Eno, gara me zilen e zgjimit

anazapta

Me shumë gjasa, ai është i pari që hyn në shtëpitë tuaja e që ju thotë “Mirmëngjes” nga ekrani i “Top Channel”. Çdo mëngjes, shumëkujt që gjumi i del herët, zgjohet me “Wake Up”, programin e njëkohshëm radio-televiziv që e drejton Eno Popi. Emisioni popullor i mëngjesit, me biseda të shumta e të ftuar (nga jeta e përditshme urbane e deri tek arti, spektakli) dhe personazhe interesante, ia ka dalë që të mbajë të njëjtin ritëm edhe në këto kohë ndryshimesh. Si ndihet ai vetëm në drejtimin e “Wake Up”-it, zgjimi i hershëm, a mund të zgjedhë mes “Wake up” dhe “100 milionë” e si është një ditë e zakonshme e tij? Këtyre e shumë pyetjeve të tjera u përgjigjet Eno në këtë intervistë për “Dita”-n, ku veç të tjerash, për herë të parë rrëfen edhe dashurinë e tij… 

 

Eno, kur të zgjon alarmi në mëngjes?

Zakonisht në orën gjashtë jam në këmbë, por alarmi më i fortë është ai i orës gjashtë e pesë minuta, që, nëse nuk zgjohem, nuk pushon derisa zgjon edhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Raportin me alarmin vazhdoj ta kem dashuri-urrejtje, megjithatë nuk ia bëj dot pa të.

Prej sa kohësh zgjohesh kaq herët?

Miqtë e mi më thonë “lugati i grupit” sepse jo vetëm gjatë angazhimit me “Wake Up”, por edhe me programe të mëparshme zgjimi i mëngjesit ka qenë i pashmangshëm. As nuk dua t’i numëroj vitet se sa kam që zgjohem herët sepse tani më duket sikur jam në garë me gjelin e mëngjesit se kush të ngrejë kryet më parë.

A të shkon ndonjëherë ndërmend t’i jepesh gjumit e ta fshish nga mendja “Wake Up”?

Në dëshirat e mia patjetër, por në mundësitë reale jo.

Dhe në fakt duhet të çohesh patjetër, tani që nuk ke Ledionin. I pari sezon pa të. Një emision që niset për t’u drejtuar nga dy persona, a është i vështirë për t’u përballuar vetëm?

eno me te dashurenProgrami është riorganizuar. Kemi staf të ri dhe një strukturë që ka krijuar mundësinë e vazhdimit të “Wake Up”-it edhe me një prezantues. Javët e para të “Wake Up” kam ndier një ngërç në komunikimin e ndërtuar dyshe prej pesë vjetësh, por natyrisht gjërat ndryshojnë, përditshmëria këtë ta dikton, kështu që është i pashmangshëm vazhdimi i projektit me strukturën e re.

Kaq kohë që trajtoni tema sociale e kulturore, cila është ajo gjë për të cilën thua: si ka mundësi që nuk ndryshoi kjo gjë në këtë vend?

Në “Wake Up” i besojmë shumë idesë që gjërat e përditshme, të mira e të këqija, të fliten publikisht për të gjetur mundësitë e vetëkorrigjimit si shoqëri. U rikthehemi pafund temave për papastërtinë, qarkullimin rrugor, hilet me çmimet dhe kualitetin e produkteve të jetës sonë të përditshme dhe në çdo rast gjejmë problematika që mbeten, pak rregullohen dhe në fund të trishtojnë. Sepse mundet që ky vend të jetë më i mirë. Të flasësh çdo ditë nuk do të thotë që të dekurajohesh, por të kthesh pasqyrën nga vetja, të jesh i ndërgjegjshëm dhe pse jo, edhe ta thuash me zë të lartë: dreqi ta hajë, nuk po përmirësohemi kurrë! Kam një revoltë shumë të madhe për higjienën në këtë qytet. Nuk e kuptoj (ose rrekem të gjej përgjigjet), se përse shqiptarët vazhdojnë t’i hedhin mbeturinat nga ballkoni, përse në pjesën më të madhe nuk respektojnë rregullat e qarkullimit, si këmbësorë akoma nuk ecim tek vijat e bardha dhe jemi nervozë që herët në mëngjes.

Sipas teje, çfarë po ndodh me Shqipërinë sot?

Vendi është në ndryshim të vazhdueshëm, por tani ka nevojë për qëndrueshmëri. Këtë duhet ta ofrojnë institucionet, njerëzit e përgjegjshëm që duhen zgjedhur për të na drejtuar dhe politika të ketë një filtër më pak agresiv për t’i analizuar gjërat. Nëse ky vend që pas ‘90-ës vetëm përfshihet nëpër reforma ka ardhur koha që ato të shndërrohen në sistem të praktikueshëm dhe jo lojë shahu për aktorët politikë. Nëse një palë reforma do të rrëzohen për një palë të tjera në kohë të ndërrimit të pushteteve, a do të sistemohet ndonjëherë ky vend?

Në këtë treg të vështirë, shpesh herë ky profesion ka edhe të rebeluar e te mërzitur. Të ka ndodhur të mërzitesh nga profesioni, apo të mendosh të heqësh dorë?

E kush nuk mërzitet herë pas here nga puna që bën! E rëndësishme është të mos heqësh dorë nëse e dashuron zanatin që ke zgjedhur. Sot sapo ma tha një koleg shprehjen e Konfucit: “Zgjidh punën që të pëlqen dhe nuk do të të duhet të punosh as edhe një ditë të vetme të jetës tënde!”. Dhe më pëlqeu… Por në profesionin tonë, e bukura, e mira dhe zhgënjimet shkojnë paralel. Përpiqem të gjej një ekuilibër për to.

A mund të zgjedhësh mes “Wake Up” dhe “100 milionë”?

E pamundur. I kam zgjedhur të dyja.

Veç këtyre,  je edhe pedagog në Universitetin e Tiranës. Çfarë mendimi ke për studentët që dalin nga Fakulteti i Gazetarisë: a e kanë të qartë ata se ç’është gazetaria?

Prej disa kohësh jam bërë pjesë e ateliesë multimediale në këtë departament. Ajo që më gëzon është që po ndërtohet profili i një profesionisti të ri në komunikim: ai i gazetarit të web-it, bloger-it profesionist, editorit multimedial. Djem dhe vajza me dëshirë për të gjetur një formë të re të angazhimit, mes tyre të talentuar dhe jo. Departamenti ka një transformim të dukshëm vitet e fundit sepse nuk po diplomon më gazetarë të përgjithshëm, por të profilizuar dhe të përshtatshëm me tregun mediatik.

Shumë punë njëkohësisht. Sa andej dhe këndej. Është kjo arsyeja që i drejtohesh palestrës: shikon aty vendin që të fal një formë të mirë fizike, apo një ambient ku mund të shkarkosh stresin e ditës?

Palestra është kthyer në një ritual të pashmangshëm. Nga palestra shpëtova prej kileve të tepërta dhe është mënyra për të kontrolluar mirëqenien e trupit pavarësisht viteve që shkojnë. Herë jam shumë sistematik, herë të tjera, meqë jam sa andej-këndej, i bëj bisht. Për stresin nuk e ke keq, sepse kush merret me pesha në palestër e di se po të mendosh shkakun apo individin që të ka stresuar të shtohet dëshira për t’u shfryrë në këtë mënyrë. Por edhe kjo me kujdes: se për inat të inatit nuk mund të këpusësh mish!

Jeta

Planet për martesë? Jemi rehat kështu

Edhe pse nga hëna në të premte është në emision, përsëri e gjen kohën të udhëtojë. Vetëm disa ditë më parë ka dalë një foto e tij me vajzën me të cilën ai shoqërohet. Në këtë bisedë, Eno na tregon se bëhet fjalë për partneren e tij, me të cilën u bë kohë që janë bashkë. Ende nuk bëhet fjalë për dasmë, por  kur të vijë momenti do të kemi mundësi të mësojmë më shumë.

Vështirë të marrësh vesh diçka nga jeta jote private. Mund të rrëfesh diçka për ne?

Po çfarë doni të dini?

Po ja kanë dalë ca foto në qarkullim këto ditë…

Foto që janë marrë nga llogaritë personale në Facebook dhe Instagram dhe që kanë kohë që rrinë aty. Por meqë tani i erdhi radha e qarkullimit po të tregoj që bëhet fjalë për partneren time, me të cilën u bë kohë që qëndrojmë bashkë dhe qarkullojmë përditë në këtë qytet jo kaq shumë të evidentuar sa fotot që tërheqin vëmendjen virtuale.

Dhe cilat janë planet e radhës: një fejesë, martesë?

Në këtë drejtim nuk bëj plane sepse gjendem rehat kështu siç jam. Por po ndodhi ndonjë gjë jashtë parashikimit, do merret vesh nga fotot që do qarkullojnë prapë.

Eno, je njeri që planifikon apo ia lë disa gjëra rastësisë?

Rastësia është mbret. Është e pashmangshme. Kur ti i mbyll derën, të hyn nga dritarja. Edhe kur ia mbyll dritaren, ka hyrë në shtëpi pa e kuptuar. Por unë jam njeri që planifikoj aq sa mundem,  brenda logjikës së gjërave që më rrethojnë.

Me sa dimë të pëlqen shpesh të udhëtosh. Cili ka qenë destinacioni i fundit?

Në Paris. Edhe në kohë me shi madje. Edhe pa çadër. Por rëndësi ka lëvizja, udhëtimi që të jep mundësi për t’u shkëputur nga e përditshmja dhe për të parë e njohur gjëra të reja. Në fakt, namin mund të kem se nuk është se udhëtoj aq shumë. Udhëtoj sa gjej mundësitë për të ndërruar ajër dhe fundjavën.

Udhëtimi i radhës?

Presim verën. Ta ndaj mendjen dhe do ta nxjerr në Instagram që të merret vesh.

Me kë do të udhëtosh?

Me të dashurën, miqtë, familjarë. Me njerëz që ndihem mirë. Kohën e udhëtimit nuk e ndien dhe rruga shkon pa u kuptuar. Ka qenë një kohë që lëvizja edhe vetëm, sidomos gjatë studimeve pasuniversitare në Itali. Më mirë me miq e njerëz, edhe nëse mbetesh pa para ke ku merr borxh të paktën.

Çfarë bën në një ditë të zakonshme pushimi?

Llogaris orët e gjumit dhe përpiqem të lëviz aq sa mundësi kam për të ndërruar ajër. “Kafazi” i mëngjesit s’ka dyer vetëm në fundjavë, ndaj përpiqem të kem tjetër ritëm. Shtëpinë e shijoj shumë, shoh filma edhe duke e shkelur ndonjëherë dhe madje përpiqem që të gatuaj disa receta pasi i kam parë në “MasterChef” apo i kam marrë nga libri i Arbana Osmanit, por që përgjithësisht më rezultojnë një rrëmujë në kuzhinë.

A të del gjumi herët në mëngjes edhe fundjavave?

Po. A mund të dyshonit për këtë?! E gjitha për 20 a 30 minuta më shumë bën ndryshimin mes ditës së punës dhe ditës së pushimit. Ndonjëherë më duket sikur gjumi ma bën me hile a për inat. Sa herë e ndaj mendjen për gjumë, hapen sytë vetë që në shtatë. Për ata që kanë tjetër ritëm, e tmerrshme është ta dëgjosh apo provosh. Por kështu ndodh.

Ai filaxhani i madh me kapuçino që të shikojmë në tavolinën e studios është i domosdoshëm për nisjen e ditës?

Po. Pa atë kafe dhe gazetat e mëngjesit, më mirë të kisha qendruar në shtëpi. Është filxhan që tërheq edhe Rudina Xhungën.

Dhe kur mbyllet dita jote? Fle herët?

Jo edhe aq shpejt. Ka mbrëmje që nëse mblidhem me miqtë, gjumi kalon edhe përtej mesnatës. Por zakonisht në mesnatë i imponoj vetes gjumin për orët e mjaftueshme për zgjim normal, që ndikon më pas në punën e përditshme.

Share This Article
2 Comments
  • Ai tjetri (Ledioni) ka kohe qe eshte homo, por sic duket shef rrushi rrushin e piqet. A thua qe ky me nje kapucino para, i kane rene ne koke te gjitha hallet e emisoneve qe drejton (dy) dhe e tregon veteveten sikur eshte nje “supermen” i gazetarise shqiptare, drejtues emisioni i zakonshem per te mos thene medioker i perseritshem, ka shteruar qe ne kete moshe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *