13
Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(13)
Arkivat sekrete ruse
Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Letra 2 gushtit 1950 e Enver Hoxhës dorëzuar V. M. Molotovit në Moskë për Stalinin për çështjet e politikës ndërkombëtare. Letra ‘Tepër sekret’ e 6 gushtit 1950 e V.M. Molotovit me përmbajtje bisedën e regjistruar të Stalinit me Enver Hoxhën dhe Tuk Jakovën, mbi projekt-planin pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, situatën ndërkombëtare dhe kooperativat bujqësore.
Enveri, Stalinit: Me gjithë presionet nga Beogradi, Athina e Roma, situatën në Shqipëri e kemi nën kontroll. Sipas porosisë suaj po ngremë kooperativat bujqësore dhe po luftojmë për zhvillimin ekonomik. Mundësisht, na ndihmoni me kuadro për përfitimin e eksperiencës së Bashkimit Sovjetik.
(Vijon nga numri i kaluar)
Mesi i vitit 1950, pas shkëputjes së marrëdhënieve zyrtare me Jugosllavinë, e gjen Shqipërinë të izoluar politikisht nga fqinjët dhe në situatën ekonomike më të vështirë të pas luftës. Tashmë, shpresa e vetme për këtë situatë ishte Bashkimi Sovjetik. Për këtë shkak, vizitat e Enver Hoxhës dhe delegacioneve të niveleve më të ulëta në Moskë janë të shpeshta. Në fillim të gushtit 1950, Enver Hoxha, Tuk Jakova e drejtues të lartë të shtetit shqiptar, ndodhen në Moskë. Sipas dokumenteve origjinale të arkivave sekrete ruse (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut), në këtë vizitë Enver Hoxha takon Molotovin e më pas dhe Stalinin, parashtrojnë situatën në Shqipëri dhe kërkojnë ndihmë për ecurinë e kooperativave bujqësore të sapo ngritura…
(Letër e Enver Hoxhës drejtuar V. M. Molotov, konsultime për çështjet e politikës ndërkombëtare)
Moskë, më 2 gusht 1950
Tepër sekret
Përkthim nga frëngjishtja
Moskë, Kremlin
Shokut V. M. Molotov
Shokë të dashur!
Duke u ndodhur tani në Moskë, ju lutem, në qoftë se ka mundësi, të më prisni për t’ju parashtruar çështjet e mëposhtme (dy çështjet e para kanë rëndësi të madhe për vendin tonë) dhe në të njëjtën kohë të kërkoj ndihmën e këshillën tuaj.
Çështja e parë. Mbi projektin tonë të planit pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë veçanërisht mbi vitin e parë të këtij plani të ardhshëm.
Duke pasur si qëllim zhvillimin e ekonomisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe në radhë të parë, siç u parashikua në seancën e parë të Këshillit Ekonomik, prodhimin e lëndës së parë (naftë, bitum, lëkurë, krom, etj.) dhe zhvillimin e transportit, qeveria shqiptare ka përgatitur një projekt paraprak.
Më 27 janar të këtij viti, projekti i qeverisë shqiptare iu paraqit për shqyrtim Byrosë së Këshillit Ekonomik. Të gjithë anëtarët e Byrosë, pasi i bënë një studim të thelluar, u shprehën pozitivisht për realizimin e tij. Mbeti vetëm që ky projekt, të paraqitej në Këshillin Ekonomik, i cili në seancën e radhës do ta shqyrtojë e miratojë. Pas marrjes së vendimit të miratimit, duke vepruar në përputhje me këtë vendim, qeveria shqiptare duhet të merret me hartimin e planit përfundimtar pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë.
Deri në marrjen e miratimit të këtij vendimi kaq të rëndësishëm për vendin tonë, nga Këshilli Ekonomik, Komiteti Qendror e qeveria jonë, duke mbajtur parasysh faktin që koha kalon, e kanë quajtur të domosdoshëm hartimin e planit të vitit 1951, mbi bazën e planit të ardhshëm pesëvjeçar të zhvillimit ekonomik të vendit. Gjatë hartimit të këtij plani, ne pothuajse kemi ruajtur plotësisht vëllimet dhe parashikimet e realizimeve të vitit të parë të planit të ardhshëm pesëvjeçar. Importi ynë në vitin 1951 do të jetë 2.437.000 mijë lekë shqiptare. Eksporti së bashku me një rezervë të vogël që kemi, arrin shumën 764.000 mijë lekë. Si rezultat mbetet një deficit në shumën prej 1.781.000 mijë lekë shqiptare. Ky deficit do të mbulohet nga kredia, të cilën do ta kërkojmë nga anëtarët e Këshillit Ekonomik, e cila do të përdoret veçanërisht për blerjen e makinerive, si ndihmë teknike e qëndrueshme, me qëllim rritjen e produktivitetit të industrisë sonë minerare, siç është parashikuar edhe në projekt-planin tonë pesëvjeçar; si dhe nga kreditë e vëna në dispozicion nga Bashkimi Sovjetik (kombinati i tekstileve, kombinati i prodhimit të sheqerit, hidrocentrali në Selitë etj.) dhe kreditë e vëna në dispozicion nga Rumania e Hungaria. Të gjitha kreditë e përmendura, të cilat duhet të akordohen apo janë akorduar, arrijnë në shumën 1.369.000 mijë lekë. Kështu, ne na mbetet ende deficiti në 312 milion lekë, i paparashikuar nga projekti paraprak i Këshillit Ekonomik, gjë e cila na detyron të kërkojmë më shumë kredi nga vendet e Demokracive Popullore e Bashkimi Sovjetik. Kjo, aktualisht është gjendja jonë ekonomike. Ne i lutemi qeverisë sovjetike të shqyrtojë problemin mbi akordimin e kredive, të cilat duhet t’u parashtrohen anëtarëve të Këshillit Ekonomik dhe pa të cilat, është i pamundur realizimi i planit tonë të ardhshëm pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë dhe veçanërisht të realizimit të planit të vitit 1951. Në rast se nuk do të na jepen kreditë e duhura, plani ynë i zhvillimit të ekonomisë,duhet shkurtuar në mënyrë të ndjeshme. Ai do të mbështetet vetëm në eksportet tona, këtë herë, tepër të zvogëluara, dhe në kreditë që na ka akorduar Bashkimi Sovjetik, Rumania dhe Hungaria. Ne mendojmë se në fund të fundit, kjo do të pasqyrohet dukshëm në ekonominë e vendit tonë.
Ne i kuptojmë mjaft mirë sakrificat që bën Bashkimi Sovjetik për të ndihmuar popullin tonë, i cili i është mirënjohës gjithë jetën, dhe gjithsesi kërkojmë përsëri ndihmën e tij, për të nxjerrë vendin tonë nga gjendja e vështirë ekonomike.
Çështja e dytë. Gjendja e Shqipërisë në dritën e ngjarjeve të ndodhura pak kohë më parë.
Situata e brendshme e Shqipërisë nga pikëpamja ekonomike, politike e organizative është plotësisht e kënaqshme dhe e përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme. Uniteti i popullit rreth partisë sonë është shumë i fortë, dashuria ndaj Bashkimit Sovjetik e Stalinit të Madh është rrënjosur në zemrat e vetë popullit. Në sajë të ndihmës së madhe të Bashkimit Sovjetik, kudo vihet re një përparim me vlera të konsiderueshme. Të gjitha përpjekjet e titistëve, monarko-fashistëve grekë dhe armiqve tanë italianë pësuan disfatë. Krerët kryesorë të bandave të armatosura tashmë janë kapur dhe ne i dimë planet e disa prej këtyre bandave, grupet e përhapura, të cilëve shfaqen herë këtu e herë atje. Ne asgjësuam të gjitha makinacionet e titistëve. Fashistët nga Beogradi e monarko-fashistët këtë vit, ishin të detyruar të kufizoheshin me disa provokacione në kufi, italianët hodhën dy herë me parashutë nga ajri banditë, të cilët ne i zumë apo i asgjësuam, si edhe kapëm radioaparaturën e mjaft dokumente të rëndësishme të tyre. Ne e përforcuam kufirin tonë, ushtria jonë çdo ditë bëhet më e fuqishme. Partia jonë forcon vigjilencën dhe luftën e popullit kundër armiqve të brendshëm, kundër imperialistëve amerikanë dhe lakenjve të tyre nga Beogradi, Athina e Roma.
Por, luftënxitësit e agresorët amerikanë shpejtojnë zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare, dhe në një situatë të tillë vendi ynë gjendet në vështirësi dhe i nënshtrohet një rreziku evident. Ne u jemi shumë mirënjohës, në rast se ka mundësi që ju të na orientoni, për të qenë të parapërgatitur që në çdo moment të presim çdo goditje nga armiqtë e brendshëm të vendit tonë.
Çështja e tretë. Mbi kooperativat tona bujqësore (kolkozet).
Kooperativat tona bujqësore janë krijuar sipas parimeve vullnetare, mbi bazën e shoqërizimit të tokës e mjeteve të prodhimit. Kooperativat tona kanë statusin e tyre, i ngjashëm me statusin e kolkozeve sovjetike. Në kooperativat tona nuk ekziston renta e tokës. Ne e dënuam këtë formë si trockiste, e cila u shfaq në vendin tonë nën ndikimin e jugosllavëve. Kjo formë e rentës u dënua në kongresin e Parë të Partisë, sepse, sipas gjykimit tonë, ajo favorizon kulakët e dembelët. Pikëpamja jonë gjeti mbështetje të gjerë nga anëtarët e Kooperativave.
Nga ana tjetër, duke ndjekur këshillat e shokut Stalin, ne pezulluam krijimin e kooperativave të reja bujqësore dhe caktuam si detyrë, forcimin e kooperativave ekzistuese. Një gjë e tillë ka dhënë rezultate pozitive; kooperativat tona ekzistuese u përmirësuan, u forcuan ndjeshëm dhe avancuan në mënyrë të dukshme përpara, kështu që u krijua një situatë e tillë, që shumë fshatarë shprehen pozitivisht për bashkimin në kooperativa. Ne mendojmë të ndihmojmë bashkimin e tyre, e veçanërisht në lugina, por vetëm në ato vende ku ekzistojnë kushtet e favorshme për zhvillim. Ne përpiqemi që gjithmonë të ecim dalëngadalë, por me kujdes e me besim. Por edhe shumë fshatarë, të cilët banojnë në zonat malore, duan të bashkohen në kooperativa. Ne mendojmë, se atje kushtet ende nuk janë të favorshme, ndaj dhe nuk duhet të ngutemi. Prandaj kërkojmë edhe gjykimin tuaj në rast se mundemi, që në këto zona të përdorim forma të tjera, më elementare, të punimit të përbashkët të tokës, të cilat do të përgatitin forma më të larta në llojin që ato janë tani. Këto forma elementare do të bazohen në parime vullnetare, aty ku do të krijohen kushtet e favorshme për një gjë të tillë.
Ne dimë se në Bullgari e Hungari ka kooperativa, në të cilat ekziston renta e tokës. Ju lutemi të na e sqaroni këtë problem, duke pasur parasysh faktin që vendi ynë ka vepruar në mënyrë të kundërt.
Pikërisht për këto tre çështje, shoku Molotov, do të doja mbështetjen dhe këshillën tuaj tepër të vyer. Me mua në Moskë ndodhet edhe shoku Tuk Jakova dhe unë do t’ju kërkoja që brenda mundësive tuaja, të zhvillonim një takim të përbashkët. Veç kësaj, Ju lutem, që në rast se mundeni, të më prisni së bashku me shokun Tuk Jakova, përpara vizitës tonë në Kaukaz, pasi, sipas mendimit tonë, problemi ekonomik është tejet i rëndësishëm për vendin tonë.
Paraprakisht ju sjell falënderimin e madh, në emër të Komitetit Qendror, qeverisë tonë dhe në emrin tim personal, për gjithçka që Bashkimi Sovjetik dhe Stalini i Madh kanë bërë për të mirën e popullit tonë.
Në emër të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë
Enver Hoxha
Moskë, më 2 gusht 1950
Përktheu – N. Migin
(Burimi: SF VE, T. II, AP FR, F. 3, Op. 64, D. 46, L. 106-109. Nr. 133. Kopje).
* * *
(Letër përcjellëse e V. M. Molotov dërguar J. V. Stalin, me shtojcën
e regjistrimit të bisedës me Enver Hoxhën dhe Tuk Jakovën, mbi projekt-planin pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, mbi situatën ndërkombëtare dhe kooperativat bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë
Moskë, më 6 gusht 1950
Tepër sekret
Shokut Stalin
Ju paraqes regjistrimin e bisedës time me shokët Enver Hoxha dhe Tuk Jakova, të zhvilluar më 5 gusht 1950, ora 16oo.
Regjistrim i bisedës
së shokut V. M. Molotov me shokët Enver Hoxha dhe Tuk Jakova
Në bisedën e shokëve Enver Hoxha e Tuk Jakova me shokun V M Molotov, u trajtuan problemet e ngritura në letrën e shokut Enver Hoxha drejtuar shokut Molotov:
1-Mbi projekt-planin pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe planin ekonomiko-popullor për vitin 1951;
2-Mbi situatën ndërkombëtare të Shqipërisë;
3-Mbi kooperativat bujqësore (kolkozet) e Shqipërisë.
I.Shoku Enver Hoxha në fillim të bisedës deklaron, se të gjitha problemet, për të cilat ai kërkon ndihmë e këshilla, janë shprehur qartësisht në letrën e tij drejtuar shokut V.M. Molotov. Ai, veç të tjerave, do të donte të ndalej vetëm në çështjen mbi deficitin buxhetor, sepse kjo çështje nuk ishte shqyrtuar në seancën e Byrosë së Këshillit Ekonomik, e cila është shprehur për miratimin e projektit fillestar të planit pesëvjeçar të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, dhe, në veçanti, të planit të vitit 1951.
Shoku Enver Hoxha njofton, se qeveria shqiptare parashikon që të mbulojë deficitin buxhetor, nëpërmjet aplikimit aktual për akordimin e kredive nga qeveria sovjetike. Një pjesë e deficitit do të mbulohet nga kreditë e akorduara më parë nga Bashkimi Sovjetik, Rumania e Hungaria. Kreditë suplementare do të përdoren për të siguruar makineri e pajisje, si dhe materiale të ndryshme për nevojat e industrisë vendase. Dhënia e kredive suplementare buron nga domosdoshmëria e përmirësimit të gjendjes dhe aktivitetit që po kryhet në industrinë e qymyrgurit e naftës, në fushën e prodhimit të bitumit, kromit, si dhe në fushën e transportit.
Shoku V. M. Molotov thekson, se Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke nuk mund të zgjidhë të gjithë çështjet e projekt-planit pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë. Përderisa, ky apo ai propozim i qeverisë shqiptare ka të bëjë me shtete të tjera, atëherë këto shtete duhet të shprehin mendimin e tyre për çështje të tilla. Për sa i përket BRSS, propozimet përkatëse do të paraqiten pranë qeverisë, dhe përgjigjja përkatëse do t’i njoftohet shokut Enver Hoxha.
Shoku Enver Hoxha falënderon shokun V. M. Molotov për përgjigjen dhe njofton se këto ditë, në përputhje edhe me porositë e mjekëve, do të shkojë në Kisllovodsk për ndjekjen e një terapie kuruese dhe do të presë përgjigje për rezultatet e saj.
II.Shoku Enver Hoxha saktëson se në letrën e tij ka pasur parasysh ngjarjet e fundit ndërkombëtare dhe ndikimin e tyre në gjendjen e brendshme në Shqipëri.
Duke iu referuar pyetjes së shokut Enver Hoxha, shoku Molotov shprehet se Shqipëria është fqinj direkt me Jugosllavinë, Greqinë dhe Italinë. Jugosllavia është më shqetësuesi nga fqinjët e saj, e interesuar për të bërë shumë zhurmë në lidhje me rrezikun e jashtëm dhe për një gjë të tillë, gjoja mban përgjegjësi edhe Bashkimi Sovjetik. Ne, këtë e shpjegojmë me faktin që, situata brenda Jugosllavisë është si mos më keq, dhe se për ata është e rëndësishme të tërheqin vëmendjen e popullsisë nga problemet e tyre të brendshme. Pa këtë ata nuk bëjnë dot, dhe ne na duket se ndonjëherë jugosllavët arrijnë të mashtrojnë dikë. Çdo pretekst për të sajuar një lloj të tillë zhurme, i jep mundësi Titos, që të shtrëngojë më shumë rripin brenda vendit. Por një gjë e tillë është politikë false, dhe nga ajo nuk duhet pasur frikë. Zhurmë ata do të bëjnë edhe në të ardhmen, prandaj duhet të mbajmë sytë hapur. Natyrisht, jugosllavët në këto kushte nuk arrijnë deri aty sa të sulmojnë dikë. Ne, brenda Shqipërisë, duhet të forcojmë vigjilencën ndaj elementëve armiq, gjë të cilën ju, me siguri që e bëni. Lidhur me këtë zhurmë që sajojnë së fundmi jugosllavët e pjesërisht grekët, duhet reaguar duke mbajtur parasysh faktin se duan që të bëjnë një tërheqje vëmendjeje të popullsisë të tyre përkatëse nga problemet e tyre të brendshme. Greqia në këtë çështje nuk është aq aktive. Një gjë të tillë mund të themi edhe për Italinë, megjithëse edhe zbulimi italian tregon aktivitet në dërgimin e agjenturës së saj, në hedhjen e spiunëve etj. Ngjarjet kryesore sot të arenës ndërkombëtare zhvillohen në Lindjen e Largët. Shoku Enver Hoxha deklaron se tashmë është tejet i qartë në lidhje me këtë çështje.
III.Shoku V. M. Molotov thekson se për sa i përket çështjes së kooperativave bujqësore në Shqipëri mund të prononcohemi vetëm pasi të kemi në konsideratë pikëpamjen e shokëve shqiptarë për këtë çështje.
Duke folur mbi ndërtimin e kooperativave bujqësore, duhet të merren në konsideratë kushtet e ndryshme në vendet e ndryshme të demokracive popullore.
Në letrën tuaj, – shprehet shoku Molotov, – ju shkruani se, duke mbajtur parasysh këshillat e shokut Stalin, ju keni arritur rezultate të mira në krijimin e kooperativave të reja bujqësore dhe në forcimin e atyre ekzistuese. Ne mund t’ju urojmë suksese të mëtejshme në këtë rrugë.
Shoku Enver Hoxha flet për faktin se këtë vit çështjet e brendshme të Shqipërisë janë përmirësuar dukshëm, si në qytet, ashtu edhe në fshat. Pavarësisht se pati një farë thatësire, të korrat në vend nuk kanë qenë të këqija. Ne po kalojmë, – thotë shoku Enver Hoxha, – disa vështirësi me fshatarët në drejtim të të mbjellave të pambukut, por këto vështirësi mendojmë t’i kalojmë. Ne kemi pak agronomë, niveli i agroteknikës është i ulët, por të gjithë forcat do t’i vëmë në drejtim të bujqësisë së vendit tonë. Kemi kombinatin e tekstileve dhe tani na duhet pambuk. Me çdo mënyrë do të ndihmojmë zhvillimin e pambukut dhe po punojmë seriozisht për problemin e ujitjes së kësaj kulture bujqësore. Na duhen specialistë për degët e ndryshme të industrisë e bujqësisë. Specialistët sovjetikë na japin një ndihmesë tejet të madhe. Jemi të kënaqur nga këta specialistë, në sajë të të cilëve zbulojmë me lehtësi të metat e punës tonë. Në sajë të specialistëve sovjetikë në fushën e industrisë së naftës, ku kemi vështirësi të mëdha, kemi mundur të zbulojmë veprimtarinë e agjenturës armike. Pavarësisht nga këto vështirësi, situata e brendshme e vendit po forcohet gjithnjë e më shumë.
Shoku Enver Hoxha falënderon shokun Molotov për bisedën.
Biseda zgjati 30 minuta
Regjistroi: V. Grigorian
Përktheu: K. F. Starikov
5 gusht 1950
(Burimi:SF VE, T. II, AP RF, F. 3, Op. 64, D. 46. F. 110-114. Nr. 134. Origjinal)
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Biseda sekrete (zbardhur nga regjistrimi) e 1 shkurtit 1951 e Mehmet Shehut me të dërguarin e BRSS në Shqipëri D.S. Çuvahin, lidhur me “gabimet” e Tuk Jakovës.
-Letrën përcjellëse të 23 shtatorit 1951 të V. G. Grigorian dërguar J. V. Stalin me shtojcën e kërkesës së Enver Hoxhës për dhënien e ndihmës në përmirësimin e punës së organeve shqiptare të drejtësisë
-Regjistrimin e bisedës së K. D. Leviçkin me Enver Hoxhën, më 9 gusht 1952, mbi pranimin e studentëve shqiptarë për studime në institucionet e larta arsimore të BRSS.
Molotov, te ishin ngritur shume puplat per karrigen e Stalinit por edhe ai ta dha pergjigjen..Qener u treguat ndaj popullit shqiptar me gjithe Gorbacovin..Jam krenar qe ne u ndame nga ju njehere e pergjithmone..Uroj qe shqiptaret nje dite mos te varen kurre nga skllavet..
Po ,prape ,me ben pershtypje shoqeria qe ben Luani me Milingonen !!!!!!!!
E shikoni se cfare POLITIKE TE JASHTME zhvillonte Enver Hoxha,qe shkonte dhe takonte lideret e shtetit me te madh te bootes,si STALININ etj!!!
Po Sali Berishen a e ka pritur ndonje lider europian,se per ata te SHBA-se vetem LESHTE E CURRES!!!
Krahasoni POLITIKEN E SOTME TE JASHTEME,qe mbeshtetet tek PODESTA E TRAFIKANTET,ndersa ENVER HOXHA I TAKONTE VETE PERSONALISHT KOKAT BOTERORE!!!
Dhe keni SURRAT ju LEGENA te shani Enver Hoxhen!!!
NUK LIND ME TOKA SHQIPTARE NJE BURRE TJETER TE MADH SI ENVER HOXHA,TE PAKTEN PER 500 VJET!!!
Ka shume mistere e shkuara e popullit shqiptar. Keto dokumente na thone ca gjera qe nuk i dinim, apo me sakte, nuk na i kishin thene e shkruar ke shtu… Koha do te sqaroj shume gjera ..
– o shoku “Zef ” ti dukesh qe nuk je komunist keshtu vleresimin per Enver Hoxhen le ta bejne vete komunistet. P.SH cmendim kane per Enver Hoxhen perkrahesit e Mehmet Shehut ose Kadri Hazbiut , ose te Beqir Ballukut , .Ose ky Tuk Jakova qe eshte mew Enverin ketu e dini ju se eshte denuar me vone per armik. Enveri thonte qe feja eshte opium dhe kleriket e institucionet fetare te eleminohen . Ndersa Tuku thonte qe feja eshte opium por kleriket e institucionet te jene ,kush te doje te shkoje e kush mos doje mos shkoje ,ne komunistet nuk shkojme- tani me thuaj Zef ndonje te re…
O Koz Dunjaja! Po dhe ti ja fut kot o plako…. Je i nje anshem…. Ruset qe kane drejtue Lindjen ate kohe, nuk kane menduar per ne shqiptaret atehere dhe zot, nuk kane menduar per Kozet. por kane pare e shohin halline tyre… Keto dokumente qe sillen nga arkivat ruse(pasi kane mbushur se fundi kohen e publikimit0, jane nje piste ku shume gjera te shikohen me me realizem, qofte per Enverin apo kundershtaret e tij qe u eleminuan… Dhe jo keshtu akoma, bardhe e zi… Besoj dakord jeni zoti Koz Dynjaja…
te nderuar te gazetes dita me respekt dh me dashuri e lexojme gazeten ..jeni shume larmishme dhe kjoe ngre shume lart vleren tuaj ..por nje vrejtje te vogel e kam ..per figuren e ketij ne kete shkrim ne keto kohe te internetit e gjen kudo ,madje me shumice ,por dhe ju per hir te atyre njerezve ,qe ky njeri ju ka perveluar shpirtin rezervohuni kur shkruani per kete diktator .qe shume njerezve ju ka mbyllur dyert e nuk u dihen as themelet une nuk jam nostalgjik per kohen e tij ,sepse kam punuar me perkushtim per familien time ,por dhe te shkruash gjithmone per te ,,dashur pa dashur shqiptareveju ja u beni te pa haruar kete njeri shqiptareve ,qe vetem kur e kujtojne u dridhen leqet e kembeve ..mua me lind e drejta te them ate qe mendoj dhe ate qe kam perjetuar ,,,ky sistem qe ndertoi sali tradhetari eshte shume me i eger se i pari ,por ndryshimi eshte shume i madh ,,te jem i sinqerte une me shpirt regjimin e diktatorit per shume gjera une kurrrrrrrre nuk do kisha nostalgji …aresyet jane te shumta ….ne ate kohe shinte kali e hante gomari kjo i argumenton te gjitha faleminderit dita