Erdogan bën betimin si President i “Turqisë së re”

Ornela

Recep Tayyip Erdogan ish kryeministër i lë postin Ahmet Davutoglu, i cili duhet të formojë shumë shpejtë qeverinë e tij. Opozita pretendon se ky kalim pushteti përbën  shkelje të Kushtetutës

Recep Tayyip Erdogan, 60 vjeç është Presidenti i 12-të i 74 milionë turqve (21 milionë prej të cilëve e votuan më 10 gusht). Të enjten pasdite, para Asamblesë Kombëtare, ish Kryeministri bëri betimin “në përputhje me Kushtetutën, shtetin e së drejtës, demokracinë dhe parimet e republikës laike”. Dje pasdite, Erdogan urdhëroi gjithashtu pasardhësin e tij në ekzekutiv, Ahmet Davutoglu, të formojë Qeverinë e re. “Në cilësinë time si President betohem për nderin dhe integritetin tim përballë Asamblesë së Madhe Kombëtare turke dhe para historisë, që do të mbroj ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit, integritetin e pandarë të vendit dhe kombit dhe sovranitetin absolut të kombit”, premtoi kreu i shtetit në Parlament, ku ka pasur momente tensioni me protagoniste opozitën, e cila është ankuar në mënyrë të përsëritur se procesi dorëzimit të pushtetit është bërë në shkelje të Kushtetutës. Tashmë Presidenti ka vizituar Anitkabir, mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, promotorin më të lartë të Turqisë moderne, për vendosjen tradicionale të luleve. Më vonë në Pallatin e Çankaya, selinë e Presidentit, lideri në largim, Abdullah Gül, ka theksuar kalimin paqësor të pushtetit mes udhëheqjes së vendit.

Përfaqësim i pabarabartë

90  vende dërguan përfaqësuesit e tyre në Turqi për të dëshmuar në ceremoninë e betimit, edhe pse përfaqësia nuk ishte e barabartë. Ndërsa Bullgaria, Togo, Gambia dhe Qipro Veriore, rajon me shumicë turke, dërguan udhëheqës të nivelit më të lartë, Shtetet e Bashkuara dërguan një zëvendës të ambasadës së saj. Shtëpia e Bardhë ka shtuar se vendimi i saj nuk ishte një mesazh i nënkuptuar për turqit. Të mërkurën, në fjalimin e tij të lamtumirës nga Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP), (Presidenti nuk mund të jetë pjesë e ndonjë grupi politik), Erdogan theksoi se “kjo nuk është një lamtumirë, por vetëm fillimi”. Shumica e analistëve e interpretojnë këtë mesazh duke thënë se edhe pse tani do të zërë një post përfaqësues, Presidenti i ri nuk është i gatshëm të heqë dorë nga kontrolli mbi Ekzekutivin. Kjo e vë Ahmet Davutoglun, që nesër do të njoftojë kabinetin e ri, në një pozitë të vështirë, sepse detyrohet t’i qëndrojë besnik udhëzimeve të Presidentit të ri. Davutoglu publikisht ka premtuar që i bashkohet planeve të Erdogan për të themeluar një “Turqi të re” duke reformuar Kushtetutën për të krijuar një sistem presidencial, në të cilin kreu i shtetit ka pushtetin mbi Ekzekutivin. Opozita ka denoncuar në mënyrë të përsëritur “përqendrimin e pushtetit” që po merr Erdogan me kalimin e kohës. Qëndrimi i palëkundur i Presidentit të ri turk, në përgjigje të çdo kërkesë të opozitës, ka shkaktuar shqetësime në Uashington dhe Bruksel.

O. Jaupi

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *