1.
Gërmo dhe gërmo, por s’e di
Do gjesh qymyr, apo flori
Kështu dhe njerëzit nuk mundin
Ta dinë më parë si e kanë fundin!…
2.
Unë mezi marr frymë
Ti shtrëngon litarin
Mjekra ime digjet
E ti ndez cigarin!…
Mua m’u tha buza
Ti hedh helm në gotë,
Nga të tillë miq
Na ruaj, o Zot!…
3.
Jeta është një rrugë e gjatë
Ka stacione për t’u ndalur
Herë ditë e herë natë
Për t’u lutur, për t’u falur!…
4.
Lekët që vijnë me thes
Ikin njëlloj si vinë,
Ato që vijnë pak nga pak
Ato e mbajnë shtëpinë.
5.
Kur je i pasur, s’të zë gjumi
Se s’di ku lekët t’i çosh
Kur je i varfër, po njëlloj
Se s’di aspak si do rrosh!…
6.
Breshka thosh: “Të isha shqiponjë,
Mos kisha koracën e gurtë!…”
Shqiponja thosh: “Të isha breshkë,
Të ecja në tokë e sigurtë!…”
Kështu rrotullohet kulari
Askujt nuk i gjendet karari!…
7.
Katërmbëdhjetë Shkurti s’është ditë dashurie
Këtë njerëzit fare pak e dinë
S’është aspak një ditë dashurie
Por apel i madh për dashurinë!…
8.
Të njohë njeriun askush nuk arriti
Të gjitha njohjet mbetën të zbehura
Se dhe Titanikun e mbyti
Aizbergu me pjesët e fshehura!…
9.
E sigurt nata që do vijë
I sigurt dhe mëngjesi
Porse në jetë s’kanë siguri
As fati, as suksesi!…
10.
Të dërgova qindra tufa lulesh
Që u thanë, u vyshkën e u tretën
Të dërgova veç një këngë shpirti
Që e freskët mbeti gjithë jetën!…
