Erosi në shoqëritë moderne (II)

Ornela

Një ese sociologjike e shkruar në kohën e pandemisë

Fatos Tarifa

Pjesa II

Pavarësisht moralit sundues të kohës, në shekujt e 18-të dhe 19-të u zhvillua një mendim shoqëror e politik që vinte në kundërshtim me frymën, marrëdhëniet dhe praktikat shoqërore ekzistuese në fushën e seksualitetit dhe, sidomos, me gjendjen dhe trajtimin e grave e të vajzave në shoqëri. Shumë filozofë, ekonomistë, juristë, historianë dhe shkrimtarë europianë në fund të shekullit të 18-të dhe në fillim të shekullit të 19-të, si Montesquieu, Adam Smith, Jeremy Bentham, Thomas Pain, John Stuart Mill e të tjerë, të preokupuar për ndryshimet e thella ekonomike e sociale që po kryheshin në Europë, treguan një interesim të madh për reformimin e shoqërive europiane të kohës së tyre dhe për ndryshimin e gjendjes e të pozitës së gruas në shoqëri.

Montesquieu: “Shkalla e lirisë së gruas varet nga shkalla e qytetërimit të një vendi”

Me veprën e tij të njohur Letrat persiane (1721), Montesquieu u bë ndër të parët mendimtarë të asaj kohe, i cili, pavarërisht paragjykimeve të tij mbi natyrën dhe rolin e gruas, i kritikoi ashpër ligjet e kohës së vet që i pengonin gratë të kishin sukses në jetë dhe u shpreh për një trajtim më human të grave në shoqërinë franceze. Në këtë vepër, Montesquieu mbron idenë se gratë, ashtu si burrat, kanë nevoja dhe dëshira (edhe seksuale), të cilat duhet t’i plotësojnë (plotësimi i tyre është një përgjegjësi e burrave), por në një shoqëri tiranike (si Persia ose shoqëri të tjera orientale), gratë shërbenin vetëm për të plotësuar nevojat dhe dëshirat e burrave.

Dallimin mes një shoqërie tiranike dhe një shoqërie relativisht të lirë, si Franca e asaj kohe, lidhur me trajtimin e grave, Montesquieu e shpreh përmes habisë me të cilën dy persianë që vizitojnë Francën venë re, në kontaktin e tyre të parë me zakonet perëndimore të atij vendi, lirinë e grave franceze, të cilave u lejohej të shoqëroheshin me burra, çka inkurajonte një mirëkuptim dhe komunikim më të mirë mes dy gjinive dhe një individualitet më të theksuar të karakterit të tyre. Mungesën e lirisë për gratë dhe pabarazinë gjinore Montesquieu e shihte si diçka që vjen në kundërshtim me të drejtën natyrore, e cila i vlerëson lirinë dhe lumturinë si të drejta të çdo qenieje njerëzore.

Montesquieu ka meritën se ishte ndër të parët mendimtarë të kohës së re që e kuptoi se një ndër arsyet e pabarazisë shoqërore mes burrave dhe grave ishte mungesa e arsimimit të grave, çka e pengonte zhvillimin e aftësive dhe të talenteve të tyre. Sipas tij, nëse burrat dhe gratë do të merrnin të njëjtin arsim, kjo do të mundësonte zhvillimin e aftësive natyrore te të dy gjinitë dhe arritjen e barazisë gjinore. Montesquieu vinte në dukje se “forcat do të ishin të barabarta nëse edhe arsimi do të ishte, gjithashtu, i barabartë” (Les forces seraient egales si l’education l’etait aussi). Ky filozof e kundërshtonte çdo pretendim mbi epërsinë e burrave dhe mbi të drejtën e tyre për të sunduar mbi gratë. Ai shprehej për barazi gjinore dhe argumentonte se shkalla e lirisë së gruas varet nga shkalla e qytetërimit të një vendi, ose të një rajoni. Sipas tij, gratë do të gëzojnë liri dhe të drejta të njëjta me burrat vetëm në kombet më të qytetëruar.

Me shumë rëndësi për kohën kur ai jetoi ishin pikëpamjet e Montesquieu-së për divorcin, të cilin ai e shihte si një element të rëndësishëm të martesës. Në Letrat persiane, Montesquieu argumenton se martesa është një veprim i zemrës, jo i mendjes dhe, si e tillë, ajo është subjekt i ndryshimeve që mund të pësojnë pasionet, sentimentet dhe emocionet e njeriut. Montesquieu shprehej në favor të liberalizimit të legjislacionit mbi divorcin, duke e argumentuar qendrimin e tij me pasojat tragjike që shkaktonte mungesa e lirisë së divorcit në të gjithë popujt e krishterë kur martesa shkatërrohej. Martesa, sipas tij, duhet të jetë e lirë dhe të lejohet të përfundojë atëherë kur dashuria që e frymëzonte atë fillimisht shteron. Sipas tij, pamundësia e divorcit nuk e ndihmon martesën, por bën efekt të kundërt, sepse ndryshon vetë natyrën e saj. Për këtë arsye, divorci është i dobishëm për shkak se vetë e drejta e divorcit e forcon lidhjen mes partnerëve në një martesë, në vend që ta dobësojë atë.

Fakti që një burrë dhe një grua, besonte Montesquieu, e kanë në dorë mundësinë për t’i dhënë fund martesës së tyre, i bën ata më të përgjegjshëm në përdorimin e kësaj të drejte dhe në përpjekjet për t’i zgjidhur mes tyre vështirësitë e martesës. Ai shkruante: “Asgjë nuk i kontribuon më shumë përkushtimit reciprok në një martesë sesa e drejta e divorcit: burri dhe gruaja janë të detyruar që të përballojnë me durim problemet në familje duke e ditur se çdonjëri prej tyre e ka të drejtën që t’u japë fund atyre; por edhe pse e kanë këtë drejtë gjatë gjithë jetës, thjesht të pasurit e kësaj të drejte i bën ata të reflektojnë dhe të mos e përdorin atë”.

 

 

Adam Smith: “Zhvillimi sjell më shumë liri ekonomike dhe më shumë barazi gjinore”

 

Një tjetër mendimtar i shquar i asaj periudhe, Adam Smith, në veprën e tij Leksione mbi jurisprudencën (1762-1764), argumentonte se të gjithë njerëzit, pavarësisht gjinisë së tyre, lindin me të drejta të barabarta e të patjetërsueshme. Sipas tij, rëndësia shoqërore që ne u kushtojmë dallimeve biologjike mes burrave dhe grave varet nga natyra dhe nga shkalla e zhvillimit material e kulturor të shoqërisë. Smith besonte se “zhvillimi i industrisë dhe i tregtisë i ngushton dhe i bën më pak të rëndësishëm dallimet gjinore”, duke çuar në përmirësimin e mëtejshëm të pozitës së grave në shoqëri—sidomos duke u dhënë atyre më shumë mundësi të posedojnë pronë, më shumë liri ekonomike dhe, ipso facto, më shumë barazi gjinore.

Në veprën e tij Teoria e sentimenteve moralë (1759), Smith argumentonte se virtyti është i lidhur me aftësinë e individit për të dalluar epshin nga pasioni, pra nga “dëshira për kënaqësi”, ose “dëshira për seks”, të cilat janë dëshira të natyrshme te çdo njeri. Për të, të gjitha dëshirat e njeriut për kënaqësi, përfshirë edhe dëshirën për kënaqësi seksuale, e kanë origjinën te një gjendje e caktuar e trupit, e cila krijohet në moshën e pubertetit, madje edhe para saj.

 

 

Jeremy Bentham: “Le të mos ketë dallime mes sekseve”

 

Një ndër mendimtarët dhe reformatorët më të shquar angleza, që jetoi e krijoi në fundin e shekullit të 18-të dhe në fillim të shekullit të 19-të, Jeremy Bentham, i sintetizoi pikëpamjet e tij mbi barazinë gjinore në veprën Parimet e Kodit Civil (1838), përmes diktumit të famshëm “Le të mos ketë dallime mes sekseve” (Let there be no distinction between the sexes). Bentham shkruante: “Neni I. Le të mos ketë dallime mes sekseve. Çfarëdo që thuhet në lidhje me njërin seks, duhet të nënkuptohet edhe për tjetrin. Ajo çfarë i përket njërit seks, duhet t’i përkasë në masë të barabartë edhe tjetrit. Arsyeja—E mira e barazisë. Nëse do të duhet të ketë ndonjë dallim, ai duhet të jetë në favor të më të dobëtit—në favor të femrave, që kanë më shumë nevoja, më pak mjete përfitimi dhe janë më pak në gjendje që t’i përdorin ato mjete që kanë. [Deri më sot] të gjitha preferencat kanë qenë për më të fortët. Pse? Sepse ligjet i kanë bërë më të fortët”.

Idetë e Bentham-it kishin në atë kohë—dhe vazhdojnë të kenë edhe sot—një ndikim të madh në shumë fusha: në jurisprudencë, në ekonomi, në filozofi, në politikë. Ato kanë lënë gjurmë e vazhdojnë të kenë një influencë shumë të madhe edhe në fushën e moralit e të seksualitetit. Interesimi për pikëpamjet e këtij mendimtari të shquar është rritur sidomos pas botimit, në vitin 2014, të një vëllimi me ese të shkruara prej tij në mesin e viteve 1810, por të pabotuara për më shumë se dy shekuj. Vëllimi titullohet Mbi parregullsitë seksuale dhe shkrime të tjera mbi moralitetin seksual. Pikëpamjet e Bentham-it mbi moralin seksual dhe tolerancën seksuale në këto ese dhe në një varg letrash private të tij për disa prej mendimtarëve dhe reformatorëve shoqërorë më me influencë në Anglinë e kohës së tij, ndër ta edhe James Mill (i ati i John Stuart Mill), janë të një rëndësie të veçantë për çështjen për të cilën po shkruaj, ndaj edhe e shoh të udhës të ndalem disi më gjerë në to.

Si shumë mendimtarë të tjerë të shekullit të 18-të, Bentham synoi të promovojë idenë e të mirave që krijojnë për individin njerëzor dhe për vetë shoqërinë rritja e konsumit ekonomik, plotësimi i të gjitha nevojave trupore individuale dhe liria e shprehjes dhe e realizimit të pasioneve natyrore të njeriut. Kjo pikëpamje iluministe dhe moderne mbi qëllimin e jetës ishte njëherësh edhe një ide revolucionare, pasi ajo frymëzoi ndryshime esenciale në mentalitetin dhe në qëndrimet ndaj seksit, si dhe në sjellen seksuale. Duke vënë në dukje natyrën private të jetës seksuale, në një prej eseve të tij Bentham shkruante: “Nuk ka ide më qesharake sesa ajo që një ligjvënës, i cili, kur një burrë dhe një grua kanë rënë dakord për një marrëdhënie të këtij lloji [seksuale], e vë veten midis tyre, duke vlerësuar rrethanat dhe kohën, apo duke përshkruar mënyrat dhe qëndrimet e tyre”.

Bentham shprehej jo vetëm në favor të çdo lloj marrëdhënieje seksuale konsensuale mes dy të rriturve, por edhe në favor të divorcit me marrëveshje mes palëve, si një e drejtë që u përket individëve të lidhur në martesë dhe askujt tjetër. Një qeveri që e ndalon divorcin, thoshte ai, “pretendon se i kupton interesat e individëve më mirë sesa ata vetë”.

Sot ne jemi të gjithë trashëgimtarë të kësaj mënyre—dikur revolucionare—të të menduarit dhe përfitues të avantazheve që vijnë prej saj. Pikëpamjet tona mbi seksin, marrëdhëniet tona seksuale konsensuale, intimiteti në dhomën e gjumit dhe jeta jonë seksuale janë çështje private, në të cilat askush nuk ka të drejtë të përzihet. Më shumë se çdo mendimtar tjetër europian i kohës së tij, Bentham ishte ai që shpjegoi rëndësinë që ka për ndividin liria e jetës erotike dhe toleranca seksuale. Seksi, shkruante ai në vitin 1785, është “kënaqësia më e madhe dhe, ndoshta, e vetmja kënaqësi e vërtetë e njerëzimit”, prandaj ai duhet të jetë “subjekti më interesant për njerëzit e vdekshëm”.

Bentham ishte një kundështar i vendosur i të gjitha dogmave dhe pengesave fetare irracionale lidhur me seksualitetin njerëzor. Në kundërshtim të hapur me pikëpamjen tradicionale të krishterë, që si të vetmen formë marrëdhënieje seksuale të pranueshme konsideronte atë mes një burri dhe një gruaje të lidhur në martesë për qëllim prokrijimi, Bentham, siç vura në dukje më sipër, shprehej në favor të çdo marrëdhënieje seksuale që kryhet me pëlqimin e përbashkët të dy njerëzve të rritur, nëse një marrëdhënie e tillë u jep kënaqësi si burrit dhe gruas, pavarësisht nëse me këtë shkelen tabutë ekzistuese të shoqërisë.

“Nga të gjitha kënaqësitë”, arsyetonte Bentham, “seksi është kënaqësia më universale, më lehtësisht e arritshme, më e shpeshta dhe më e plota”. Asgjë, sipas tij, nuk është më e dobishme për lumturinë e njeriut, prandaj, argumentonte ai, një “liri gjithëpërfshirëse për çdo formë kënaqësie seksuale” do të ishte në mënyrë të përhershme me shumë dobi për njerëzimin. Nëse dy të rritur, shkruante Bentham, me pëlqimin e tyre, do të ishin të lirë të bënin çfarë të donin me trupat e tyre, “nuk do të kishte mënyrë që të mund ta maste kënaqësinë totale që kjo liri mund të sjellë për individin”. Maksimalizimi i kënaqësisë përbënte thelbin e etikës utilitariste të Bentham-it. Ky lloj utilitarizmi buronte nga besimi i tij se gratë dhe burrat janë të barabartë në aftësitë e tyre për të vepruar në mënyrë racionale e të përgjegjshme dhe për të marrë kënaqësi seksuale, edhe pse mund të kenë preferenca të ndryshme.

Një ndër arsyet pse Bentham i kushtoi kaq shumë vëmendje problemit të lirisë seksuale duhet të ketë qenë egërsia me të cilën përçmoheshin, përndiqeshin, dënoheshin dhe vriteshin meshkujt homoseksualë në Anglinë e kohës së tij. Duke iu referuar shembujve të Greqisë dhe Romës klasike, ai i dënoi ashpët mënyrat barbare me të cilat feja, opinioni publik dhe, sidomos, ligjet e kohës i diskriminonin dhe i persekutonin homoseksualët. Bentham insistonte se, ashtu si çdo marrëdhënie heterosektuale, edhe një marrëdhënie seksuale mes dy njerëzve të rritur të të njëjtit seks është normale dhe duhet trajtuar si e tillë, si një marrëdhënie seksuale konsensuale dhe si një e drejtë individuale, të cilën nuk duhet ta ndalojë as feja, as ligji. Jo më kot Bentham është konsideruar si “i pari filozof i rëndësishëm anglez i lirisë seksuale”.

Edhe pse pjesa më e madhe e krijimtarisë së Bentham-it nuk u botua sa kohë që ai ishte gjallë (madje edhe kur ishte gjallë një pjesë u kësaj krijimtarie u  botua pa emrin e tij), ai besonte se, pikëpamjet e tij mbi privacinë e marrëdhënieve seksuale dhe kënaqësinë seksuale, si një kusht për lumturinë e individit, ishin “në interes të njerëzimit” dhe se, pas vdekjes së tij, ato do i kontribuonin një “debati eventualisht të lirë” mbi seksualitetin si dhe “pranimit të përgjithshëm” të këtyre ideve në një shoqëri që do të ishte më mirë e përgatitur për t’i kuptuar e pranuar ato.

(vijon)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *