Pasi zhvilloi një fazë eliminatore fantastike me 10 fitore në 10 ndeshje përfaqësuesja e Tre Luanëve vijoi ecurinë pozitive dhe me golin e Kane, perlën së Vardy-it dhe finalizimin e Dier, arriti të merrte një fitore të madhe përballë Die Manschaft. Anglia nuk e ka fituar asnjëherë në të shkuarën kampionatin Europian, dhe ndoshta ka ardhur momenti që ta bëjë dicka të tillë në Francë, të paktën kështu mendon ish trajneri i kombëtares së tre luanëve suedezi Sven Goran Eriksson, aktualisht në drejtimin e klubit kinez, Shanghai Sipg.
“Presioni në kombëtaren angleze përpara evenimenteve të mëdha sic janë Kupa e Botës dhe kampionati Europian ka qenë gjithmonë shumë i madh. Në periudhën që unë isha trajner i përfaqësues së ” Tre Luanëve”, ky presion nuk na ka lejuar të shfaqim më të mirën tonë në fushë. Gjithsesi mendoj se gjatë 2 viteve të fundit situata ka ndryshuar pasi tashmë Anglia përbëhet nga shumë djem të rinj në moshë, dhe mbi ta nuk është ushtruar asnjë lloj presioni. Ata zhvilluan një fazë kualifikuese të mrekullueshme dhe unë mendoj se kjo Angli i ka të gjitha mundësitë për të triumfuar në Euro 2016″, ka thënë Erikson.
