Më shumë se 7 milionë telespektatorë në Gjermani ndoqën një film për Luftën e Dytë Botërore, zhvilluan diskutime në televizion, familje dhe shkolla. A ka trazuar vërtet drama ndjenjat e gjermanëve në lidhje me luftën?
Një film në të cilin vriten pa mëshirë edhe fëmijë të pambrojtur, ku ushtarët fluturojnë në ajër nga minat tokësore dhe ku njësia e Vermahtit transformohet ngadalë në një makineri vrasëse. Në filmin me tre pjesë “Nënat tona, baballarët tanë”, (origjinal: “Unsere Mütter, unsere Väter”) me autor Stefan Kolditz, regjisor Philipp Kadelbach dhe producent Nico Hoffmann, asgjë nuk zbukurohet. Filmi do të jetë një fazë e re e përpunimit të nacionalsocializmit në filmin historik, thonë mediet gjermane. Përgjegjësit në kanalin e dytë televiziv gjerman ZDF marrin duartrokitje të ngrohta në temperaturat ende dimërore në Gjermani. Papritur kanali televiziv, i cili thuajse nuk ekziston për të rinjtë, gëzon një vëmendje të madhe nga kjo pjesë e publikut: 6,5 deri 7,2 milionë telespektatorë i ndoqën seritë e filmit, nga të cilët të paktën 2 milionë të rinj. ZDF arriti një kuotë tregu më shumë se 20 për qind gjatë transmetimit të serialit me tri pjesë.
Fiksion me substancë
Në serialin “Nënat tona, baballarët tanë” ofrohet nga autorët nga një anë një vepër ku tensioni vazhdon deri në minutën e fundit. Nga ana tjetër ofrohet një metodë të re: regjisori Philipp Kadelbach dërgon në betejë pesë të rinj. Të gjithë protagonistët e filmit janë rreth 20 vjeç, plot me dëshirë për të jetuar dhe ide. Pesë personazhe simpatikë, që ëndërrojnë “të pushtojnë botën” (por jo vende të tjera!). Ata e shohin luftën si një devijim të vogël në rrugën drejt realizimit të ëndërrave dhe karrierës së tyre.
Por nuk është aspak kohë e përshtatshme për të ëndërruar. Ngjarjet zhvillohen në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe në prag të sulmit kundër Bashkimit Sovjetik. Vëllezërit Wilhelm dhe Friedhelm duhet të marrin pjesë në luftë si ushtarë. Charlotte paraqitet vullnetarisht të punojë si infermiere dhe dërgohet gjithashtu në frontin e Lindjes. Ndërsa Greta qendron në Berlin kur punon për karrierën e saj si këngëtare dhe flirton me një oficer të lartë nazist. Ndërsa Victori, i vetmi hebre në grupin e shokëve, do të largohet nga Gjermania por nuk merr dot leje udhëtimi jashtë vendit. Kjo situatë fillestare ofron kryesisht për të rinjtë një potencial të fuqishëm identifikimi: të gjithë protagonistët janë të rinj, moskokçarës dhe plot me ide. Këtyre u shtohet edhe një dozë dëshire për aventura dhe pastaj lufta e tmerrshme.
Film kundër luftës me qasje të re
Pas një kohe të shkurtër të rinjtë naivë transformohen në ushtarë që duhet të zbatojnë urdhrat për të vrarë ushtarë armiq, pleq, gra dhe fëmijë. Ushtarë që shkatërrojnë e djegin shtëpi, ferma dhe fabrika dhe që u duhet të qendrojnë gjysmë të ngrirë në llogore në temperatura minus 40 gradë.
Producenti Nico Hoffman thekson: “Filmi është në thelb një largim nga melodrama drejt një mënyre tregimi shumë autentike. Kështu krijohet kompleksitet. Babai im tani është 85 vjeç dhe unë e di që tani është e vetmja mundësi për të kërkuar edhe një herë ballafaqimin me të”.
Filmi “Nënat tona, baballarët tanë” është një film kundër luftës që ndryshon nga prodhimet e deritanishme gjermane. Ai ngjan më shumë me filmin amerikan “Asgjë e re nga Perëndimi” që ka në fokus ngjarjet e Luftës së Parë Botërore. Por në filmin amerikan protanistët janë më shumë në rolin e viktimës.
Momente historike, prodhim madhështor
Prapa veprës qendron producenti Nico Hofmann. 54-vjeçari prodhon që prej vitit 2001 filma që prekin momente emocionale të historisë gjermane. Prodhime të mëdha, kryesisht me dy ose tre seri dhe buxhet të lartë, me artistë të mirë ose shumë të mirë dhe të planifikuar kohë përpara si evenimente televizive.
Në rastin e filmit “Nënat tona, baballarët tanë” ky model është ndjekur me përsosmëri. Me rreth 14 milionë euro kosto prodhimi, ZDF-së i është dashur të shpenzojë një shumë jo të vogël edhe pse shpenzimet relativizohen nëse mban në mend që bëhet fjalë për tre seri me një gjatësi prej gjithsej 4 orësh e gjysmë dhe një kohë prodhimi prej tetë vjetësh.
Filmi u pasua nga dokumentare dhe u diskutua me debate televizive. Pjesëmarrja e publikut ishte e gjerë. Duket se në Gjermani ka kaluar kohë e mjaftueshme që edhe të rinjtë të tregojnë interes për kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe të drejtojnë pyetjet në formë më pak akuzuese se brezi i ’68-s. Së shpejti kjo mund të ndodhë edhe jashtë Gjermanisë pasi filmi tashmë është shitur në vende të ndryshme.