EPISODE / Komedia Njerëzore e Tiranës: Rama mundohet më kot t’i ngjajë Filipit

redaktor

-1-

Prej disa javësh, Edi Rama ka nisur në heshtje një operacion të sofistikuar estetik për t’i ngjarë sa më shumë Filip Çakulit.

Ka lënë mjekër, ka marrë kastile disa kile dhe një e dy, me sebep të njoftimeve dramatike mbi ecurinë e hapjes së negociatave më BE-në, bën video me celular nga shumë afër, për t’u demonstruar shqiptarëve portetin e tij aq të ngjashëm me Filipin.

Por zhgënjimi i rëndë i erdhi pardje, kur një simpatizant i shkroi në Fejsbuk se sa shumë ngjante me Ismail Qemalin.

“Je i sigurtë që ngjaj me Malon dhe jo me Filipin?”, e pyeti i pezmatuar Edi.

 

-2-

Nuk na ecën fare: Një shumicë dërrmuese politikanësh europianë na mbrojtën kundër refuzimit francez për hapjen e negociatave.

Por problemi është se gati të gjithë ata ose kanë ikur nga pushteti, ose janë më të ikur: Nga Merkeli te Cipras, nga Tusk e Juncker tek Eduard Kukan.

Dhe për t’i hedhur ca kripë plagës sonë, u kujdes ambasadori britanik në Tiranë, z.Norman: E di që mua s’më takon të flas se jemi duke ikur, por Shqipëria e meriton BE-në!

P.S. Për ironi të fatit, i vetmi që e përgëzoi Makronin për anti-shqiptarizmin, është një shqiptar që bën demek se ka ikur nga pushteti, por që në fakt ka qenë gjithmonë aty.  

 

-3-

Një shqiptar, pjesë e grupit që vidhte shtëpitë e yjeve të Realit dhe Atletiko Madridit, kur u arrestua rezultoi se ngjante shumë me Dhamianin. 

Por Dhamiani e përgënjeshtroi çdo lidhje të mundshme:

“Mua ma kanë vjedhur shtëpinë për vete, ç’lidhje mund të kem unë me atë? Taksirati i ne yjeve thuaj, të vuajmë kështu…”

-4-

Po përgatitet një projekt-ligj i ri mbi kriteret që duhet të plotësojë kandidati për deputet: Do testohet se si e shqipton fjalën KORPORATA! Komisioni që merret me draftin e ka kaluar testin që më herët.

 

-5-

Ambasada e Madhe vazhdon edhe këtë javë t’u shpjegojë shqiptarëve përmes filmave vizatimorë, ecurinë e reformës në drejtësi. Stafet janë duke punuar në këtë drejtim, që shpjegimi i reformës të botohet edhe si libër me figura me ngjyra, por edhe në CD me audio për t’i dëgjuar në mbrëmje para gjumit.

 

-6-

Qershia mbi tortë: Një banor i Shkozës u dënua së fundmi nga gjykata me arrest shtëpie. Dënimi erdhi pasi banori kishte reaguar me forcë kundër policisë dhe IKMT-së që i prishën shtëpinë…

 

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike. Realiteti, jo dhe aq…

 

Share This Article
6 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *