Miza dhe shqiponja
I thoshte një mizë shqiponjës,
Plot shpezë në flatra ti vure,
Po gjer më sot asnjë mizë,
S’e zure dot, s’e zure.
Ashtu vërtet, tha shqiponja,
Ty fjalën as topi s’ta luan,
Po sot mësoje ta dish,
Shqiponja për miza nuk gjuan.
Kush rrëzohet
Po ratë si lisi në tokë,
Ta dini se kaq e patët,
Se dihet në atë lis,
Bëjnë dru dhe sakatët.
Kolltuqet
Kam njohur burra shumë të ndershëm,
Kur s’kishin grada e ofiqe,
Ndryshuan kur u bënë ministra;
Kolltuqet pjellin tartabiqe.
Rrota
Kur dikush të thotë: “Je rrotë!…”,
Mos u nxeh, o mik, më kot,
Se ditën që u shpik rrota,
Zhvillim të madh mori bota.
Po të bëhesh pulë
Po të bëhesh pulë si pula,
S’ke pse ankohesh pastaj,
Kur të ta hipi kokoshi,
A kur dhelpra të të hajë.
Armiku
Do t’ju them një fjalë të urtë,
Sa të re aq dhe të vjetër,
Nëse s’mund t’ju bëhet ujk,
Do t’ju bëhet molë patjetër.
Në fshatin e budallenjve
Ka thënë një prej të mëdhenjve,
Që kish jetuar me ta,
Në fshatin e budallenjve,
I mençuri është i vetmi budalla.
Të njoh
Dhe pse të dhanë goxha pozitë,
Mua mos m’u kapardis,
Të njoh mirë, prandaj të them:
“Nuk bëhet rigoni lis…”
Poetët
Poetët janë njerëz të mëdhenj
Po shumica janë fukarenj,
Dhe pse në qindëshen tonë vulosi shteti,
Portretin e Naimit nga Përmeti.
Mos u habit
Hasmit po i ra në dorë,
Që të zografisë për ty,
S’ke arsye të habitesh,
Që do shkruaj vetëm zi.
Zvarranikut
Çdo akt guximi që të nisësh,
Ti e shikon gjithnjë me frikë,
Se s’ke guxim që të braktisësh,
Baltën ku rron, o zvarranik.
A.DUKA