridik në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si dhe para nisjes sime me detyrën e të ngarkuarit me punë në Misionin shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë. Ishte një nga problemet kryesore të asaj kohe, e një rëndësie të veçantë politike, diplomatike, ekonomike, juridike, si dhe historike. Në vitet 80-90, kur unë ndodhesha në Nju Jork dhe ndiqja, për rreth tre muaj nga shtatori në dhjetor, me një grup të vogël kolegësh, Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së dhe 6 Komisionet e saj, jo vetëm përfaqësuesit grekë, por edhe të vendeve të tjera mund të atakonin për çështjen e arit, pasi ai lidhej me një problem juridik të pazgjidhur: incidentin e Kanalit të Korfuzit. Në biseda të veçanta me ta në korridoret e OKB-së, mund t’u a mbushje mendjen për të vërtetën e çështjes së arit shqiptar, por në diskutime para Komisionit ishte ndryshe.

Siç dihet, ari u bllokua për shkak se u ndërthur me incidentin e kanalit të Korfuzit, që ndodhi në tetorin e vitit 1946. U desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, që të arrihej në zgjidhjen e çështjes së koklavitur: për rikthimin e së drejtës së pronësisë së shtetit shqiptar, mbi 1574 kg ar. Zanafilla e saj është viti 1925, kur u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë me një kapital fillestar italian. Do të vazhdonte me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, për t’u përfshirë më vonë në ngjarjet që përshkuan historinë e trazuar të Shqipërisë së asaj kohe…

Ksenofoni ishte gjithmonë i papërtuar dhe në çdo çast të përgjigjej me atë butësinë e tij të zakonshme. Sa herë kemi diskutuar atëhere për ratifikimin e dokumenteve ndërkombëtare, aq të domosdoshme për Shqipërinë . Disa herë gjenim përkrahje. Arritëm të botonim “Statusin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë” me përkrahjen e OKB-së.

Kujtimet janë të shumta me Ksenon dhe me atë bërthamë të vogël diplomatësh që punonim shpesh me orë të tëra, me përkushtim, jo për t’i bërë qejfin këshilltarit të Presidentit apo dikujt tjetër, por për të dhënë një ndihmesë modeste, edhe në kushte të vështira pune, ecurisë së diplomacisë shqiptare. Mbi të gjitha u krijua një periudhë e volitshme, për t’i dhënë një hop, fillimisht të ngadaltë, por pak e nga pak, më tepër marrëdhënieve ndërkombëtare me Shqipërinë. Zgjidhja e çështjes së “arit shqiptar” që paraqitet me aq finesë, pjekuri, maturi, profesionalizëm, me një gjuhë të pastër shqipe, është shembull i një përkushtimi të një diplomati të madh dhe fisnik, si prof. Dr. Ksenofon Krisafi.

Kontribut diplomatik dhe juridik
Shaban Murati

Në historinë e diplomacisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar (1944-1991), janë të pakta çështjet dhe fushat, ku diplomacia mund të veçohet për një përvojë apo për një shfaqje të një kapaciteti profesional gjurmëlënës. Një ndër të paktat, nga më interesantet është ajo e arit shqiptar të grabitur nga forcat gjermane në periudhën e pushtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rikthimi i arit si pronë e popullit dhe e shtetit shqiptar, që doli si detyrë e diplomacisë shqiptare fill pas Luftës së Dytë Botërore, u transformua në një nga betejat më interesante diplomatike, jo vetëm të historisë së diplomacisë shqiptare, por edhe të asaj ballkanike në përgjithësi. Si një problem që kërkoi 50 vjet për të arritur drejt zgjidhjes, duke kaluar nëpërmjet përplasjeve të ngatërruara të interesave divergjente apo të kundërta të pjesëmarrësve, nëpërmjet ballafaqimit të shkollave të ndryshme ideologjike dhe periudhave intriguese historike, që nga lufta e ftohtë e deri tek shembja e komunizmit, çështja e rikthimit të arit shqiptar mund të thuash se ka një karakter unikal, sa diplomatik, aq dhe juridik, sa politik, aq edhe teknik e shkencor.

Sipërmarrja shkencore e Ksenofon Krisafit për ta hulumtuar, zbërthyer, ndriçuar dhe analizuar atë, pikërisht për këtë është një nismë e qëlluar dhe e lavdërueshme dhe sjell një kontribut të shquar në faqet e historisë së diplomacisë shqiptare. Është një temë e vështirë, për të cilën mungon pothuaj plotësisht literatura e specializuar, dhe ku autorit i duhet të thotë për herë të parë shumë gjëra. Mund të pohosh pa droje se vështirë të gjendesh një studiues më i përshtatshëm për ta trajtuar atë se sa autori, i cili ngërthen në personalitetin e tij portretin e shkencëtarit dhe të diplomatit, juristit dhe të bankierit.

Mbi të gjitha, autori ka pasur rastin dhe fatin të jetë protagonist i kësaj ngjarjeje dhe zhvillimi të veçantë historik, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe anëtarit të delegacionit të Shqipërisë (1985-1992) në bisedimet për çështjen e arit, jo vetëm si diplomat, por më shumë si ekspert jurist, drejtor i Departamentit Juridik në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nuk ndodh shpesh në studimet të shkrihet studiuesi me protagonistin, çka përbën një rast fatlum për një mision kërkimor serioz dhe, siç dëshmon kjo monografi që po i jepet lexuesit, mund të thuhet se mishëron një shëmbëlltyrë suksesi shkencor.

Çështja e rikthimit të arit në Shqipëri nuk ishte e vështirë, vetëm pse zgjati afro 50 vjet, gjë që kërkon nga studjuesi një punë kolosale, si dhe një operacion sistematik të qëmtimit të arkivave të Shqipërisë dhe të shteteve të implikuara në këtë çështje. Nuk është e lehtë të ndërmarrësh një maratonë kërkimi e analize nëpër etapat gjysmë shekullore të çështjes se arit shqiptar, nëpër analet dhe dosjet e panumërta të Konferencës së Paqes në Paris më 1946, të vazhdosh me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë më 1954, të përballesh me kalvarin e tratativave jo të barabarta me Komisionin Tripalësh të Arit (SHBA, Britani e Madhe, Francë), të krijuar më 1946, dhe pastaj me negociatat e veçanta me gjithë shtetet e interesuara apo të përfshira në çështjen e arit, si Italia, SHBA, Franca dhe sidomos Britania e Madhe. Po të mbash parasysh se dosja e arit ngërthehet me probleme të mprehta të marrëdhënieve dypalshe me çdo shtet bisedues, të pretendimeve reciproke të komplikuara apo të çështjeve konfliktuale, si incidenti i kanalit të Korfuzit i 22 tetorit 1946 me anijet angleze, e kupton se detyra e studiuesit ka qenë shumëdimensionale për ta ndriçuar atë siç duhet. Do të nevojiteshin dekada përgatitje e bisedime, që të arrihej tek marrëveshjet dypalshe me anëtarët e Komisionit Trepalësh të Arit, me Britanine e Madhe më 1992, me SHBA më 1995 dhe me Francën 1996, dhe vetëm në vitin 1998, me përfundimin e gjithë transaksioneve dhe formaliteteve juridike dhe kalimin në llogari të Bankës Shqiptare të arit të grabitur nga gjermanët dhe të bllokuar nga Anglia, mund të quhet e mbyllur dosja e pafund e çështjes së arit monetar shqiptar.

Një nga meritat kryesore të kësaj monografie serioze shkencore, frut i një pune të lodhshme shumëvjeçare, është se autori ka arritur të shmangë me aftësi profesionale rrezikun e kurthit ideologjik dhe politik të kohës, kur është zhvilluar lufta diplomatike për arin. Duke i qëndruar besnik pozicionit profesional të juristit dhe shkencëtarit, ai ka ditur të paraqesë një çështje të komplikuar juridiko-diplomatike, e cila ndonëse notonte në ujrat e një kohe të ngarkuar ideologjikisht, siç ishte koha e luftës së ftohte dhe e ideologjise komuniste, ia del t’i japë lexuesit me një trajtim shkencor anatominë e nje rebusi historik të ndërlikuar.

Si diplomat me përvojë, Ksenofon Krisafi, përtej debatit teknik e financiar dhe kufizimeve të ideologjisë së kohës, shikon një lidhje të ngushtë logjike dhe perspektive mes çështjes së arit dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike apo të një farë mundësie hapjeje të Shqipërisë me Perëndimin.

Libri e plotëson kuadrin e tij profesional me analizën, që i bën në mënyrë të vazhdueshme kuadrit të kohës, kur zhvilloheshin bisedimet, duke sjellë pamje dhe elemente profesionalë, të cilat bëjnë të kuptohen shumë mirë se përse ndodhej kjo pamje e proçesit të bisedimeve për arin në vitin 1950, 1955, 1980 apo 1990. Kjo lidhje e ngushtë me zhvillimet dhe politikat konkrete të kohës, me kuadrin më të gjërë të jetës dhe të diplomacisë ndërkombëtare, i jep librit një dimension më të gjërë se sa çështja konkrete e arit.

Në studimin e tij autori fut në lupën e shkencëtarit qëndrimet e shtetit shqiptar, të Britanisë së Madhe, të SHBA, Francës, Italisë, Gjermanisë, etj., duke depërtuar në konglomeratin e interesave shtetërore, që ndërthureshin me çështjen e arit shqiptar. Është me interes, që autori bën një ravijëzim të qartë dhe të kuptueshëm për secilin shtet, duke konfiguruar si koordinimin, ashtu dhe dallimet apo divergjencat e interesave mes shteteve të ndryshme perëndimore për problemin e arit shqiptar. Është shenjë serioziteti, që autori arrin të mbajë qëndrim kritik profesional dhe të bëjë një analizë objektive të qëndrimeve për të gjithë shtetet pa përjashtim, si për shtetin e tij, ashtu dhe për shtetet, që atëhere ishin palë kundërshtare dhe armiq ideologjikë të qeverisë shqiptare, dhe tani janë aleatë të rëndësishëm të Shqipërisë demokratike. Autori është ngritur mbi ngjarjet, proçesin dhe emocionin e pjesëmarrësit apo studjuesit të dashuruar me temën, ai i jep secilit hakun e vet dhe ky objektivitet shkencor e bën librin më shkencor dhe më bindës.

Libri Në kërkim të arit mund të quhet një manual i vërtetë shqiptar i artit të negociatave diplomatike. Është një përvojë e rrallë për diplomatët, shtetarët dhe zyrtarët, të cilët mund të mësojnë nga përvojat personale e profesionale, nga format, taktikat, strategjitë, etikat dhe gjuha e përdorur nga diplomacia ndërkombëtare gjatë debatit 50 vjeçar për arin shqiptar.

Autori e ka pasuruar librin dhe e ka bërë atë më tërheqës me kujtimet dhe mbresat tepër interesante personale nga historia e takimeve, tratativave dhe debatateve per arin. Janë elemente, jo të vendosura për kolorit letrar, por me një zgjedhje tepër funksionale, që ndriçojnë më mirë ngjarje, detaje, procese, politika apo portrete diplomatike.

Monografia e Ksenofon Krisafit është një vepër shkencore, që sjell kontribut të madh në historinë e diplomacisë shqiptare dhe në literaturën tonë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo shfaqet si një domosdoshmëri për lexim për diplomatët dhe historianët, studjuesit dhe zyrtarët, per studentët dhe për lexuesin e gjërë, për të cilët bëhet emërues i përbashkët interesi që zgjon tema, thellësia e studimit dhe mënyra interesante e të shkruarit.

Share This Article
10 Comments
  • Ka nje nje DIRTY JOB te Krisafit-Papuciut-Muratit ne lidhje me arin ne fjale:
    .
    Nese deri ne 1992 qendrimi pales shqiptare ishte dinjitoz dhe i admirueshem…ndersa pas 1992 kjo ceshtje u zgjidh ne menyren me poshtruese per vendin tone..
    .
    Jashte teme theksoj se ” ARI EMIGRANTEVE” ku miljardat dollare te tyre jane mijra here me te medha se kjo shume mikroskopike ..
    .
    Pse nuk jepet sasia e arit qe u depozitua ne banken shqiptare ?? qe eshte shifer me shume se poshtruese ??
    .
    Pse nuk jepet sasia e arit qe u mbajt nga 6 shtete perendimore ??
    Ju lutem lexoni kete material dhe mos u beni o Papucinj si dylqinja e tobozes

    Krykrimineli Sali Bisha, në kohën kur ishte Preshident, ka qenë objekt i spiunimit nga CIA. Ndërsa njeriu që vendoste firmën përfund dokumenteve që i dërgoheshin Shërbimit Sekret më të madh të botës ishte pikërisht Uilljam Rajerson, ambasadori amerikan në Tiranë, i njohur si mik i politikanëve që erdhën në pushtet pas rrëzimit të komunizmit.

    Historia e botuar në thelb rrëfen tratativat mes Uashingtonit dhe Tiranës për kthimin e arit monetar shqiptar të grabitur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, porse e parë nga një tjetër pozicion, të detyron të shkosh në një përfundimin interesant. Një përfundim që thotë se Shërbimi Qendror i Inteligjencës, apo siç njihet ndryshe CIA amerikane, dokumenton të gjitha zhvillimet që kanë lidhje me interesat e Shteteve të Bashkuara.

    E pozicionuar në vende të ndryshme të botës, CIA shkruan – e bardha mbi të zezë të gjitha të dhënat, nisur nga gjeneralitetet, mendimet, idetë apo vendimet e personazheve të ndryshëm, të cilët në këto raste portretizohen si protagonistë. Ardhur në rastin konkret, CIA ka dokumentuar, për llogarinë e saj, të gjitha tratativat mes qeverisë shqiptare dhe personave të angazhuar nga qeveria amerikane për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo pengesave ligjore për zhbllokimin e arit monetar shqiptar të mbajtur peng nga britanikët që pas incidentit të Kanalit të Korfuzit, të vitit 1946.

    Pikërisht në dokumentet e hartuara nga CIA për këto tratativa, që janë deklasifikuar kohët e fundit, zbulohen edhe të gjitha lëvizjet, qëndrimet dhe vendimet e funksionarëve shtetërorë, apo drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar, përfshirë ish-fuckpresidentin Sali Berisha. Më konkretisht, dokumenti i mëposhtëm përmban një marrëveshje shqiptaro-amerikane për çështjen e arit monetar, ku mes modaliteteve të ndryshme pasqyrohen edhe tratativat për shumën që duhet të përfitonin amerikanët. I firmosur nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Uilljam Rajerson, në krye të dokumentit shkruhet se ai i është dërguar Departamentit të Shtetit, misionit amerikan në NATO, disa ambasadave amerikane në Europë, – sigurisht edhe CIA-s.

  • Bobobooo gjithe kete pune kur dihet se arin e ka marr Zogu s! Kete cdo shqiptar e ka ditur apo jo?! Arin e Zogu nuk e paska marr ?!!!
    Tash te flasim pak per arin e Shqiperise ne vitet 90?! Apo do presim te hapen arkivat e sviceres?!
    Perndryshe google l’or albanais et lacommission tripartite qe te kuptoni se sa punen kane ba jo shqiptaret per kete!

  • Po lerini keto megalomani boshe tash! Ari i kthyer u katandis kokoshi nje thele, kjo eshte e verteta e hidhur!
    Te tjerat jane histori per histori, pa bereqet!

  • Dhe si perfundim? A e morren arin shqiptar? Pikerisht ate ar te bankes qe muaren italianet, ketyre ua moren gjermanet dhe ketyre te fundit ua moren anglo-amerikanet, duke perfunduar ari yn ne depozitat angleze, (ne Zvicer me duket), -te gjitha keto sipas shtypit shqiptar pas ’90, por disa te dhena per kete ar jepeshin edhe ne kohen e Enverit. Rezultati perfundimtar ishte -po sipas shtypit shqiptar- qe ari i kthehet Shqiperise nen disa klauzola, por ky ar do qendroje atje ku eshte (ne depozitat angleze ne Zvicer), dhe mund ti hiqet Shqiperise po nuk plotesoi detyrimet e saja (?). Pra, Shqiperia nuk ka marre as nje gram nga ari i saj! Apo e kam gabim? Gazeta DITA mund te me korigjoje, sepse ka folur per kete problem.

  • Geim , e ke gabim: ari iu kthye Shqiperise ne mes te viteve 90 , minus demshpermblimet per angline- qe nuk i meritonte se anija e tyre ishte vertete ne ujerat shqiptare e jo nderkombtare siç e vertetoj nje mission arkeologjik nendetare-
    po pushtetaret tone e bene rush e kumbulla! E shqipet qe gjithe jeten thane arin e ka marr Zogu nuk ia pane ngjyren!

  • Krisafi ka 60 vjet qe ha buke dhe jo vetem buke por dhe mish e fruta nga kjo ceshtje.Sigurisht qe e njeh por nuk mund te them se ka bere perpjekje te verteta vetem ne interes te problemit te arit shqiptar.Po per te shfrytezyar per veten e vet njohurite per kete ceshtje qe eshte paguar ta njihte e mbronte kane qene te shkelqyera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *