Ese, Aforizma…

redaktor

– Në dyert e ndriçuara të shtëpisë së dashurisë, nuk mund të hyhet duke kaluar nëpër tunele të errët.

 

– Kambana nuk do të vlente asgjë pa tingullin e saj. Kështu edhe njeriu pa zërin e tij të veçantë…

 

– Babëzia dhe xhelozia qëndrojnë në themel të çdo krimi dhe tradhtie…

 

– Me zemrën e një njeriu që ju do, nuk mund të silleni si me një qytet të pushtuar.

 

– Për të parë madhështinë, nuk ka nevojë të përdorim teleskopë…

 

– Nuk mund të ketë padrejtësi të vogël dhe padrejtësi të madhe. Ka thjesht padrejtësi dhe kaq.

 

– Xhelozia nuk është një krimb që e gërryen dashurin pak e nga pak, por një gjarpër që helmon pareshtur, jo vetëm dashurinë, po gjithë kuptimin e jetës.

 

– Një kasolle në këmbë vlen më shumë se një pallat i rrëzuar.

 

– Sytë e njeriut të uritur, janë më të mprehtë se tehet e shpatës…

 

– Ne nuk mund të nisim një rrugë të re me këpucë të vjetra dhe as mund të gatuajmë një bukë të mirë me maja të vjetër e të thartuar. Kjo vlen për të gjitha fillimet.

 

– Në qoftë se mbretërinë e lumturisë tënde do ta ndërtosh mbi themelet e pikëllimit dhe vuajtjeve të dikujt tjetër, mallkimi dhe mungesa e qetësisë do të të ndjekin hap pas hapi gjer në ditën e fundit.

 

– Po të mos ekzistonin fluturat dhe zogjtë, sot nuk do të kishim as aeroplanë.

 

– Njeriu mund të zotërojë dhe njëqind pallate, por vetëm një krevat i nevojitet për të fjetur, apo për të vdekur.

 

– Politika nuk duhet të shndërrohet në një instrument që prodhon kurthe për të zënë lepuj, por në një instrument që prodhon shpresë, besim dhe dashuri.

 

– Një njeriu që ka ngrënë gjithë jetën gjizë të kripur, mos i jep të hajë mjaltë, se do ta vjellë.

 

Arben Duka

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *