Fatmir Minguli
Dy fjalë për dritën. Po lexoja troparin e lashte : “ Askush nuk e ndez pishtarin për ta vënë në një vend të fshehtë, ose nën tokë, por për ta vënë mbi një shandan, që të shohin shndritjen ata që hyjnë.”
Kur kisha ndërmend të shkruaja këtë ese, e ndërsa po i tregoja diçka për dritën, një kolegu, ai papritmas më pyeti:
-Për çfarë drite e keni fjalën?
Unë u shtanga se nuk e prisja një pyetje të tillë.
Por nuk mund të konceptoja dot një sinonim më specifik, prandaj e lashë kështu siç ishte në fillim “Pak fjalë për dritën”.
Ishin ndoshta ditët e fundit të muajit maj kur ndesha në një portal me emrin “Shqiptar Ortodoks – Albanian Orthodox” një postim mbi mundësitë e kremtimit në datë 10 qershor 2016 të “Gjithë Shenjtorëve të Shqipërisë”.
Një sugjerim duke marrë shkas nga i njëjti kremtim i kishave të tjera kombëtare, nga kujtimi i shenjtorëve të vendeve, territoreve ku ata përkasin, si shenjë nderimi dhe lutjeje ndaj atyre figurave e klerikëve kombetare, me martirizimin e ndërgjegjes dhe të gjakut.
Flitej në këtë postim edhe për figurat e ndritura të hierarkisë ortodokse autuqefale, shqiptare, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi dhe Irine Banushi, e me ne krye Fan Nolin e pavdekshem.
Komenti im në këtë postim qe ky:
“Komenti juaj është tejet i kthjellët dhe rrezaton ndriçimin e duhur për një errësirë sado e vogël qoftë!”
Dhe përgjigja që më befasoi jo vetëm shpirtërisht ishte kjo:
“Faleminderit për komentin përsiatës. Çështja e errësirës dhe e dritës, e ndriçimit, e verbërisë shpirtërore, gjithë kjo çerdhe nocionesh, janë tema të mëdha , por mbeten akoma të pazbatuara sot, sidomos në mjedise ku pritej të ishte ndryshe.
Ndoshta një nga ankesat më të mëdha që do të kenë brezat për shqiptarët e sotëm, do të jetë mohimi i dritës sot, lakmia ndaj dritë-hijeve dhe marrëveshjeve intime me errësirën.
Prandaj edhe kjo temë mbetet e hapur qoftë edhe si shfajësim ndaj brezave!”
Duke menduar se ky koment, në sy të lexuesve, nuk do të ketë vetëm theksin fetar, ai gjithsesi kërkon të ndriçojë më mirë konceptualitetin e dritës, që nuk është gjë tjetër veçse konceptualiteti i lirisë.
Eshtë e qartë se po flasim për botën shqiptare të sotme, por që i referohemi të kaluarës.
Emërtimi i dritës është si ai i ylberit, metaforë e shpresës për një ditë më të bukur, emërtimi i dritës është dhe ndriçimet që e metojnë njerëzit e mëdhenj të Rilindjes kombëtare shqiptare, ku edhe shumë klerikë luajtën role të rëndësishme në dobi të çështjes shqiptare.
Jo vetëm klerikët e përmendur më lart, por dhe klerikë të tjerë si themeluesi i Autoqefalise, Fan Noli,nje nga ngjarjet me madhore te historisë sonë kombëtare, trekëndëshi magjik i të cilit është i pa çmontueshëm, aty ku bashkohen “Kisha e Apostull Pavlit dhe e Shën Astit”, bustit të tij dhe hotelit godine e shekullit te XIX, ku Fan Noli kaloi ditë të stuhishme.
Në vijim të kësaj kujtese historike, vjen Papa Razma, myftiu Refik Ajazi, Vinçenc Prenushi, klerikë këta të Durrësit, të cilët përhapën dritë dhe ngrohtësi kudo midis njerëzve dhe u bënë shembull për ata që mendojnë përtej horizontit të tyre.
Po, përtej horizontit të tyre, por dhe kundër çdo lloj manipulimi të mendjeve të njerëzve.
Ata qenë njerëz të mëdhenj, se e dinin fort mirë se drita nuk ishte e qëndrueshme, ndizej nga rrufeja, asnjëherë nuk ishte aty kur dielli nuk ndriçon, por ia vlen të luftosh për të.
Khalil Gibran, poet, filozof, piktor libanez, autori i librit “Profeti” shkruan: “As nata më e errët nuk do ta ndalë diellin të lindë sërish.”
E përse të mos zbatojmë këto parime ndriçuese, parime që lidhen drejt për së drejti me kulturën e popullit shqiptar, një popull i vogël me një histori e me gjuhë të veçantë por të bukur.
Një popull modest edhe pse e di këtë histori dhe e përdor këtë gjuhë e prapëseprapë urtësia e tij nuk e le të shpërthejë edhe kur ajo, gjuha, cënohet!?
Cënohet në mediat e sotme që e nxijnë gjuhën krejt me fjalë të huaja, cënohet nga përkthyes që nuk e njohin gjuhën e ëmbël shqipe, cënohet në objektet e kultit mysliman e ortodoks ku shërbesat nuk bëhen shqip, cënohet në dokumentet zyrtare të shtetit me fjalë në anglisht.
Por çdo shtet, komb sado i vogël qoftë sidomos kur ndodhet në bark të Europës e kur dëshiron të bashkohet me normat e shteteve të mëdha të këtij kontinenti mëmë, duhet të ruajë pikërisht gjuhën, kulturën dhe historinë.
George Shtainer, eseisti bashkëkohor amerikan në librin e tij ‘’ Një ide për Europën’’ shkruan:
‘’Nuk ka dyshim: Europa do të vdesë nëse nuk lufton për të mbrojtur gjuhët e saj, traditat e saj lokale, autonomitë shoqërore. Do të zhduket nëse do të harrojë se ‘’Zoti gjendet në detajet’’’’.
Prandaj drita dhe vlerësimi i saj merr kuptime shumë më të gjëra se sa konceptimi i saj fizik.
Duke shkruar për dritën që kanë shpërndarë të parët tanë, nuk ke se si të mos shkruash edhe për dritën e mbajtur ndezur sa kanë patur dhe jetë, njerëzit e mëdhenj, klerikë e jo klerikë, nuk mund të rrish pa folur për ato mijëra objekte kulti të feve të ndryshme në Shqipëri, ku xhamitë, kishat, teqetë dhe faltoret e ndryshme te trashegimise e shekujve, janë një thesar në kulturën tonë të hershme, por edhe të vonë.
Në fund të fundit, ato janë ndërtuar për njerëzit dhe i kanë shërbyer atyre në shekuj. Le te kujtojmë këtu artin e madh te afreskeve te Onufrit , te Kostandin Shpatarakut dhe te David Selenices, piktore ikonografike te nivelit me te larte estetik dhe pjese e substancës se artit .
Rindërtimi, restaurimi i këtyre monumenteve dhe sjellja e tyre në jetë është një nga përçapjet madhore të drejtuesve të shtetit, krahas detyrave të tjera.
Dhe faktet janë kokëfortë.
Në një zonë gjeografikisht të ngushtë, siç është ajo e bregdetit të poshtëm, pranë fshatrave Nivicë- Bubar dhe Shënvasil ndodhen mbi dyzet objekte kulti ortodoks,që kanë bërë histori e ku ka ndriçuar një manastir i mrekullueshëm si ai i Kakomesë.
Po sa ka të tilla zona në Shqipëri, objekte të panumërta të kishave katolike e ortodokse e sa e sa teqe bektashiane, pa folur për numrin aq të madh të faltoreve.
Drita është e nevojshme, edhe kur ajo vjen shqip është më e qartë, dhe drita e qiririt të Naimit të madh do të jetë më e fuqishme dhe do të përçojë tejpërtej dhe do prishë marrëveshjet intime me errësirën.
Është e nevojshme të përsërisim se ‘’dritë e diturisë, përpara do na shpjerë’’, është e nevojshme të kujtojmë martirët e çdo fushe kulture, jo vetë në datat e caktuara kalendarisht, por edhe me të gjitha format, me librat në gjuhën shqipe që ata na lanë e me çdo gjë tjetër të madhërishme të tyre.
Ata janë mësues.
Murgu Bernardo di Chartres, një filozof i shekullit të 12-të ka lënë një nga përshkrimet më të mira të raportit midis nxënësve dhe mësuesve të tyre: ‘’ Jemi xhuxhë mbi shpatullat e gjigantëve’’.
Montecchio Maggiore- Durrës
Maj- qershor 2018

Figurat e ndritura te klerikeve te mesiperme , jane bere te tilla se ishin luftetare te pa epur te ceshtjes kombetare dhe jo pse ishin klerike ! Ju nderojini per hesapin tuaj te komunitetit fetar qe perfaqesoni , kurse ne , populli , Shqiperia laike i nderon dhe do ti nderoje perjetesisht ata pishtare , per DRITEN E SHQIPTARISE , QE I BERI TE PA VDEKSHEM .