Epigrame të zgjedhura

Ornela

Gjëmon pylli…

Gjëmon pylli anë e mbanë,
Kur jep shpirtin elefanti,
Po dhe mizën kur e shkelin,
Ka dhimbjet e një gjigandi.

1998

Kur fëmija yt…

Kur fëmija yt,
Që bën dritë si nur,
Të kërkon ushqim,
O njeri i varfër;
Ti në vend të bukës,
Nuk i jep një gur,
Dhe në vend të peshkut,
Nuk i jep një gjarpër!
1997

Pikëllimi…

Me fjalë e me sy,
Mos e vrit të varfërin,
Pikëllimi i tij,
Helmon dhe gjarpërin.
1997

Fale prostitutën…

Fale prostitutën,
Zemrën e lënduar,
Lotët e pendimit,
Me puthje ja thaj,
Po mos e fal mbretin,
Mbretin e rrëzuar,
Që shkoi në thikë,
Mijëra të pafaj…
1997

Mos…

Atij që ka etje,
Mos i kujto verën,
Në dimrin e thellë,
Mos kujto pranverën,
Para fukarait,
Mos ha mish të pjekur,
Atij që do paqe,
Mos ja kthe me hekur!
1997

Me njeriun që s’ka mend…

Me njeriun që s’ka mend,
Kur bën llafe kot së koti,
Qaje-qaje fatin tënd
Në çdo rast fiton idioti…
1997

Fjalë e urtë…

Këtë fjalë të urtë,
Jete të vështirë,
S’e ka thënë aspak,
Një gojë memece:
“Më mirë rro në shpellë,
Me një egërsirë,
Se sa në shtëpi,
Me një grindavece!…”
1998

Kur shkon kaluar…

Kur revan ecën përpara,
Me kalin shaluar,
Atyre që vijnë mbrapa,
Mos u qëndro rëndë,
Se dhe për ty vjen një ditë
Fare pa kuptuar,
Të tjerë në kuaj hipin
Dhe ti shkon në këmbë…
1997

Babait, Pilo Duka 

Në 10 vjetorin e vdekjes

Vitin që ike,
Ne u çmendëm,
U çmendëm të gjithë
Si për dreq.
Botën tënde,
Me themel e shembëm,
Ajo që ngritëm,
S’ka ku shkon më keq…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *