(Vijon nga numri i kaluar)
Periudha janar-mars e vitit 1949, për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë shoqëruar me incidente të shumta në kufi dhe sulmeve të shovinistëve grekë nga jugu, shënon një nga periudhat më të vështira për Shqipërinë dhe udhëheqjen e saj. E vetmja shpresë, në këtë situatë kritike për Enver Hoxhën ishin shpeshtimi i kontakteve me Moskën dhe shpresa për një mbështetje e ndihmë konkrete nga ana e Stalinit. Në këtë periudhë, sipas arkivave sekrete ruse, jo vetëm shtohen kontaktet e Enverit me drejtuesit e ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë, vizitat e shpeshta të ministrave të Shqipërisë në Moskë, por dhe letërkëmbimet sekrete të Enverit me Stalinin. Kjo kurorëzohet së fundi dhe me vizitën e një delegacioni të madh të qeverisë shqiptare në Moskë, kryesuar nga Enver Hoxha. Sipas dokumenteve origjinale të arkivave sekrete ruse (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut), në vazhdim sjellim për lexuesin Letrën e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Enver Hoxha, drejtuar Qeverisë së BRSS, mbi kërkesën për pranimin e Shqipërisë në Këshillin Ekonomik të Ndihmës Reciproke (datë 8 shkurt 1949) si dhe ditarin i A. J. Vishinskit të datës 22 mars 1949 lidhur me bisedën në pritjen e Enver Hoxhës në Moskë lidhur me çështjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave…
(Letër e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Enver Hoxha, drejtuar Qeverisë së BRSS, mbi kërkesën për pranimin
e Shqipërisë në Këshillin Ekonomik të Ndihmës Reciproke)
Tiranë, më 8 shkurt 1949
Sekret
Në emër të Republikës Popullore të Shqipërisë, kam nderin t’i njoftoj qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike sa më poshtë:
Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë mësoi me gëzim të madh mbi krijimin e Këshillit Ekonomik të Ndihmës Reciproke, të përbërë nga përfaqësues të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Demokracive Popullore, që kishin marrë pjesë në Konferencën Ekonomike, të mbajtur në Moskë në janar të këtij viti.
Republika Popullore e Shqipërisë, e cila hyri vendosmërisht në kampin e fuqishëm antiimperialist, besnike ndaj luftës së tij, për një botë të fuqishme demokratike, kundër imperialistëve – agresorë, të cilët përpiqen që nëpërmjet planeve diskriminuese dhe presionit ekonomik të robërojnë vendet e vogla, tek Këshilli Ekonomik i Ndihmës Reciproke shikon faktorin e rëndësishëm, të forcimit të kampit të paqes dhe të mirëqenies së njerëzimit, sikundër edhe mbështetjen e fuqishme të përpjekjeve të saj, për rindërtimin ekonomik të vendit.
Këshilli Ekonomik i Ndihmës Reciproke, i cili bazohet në respektimin reciprok dhe tek të drejtat e barabarta të vendeve anëtare, i cili e ka ngritur në nivelin më të lartë bashkëpunimin ekonomik midis këtyre vendeve, përfaqëson për Republikën Popullore të Shqipërisë, një dëshmi të re të suksesit të sistemit ekonomik të Bashkimit Sovjetik dhe të Demokracive Popullore, në saje të ndihmës së paçmuar dhe krejtësisht pa interes të Bashkimit Sovjetik.
Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, besnike ndaj parimeve të larta, në të cilat mbështetet Këshilli Ekonomik i Ndihmës Reciproke, dëshiron të marrë pjesë më gjerësisht në bashkëpunimin ekonomik, ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Demokracive Popullore, ka nderin t’i lutet Qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, që të ketë mirësinë për ta lejuar Shqipërinë të marrë pjesë në Këshillin Ekonomik të Ndihmës Reciproke.
Shfrytëzoj këtë rast, për t’i përsëritur qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike besimin në respektin tim tepër të lartë.
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë
Gjeneral – Kolonel (Enver Hoxha)
Përktheu: V. Erofev
(Burimi: SF VE, T. II, AVP RF, F. 06, Op. 11, P. 9, D. 121. L. 5-6. Nr. 7. Kopje).
* * *
(Nga ditari i A. Ja. Vishinskit. Pritja e Enver Hoxhës lidhur
me çështjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave etj).
Moskë, më 22 mars 1949
Sekret
Sot, në orën 1630 minuta prita Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Enver Hoxha, i cili erdhi i shoqëruar nga Kryetari i Planit Shtetëror të Shqipërisë Spiro Koleka dhe nga i dërguari i Shqipërisë në Moskë, Mihal Prifti.
Hoxha, në fillim të bisedës kërkoi që t’i transmetohej mirënjohja e tij qeverisë sovjetike, e cila i dha mundësi atij dhe personave që e shoqërojnë, për të ardhur për bisedime në Moskë, në lidhje me forcimin e marrëdhënieve ekonomike sovjeto-shqiptare dhe për plotësimin e nevojave të Shqipërisë. Hoxha, shtoi se ekonomia e Shqipërisë nuk mund të shkojë përpara dhe të zhvillohet, pa ndihmë nga ana e Bashkimit Sovjetik.
Hoxha tha, se përqark Shqipërisë në kohën e tanishme ka shumë armiq. Pas deklaratës së Komitetit të Byrosë Informative mbi klikën e Titos, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave po keqësohen gjithnjë e më shumë. Kanë ndodhur një sërë incidentesh kufitare, të provokuara nga autoritetet jugosllave. Agjentët e Titos përpiqen të bëjnë punë minuese, bile edhe brenda Shqipërisë, nëpërmjet sabotimeve, diversioneve, të propagandës armiqësore etj. Agjentët e Titos përpiqen me të gjitha forcat të shkaktojnë emigrim nga Shqipëria, dhe duhet thënë se, ata kanë arritur disa suksese në këtë drejtim. Nga rajoni që shtrihet në kufirin verior, kanë emigruar për në territorin jugosllav rreth 600 burra e gra. Agjentët jugosllavë, përpiqen të lidhen me bandat e pakta të armatosura, që ndodhen akoma në malet e Shqipërisë dhe të marrin në duart e veta drejtimin e tyre. Aktet e sabotimit, të bëra nga agjentët jugosllavë në territorin e Shqipërisë, tregojnë se qeveria jugosllave shtron detyra krejtësisht konkrete, të karakterit minues dhe organizon elementë përkatës, për një veprimtari të tillë. Radio Beogradi gjatë gjithë kohës zhvillon fushatë politike kundër Shqipërisë. Veç kësaj, në territorin e Shqipërisë hedh fletushka, broshura dhe materiale të tjera të shtypura që synojnë të aktivizojnë elementët reaksionarë në Shqipëri. Hoxha tha, se populli shqiptar i jep përgjigje kësaj veprimtarie të klikës së Titos dhe organet shtetërore luftojnë me sukses kundër kësaj veprimtarie minuese.
Nga ana e reaksionarëve monarko-fashistë grekë, vazhdojnë gjithashtu provokacionet në kufirin greko-shqiptar. Janë vërejtur fluturime të avionëve grekë mbi territorin shqiptar. Radioja e Athinës, gjatë gjithë kohës bën propagandë armiqësore kundër Shqipërisë, duke deklaruar domosdoshmërinë e ndarjes së Shqipërisë etj. Në Janinë, është krijuar një organizatë e veçantë për tërheqjen e popullatës greke nga Shqipëria.
Nga ana e Italisë tashmë vërehen përpjekje, për të organizuar elementët reaksionarë shqiptarë. Në territorin e Italisë janë krijuar organizata speciale nga emigracioni reaksionar shqiptar. Në Shqipëri hidhen diversantë. Mund të thuhet me siguri, se nga territori i Italisë, kundër Shqipërisë dhe me ndihmën e organeve italiane, veprojnë në radhë të parë organet e zbulimit amerikan. Në territorin e Greqisë, pothuajse paralelisht me territorin shqiptar, amerikanët kanë krijuar një radhë të tërë aerodromesh, që destinohen me sa duket, për veprime kundër Shqipërisë.
Gjatë bisedës, Hoxha preku çështjen e gjendjes së Greqisë. Ai tha, se gjendja e tanishme morale e ushtrisë monarkike greke, në krahasim me vitin e kaluar është përkeqësuar konsiderueshëm, pavarësisht se furnizimet amerikane u kanë dhënë mundësi, të armatosen më mirë trupat monarkike dhe të pajisen me mjete transporti, të cilat ndihmojnë të realizojnë shpejt transportimin e këtyre trupave. Gjendja morale e ushtrisë demokratike në Greqi është e lartë, dhe ajo po zhvillon me sukses operacione luftarake. Qeveria e Athinës dhe amerikanët përpiqen të dëbojnë popullatën nga rajonet, ku vepron ushtria demokratike, prandaj udhëheqja e ushtrisë demokratike, është e detyruar që një pjesë të popullatës, ta dërgojë në territorin shqiptar. Tani, udhëheqja e ushtrisë demokratike kaloi nga sistemi i parimit vullnetar të rekrutimit në ushtri në mobilizimin e detyrueshëm.
Në fund të bisedës, Hoxha tha se dëshironte të më bënte një pyetje, lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Ai tha, se Shqipëria ka një mori çështjesh të pazgjidhura me Italinë, të tilla, për shembull, si reparacionet, restitucionet etj. Lidhur me këtë, ngrihet çështja, se a është koha e duhur tashmë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Italinë? Si rezultat i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të tilla, reaksioni italian do të përpiqet natyrisht, të zhvillojë në Shqipëri veprimtari midis klerit katolik reaksionar, duke shfrytëzuar për këtë Vatikanin, si dhe do të kërkojë midis elementëve reaksionarë në Shqipëri, të cilët, në të kaluarën kanë qenë të lidhur me regjimin fashist italian. Por, nga ana tjetër, vendosja e marrëdhënieve diplomatike do t’i japë mundësi qeverisë shqiptare, që të marrë të dhëna më të sakta, lidhur me veprimtarinë armiqësore që zhvillohet në territorin e Italisë kundër Shqipërisë, të njihet me gjendjen e organizatave reaksionare të emigrantëve shqiptarë dhe me gjendjen në përgjithësi të emigracionit shqiptar në Itali. Në kohën e tanishme, qeveria shqiptare ka shumë pak informacion për këto çështje. Hoxha do të dëshironte të merrte nga unë një këshillë për këto çështje.
Unë u përgjigja, se tani nuk kam ndërmend të jap ndonjë këshillë për këtë çështje, për shkak të kompleksitetit të saj, por, me sa duket, gjatë periudhës së qëndrimit të Hoxhës në Moskë, do të ekzistojë mundësia për t’u kthyer edhe një herë te kjo çështje.
Biseda vazhdoi 1 orë e 10 minuta. Asistuan shokët Çuvahin, Leviçkin, Ratiani.
A. Vishinskij
(Burimi:P SF VE, T. II, AVP RF, F. 07, Op. 22, P. 22, D. 4, L. 71, 74 – 77. Nr. 15. Origjinal)
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Arkivat sekrete ruse. Vendim e datës 2 prill 1949, Nr. 1273 – 454c të Këshillit të Ministrave të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike mbi dhuratat për delegacionin qeveritar të Shqipërisë, kryesuar nga Enver Hoxha.
-Çfarë objektesh iu dhuruan Enver Hoxhës, Spiro Kolekës, Vasil Katit, Xhafer Spahiut, Shinasi Dragotit, Nexhip Vinçanit dhe bashkëshorteve të tyre nga Stalini.
-Biseda e 20 majit 1949 e Enver Hoxhës me diplomatin rus në Tiranë, D. S. Çuvahinit lidhur me marrëdhëniet e mundshme Shqipëri-SHBA.