Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, i ka kërkuar Shqipërisë të votonte pro pranimit të Palestinës në OKB. Lajmin e bën të ditur e përditshmja turke “Hyrriet”, e cila komenton se Shqipëria e ndryshoi votën e saj nga kundër në abstenim pas presioneve nga Turqia.
Ndërsa vetë kryeministri Erdogan gjatë një komunikimi me gazetarët tha se i kishte kërkuar votën pro kryetarit të një shteti, emrin e të cilit nuk e përmendi.
Sipas mediave, Erdogan ka theksuar gjatë telefonatës se abstenimi do të thoshte votë kundër dhe kjo do t’i dëmtonte marrëdhëniet bilaterale ekzistuese “dhe do të na linte ne të pakënaqur gjithashtu”.
Tre ditë më parë, Shqipëria abstenoi gjatë votimit në OKC për ti dhënë Palestinës statusin e vendit vëzhgues joanëtar. 139 vende votuan pra, 9 kundër dhe 41 abstenuan. SHBA-ja dhe Izraeli ishin vendet që kundërshtuan fuqishëm, duke votuar kundër Palestinës.