Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka replikuar sërish me Baton Haxhiun, në lidhje me importin e miellit kosovar në Shqipëri. Nënkryetari i grupit paelamentar socialist, e cilëson Haxhiun si një turp të gazetarisë, që mbron interesa të biznesmenëve të ndryshëm dhe vë gjoba.
“Baton!! Të korruptosh është e ndyrë, shumë e ndyrë. Rrënon një komunitet, një qytet, një shoqëri, një vend, një komb!! Për këtë do më vinte turp t’i përdorja gërmat e gjuhës shqipe! Është rasti më i ndyrë ku mund të përdorësh gërmat e shqipes që mund të të ndodhë. Ti nuk e ke rast, ti e ke zanat këtë. Je pjesë e një grupi të tërë që ka kthyer median në makinën më të madhe që korrupton në Kosovë e në Shqipëri. I vë gjoba politikës e arkëton paratë nga biznesi që përfiton nga politika që i nënshtrohet gjobvënies”, shkruan deputeti socialist.
Akuzave të Braçes se po mbron interesat e një oligarku, Haxhiu iu përgjigj me një shkrim “Të lexosh si i palexuar”.
“Është një hegjemoni e supozuar por, njëkohësisht, është edhe “ngjarje e pashembullt”: ajo e shndërron mendimin e leximit në një situate te guximit te papergjegjshem. Kur fjalitë s’kanë kuptim dhe mendimi dhe të lexuarit janë keqkuptim. Te dyja i kishte Erioni në postimin e tij” shkruante Haxhiu. /E.K
