Sipas Diogjenit
Do të dal në mes të ditës,
porsi Diogjeni i hershëm,
do dal me qiri në dorë,
të gjej një njeri të ndershëm.
Era e hudhrës..
A e dini ju-o-njerëz,
një fjalë plot ëmbëlsirë:
“Erë e hudhrës e mbyt keq,
dhe parfumin më të mirë!.”
Të ligut ose qymyrit
O qymyr s’të bëj dot mik,
s’kam lindur për vetmohim,
kur je i ndezur më djeg,
kur je i shuar më nxin.
Një e vërtetë e artë..
E zbulova të vërtetën,
tani që më erdhën mentë,
sa më shumë që i njoh njerëzit,
aq më shumë i dua qentë!
Mos u gënje!
Mos u gënje-o lum miku,
qofsh thinjosh-apo i ri,
jo çdo gjë që ndrin e verdhë,
është me domosdo flori!
Një gomar
Një gomar mbetet gomar,
qoftë i veshur dhe me ar.
Kur më shajnë…
Kur më shajnë aq më bën,
aq më bën e s’më prish punë,
se kur më kafshon një qen,
nuk mund ta kafshoj dhe unë!
Bejte..
Kur e pi rakinë thatë,
bëhesh rrumbull-bëhesh tapë,
sa dhe plaka njëqind vjeçe,
të duket e njomë si keçe!
Derri që kam rritur vetë…
Dhe pse mori grada shumë,
s’u bë aspak më i ditur,
sa peshon e di veç unë,
ai derr që vetë kam rritur.
Shëndeti i ujkut…
Ujku ka qafën e trashë,
i ndrin qimja plot shëndet,
për faktin e thjeshtë se bukën,
e nxjerr me mundin e vet.
Një proverb..
Thotë një proverb i vjetër,
dhe nuk pranon diskutime:
“Budallai dhe dembeli,
nuk bëjnë kurrë gabime!.”
A.DUKA
