Erosi në shoqëritë moderne (IV)

Ornela

Fatos Tarifa

Fatkeqësisht, sot, në lëndën e historisë dhe në disiplinat humane që zhvillohen në shkollat tona, nuk flitet fare për socialistët utopikë, këta mendimtarë dhe reformatorë shoqërorë të shquar të gjysmës së parë të shekullit të 19-të. Madje, gjithçka që shumica e njerëzve të brezit tim dinë për pikëpamjet e tyre është, ndoshta, ajo çfarë ka shkruar Frederick Engels për ta në veprën e tij Zhvillimi i socializmit nga utopia në shkencë (1880), një vepër e cila lexohej gjerësisht në Shqipëri në periudhën e socializmit shtetëror. Por, edhe në këtë vepër, nuk u kushtohet thuajse asnjë vëmendje pikëpamjeve të socialistëve utopikë mbi dashurinë, seksualitetin dhe familjen. Në këtë pjesë të fundit të kësaj eseje, unë dëshiroj të ndalem pikërisht në këtë aspekt të krijimtarisë e të praktikës së tyre shoqërore.

Një “Botë Morale e Re”

Vepra e sipërpërmendur e Engels-it është një pamflet teorik e programatik shumë interesant dhe shumë i rëndësishëm në trashëgiminë teorike të socializmit, por unë nuk do të merrem me të. Këtu dëshiroj të parashtroj shkurtimisht disa nga pikëpamjet e dy prej mendimtarëve socialistë utopistë francezë më të shquar, Henri Saint-Simon and Charles Fourier, si dhe të  bashkëkohësit të tyre në Angli, Robert Owen. Të njohur si themeluesit e socializmit utopik në fillim të shekullit të 19-të, ata krijuan vizionin e një rendi të ri shoqëror, të cilin Owen e shtjelloi në veprën e tij Një pikëpamje e re mbi shoqërinë, botuar në vitin 1813. Ky vizion synonte krijimin e një “Bote Morale të Re” (New Moral World), e cila do të karakterizohej nga bashkëpunimi ekonomik dhe harmonia sociale mes njerëzve, ndërsa marrëdhëniet gjinore nuk do të ndërtoheshin më mbi bazën e premisës që i trajton meshkujt si qenie “racionale” dhe femrat si qenie “sentimentale” dhe “emocionale”, pikëpamje që kishte qenë tipike për filozofët iluministë disa dekada më parë, por si qenie me aftësi dhe të drejta të barabarta.

Këta mendimtarë dhe pasuesit e tyre i kritikuan ashpër marrëdhëniet ekonomike e shoqërore sunduese në shoqërinë e asaj kohe, sidomos pronën private, si dhe marrëdhëniet dhe pozitën sunduese të burrit në familje, të cilën e shihnin si rrjedhojë të pozitës së tij sunduese në shoqëri. Saint-Simon dhe Fourier u bënë ndër të parët mendimtarë modernë që argumentuan idenë se zgjerimi i të drejtave të grave dhe emancipimi i tyre janë një kusht esencial për emancipimin e krejt shoqërisë dhe për progresin e saj. Fourier shkruante: “Progresi shoqëror dhe ndryshimet historike ndodhin për shkak të përparimit të grave drejt lirisë, ndërsa dekadenca e rendit shoqëror vjen si rezultat i kufizimit të lirisë për gratë”.

Duke u dhënë rëndësi subjekteve të tillë, si arsimi, familja, dashuria dhe seksualiteti, Saint-Simon dhe Fourier i sfiduan hierarkinë dhe antagonizmat klasorë e gjinorë në shoqërinë e kohës së tyre dhe u përpoqën që të bashkonin në një të vetme, si tipare të përbashkët të çdo qenieje njerëzore, arsyen dhe ndjenjat e kënaqësitë seksuale. Në fakt, këta socialistë utopikë, ashtu si dhe Robert Owen, i bënë dashurinë, ndjenjat dhe kënaqësinë seksuale subjekte qendrorë në teorinë e tyre, duke e konsideruar ndryshimet në marrëdhëniet mes sekseve dhe në marrëdhëniet gjinore po aq të rëndësishme sa dhe ndryshimet në marrëdhëniet mes klasave.

Një “Botë e Re Dashurore”

Çfarë konkretisht mendonin për rolin e gruas, për seksin dhe për familjen këta mendimtarë dhe reformatorë socialistë?

Vetë Saint-Simon shkroi pak lidhur me seksin; ishte Fourier ai që e shtjelloi më gjerë këtë subjekt dhe shkoi më larg me idetë e tij. Për t’u dhënë fund të gjitha formave të shtypjes e të zhfrytëzimit të gruas në shoqëri, argumentonte ai, ishte e domosdoshme të kuptoheshin, nga njëra anë, varësia e shtypjes emocionale dhe seksuale të gruas nga pozita e saj ekonomike e nënshtruar dhe, nga ana tjetër, kufizimet dhe hipokrizia e martesës si institucion. Në librin e tij Bota e re dashurore (Le Nouveau Monde Amoureux) (1818), Fourier shpjegonte se si njerëzit mund t’i kënaqin ndjenjat e tyre më të thella, pasionet dhe fantazitë e tyre erotike më të bukura dhe, në të njëjtën kohë, të zhvillojnë më tej shkallën e integrimit të tyre në shoqëri.

Duke kërkuar emancipimin e marrëdhënieve gjinore e seksuale, Fourier mund të thuhet se e “seksualizoi” edhe vetë procesin e punës si të tillë pasi, në një shoqëri socialiste, sipas tij, puna nuk do të tjetërsohej, por do të shndërrohej në një prej kënaqësive të jetës. Këtë meritë të tij e ka venë në dukje Herbert Marcuse, i cili, në librin Erosi dhe qytetërimi, shkruante: “Ideja e marrëdhënieve libidinale të punës në një shoqëri të zhvilluar industriale gjen pak mbështetje në traditën e mendimit shoqëror, madje, edhe atje ku një mbështetje e tillë duket se po krijohet, kjo konsiderohet e rrezikshme. Shndërrimi i punës në kënaqësi është ideja qendrore në utopinë socialiste gjigande të Fourier”.

Fourier mendonte se kushti i parë për krijimin e një bote të re dashurore ishte pranimi i faktit se nevojat seksuale nuk janë të njëjta te çdo njeri. Sipas tij, është gabim të flitet për seksualitet të njëjtë te të gjithë njerëzit, ose për një seksualitet normal për të gjithë. Për të, normaliteti nuk ekziston. Pikërisht këtë ide Roland Barthes e konsideronte si “meritën” më të madhe të këtij mendimtari socialist. Në këtë monde amoureux, që Fourier e përfytyroi deri në hollësi, do të ishin të pranueshme të gjitha format e shprehjes së seksualitetit human, përfshirë edhe homoseksualitetin, si një zgjedhje personale, për aq kohë sa askush nuk do të ndihej i abuzuar. Përjashtoheshin vetëm fëmijët deri në moshën pesëmbëdhjetë vjeç e gjysmë, pasi besohej se, deri në këtë moshë, fëmijët nuk kanë asnjë dëshirë seksuale, por kanë vetëm pasione për miqësi dhe ambicie.

Një kusht i dytë për krijimin e kësaj bote të re dashurore ishte ndryshimi rrënjësor i pozitës së gruas. Fourier theksonte se duhet pranuar nga të gjithë si një fakt ai se gratë kanë të njëjtat nevoja seksuale si dhe burrat. Sipas tij, “gruaja nuk është thjesht subjekt i epshit të burrit, por një pjesëmarrëse aktive” në çdo marrëdhënie erotike.

Kushti i tretë për krijimin e kësaj bote të “dashurisë së lirë” ishte ajo që Fourier e quante një “minimum seksual”—minimum amoureux—të cilin ai e konsideronte si një “të drejtë për të gjithë”. Për shkak se seksi është pjesë e të qënit human, argumentonte ai, marrëdhëniet seksuale të shëndetshme e konsensuale janë një e drejtë njerëzore. “Minimumi seksual” nënkupton garancinë që çdo njeri të marrë kënaqësi seksuale gjatë jetës së tij për të shmangur sjelljet negative në jetën e përditshme dhe në marrëdhënie me njerëz të tjerë. Ky “minimum”, sipas tij, është i domosdoshëm, gjithashtu, për ta çliruar çdo marrëdhënie dashurore nga çfarëdo lloj detyrimi ose nevoje. Një kulturë që do të garantonte një “minimum seksual” do t’i mënjanonte problemet që lindin prej dëshpërimit që krijon mungesa e marrëdhënieve seksuale. Vetëm pasi frika e deprivimit seksual të jetë zhdukur, argumentonte Fourier, burrat dhe gratë do të jenë, më në fund, të lirë që të zhvillojnë plotësisht potencialet e tyre seksualë. Në kushtet e një kulture të tillë, sipas tij, marrëdhëniet mes njerëzve do të ishin të shëndetshme e të sinqerta.

Fourier ishte veçanërisht kritik ndaj institucionit të familjes tradicionale dhe ndaj hipokrizisë së martesës monogame, e cila i detyron dy njerëz të qëndrojnë përjetë së bashku në një entropi të pakënqur, të cilën asnjëri prej tyre mund të mos e dëshirojë. Pjesë e problemit, sipas tij, është se vetë martesa, edhe kur ajo duket se është një zgjedhje personale, nuk është vërtet një zgjedhje. Martesa, argumentonte Fourier, është një “zgjedhje”, të cilën e imponon kultura sunduese e shoqërisë. Veçanërisht gratë, sipas tij, janë gjithnjë nën presionin e shoqërisë për t’u martuar me “burrin e duhur” dhe, pas kësaj kërkohet që burri dhe gruaja t’i qëndrojnë përgjithmonë besnik njëri-tjetrit, edhe nëse ata janë të pakënaqur nga martesa e tyre.

Në librin e tij Teoria e katër lëvizjeve, botuar pa emrin e autorit në vitin 1808, Furier shkruante se: “Martesa i redukton të gjitha gratë, pa përjashtim, në atë çka kërkohet prej tyre—mohimin e dëshirave të tyre seksuale—aq sa asnjë grua nuk mund të bëjë dashuri para martesës, dhe as të ketë ndonjë të dashur pas martesës, përveç burrit të saj, çka do të kërkonte, gjithashtu, që asnjë burrë të mos kishte ndonjë grua tjetër veç amvisës me të cilën është martuar. Por, mendoni për një çast se ç’do të thotë për një burrë që, gjatë tërë jetës së vet, të mos marrë kënaqësi nga asnjë grua tjetër veç gruas së tij, të cilën ka rreshtur së pëlqyeri një ditë pas dasmës së tyre. Çdo burrë do të donte ta mbyste atë që e ka shpikur këtë rregull moral, i cili kërcënon t’i privojë njerëzit nga çdo aferë dashurie”.

Fourier besonte se “martesa nuk mund t’i ofrojë një çifti asnjë shans për një lumturi, të cilën burri dhe gruaja nuk do ta arrinin nëse do të ishin krejtësisht të lirë”. “Faji ynë”, shkruante ai, “nuk është, siç besohet shpesh, se ne dëshirojmë shumë, por se ne dëshirojmë shumë pak”. Nëse i lejojmë vetes që t’i shprehim dëshirat tona, këto do të na shtynin që të imagjinojmë e të krijojmë një botë të re, më të mirë. Sipas tij: “Besnikëria e përjetshme në dashuri është në kundërshtim me natyrën njerëzore…Vetëm një numër i vogël njerëzisht mendjengushtë i përmbahen këtij moraliteti; shumica e burrave dhe e grave nuk do t’i përmbaheshin kurrë…Çdo legjislacion që kërkon të imponojë një sjellje kaq të papajtueshme me pasionet njerëzore s’mund të prodhojë veçse absurditet teorik dhe kaos në praktikë. Një moral i tillë është pasojë e një sistemi që ka sunduar për 2,500 vite me radhë. Ai është thjesht një vazhdim i zakoneve shtypëse të Mesjetës, zakone të cilat është qesharake të kërkosh të zbatohen në një shekull që i çmon kaq shumë arsyen dhe respektin për ligjet e natyrës”.

 

Komunitetet utopikë

 

Për shkak të kritikave të tyre ndaj çdo dikotomie në natyrën njerëzore dhe në marrëdhëniet gjinore (arsye-ndjenjë, zot i familjes-amvisë etj.), pikëpamjet e socialistëve utopikë tërhoqën në atë kohë shumë njerëz (kryesisht gra e vajza) dhe motivuan lëvizje politike e shoqërore të gjera në Francë, në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara, të njohura si “Saint-Simonianism”, “Fourierism” dhe “Owenism”, të cilat mund të konsiderohen si të parat lëvizje feministe. Ndikimi emocional dhe intelektual i pikëpamjeve të socialistëve utopistë dhe i lëvizjeve që frymëzuan ato vazhdoi të jetë shumë i madh në shoqëritë europianoperëndimore, por sidomos në shoqërinë amerikane gjatë shekullit të 19-të.

Robert Owen, Charles Fourier dhe pasuesit e tyre utopikë u përpoqën madje që t’i realizonin idetë e tyre në praktikë, duke krijuar një sërë komunitetesh utopikë, kryesisht përtej Atlantikut. Owen arriti që t’i reformonte kushtet e punës e të jetesës për punëtorët që punonin në fabrikat e tij të tekstilit në Skoci. Ai u krijoi punëtorëve kushte dhe një mënyrë të tillë jetese, që mundësonin më pak orë në punë, një shpërndarje më të mirë të saj e të produkteve të saj, shkollimin e fëmijëve të tyre dhe kushte më të mira banimi.

Në vitin 1825, Owen krijoi një fshat socialist utopik në shtetin Indiana të Shteteve të Bashkuara, të cilin e quajti “Harmonia e Re” (New Harmony). Synimi i tij ishte krijimi i një “komuniteti të barazisë” (Community of Equality), që të shërbente si një eksperiment për realizimin e vizionit të tij për një “Botë Morale të Re”, e cila të karakterizohej nga zhvillimi i arsimit, i shkencës, i teknologjisë dhe nga bashkëjetesa e lumtur kolektive mes individësh të barabartë. Në këtë botë utopike të Owen-it, siç sugjeronte ai, fëmijët mbi moshën tre vjeç do të rriteshin jo nga prindërit e tyre, por nga komuniteti, i cili do të duhej të merrte përsipër detyrimin publik të kujdesit për të gjithë fëmijët.

Siç mund të pritej, “New Harmony” ishte një eksperiment jetëshkurtër. Ai komunitet u shpërbë brenda dy vitesh. Autori i këtyre radhëve ka pasur fatin që ta vizitojë lagjen historike të këtij vendbanimi (sot me më pak se 800 banorë), i cili përfshihet në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike të Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, idetë dhe parimet e organizimit të atij komuniteti kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në lëvizjen socialiste gjatë shekullit të 19-të, sidomos në Amerikë. Kjo dëshmohet me krijimin e një sërë komunitetesh utopikë në disa shtete të Shteteve të Bashkuara (në Ohio, New York, New Jersey, Wisconsin, Louisiana, Iowa, Texas, Missouri, Illinois dhe California) në vitet 1840 dhe në gjysmën e dytë të atij shekulli. Ndonjë prej tyre u frymëzua nga idetë e Owen-it; pjesa më e madhe kishin një frymëzim fourierist. Dy komunitete utopikë në Shtetet e Bashkuara—“Icarians” dhe “Oenida”—arritën të mbijetojnë për afro gjysmë shekulli. Ky i fundit, “Oenida”, më i njohuri ndër të të gjithë, përmes martesave në grup eksperimentoi kujdesin komunal për fëmijët, madje edhe përpjekje për të përmirësuar kompozimin gjenetik të fëmijëve të lindur nga martesa të tilla kolektive.

Të gjithë këta komunitete, që u formuan nën ndikimin e ideve të socialistëve utopikë europianë dhe pasuesve të tyre fourieristë dhe owenitë, synuan të krijonin vende idealë, në të cilët të promovonin vëllazërinë, barazinë e plotë në punë e në të mira materiale, harmoninë sociale, paqen dhe dashurinë e lirë. Themeluesit e komuniteteve të tillë dhe pasuesit e tyre në atë kohë dukej se besonin në “utopinë amerikane” dhe në Amerikën, si një vend demiurg, ku asgjë nuk është e pamundur. Kjo edhe shpjegon përse komunitete të tillë u krijuan në “Botën e Re” dhe jo në kontinentin e vjetër.

 

***

 

Gjatë shekullit të 19-të socialistët utopikë mbeten atraktivë—sidomos në radhët e socialistëve e të feministëve—jo aq për doktrinën ekonomike të tyre, sesa për pikëpamjet e tyre mbi natyrën e dashurisë dhe seksualitetin. Më mirë se çdo tekst tjetër të asaj kohe, këtë e gjejmë në librin Gruaja në socializëm, botuar më 1879 nga August Bebel, njëri ndër themeluesit e social-demokracisë gjermane, në të cilin thuhet: “Në shoqërinë e ardhshme, gruaja është shoqërisht dhe ekonomikisht e pavarur; ajo nuk është më aspak e sunduar apo e shfrytëzuar, por është e lirë, e barabartë me burrin dhe zonjë e fatit të saj…Në dashurinë që zgjedh, ajo është njëlloj si burri, e lirë dhe e papenguar. Ajo dëshiron, ose dëshirohet dhe hyn në një marrëdhënie për asnjë arsye tjetër veç dëshirës së saj…Nëse të kënaqurit e instinkteve të veta nuk i shkakton dëm askujt tjetër, individi duhet të kujdeset për plotësimin e nevojave të tij. Të kënaqurit e instinktit seksual është një çështje po aq private, sa edhe realizimi i çdo instinkti tjetër natyror. Askush nuk i jep llogari askujt për këtë dhe asnjë gjyqtar nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Ajo çfarë unë do të ha, çfarë do të pi, si do të fle dhe si do të vishem, janë çështje personale të miat, siç është edhe marrëdhënia ime seksuale me një person të seksit të tjetër. Inteligjenca dhe kultura, liria e plotë individuale—cilësi që bëhen normale përmes edukimit dhe kushteve të shoqërisë së ardhshme—do ta mbrojnë çdo individ nga veprime përmes të cilave të tjerët mund ta dëmtonin atë”.

(fund)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *