1.
Mos iu dorëzo të keqes kurrë
Thonë fjalë të reja dhe të vjetra.
Se e keqja po të vuri poshtë
Të mbërthen me thonj edhe me kthetra!…
2.
Gjarpëri s’ka qeder kur i pret bishtin
Se i rritet prapë, duhet ta dish,
Ji i qetë veç kur i shtyp kokën
Sepse koka nuk i del sërish.
3.
Nëpër ëndrra kam prirje gjeniu
Bëhem Zot dhe Perëndi;
Ëndërrimet po mos kish njeriu
Do të qe si jeta pa rini!…
4.
Që në jetë me këdo
Të jesh barabar,
Plumbit me plumb
Zjarrit me zjarr!…
Këto janë gdhendur
Kudo si me daltë:
Helmit me helm
Mjaltit me mjaltë!…
5.
Jeta është si një cigare
Andej hi e këtej tym
Cigare që duhet pirë
Gjer në fund, o miku im!…
6.
Një gomar vishe si të duash
Që të gjithin me argjend e ar
Nga mundimi nuk ke pse të vuash
Një gomar gjithnjë mbetet gomar!…
7.
Është mik me të vërtetë
Është mik në këtë jetë
Kush brucën ta heq në vapë
Dhe në dimër ta vesh prapë…
8.
Ca fjalë shumë të rralla
Dikur dhe unë i thoja:
“Plakut mos i dëgjo pordhën
Po fjalën dëgjoja!…”
Një jetë të tërë jam munduar
Këtë të fitoj nga pleqtë e vjetër
Po ka nga ata, që veç pordhëve,
Nuk kanë ç’të thonë gje tjetër!…
9.
Dy pika gjak pinë nga njëri-tjetri
“U bëmë vëllezër thanë…”
Unë kam pesë litra gjak të njëjtë
E s’merrem vesh me vëllanë!…
10.
Bëj ç’të duash në jetë, mik i dashur,
Në fund do të mbetesh një qyq
Më të mirë se Krishti nuk ka pasur
Po dhe Krishtin e varën në Kryq!…
