Ermali, koleksionisti i rrallë i veglave muzikore

entela

Entela Resuli

Ermal Sela është një koleksionist i rrallë i veglave muzikore në Tiranë.  Ai është muzikant me profesion, por me kalimin e viteve është bërë edhe koleksionist.

Shtëpia e tij është kthyer në një muze, kjo për shkak të veglave të shumta që ka në të. Lahuta është ajo që ka më shumë për zemër ndaj edhe për këtë arsye në fillim të dhjetorit ka publikuar një dokumentar për këtë vegël muzikore. Por jo vetëm lahuta, ai numëron rreth 270 vegla muzikore.

Disa prej  këtyre veglave janë mbi 100-vjeçare, çka dëshmon për një traditë të lashtë të historisë e muzikës sonë.

Lahuta në vetvete përfaqëson gjithë historinë e kombit.

“Kemi një lidhje shpirtërore mes jetës së përditshme dhe instrumentit të lahutës e cila tek shqiptarët është shumë e shtrenjtë, ajo qëndron mbi oxhak në lartësinë ku nuk mund të preket nga fëmijët, kjo ndodh sepse aty është shkruar e gjithë historia jonë. Supozohet se gojëdhëna e Mujit dhe Halilit është vijim i vargjeve Homerike”-thotë Ermali për Dita-n.

Gjatë bisedës me Selën u njohëm me zunaren, një vegël muzikore në familjen e pipëzës, ku janë gjashtë lloje të tilla. Të rëndësishme për t’u përmendur janë lahuta, lahuta, pipëza, saze, fyelli, çifteli, instrumenti i bakllamasë etj.

Sipas tij, fatmirësisht  ka ende sot rapsodë që dinë përmendësh 1000-2000 vargje nga lahuta. Sela ka mendimin se kjo vegël muzikore është përdorur përtej Malësisë së Veriut.

Në këtë intervistë në “Dita” Ermal Sela ngre shqetësimin se këto vegla muzikore po shkojnë drejt zhdukjes dhe artizanët që e prodhojnë atë janë gjithmonë e më pa.

-Ermal, cila është lidhja juaj me muzikën?

Edhe pse do duket shume klishe, muzika është jeta ime. Unë kam kryer liceun artistik “Jordan Misja” dhe më tej Akademinë e Arteve për instrumentin e trompës. Prej shumë vitesh luaj edhe instrumenta të tjerë muzikorë si kitarën bass, Contrabass dhe sëfundmi çiftelinë, fyejt, zumaren etj. Kam qënë dhe jam pjesë e disa grupeve muzikore. Krahas shumë gjërave të tjera që bëj, muzika dhe çka rrjedh prej saj zë një kohë të veçantë në ditën time dhe në jetën time.

-Së fundmi keni ardhur me një dokumentar i cila tregon më tepër për Lahutën shqiptare. Pse vendosët të realizonit një dokumentar të tillë?

Kjo ide ka lindur që në dhjetor 2017, kur aplikova për këtë projekt në Ministrinë e Kulturës. Qëllimi im ishte ruajtja e dijebëres së veglave popullore muzikore dhe duke e menduar ekzistencën e lahutës dhe Lahutarëve si të rrezikuar e nisa me lahutën. Sigurisht ky si projekt donte kohën e vet të piqej dhe unë arrita ta përfundoj në dhjetor 2018. Por ende nuk jam i sigurtë në e kam përfunduar. Mendoj se mund të shtoj ende gjëra, dhe realisht ka ende për të shtuar.

-Pse jeni fokusuar te kjo vegël muzikore?

U përqendrova në realizimin e një dokumentari me nota artistike mbi lahutën, por qëllimi im është të realizoj një punim për çdo vegël popullore të përdorur në territorin Shqiptar.

-Në dokumentari jeni përqendruar edhe te mënyra se si realizohet një lahutë, te artizanët që e prodhojnë atë, sa e rëndësishme është kjo?

Zhdukja e dijebërjes është një fenomen me të cilin përballemi çdo ditë jo vetëm në kontekstin e veglave popullore muzikore në çdo gjë. Unë kisha si qëllim dokumentimin e dijebërjes së lahutës nëpërmjet një dokumentari artistik dhe evidentimin e lahutarëve që sot vazhdojnë të jenë aktiv. Jam përqendruar tek dijebërja e lahutës për një arsye të thjeshtë, pa instrument s’mund të ketë instrumentist.

-A kemi një zbehje të artizanatit në këtë drejtim?

Zhvillimi i teknologjisë dhe ndryshimi i stilit të jetës e ka larguar malësorin nga kjo vegël. Mos trashëgimi i dijebërjes së lahutës dhe shumë veglave të tjera muzikore sjell këtë mungesë që sot ne e prekim.

-Në cilat vende prodhohet kjo vegël muzikore, tashmë në Shqipëri?

Për fat të mirë lahuta prodhohet ende në Lezhë, Shkodër, Pukë, Kosovë, nga shqiptarët e Maqedonisë dhe nga shqiptarët e Mal të Zi, gjithashtu edhe nga malësorë të zbritur në Tiranë.

-Nga ana tjetër ju jeni edhe një koleksionues lahutash apo jo? Pasion që ka lindur bashkë me muzikën??

Koleksioni ka nisur spontanisht, kam pasur gjithmonë për gjërat e vjetra ose siç i themi sot “vintage”. Më tej pasi nisa të studioj muzikë dhe të jem pjesë e disa orkestrinave popullore, kurioziteti për folklorin nisi të shtohet. Dita ditës më shtohej kureshtja. Fillimisht doja të kisha veglat popullore të Tiranës, pastaj fillova të ble çdo gjë që kisha mundësi. Ka rreth dhjetë vjet që pasuroj sa herë kam mundësi koleksionin tim dhe një ditë si sot numërohen rreth 270 vegla muzikore popullore.

-Në koleksionin tuaj, lahutat janë të ndryshme, apo…?

Lahutat dallojnë nga dekoracionet dhe vjetërsia. Unë në koleksion kam rreth 25 lahuta, të cilat u ekspozuan në Tulla Culture Center ditën e shfaqjes së dokumentarit.

-Nga ndryshojnë ato nga njëra tjetra?

Secila ka dallimet e veta, kush më e thjeshtë, kush më e ndërlikuar, por kryesisht paraqesin një simbolikë mitologjike dhe domethënëse për kulturën tonë.

-Cila është me e vjetra që keni?

Lahuta më e vjetër që unë kam duhet të jetë mbi 200 vjeçare. Për mendimin tim ajo  është edhe në e veçanta sepse ka si dekoracion një kokë blete. Historia e Ilirëve është tejet e lidhur me bletët. Ata ishin bletërritës shumë të mirë dhe besonin në inteligjencën e tyre.

-Shtëpia juaj duhet të jetë si një dyqan me vegla muzikore apo jo?

Pak a shumë. Aty është një atmosferë eklektike mes instrumenteve bashkohorë si kitara dhe Contrabassi dhe pastaj fyej, çifteli, lahuta.

-A keni edhe vegla të tjera muzikore në koleksionin tuaj?

Koleksioni im përmban pothuajse të gjithë veglat muzikore popullore të përdorura në territorin Shqiptar.

-Ermal, besojmë se jeni personi i duhur për të marr një përgjigje mbi këtë pyetje. Vetëm disa ditë më parë jemi informuar nga mediat, që lahuta u shpall si një vegël muzikore e shtetit serb. Sa e vërtet është kjo dhe çfarë mund të thoni për këtë çështje?

Lahuta përdoret në Shqipëri po aq sa edhe në Ballakan. Kur flasim për lahutën, flasim për muzikën, pra për kulturën dhe kultura nuk ka kufij politik. Lahuta sigurisht praktikohet gjerësisht në territorin e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë, Bullgarisë dhe Serbisë. Në dijeninë time Serbia ka regjistruar të kënduarin me lahutë, jo lahutën si instrument. Gjithsesi ky është një debat shumë i gjerë. Unë në këtë rast do të thoja vetëm “Më i shkathti më i shpejti”.

-Realisht, lahuta është e jona apo e “tyre”?

Lahtua që përdoret në territorin shqiptar dallon nga ajo serbe prej dekoracioneve dhe ornamenteve të ndryshme. Lahutat shqiptare paraqiten me kokë dhish, kryqe, yje, kokë blete, diell etj. Gjithashtu edhe gdhendjet në bishtin e lahutës flasin për simbolika të shumta që kanë lidhje me mitet e mitologjisë shqiptare.

-Çfarë duhet të bëjmë në që të mos na i marrin këto trashëgimi?

Regjistrimi dhe përfshirja në institucione ndërkombëtare është një pjesë për të cilën nuk mund të flas gjatë. Ato janë çështje që kanë të bëjnë me politikën dhe institucionet qendrore.

-Sa e rëndësishme është lahuta për historinë tonë dhe sa tregon ajo?

Populli atë që ka parë me sytë e tij e ka kënduar që të mbahet mend e të trashëgohet. Nëpërmiet Eposit të Kreshnikëve tregohet një pjesë e historisë sonë.

-Cila është veçantia e lahutës, ndryshe nga instrumentet e tjerë muzikorë që përdoren në Shqipëri?

Lahuta është instrument para muzikor me një tel. Ndryshe nga lauria me dy a tre tela. Lahutari dhe lahuta janë një. Lahutari e akordon lahutën sipas intonacionit të zërit të tij. Çdo vegël muzikore ka ngjashmëritë dhe veçantitë e tij.

-A është lahuta instrument burrëror?

Ka qënë, por sot gjejmë edhe lahutare.

-Ermal, kam përshtypjen se të jesh koleksionues edhe kushton. Ju, a ju ka kushtuar ky pasion?

Kur mendoj sa kam shpenzuar për t’i blerë më vjen të qesh, sepse nuk e dija sa do të harxhoja për t’i mirëmbajtur. Shumë më kushton çdo ditë shumë, por uroj që në 2019 të na krijohet mundësia për të ekspozuar këtë koleksion në një ambjent të përhershëm.

(Në foto disa nga koleksionet e Ermal Selës)

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *