Këto ditë në Tiranë u zhvillua një aktivitet i veçantë, në të cilin u përzgjodh vajza dhe djali me tatuazhet më të bukur. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, vendosëm të bëjmë një udhëtim mes pikturave në trup.
Jo vetëm letërsia i nënshtrohet rregullit të klasifikimit në periudha kohore. Ndodh të jetë kështu edhe me tatutë. Në Tiranë kohët e fundit sa vjen e po bëhet gjithmonë e më i përhapur Realizmi, jo ai socialist, por ai punimeve artistike në lëkurë që marrin jetë nga përditshmëria. Bledari Loci është tatuist i vjetër në profesion, dhe prej më shumë se një viti mban postin e Presidentit të i shoqatës së tatuatorëve. “Sot është realizmi. Janë pamje të marra nga fotografitë. Ne përpiqemi t’i realizojmë ato më bukur se sa në foto. Që do të thotë që përpiqemi t’i sjellim ato të gjalla. Realizmi pranon në tatu edhe femra të bukura edhe të shëmtuara.”

Shoqatës së Tatuatorëve
Kërkesat që lidhen me realizmin janë të larmishme. Një luan që ngjan i vërtetë. Bulëza e ujit te lulet, që duket sikur qëndron mbi lëkurë. Janë vetëm disa nga motivet që shoqërojnë idetë e kërkuesve të tatusë. “Në Shqipëri kjo lloj tendence propozohet nga ana jonë. Kjo sepse personat që dëshirojnë të bëjnë tatuazhe, ka shumë që nuk i njohin të rejat e fundit”. Bledari (33), ka një tatu të stilit realist. Në pulpën e këmbës së majtë ai ka realizuar portretin e një femre. “E bëra se më pëlqeu imazhi, jo se ka një domethënie”- pohon ai. Vetë Bledari ka në trup disa tatu. Nëse ai vetë ka zgjedhur këtë pjesë të trupit ka të tjerë që vijnë me kërkesa të çuditshme. Duke filluar që nga krijimet në krah, toraks, shpatull e deri në pjesët intime. Madje ka edhe nga ata që zgjedhin të bëjnë tatu edhe fytyrën. “Ashtu si shumë fusha të tjera që zhvillohen, të cilat në periudha të caktuara kanë një modë, edhe për tatuazhet kështu funksionon. Nëse më parë tatuazhet nuk kishin ngjyra, në këto kohë po përdoren shumë ngjyrat e forta. Po kështu nëse më parë tatuazhet i përdornin vetëm të burgosurit tani kjo tendencë është e gjithëpërfshirëse.”
Që nga muaji tetor i vitit të kaluar tatubërësit në të gjithë Shqipërinë janë të bashkuar në një shoqatë të vetme. “Kam qenë i pasionuar pas tatuve që në vogëli. Tatuazhin e parë e kam bërë në moshën 18-vjeçare. Që nga ajo kohë, pikturat në trup u kthyen jo thjesht në hobi apo dëshirë për t’i realizuar, por edhe si një interes më tej për zhvillimet që kishte ky lloj arti.“Si një i pasionuar pas tatuazheve vendosa të ngre këtë shoqatë që ka për qëllim vendosjen e disa rregullave mes tatuatorëve, por edhe si një ambient organizativ për të realizuar panaire apo ekspozita të ndryshme siç organizohen në të gjithë botën”.
A hiqet një tatuazh? Sigurisht që po
Të heqësh një tatuazh nuk do të thotë që të çohesh një ditë të bukur, dhe të thuash këtë paradite do të heq tatuazhin. Kërkon seanca të tëra me rreze laser, dhe më pas do kurim pasi lëkura digjet dhe pret të rikuperohet nga një tjetër. Por në fund ia del. Por ka edhe nga ata që kanë kërkuar të mos e heqin, por të luajnë mbi të, duke realizuar diçka tjetër. Nëse ke shkronja mund t’i ndryshosh, apo nëse ke një pamje të caktuar më të mund të punosh një tjetër. “Ka mënyra të ndryshme për ta nxjerrë veten nga situata”,- informon Bledari. Nëse je lodhur nga tatuja që ke në trup mund ta fshish dhe rezultatet janë shumë të mira sidomos nëse tatuazhi që ke, ka ngjyrë e zezë. Por mos prit që lëkura të duket e njëjtë si në kohën përpara se të bënit tatu. Disa ngjyra fshihen më me vështirësi se të tjerat dhe kërkohen vizita të herëpashershme. Ndoshta nuk do keni mundësinë asnjëherë ta fshini 100 për qind. Mirë është të mos përdorni mjete për ta fshirë vetë. Këto produkte përmbajnë acide dhe mund t’iu shkaktojnë reaksion. Laser të ndryshëm përdoren për fshirjen e secilit pigment. Menjëherë pas trajtimit lëkura mund te duket e bardhë. Një në katër persona të moshës nga 18 deri në 40 vjeç, ka tatuazh. Nga këta 65 për qind janë femra. Që do të thotë se tendenca e tatuve ka kaluar te seksi i dobët. Ajo që këshillohet është kujdesi. Mbi të gjitha duhet të siguroheni që studio të jetë e pastër si të ishte një klinikë mjekësore. Tatuazhi duhet bërë në vend të veçantë larg gjerave të zakonshme që mund te sjellin mikrobe te padëshiruara.
Një shkollë për tatuatorët
Kreu i shoqatës së tatuve thotë se 50 për qind e studiove që janë të hapura nuk kanë higjienë dhe mungon sterilizimi i mjeteve më të cilat punojnë. “Vazhdojnë akoma me saldimin e gjilpërave. Nuk i sterilizojnë, por i saldojnë me kallaj dhe vazhdojnë punën. Gjë që është e palejueshme. Bledari thotë se sot koha e kërkon që për të bërë tatuazhe, duhet të jesh artist edhe mjek. Artist për të ditur të pikturosh në trupin e një njeriu dhe mjek, për kujdesin që duhet të tregosh. “Që ta ngresh si studio duhet të kesh diplomën e ushtrimit të profesionit të tautatorit. Këto diploma shqiptarët i kanë marrë kryesisht në shkollat italiane. Kanë bërë kurse andej. Por mund te jesh edhe piktor. Në projektet tona është gjithashtu edhe që shoqata të hapë edhe një shkollë tatuatorësh”.
Ka studio ku higjiena mungon
Krijimi i shoqatës së tatuatorëve, nxjerr në pah edhe problematikën që shoqëron sot artin e pikturës në lëkurë. Bledar Loci e shikon kaotik dhe të pasistemuar tregun. Shqetësimi i parë është higjiena. “Është shumë e rëndësishme që një tatuator të ketë certifikatë higjiene. Kjo për shkak të sëmundjeve të ndryshme që transmetohen nga objektet që përdoren për realizimin e tatuve.” Bledari thotë se janë të pakta studiot që respektojnë rregullat. “Kur je një person i cili nuk ke bërë ndonjëherë tatuazh, është pak e vështirë t’i besosh dikujt. Pasi jo të gjithë që kanë studio respektojnë rregullat. Në Shqipëri punohet komplet mbrapsht. Këtu bëhen tatuazhe në periudhën e verës, ndërkohë që në verë duhet të bëhen shumë më pak sepse temperaturat e larta nuk janë të favorshme për lëkurën.
Miss dhe Mister Tattoo

Në mjediset e një prej klubeve më të mëdha në Tiranë pak ditë më parë, u zhvillua për herë të parë në Shqipëri, në një pasarelë të llojit të sfilatave të modës, konkursi i tatuazhit më të bukur organizuar nga një klinikë tatuazhesh. Miss dhe Mister Tattoo përmbante 15 konkurruese femra dhe 15 meshkuj. Organizatori i këtij eventi Olsi Sejdi dhe stafi prej 11 vetësh, në bashkëpunim me “Ak Filmëork” dhe “Shoqatën e Tatuatorëve”, një revistë shqiptare, dy televizione shqiptare e kosovare, një agjenci turistike, por edhe një tjetër e cila shoqëroi të ftuarit me limuzina si dhe shumë të ftuar VIP, kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj mbrëmje të veçantë. Stine, Xhejsi Jorgaqi, 2Ton, Çartani, Problemi, Double- T, ishin disa nga 25 VIP-at e ftuar specialë të kësaj mbrëmjeje, ndërsa spektakli u prezantua nga dy emra pothuajse të panjohur për publikun shqiptar, prezantuesi e gazetari nga Kosova 33-vjeçar, Maksim Gjokaj dhe shqiptaro-italiania Carmela Barretta.
Për detajet se si u përzgjodh dhe votua nga juria “tatuazhi më i bukur” e normalisht “Miss dhe Mister Tattoo”, Olsi Sejdi pohon: “Një kamera e cila ishte e lidhur me një ekran të madh, i afrohej tatuazhit duke e bërë kështu të dukshëm për të gjithë të ftuarit, por edhe për jurinë” u shpreh Olsi. Nuk është një shkencë e re kjo e kalimit nga materia në shpirt apo anasjellas, por “një shenjë” e cila do jetë e dukshme, veçanërisht në stinën e verës.

Olti është shprehur se: “Tatuazhi nuk njeh moshë, ndërsa po realizoj dhe jam në përmbyllje të një shqiponje tredimensionale në gjoks, ndërsa ndër më të famshmen e realizuar nga duart e mia është portreti i ish-kryeministrit Sali Berisha, e realizuar në gjoksin e një shoferi taksie, e cila qarkulloi për shumë kohë në rrjetin social Facebook. Në evenimentin e organizuar prej tij u shpallën dhe dy fituesit Miss Tattoo Albania u shpall Klodiana Hysenaj e cila mbante disa tatuazhe në trup, por njëri nga tatuazhet ishte më interesanti pasi përmbante fotografinë e zonjës me tre fëmijët e saj. Mister Tattoo e fitoi Kristi Firi, i cili nuk mund të thuash se kë kishte tatuazhin me të bukur pasi një pjesë e mirë e trupit të tij ishte e mbushur me tatuazhe.
