Siç dihet, në poemën “Korbi” të Edgar Allan Poe-së të përkthyer mjeshtërisht nga Fan Noli ynë, bëhet fjalë për një burrë të vetmuar e të dëshpëruar nga hidhërimi, që në “një mesnatë të bezdisur/ kur ishte dimër i ftoht’ i ngrirë” dëgjon një trokitje… Nuk ishte në portë, por në xham…” Dhe kur e hapi atë: “… me shumë fërfëllimë / Brenda hyn një Korb i mvrejtur”… Dhe meqë shpendin, i vetmuari që ishte duke dremitur, e dyshoi për “profet, a djall ”, nxitoi ta pyeste: “Thuajm’i zemrës që mban zi, / A do shoh n’ Eden të shenjtë, / Vajzën a do kap të shtrenjtë, / Q’i thon’ Engjëjt Lenorë?.. por përgjigjja e Korbit për të ishte fatale: “Kurrë më.”
Pse e përmenda këtë poemë do të thoni ju?.. Është ndërrimi i viteve dhe m’u kujtuan kartolinat që shkëmbenim dikur…
Në vitet ’70, kur isha adoleshent, ishte bërë modë, që në urimin tonë, aty në kartolinë, t’i dedikonim mikut apo mikeshës edhe ca vargje. Katër në fakt. Dy të parat e Edgar Allan Poe-së (sigurisht pa e njohur fare atë) dhe dy të fundit të sajuara me rimë të përputhur nga mendja e kushedi se kujt mediokrri: “Era frynte që përjashta, / Rrihte perdet e mëndafshta, /(E.P) – Mos kujto se të harrova, / Kartolinë unë të dërgova.”
Kështu pra, Viti i Ri më kujtoi kartolinat. Kartolinat më kujtuan katër vargjet e mësipërme, e kështu me radhë, deri sa më shkrepi një lidhje në mes trokitjes në xham të Korbit të poemës dhe “trokitjes së kambanave” nga ambasadori amerikan Donald Lu për Reformën në Drejtësi…
Shkrimi i Fatos Lubonjës për këtë temë, patjetër që bëri të vetën tek asociacionet e mia. Sidomos kur ai me skepticizmin që e karakterizon, na paralajmëron që të mos ushqejmë shpresën se ambasadori Lu, për vendosjen e drejtësisë nëpërmjet reformës, do të veprojë sikur të ishte vetë Mesia… (Sa ngjan shpresa infantile e mikut të Lubonjës me dyshimet e atij burrit të vetmuar të poemës, kur e pyet Korbin në është: “profet, a djall?”). Edhe vargu “Era frynte që përjashta” ta çon mendimin vetëm tek shpresa e shqiptarëve për të vendosur drejtësi vetëm me ndihmën nga jashtë. Ajo është përqendruar tashmë vetëm tek një njeri. Tek shpresa që na ndezi “që përjashta” amerikani Donald Lu.
Por nëse kujtesën e fqinjësisë, në mes poemës së amerikanit Edgar Allan Poe dhe situatës që po flasim, përpiqem ta çoj gjer në fund, ajo më nxjerr tek përgjigjja fatale e Korbit “profet a djall”: “Kurrë më.” Ambasadori Donald Lu mbeti e vetmja shpresë për opinionin e gjerë, sidomos pas interpretimeve kontradiktore që i bënë partitë rekomandimeve të Venecias. Ambasadori Lu mbeti i vetmi njeri, që në mos Mesia, së paku “profet” do të ishte…
Gjithashtu e lëkundi goxha besimin tonë për “profetin” Donald Lu edhe analiza e Andrea Stefanit këtu tek “Dita”. Megjithatë, në këtë histori të funddhjetorit, Ambasadori amerikan Lu, mbeti i vetmi që nuk përfol nga gojët e liga, siç u përfol, madje edhe u përbalt, si psh çupa kroate Vlahutin, që përfaqëson Europën… Ama gjer dje, gjer para shkrimit të Thanos, që na përmendi letrën e shkurtit të 2015 të Geri Kokalarit, si edhe na tregoi për atë bisedën “konfidenciale“ të tij në darkën në shtëpinë e atasheut të ri të medias së ambasadës amerikane.
Shkurt muhabeti, po ta çojmë gjer në fund përpjekjen për krahasimin e poemës “Korbi” me situatën aktuale në Shqipëri, dmth me shpresën që më 2016-n do të triumfojë vërtet reforma në drejtësi dhe të korruptuarit, kushdoqofshin, do të përfundojnë pas hekurave, Donald Lu do të kujtohet si “profeti” i poemës. Në të ardhmen, sa herë të bjerë fjala, fundvitin 2015, do të nisim ta tregojmë krahasimisht, me dy vargjet e para të Poe-së: “Era frynte që përjashta, / Rrihte perdet e mëndafshta,..” Përndryshe, (Mos e dhëntë Zoti!) në kartolinën e fundvitit tjetër, do të jemi të detyruar që të shkruajmë edhe dy vargjet shtesë: Mos kujto se të harruam, / Kartolinë të dërguam…”

interesante kjo. me pelqeu.
Z. Mborja me kenaq gjitmone me shkrimet e tua. E shkruajta te njejten pergjigje edhe tek Respublica po nuk e postuan. Nejse…te kthehemi tek shkrii yt. Edhe per te qare me vjen, edhe per te qeshur, edhe ne fund per ti vene kujen ketij muhabeti.
Nuk di ne ke lidhje me patriotin Dr. Haki Mborjen ( edhe ai nga Mborja ish) por vetem malok s’ishte. Dhe te bijte, fisnike e qytetare i kish, ndaj nese je nga ai fis, gjynah qe e quan veten malok. Edhe vertete, mire ben qe nuk ben pas kollaj, ne je nga ajo dere. Po me c’duket, sipas shkrimeve te tua andej duhet te jesh. Juve dhe te rinjve si ti ju takon te drejtoni kete vend se jeni me baza udheheqje denbabaden, me tradite politike ne familje, me shkollim prej disa brezash dhe prandaj revoltoheni dhe jeni ne opozite se nuk e pranoni te udhehiqeni nga Lu, Lili dhe Luli. Por protestoni, jo si flokepalaret, dhe gojepadhembet por me zerin e penes, qe eshte i shkreti pa kembim e me pak fare decibell. Po mire e the, Shqiperi hesapi. T’i gezohemi qytetarise pasive dhe leterleximit dixhital. Vetem kaq na ka mbetur sot per sot. Te lutem vazhdo e ne je vertete “malok” Mborje mos te te rreshtte pena mor djale.
Z. Mborja me kenaq gjitmone me shkrimet e tua. Edhe per te qare me vjen, edhe per te qeshur, edhe ne fund per ti vene kujen ketij muhabeti.