Epigrame…

Ornela

1.
S’kapen peshqit me të porositur
Duke parë detin larg e larg
Do kthehesh me shportë të boshatisur
Po qe se bytha në ujë s’t’u lag!…

2.
Po hipe në barkën plot me vrima
Duhet me gjithë shpirt të përgatitesh
Po hipe në barkën plot me vrima
Është e sigurt’ që me të do mbytesh.

3.
Ka qenë një fjalë e urtë
Gjer këtu i vjen muzika:
“Trimëria vdes nga plumbi
Frikacaku vdes nga frika!…”

4.
Asnjëherë, more Nebi
Nuk të mori fati: “Hopa!…”
Sepse ty, more i zi,
Të zë plumbi dhe në gropa!…

5.
Po u fute në bordello
Edhe të mos bësh gjë-gjëri
Në kokë do të vënë kapello
Do thonë: “Kodoshi e bëri!…”

6.
Një dashuri e madhe
Sado të ketë bekime
Nuk zgjat më shumë
Se një shkrepje vetëtime!…

7.
Kush të lan me fjalë
E kush të lyen
Është si pikë e ujit
Që shkëmbin gërryen!…

8.
Bota do të ish
Shumë më e mirë
Po mos kish
Servilët e pështirë!…

9.
Miku im me dije e me mënde
Dëgjo një proverb që ka dalë herët:
“Po nuk je besnik i vetes tënde
S’mund të jesh besnik as me të tjerët!…”

10.
Është në natyrën njerëzore
Që kur Bota këtë rrugë ka nisur
Është në natyrën njerëzore
Bukë e shkelur dhe kupë e përmbysur.

11.
Karrieristi,
Për të kapur synimin e vet
Jo vetëm të shtyp
Po dhe të vret!…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *