Epigrame…

Ornela

1.
Që ta themi hapur midis nesh
Jeta s’ka vërtet ndonjë sekret:
“Po bëre të mira, të mira do gjesh
Po bëre të liga, e liga të pret!…”

2.
Po linde i trembur
Mos u mundo kot:
“Me shqipet të rrish
Shqipe s’bëhesh dot!…”

3.
Kur fanfarë jeta bën muzikën
Dihet që punon ndonjë rreng
Se nuk ka njeri nga gjithë ç’ikën
Që s’la mbrapa një plagë e një peng!..”

4.
Sikur Një të kthehej nga Parajsa
Të na thoshte dhimbjet si janë zbutur,
Te derë e saj s’do mbaronte radha
Radha njerëzore për t’u futur….

5.
Sado të them e të shkruaj
Shumica pa thënë do të mbeten
Po dhe Njëqind në u bëfsha
Do them: “S’pata kohë të njoh veten!…”

6.
Gazi është si maja e bukës
Veç një grimë e mbrun sa një mal
Ndaj gëzimet, jeta Arben Dukës
Si me pikatore sot ia fal!…

7.
Tjetrit mos i shiko gunën
Thonë njerëzit pa nisur puna
Po kur para ke furtunën
Patjetër do parë dhe guna!…

8.
Kur nga dora jote
Të lot terezia
Ç’të bën një putanë
S’ta bën Perëndia!…

9.
Të mirën në det
Hidhe sa më parë
Pastaj për ta nxjerrë
Kërko polumbarë!…

10.
Shkonte mbi urë miza
Mbi një elefant.
-Urën unë e tunda,-
Tha miza garant!…

Kjo ndodh e ka ndodhur
Në gjith’ shekuj mbarë,
Meritat e njërit
Tjetri i ka marrë.

Gjithnjë do të dali
Një si punë e Fantit,
Si miza që ishte
Në bisht të elefantit!…

Share This Article
2 Comments
  • Po bëre të mira e mira të pret? Kush e thotë këtë? E mira harrohet. Jezusi a thuhet e bëri të mira? Pse e kryqëzuan? Pse populli zgjodhi të dënonte Krishtin dhe jo kriminelin? Përralla fetare është një gënjeshtër, por për ata besojnë te përrallat dhe që Krishti ishte e vërteta,atëherë ja dëshmia: Kush thotë të vërtetën dhe bën të mira përfundon i vdekur në kryq. Prandaj o Dukë ti bën vargje kot me fraza klishe sa për të bërë rimë e për dukur sikur beson te e mira. Mjafton të shohim se sa beson te rilindja socialiste e së keqes dhe të bie gënjeshtra. Mjafton të shohësh që je komunist, mburr Enverin dhe Krishtin e Perëndinë dhe kupton që ti je tipik i njeriut që ka frikë nga diktatorët, dhe s’ke lidhje me të vërtetën. Bën si disident me opozitën duke iu seevilosur pushtetit. Tamam sëprapthi. Të mjaftojmë nja 3-4 budallenj trushpëlarë apo militantë me pagesë këtu në forum duke besuar apo bërë sikur besojnë budallëqet e tua, dhe ti edhe pse si zog në kafaz, pra jo i lirë, të duket vetja si poet, si shqiponjë Himalaje. Ti qofsh!

    • Po linde i trembur
      Mos u mundo kot:
      “Me shqipet të rrish
      Shqipe s’bëhesh dot!…”

      Shënim:O Dukë,po ku ishin shqipet në 45 vite diktaturë? Ishin të trembur? Ku ishe ti? Linde i trembur, apo u trembe më vonë duke ndënnjur me shqipe të trembura? Se edhe sot ti dukesh i trembur nga regjimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *