Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti ka deklaruar se unifikimi i çmimit të energjisë elektrike ka dhënë rezultat në eliminimin e abuzimeve të gjeneruara sipas tij nga çmimi i aplikuar më parë, i ndarë në dy fasha.
Ahmeti tha se shifrat në përqindje për tremujorin e parë të 2015 tregojnë se pjesa më e madhe e konsumatorëve konsumojnë mbi 300 kw/h energji.
“Sasia mesatare e konsumit sipas fashës, për vitin 2014 ishte 45.7%, deri në 300 kw/h dhe 54.3 mbi 300 kw/h. Ndërsa në tre mujorin e parë të 2015, 28.5% rezultojnë deri në 300 kw/h dhe 71.5% mbi 300 kw. Sigurisht që ky trend mbetet për t’u vlerësuar”, deklaroi Ahmeti.
Kreu i ERE-s përsëriti dhe një herë që fundi i 2015-s synohet të jetë edhe periudha që do t’i japë fund faturimit aforfe të qytetarëve pas pajisjes së tyre në masën 100% me matësa.
