Pa titull
I bardhë si bora të jesh,
i ndritur-i larë me flori,
prapë do të shajnë-patjetër,
pa sharë nuk mbetet njeri!.
Pa titull
Dhe këmbët gjithnjë më kanë çuar,
ku ndizet flaka dhe zjarri,
nga lufta kam ikur i fundit,
në luftë kam shkuar i pari…
Pa titull
E hodhën floririn-e tretën,
në llum e llagëmin e zi,
një shekull kaloi dhe e gjetën,
floriri kish mbetur flori..
Pa titull
Mos lër mënjanë miqtë e vjetër,
që vlejnë sa bota e tërë,
se miqtë e ri që do gjesh,
janë kështjella në rërë..
Pa titull
Eh-dallëndyshet-dallëndyshet,
i kam nektar të poezisë,
ato gjithnjë shtegtojnë,
veç në kërkim të dashurisë…
Pa titull
Të kërkosh gjithë jetën,
do mundohesh kot,
një tjetër si vetja,
nuk do ta gjesh dot..
Pa titull
U gdhendën fjalët në letër,
kështjella të larta qëndrojnë:
“Ca njerëz një jetë e kanë tepër,
të tjerëve dhe dhjetë s’u mjaftojnë!..”
Pa titull
Të mira bëj në këtë jetë,
për to nevojë kanë të tërë,
por kur ta bësh hidhe në det,
ose ta shkruash në rërë.
Dhe asnjëherë-tek asnjeri,
mos e përmend të mirën tënde,
të mirën që të bëjnë ty,
në shkëmbin më të lartë gdhende!
15 Korrik, 2018