Entela Resuli – DITA
Erza Muqolli është vetëm njëmbëdhjetë vjeçe, por është vogëlushja shqiptare më e famshme në botë për momentin. Ajo ka një talent të jashtëzakonshëm në këndim dhe tanimë do të jetë pjesë e një filmi me metrazh të gjatë në krah të aktorëve të njohur francezë.
11 vjeçarja që di të këndojë dhe t’i bjerë pianos mrekullisht, e ka nisur këtë rrugë që në moshë të vogël. Me sytë bojëqielli, me flokë të gjatë bionde e me një zë shumë të ëmbël, Erza ka bërë për vete që në takimin e parë tre anëtarët e jurisë në France’s Got Talent(2015). Ajo u rendit e treta në finalen e madhe.
Po kështu ajo është pjesë e grupit muzikor për fëmijë më të famshëm në botë “Kids United” që mbështetet nga UNICEF (organizatë ndërkombëtare që operon për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve). Albumet muzikore e realizuara radhitën ndër 5 më të shiturit në Francë.
Në një intervistë dhënë për ATSH-në, Erza ka treguar se është gjë e rrallë për historinë e muzikës franceze që një grup muzikor të jetë i renditur në vendin e pestë të top-listës muzikore.
Gjithashtu ajo ka rrëfyer disa sekrete nga jeta e saj dhe projektet e ardhshme. Nga kritikët e muzikës franceze ajo është cilësuar “Celine Dion” i dytë.
Ajo është shprehur se ëndrra e saj më e madhe është të ndihmojë fëmijët e braktisur ndaj për këtë ka menduar të organizojë edhe koncerte në Kosovë e Shqipëri. Erza ka takuar mjaft yje botërore nga fusha të ndryshme të jetës si Lara Fabian, David Beckam etj. Disa prej tyre i ka përshëndetur në gjuhën shqipe.
“Edhe pse jetoj në Francë, unë jam krenare që kam dy prindër shqiptar dhe prezantohem gjithmonë si shqiptare… ka treguar ndër të tjera Erza.

-Kur e zbulove talentin tënd për të kënduar?
Kam filluar të këndoj që nga mosha 2 vjeçare ose pak më herët (siç më kanë thënë prindërit). Nga ai moment gjithmonë kam kënduar këngë në gjuhën frënge e shqipe.
-Ti je ndër vogëlushet shqiptare që po shkëlqen në botë duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët kudo ndodhen. Çfarë të frymëzon ty Erza që të guxosh kaq shumë edhe pse e vogël në moshë?
Ju faleminderit shumë për komplimentin. Jam shumë e gëzuar kur i bëj shqiptarët të krenohen me mua. Unë e dua shumë muzikën dhe kjo më bën të guxoj çdo ditë e më shumë.
-Ti je cilësuar nga kritikët e muzikës ndërkombëtar (kryesisht në Francë) si “Celin Dion” i dytë? Si e ke pritur këtë koment për ty? Pse zgjodhe një këngë tradicionale parisienë për finalen e madhe të konkursit?
Po, e të vërtetë kështu më kanë cilësuar kritikët e muzikës. Unë e adhuroj Celine Dion dhe të të krahasojnë me të nuk është pak. Në finalen e super talentit në Francë zgjidha ketë këngë tradicionale franceze të këngëtares ose legjendës së muzikës franceze Édith Piaf sepse më ka pëlqyer gjithmonë. Më është propozuar edhe nga produksioni i emisionit sigurisht.
-Sa të mbështet familja në rrugën e karrierës që ke nisur? Si është një ditë e zakonshme e jotja?
Familja është mbështetja më e fortë që kam. Pa mbështetjen e prindërve, motrave e vëllain. Unë shkoj në shkollë gjatë tërë javës ndërsa fundjavave jam në turneun e koncerteve qe kam deri në dhjetor të këtij vit. Ndërkohë kam edhe incizime të emisioneve të ndryshme televizive të cilat i realizoj gjatë javës.
-Ti zure vendin e tretë në konkursin e “Got Talent” në Francë. Më thuaj pak si u ndjeve për rezultatin? Cilat janë projektet e tua të ardhshme?
Po, jam renditur në vendin e tretë në finalen e Got Talent dhe jam e lumtur që kam qenë pjesë e finales. Projektet e mia të ardhshme janë si në muzikë po ashtu edhe në aktrim. Sa i përket muzikës, për dy albumet që kemi bërë në vitin 2016-ën, jemi grupi që kemi arritur më shumë sukses dhe jemi në top-listën e 5 albumeve më të shitura dhe më të dëgjuara në Francë. Në historinë e muzikës franceze nuk ka ndeshur që dy albumet e një grupi të jenë në top-listën e pesë albumeve më të shitura. Tani kemi përgatitur edhe albumin e tretë dhe del në shitja nga mesi i muajit gusht. Albumi i tretë do të jetë pak më ndryshe nga dy të parët sepse do të ketë duo me disa këngëtarë të njohur francezë e ndërkombëtare. Secili nga ne do të ketë një këngë solo ndërsa në fushën e kinematografisë jam zgjedhur të jem pjesë e një filmi me metrazh të gjatë, në rolin e parë feminist ku pjesë e filmit do të jenë edhe 4 aktorë të njohur francezë.
-Të kemi parë që je e pasionuar pas këndimit të këngëve në shqip. Pse zgjedh të këndosh në shqip herë pas herë (edhe pse jeton në Francë)?
Unë këndoj gjithmonë në gjuhën shqipe sepse jam rritur me to. Këngët shqiptare më emocionojnë shumë. Këndoj kudo, në shtëpi apo gjatë udhëtimeve të ndryshme. Edhe pse jetoj në Francë, unë jam krenare që kam dy prindër shqiptar dhe prezantohem gjithmonë si shqiptare.

-Ti je përzgjedhur për klipin e “Kids United” dhe je pjesë e njërit prej fëmijëve të përzgjedhur. Ky është një hap i madh për karrierën tënde. Me trego ndonjë moment që të mbetur në mendje gjatë realizimit të klipit?
Jam pjesë e grupit “Kids United”. Ky grup u krijua me iniciativën e produksionit muzikor Play On (Warner) kanalit televiziv M6 në bashkëpunim me UNICEF Francë. Gjatë këtyre viteve kemi realizuar disa klipe. Gjatë regjistrimeve kemi pasur momente të bukura. Për shembull për klipin “Tout le bonheur du monde” ishim në Marok, në qytetin Marakech ku ishin prezentë më shumë se 120 fëmijë për të qenë pjesë e klipit. Fëmijët ishin jetimë dhe ishte shume e veçantë fakti që ata ishin pjesë në klip, si një mesazh i madh për botën. Kemi 1 milion e gjysmë albume të shitura dhe këto para kanë shkuar në ndihmë të fëmijëve në vështirësi në mbarë botën.
-Përveçse e talentuar, ti je edhe bukuroshe dhe flokët e tua janë karakteristike. Pse i mban flokët e gjata?
Flokët e gjata i kam merak dhe i dua shumë. Janë identifikues për stilit tim.
-Nga yjet botërorë të muzikës kë ke takuar dhe kush takim të ka mbetur në mendje?
Nga yjet botërorë kam takuar Céline Dion po ashtu gati të gjithë këngëtarët e njohur Francezë. Kam kontakte me të gjithë, me japin shumë këshilla për muzikën. Kam pasur rastin të takohem edhe me David Beckham në New-York, gjatë një ceremonie për 70 vjetorin e krijimit të UNICEF. Në këtë eveniment pata mundësinë t’i përshëndesja të gjithë të pranishmit në gjuhën shqipe.
-A ke menduar të zhvillosh turne koncertesh në Shqipëri apo Kosovë?
Po, shpesh kam biseduar që të bëjmë ndonjë koncert në Kosovë dhe Shqipëri, në mënyrë që të ardhurat të shkojnë në ndihmë të fëmijëve të braktisur dhe fëmijët të vonshëm. Kjo është një ëndërr e imja dhe besoj që në një të ardhme të afërt do të realizohet. Jemi në kontakt për të përgatitur koncert në Kosovës e Shqipëri. Jemi në pritje të një përgjigjeje.
-Cila është ëndrra jote më e madhe?
Ëndrra ime është që të vazhdoj shkollimin dhe të diplomohem për mjekësi. Në të njëjtën kohë të merrem me muzikë dhe të përgatis albumin tim. Të ndihmoj njerëzit në vështirësi dhe të prezantoj më së miri popullin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
-Cili është mesazhi yt për fëmijët që vuajnë në botë? Po për fëmijët e talentuar?
Dua që fëmijët që vuajnë në botë të mos humbasin asnjëherë shpresat për një ditë më të mirë. Të gjithë së bashku duhet të punojnë për një botë më të mirë e më të paqtë. Fëmijët e talentuar duhet të ndjekin gjithmonë ëndrrat e tyre. Mos u dorëzoni kurrë!

Te uroj te gjithe te mirat, engjell i vogel.
Te Uroj, qe te rritesh e shendetshme, e te kesh suksese shume e me shume.
Uroj qe sado lart te ngjitesh, kurre mos harrosh nga vjen.
Te puth ne syre e bukur e te kthjellet, Dardane.
Talent mbreslenes.
Erza Muqollit i uroj sukses ne kete rruge e te punoj me pasion.
Nderkohe arsimimi e aktivitetet e ndryshme duhet te krijojne kushte qe femijet shqiptare te shkelqejne.