Moikom Zeqo
ABRAHAM LINKOLNI DHE QYTETËRIMI BOTËROR
“Linkolni mbeti në histori si mbeti Bethoveni në muzikë, Dantja në poezi, Rafalei në pikturë, Krishti në filozofinë e jetës”
Leon Tolstoi
Më 12 shkurt 1809 lindi Abraham Linkolni, -njeriu i thjeshtë amerikan, që u identifikua në histori me idealet më të larta të qytetërimit botëror.
Ky emër ka karakter emblematik të përjetshëm.
Janë të paktë njerëzit e planetit tonë që mund të pretendojnë një thjeshtësi dhe njëkohësisht një madhështi si të Linkolnit.
Në 1492 një hero i guximit të pabesueshëm, gjeniu i udhëtimeve të rrezikshme, europiani Kristofor Kolombi do të zbulonte Amerikën. Rrallë herë në historinë e planetit një zbulim gjeografik do të bëhej shkas për krijimin e kushteve substanciale dhe gjeneruese për ndryshime cilësore të mëdha në strukturën demokratike të qytetërimit të shumë popujve dhe kombeve në një vizion universal.
Koncepti kulturor i europocentrizmit, i ngurtësuar në dimensionin kolonial anglez, do të shpërthehej shkëlqyeshëm dhe me dinjitet, me zbulime të reja konceptuale, pikërisht në sfidën madhështore të amerikanëve për liri në 1775, me në krye kalorësin trim Xh. Washingtonin, që do të konfirmohej në 4 korrik 1776 në “Deklaratën e Pavarësisë”, konceptuar nga një intelektual kolos si Tomas Xhefersoni.
Ky është nga dokumentet më të mëdha dhe kryesore të historisë botërore.
Ishte epoka e kostelacionit intelektual të Beniamin Franklinit, Tomas Penit dhe Filip Frenosë, emra që mbushin përmbajtjen e një revolucioni të pabesueshëm mendor, të një triumfi të ideve të njeriut të lirë të standardeve të reja e të paimagjinueshme më parë të lirisë.
Doktrinari i të drejtave të njeriut filozofi Tomas Paine, më 1776 botoi veprën madhore “Common Sense” ku argumenton ato ide që sot zotërojnë fundin e shekullit XX e janë shpresë dhe për shekullin XXI. Paine, pjesëmarrës aktiv i Revolucionit Francez (1789) qe edhe një nga përpiluesit e “Deklaratës për të drejtat e njeriut dhe të qytetarit”. Në shenjë mirënjohjeje La Fajeti i dorëzoi simbolikisht çelësat e Bastijës dhe me këtë rast Paine i shkroi Xhorxh Uashingtonit: “parimet amerikane e pushtuan Bastijën”.
Pa këta heronj e kalorës të mendimit nuk mund të konceptohet as jeta dhe as vepra e Linkolnit.
Në këtë atmosferë të jonizuar, të elektrizuar të ideve më përparimtare, Linkolni do të përjetonte rolin e ri të Amerikës, pikërisht për demokracinë.
Ai u bë Presidenti i Amerikës për një të ardhme të madhe,- jo vetëm të Amerikës por edhe të botës.
Ai nuk qe idol hierarkik as egokrat, po një identifikim i gjallë vetiak i një populli vigan, i patjetërsuar nga ky popull vital, i mrekullive të zhvillimit “pilot” të teknologjisë dhe atributeve të tjera të progresit njerëzor.
Çdo lloj heroizmi është i dënuar të mbulohet me pluhurin e harresës nëse nuk ka në thelbin e vet ardhmërinë.
Ardhmëria është në çdo rast universaliteti i parimeve që burojnë nga të drejtat natyrore të artikuluara në shoqëri në shkencë në kulturë. Këtu është sekreti i personalitetit të mrekullueshëm dhe epokal të Linkolnit. Ai qe një kampion i lirisë së njeriut për njeriun.
Ai goditi në mënyrë davidiane Goliatin e Skllavërisë.
Shpalli më 1862 urbi et orbi lirinë e zezakëve, zhdukjen ligjore të skllavërisë më të shëmtuar më të egër e më absurde, sfidoi tabunë e racizmit, të diskriminimit, të genocidit të komplekseve të inferioritetit që kanë shkaktuar kaq tragjedi të llahtarshme, kaq shumë paradokse të kundërnatyrshme.
Linkolni deklaroi me fjalë lapidare “bashkë me lirinë që u japim zezakëve ne do të çimentojmë dhe lirinë e njerëzve të lirë. Kështu ne bëjmë një vepër dyfish të nderuar, pasi duke thënë një pjesë të lirisë, ne garantojmë tërësinë e lirisë”.
Ja dhe një tjetër shprehje profetike e Linkolnit; “rebelimi s’është veçse pasojë e skllavërisë, me zhdukjen e skllavërisë do të zhduket dhe rebelimi”.
Linkolni krijoi modelin e Presidentit Çlirimtar e Reformator, ndaj mbetet si Presidenti më i madh amerikan i tërë kohërave, sepse të tjerët patën parasysh shembullin trashëgonjës dhe diellandritës të tij.
Ky ishte një heroizëm konceptual dhe moral i pazakontë.
“Përsosmëria morale” – ide kryesore e mendimtarit Beniamin Franklin te Linkolni gjeti një mishërim të rrallë, një konfirmim të forcës së njeriut në përgjithësi, të modestisë.
Linkolni është në universin e ligjeve i tëri “amendamenti i trembëdhjetë” që mundet të skalitet me fjalët “njëherë e përgjithmonë të lirë”.
Ai u bë demiurg modest, po i pamposhtur i demokracisë amerikane e cila u kultivua në atë kulturë institucionale të madhe, që quhet me emrin përgjithësues dhe shumëdimensional si “kultura atlantike”, ndikoi edhe në kulturën europiane dhe të kontinenteve të tjerë e anasjelltas.
Emri i Linkolnit është në vetvete një emër Kolomb, me të cilin Amerika ka zbuluar kontinentin e gjashtë të Demokracisë, të Prosperitetit.
Pa këtë rol historik të pamohueshëm qytetërimi planetar nuk do të ishte ai që është.
Linkolni pati një vdekje tragjike.
U atentatua pabesisht në një lozhë teatri dhe vdiq më 15 Prill 1865.
Po edhe vdekja e tij qe profetike dhe fatale për burra të tjerë të mëdhenj të Amerikës, të sakrificave supreme.
Si një sozie e Linkolnit do të lindëte më 17 Janar 1929 zezaku profet Martin Luter Kingu, që do të merrte më 1964 çmimin “Nobel” për Paqen, po që do të vritej barbarisht më 4 Prill 1968, sikurse dhe vetë një tjetër President i madh Kenedi.
Martin Luter Kingu është mbijetesa e vetë Linkolnit, për të luftuar përfundimisht segregacionin ndaj njerëzve me ngjyrë, për të mos i shkelur parimet e pavdekshme.
Librin më të suksesshëm dhe më të njohur në botë për biografinë e Abraham Linkolnit e ka shkruar poeti i madh amerikan Karl Sandbergu.
Ky libër s’ka shumë që është përkthyer dhe është botuar edhe në shqip.
Humbja e Linkolnit është përjetuar si një katastrofë nga populli. Nuk kam për të harruar asnjëherë tronditjen dhe emocionet që ndjeva kur rastësisht para shumë viteve në një antologji të poezisë amerikane, më ra rasti të lexoj një vajtim të famshëm në trajtë psalmi të bërë nga një zezak anonim menjëherë në momentet pas vdekjes së Linkolnit.
Poezi e jashtëzakonshme e Wollt Witmanit “Kur çeli jargavani”, kushtuar Linkolnit është gjithashtu një simbol heraldik i artë i kujtesës për këtë njeri, për të cilin mund të thuhen fjalët e famshme “Ecco Homo!” (“Ja Njeriu!”).
Linkolnizmi u bë doktrinë fatidike, apel!
Duke shkruar për Linkolnin me mirënjohje të thellë këto rreshta përfitoj të shprehem se për ne shqiptarët kultura dhe demokracia amerikane është tepër e afërt nga shumë pikëpamje.
Emrat e shkrimtarëve të mëdhenj si Kuperi, Edgar Ellan Poe; Emersoni, Uitmani, Tueni, Drajzeri, Hemingueji, Xhek Londoni, Fitxheraldi, Follkener, Steinbeku, Dos Pasosi, Artur Mileri, Tenesi Uliams të cilët janë botuar edhe në gjuhën shqipe kanë sjellë prej kohësh imazhin demokratik të pakufizuar të Amerikës së Njeriut dhe të Lirisë.
Nuk është e rastit që poeti Longfellou i ka kushtuar një poemë Gjergj Kastriotit Skënderbeut të përkthyer mjeshtërisht prej Fan Nolit.
A nuk janë edhe emrat e Nolit dhe të Konicës simbole të ndërlidhjeve tona shpirtërore e të kulturave?
Shkrimtari i sotëm amerikan Xhon Apdajk kur lexoi botimin në Amerikë të romanit “Kronikë në gur” të Kadaresë shkroi i çuditur një shkrim që do të mbetet indikacion historik për letërsinë tonë kombëtare.
Kultura e lartë demokratike amerikane ka fuqi emancipuese e magnetike të papërballueshme.
Shqiptarët në proceset e tyre demokratike kanë parasysh hedhjen tej përgjithmonë të eksperimentit tragjik të diktaturës e të totalitarizmit të fobive të izolimit komunist dhe të tërë absurditeteve të tjera aksesorë të tij dhe respektojnë në përvjetorin e Linkolnit demokracinë e vërtetë amerikane, atë thelb të pavdekshëm, që lidhet e plazmohet me formulat epokale të lirive themelore të njeriut.
Natyrisht në procesin historik të zgjidhjes së enigmës së bashkimit të kombit të copëtuar shqiptar roli i Amerikës krahas rolit të Europës do të jetë, për mendimin tim, shumë i rëndësishëm.
Do të ishte naivitet politik dhe mungesë logjike po të mendohej ndryshe.
Do të ishte absurditet.
Nëse Linkolni e shkatërroi aparteidin ndaj zezakëve nuk është frymëzues ky shembull edhe për shqiptarët, që nën genocidin serb janë quajtur shpesh si “zezakë të bardhë”?
A nuk qe dikur Presidenti amerikan Willson një pasardhës i Linkolnit që ngriti zërin për mbrojtjen e të drejtave të shkelura të kombit shqiptar?
Deklaratat e sotme të paharruara të Presidentit Klinton për shqiptarët e Kosovës, a nuk na lejojnë ne të gjithëve që të shpresojmë në një të ardhme më njerëzore për të ndrequr, padrejtësitë e mëdha historike të së kaluarës me mjete e filozofi demokratike?
Në të gjitha ato që thashë më sipër shoh dhe ndjej se shembulli i Linkolnit vetëm rilind, vetëm ndriçon, vetëm eksorcizon!
Nëse sot flitet për një rend të Ri ku barazia e respektimi i kombeve dhe individit projekton Europën e Bashkuar e më pas edhe Njerëzimin e Bashkuar a mund të harrohet koncepti paraprijës demokratik i konfederatizmit amerikan që në shekullin XIX larg tendencave dominuese dhe centralizuese po të respektimit të parimeve të lirisë të padhunshme të Njerëzimit të Ri, të të vegjëlve, njësoj si të të gjithë të mëdhenjve?(Tiranë, 10 shkurt 1994)
FORMULA POETIKE E WITMANIT
100 vjet më parë vdiq Wollt Witmani.
Vështirë se mund të gjesh në poezinë botërore një emër kaq emblematik dhe origjinal.
Që nga Homeri e këtej Witmani paraqitet si një formulë poetike e jashtëzakonshme e njeriut dhe universit, e demokracisë dhe ankthit ekzistencial.
Padyshim që midis Homerit dhe Witmanit ka shumë emra të ndritshëm.
Qëllimisht po i përcaktoj këto dy skaje për të treguar jo një tautologji se sa dy botë konceptuale, dy pole të poezisë dhe të artit intim njerëzor.
Në jetën time nuk më ka bërë përshtypje ndonjë poet aq sa më ka bërë Witmani i madh.
Witmani është një patriark dhe përherë një fëmijë i demokracisë amerikane.
Statuja e Lirisë, ky totem i kohërave moderne faremirë do të mbante në dorën e ngritur së bashku me pishtarin edhe librin epokal të papërsëritshëm të jashtëzakonshëm të quajtur thjeshtësisht “Fije bari”.
Kultura demokratike amerikane me emrin e Witmanit krijoi një entitet të pashembullt.
Witmani është aq i pazakontë si poet saqë shpesh mund të mendosh që eposi i tij është një krijim i çuditshëm i natyrës ashtu siç janë krijimet e galaktikave.
Witmani në 100 vjetorin e vdekjes na shfaqet me atributin e tij të pavdekësisë i ngjashëm me Magët antikë, çudibërës, me mediumet e paharruara në kohëra që ndërlidhin sekretet dhe enigma, shpirtrat dhe pluralitetin e botëve.
Me vargun e tij të lirë ai ka ndikuar në poezinë moderne ndoshta më shumë se të gjithë paraprijësit e mëdhenj.
Poezia e Witmanit na dlirëson dhe na qetëson, pa harruar se shqetësimi i tij i shenjtë është një shëndet moral i pazëvendësueshëm.
Nëse Homeri është kodi i demokracisë antike i tërë kulturave europiane deri më sot, Witmani, i shfaqur mbas Kristofor Kolombit është gjithashtu një kod i veçantë dh eprofetik i tërë demokracisë moderne jo vetëm për shekullin XX por ndoshta edhe për shekullin XXI.
Një poet si Witmani e tejkalon gjithmonë vetveten.
Vetia e tij e ubikuitetit biblik është e dukshme dhe e prekshme nga të gjithë.
Poezia e antropoide e Witmanit është e pakufizuar në hapësirë dhe në kohë, vargjet e tij janë maksima të shekujve.
Ai shpall se:
“Surb për vete ajrin por le dhe për të tjerët plot”,
“Liri, – shkruan ai, të tjerët le ta humbin shpresën tek ty,
po unë s’do të dëshpërohem
qenka mbyllur shtëpia?
qenka arratisur i zoti?
paçka, gatituni
mos u lodhni së prituri
shpejt do të kthehet,
ja tek po vijnë lajmëtarët”.
Në kryeveprën e Witmanit, të quajtur “Song of myself” (Këngë për veten”) ai gati si një poet biblik bën kozmogoninë e gjithçkaje.
“Të fortë si kuaj, të dashur, krenarë, elektrikë, ja ku qëndrojmë ne të dy unë dhe misteri.
Të pastër e kam shpirtin dhe të nartë, dhe e nartë dhe pastër është gjithçka që s’është shpirti im!”.
Witmani të kujton fuqinë e pashtershme të arsyes së Sokratit dhe vetëmohimin profetik të Krishtit.
“Faktet janë të dobishme, po s’janë banesa ime
Ato s’janë veçse shkallë në të cilat unë ngjitem në banesën time”.
Dua të tërheq vëmendjen për një fakt kulturor të klasit të parë.
Në 1956 një figurë e shkëlqyer e kulturës shqiptare, Skënder Luarasi përktheu dhe botoi librin “Fije bari” të Witmanit.
Ky libër ishte një çudi për kohën, madje mund të themi një paradoks.
Në vitet ’50, poezia shqipe ishte në mjerim.
Shumë poetë mediokër krijonin të politizuar të ashtuquajtur poezi të realizmit socialist, një karikaturë të artit në diktaturë.
Luarasi, ky disident trim dhe njeri i vërtetë i kulturës bëri sfidën e tij të çuditshme nëpërmjet botimit të Witmanit.
Ishte kjo si një hedhje doreze dueli për tërë mediokritetin letrar të kohës.
Libri mbeti në heshtje të plotë sepse nuk u kuptua.
Por fuqia e tij sfiduese ishte e fshehur dhe afatgjatë.
Kjo fuqi është po aq vepruese sot sa dhe dikur.
Një analizë akribike do të vërtetonte se libri “Fije bari” ka ndikuar në poezinë moderne shqiptare dhe ka qenë një lëndë radioaktive artistike.
Witmani është i pari poet i madh i demokracisë amerikane dhe i pari poet i poezisë urbane.
Koncepti i tij për jetën është i pakufizuar por ai ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesë për figuracionin e tij universal si dhe për metaforat urbane.
Kjo rrjedh nga arsyeja se vetë qytetërimi modern ka një logjikë urbane.
Por kjo tek Witmani nuk paraqet asnjë lloj kontradikte me natyrën në përgjithësi, me apologjinë e Zhak Zhak Rusoit për të, për poetikën e të ashtuquajturës “primitive’, për të drejtat ekzistenciale të elementëve përbërës dhe veprues të gjithçkaje, duke përfshirë natyrën në të gjitha atomet dhe frymën e providencës në një panteizëm universal, kozmik.
Është një mrekulli e vërtetë që miqësia midis popullit shqiptar dhe amerikan të ketë një ndërmjetës dhe interpret kaq të madh siç është emri i Wollt Witmanit.
Ai është i sigurt deri në pafundësi, ai është i vërtetë deri në shkallën më të lartë të arsyes.
Përkujtimi i 100 vjetorit të vdekjes së Witmanit në përvjetorin e një ngjarjeje kaq të madhe siç është festa kombëtare amerikane e 4 korrikut është në vetvete një mesazh i shumëfishtë për të gjithë ne.
Së shpejti besoj do të botohet vepra e plotë e Witmanit e përkthyer në shqip.
Mund të themi se përkthimi nuk është thjesht një fantazmë librore.
. Është vetë poeti i gjallë i konvertuar, in extremist ndërmjet fuqive të alfabetit në gjuhën e stërlashtë shqipe, të një gjeneze me shprehjet dhe idiomat homerike.
Poetët janë profetë të popujve dhe të lirisë.
Ndryshe nuk do të ishin poetë.(Tiranë, 3 korrik 1992)
Urime Z.Mojkom! Me duhet te them urime per nivelin tuaj. Por dua te them qe mentaliteti shqiptar eshte shume me ndryshe! Ka ndryshuar edhe ketu ne Amerike! Nuk eshte mesuar Shqiptari te punoje qe i vogel! Eshte nje jete e tere qe na ndan!Fatkeqesisht njerez hajdute merren me politike ne SHqiperi! Urime dhe suksese.