Nga ARBEN DUKA (1957-2021)
Pa titull…
Lavdia rreth kokës,
Si shami e zezë,
Jeta e të gjallëve,
Nxin si një varrezë…
20.01.1999
Pa titull…
Kur ra mbi botë një errësirë,
Parajsa mbeti shkretëtirë,
Ju hap skëterrës çdo kanat,
Se s’kish njeri pa një mëkat.
20.01.1999
Kjo botë…
Kjo botë bërë copë e çikë,
Si brekët e një vrome,
Kjo botë e vjetër bie erë,
Llagëmi dhe kufome.
Kjo botë e shkretë,
Ka të vërtetë,
Mizerjen dhe shëmtimin,
Dhe fallco, fallco,
Vetëm fallco,
Aromën dhe shkëlqimin.
26.01.1999
Pa titull…
Buzë e gruas,
Që kurorën shkel,
Është e ëmbël mjaltë,
E butë si vaj;
Është e ëmbël,
Po në të vërtetë,
Helm e vrer,
Ka në gji të saj…
1.02.1999
Pa titull…
Rrugë e të pabesit,
Është si terri;
Asnjë dritë,
Nuk mund ta ndriçojë,
Ndaj ai,
S’e shikon dot kurrë,
Atë që nesër,
Shpejt do ta rrëzojë.
1999