Epigrame…

Ornela

1.
Muza dhe vargu gjallë më mban
Gjithnjë shkrova vargje pa kapistër:
“Një ministër mund ta bësh çoban
Po çobanin s’e bën dot ministër!…”

2.
Sikur Jezu Krishti
Mos ishte i vërtetë
Jezu Krishtin njerëzit
Do ta shpiknin vetë.

Në djepe floriri
Do ta kishin tundur
Të kishin një Yll
Për shpresën e humbur!…

3.
Më thonë muzat e mia
Mos u lodh, o bir, më kot
Mos kërko nga njerëzia
Atë që Zoti s’ta jep dot!…

4.
Kush të premton lugë floriri
O Arben, o Arben nuri
Do të të lozë nga fiqiri
Se s’të jep as lugë druri!…

5.
Zihej poeti me ustanë
Me sherr e ndezën gjithë natën
Po gjërat dot nuk i ndanë
Kush penën, kush darën, kush daltën!…

6.
Kur u nda “E imja” dhe “E jotja”
Fillimisht njerëzit shpikën portat
Edhe kur hendeku u thellua
Shpikën çelësat dhe kasafortat.

7.
Edhe të vërtetës i vënë bisht
Po nga kjo hiç mos u mërzit
Ai bisht do bjerë, sigurisht,
Se tek e vërteta bishti s’ngjit!…

8.
Natyrisht, është e vështirë
Fjala të zërë vend vërtet
Duhet të mendohesh mirë
Kujt i flet dhe ku i flet!…

9.
Gjëmojnë ato livadhe
Bamb e bumb këmborë e madhe
Po në darkë zonja Xhillare
Mbushi veç gjysmë okare!…

10.
Askush s’ka të drejtë të thotë
Se Bota e gjithë është rrëmujë.
Po të mos kishte idiotë
Të mençurit s’do delnin mbi ujë.

11.
Po të thanë diku “Do bëhet!..”
Pa hyrë akoma në derë
Të siguroj se kjo punë
Nuk do bëhet asnjëherë!…

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *