Nga Bedri Islami
30 vite më parë, ende 78 vjeçar, do të largohej nga jeta njëri ndër fisnikët më të shquar të botës shqiptare, pjellë e revolucionit dhe viktimë e tij, bartës i pashoq i qytetërimit, joshës i arsyes dhe i mirësisë, lab i devotshëm dhe qytetar i botës, i cili, si në simbolet e drejtësisë, në njerën dorë mbante të vërtetën, në tjetrën dashurinë, “Nderi i Kombit“, Petro Marko.
Gjithë jetën e tij të pamatë nga ngjarjet dhe të pashoqe nga vuajtjet, ai e përmblodhi në një fjali të vetme: Kur linda unë kombi ishte në furtunë, u rrita unë kombi ishte në furtunë, ika unë, kombin e lashë në furtunë!
Në fakt, jeta e tij ishte furtunë. I lindur në 25 nëntor 1913 ai do të jetë antizogisti që burgosej, sepse donte më shumë dritë; idealisti i burgosur dhe internuar nga fashistët, i burgosuri që momenti i fundit e shpëtoi të mos pushkatohej nga gjermanët, antifashisti që burgosej nga komunizmi, shqiptari i madh që lihej qelive se e donte tepër këtë vend, djali i burgosur dhe torturuar i një nëne dhe babai i një djali të burgosur nga diktatura, fati ndoshta do e kishte sjellë të kishin qenë në të njëjtën qeli në vite të ndryshme, në fund shkrimtari që mbylli sytë pikërisht atëherë kur drita e mendimit të lirë mund të ishte ëndrra e tij.
Petro Marko ishte poeti i rënë, që ngrihej; i rrëzuar nga të tjerët dhe i ngritur nga shpirti; i mallkuari që ishte i dëshiruar; i mbrojturi që duhej të luftonte; i leçituri që ngjallte admirim; i vetmuari që ndiqej nga të gjithë; njeriu që dihej se do të përndiqej nga fjala ende pa u tharë boceti i librit të tij; ai është njeriu që dashuron jashtë galaktikës, por që , në të njëjtën kohë dashurohet marrëzisht nga të tjerët. I papërsëritshëm, të merret fryma para artit të tij dhe të ngjan e pabesueshme jeta që përshkoi.
Është interesante jeta e tij: kur shumësia e shikonte katastrofën në perëndim, ai e shikonte në lindje. Ai dialogonte me kohën dhe vetëm në çaste të veçanta rrinte në mendimin e tij vetjak, brenda një bote që nuk ishte e askujt, por ishte e tija. Rrallë poet ka ngritur një botë të tërë, me një frymë dhe, pastaj, gjithë jetën e mëtejshme ka bërë kujdes të gdhente atë që kishte ngritur, duke i shtuar pasazhe të reja, që , më shumë se gjithçka tjetër ishte poezia e jetës së tij, të vrullshme si pak kush dhe të rëndë si askush tjetër.
Petro Marko është lab i Bregut, ajo që nuk i shpëtoi dot kohës ishte madhështia e tij; bazamenti i së cilës ishte jeta,ndërsa statuja gjithçka që shkroi. Njerëzit, sidomos bashkëkohësit, e kishin të vështirë të përceptonin dhe ndjeheshin jo rrallë të frikësuar nga shkëlqimi i artit të tij.
Në jetën e Petro Markos, si askund tjetër, gjithçka që është e madhe përmban në vetvete edhe një llahtarë të pazakontë; ndërsa pushteti pushtohej nga ajo ndjenjë e çuditshme, nga mëria ndaj së madhes , artit, të bukurës, të pazakontës, sublimes. Pushteti njeh humnerat, ndaj e burgosin marëzisht – të gjitha pushtetet e kanë burgosur atë – por nuk do të shohë kulmet e larta; ai ndjen ankthin, sepse ankthi i së nesërmes pushton çdo pushtet, por nuk e afron mrekullinë; në fakt dritëshkurtit asnjëherë nuk kanë qenë veçse humnerat ku mund të rrokullisej fati i çdo kujt.
Petro Marko përfaqëson filozofinë më të lartë njerëzore dhe trajtën më të lartë të jetës : Lirinë! Liria është kategori jashtëmendore, por Petro Marko e bëri të prekshme.
Esenca e lirisë te Petro Marko është Fryma, ndërsa esenca e Frymës është Liria!
Shpesh herë, me pamjen dhe vizionin e tij të kujton Moisiun tek zbriste nga mali Hereb, duke bartur tabelat e gurta të ligjeve; malet, valët e detit, qielli e Vlora janë pjesë e shpirtit të tij, ndërsa Ai ishte pjesë e shpirtit të tyre.
Petro Marko ishte njeriu që e njohu vdekjen gjer në eshtra, sepse kaloi gjithnjë përmes saj, por ndolli jetën.
E papërfytyrueshme është Vepra e tij, dhe rrallë herë ka ndodhur që një korpus i tërë letrar të jetë aq i ngjashëm me Jetën e autorit!
Petro Markon shumë lehtë mund ta pyesje se si ishte bota e përtejme dhe ajo e Perëndive, pasi disa herë gjatë jetës ai zbriti në Had, e, shumë të tjera u ngjit në Olimp; të vërtetat e përjetshme që solli ai nuk ishin për veshët e vdekatarëve të thjeshtë, si janë njerëzit, por njerëzit mësuan prej tij sekretin e qenieve njerëzore që nuk thyhen kurrë;
Petro Marko të ngjason me fillimin e Lindjes së Agut të Mëngjesit, dhe, në të njëjtën kohë, me çastin e dridhshëm të muzgut; Homeri e ka përshkruar mrekullisht kthimin e Uliksit nga Hadi, Petro Marko e ka bërë këtë me librin e tij famoz, “Retë dhe Gurë”;
Ai të kujton patriarkun e letrave shqipe që, si De Rada është ulur pranë detit me kotheren e bukës në duar, përherë i varfër dhe gjithnjë shqiptar i madh…
Petro Marko kishte sy të butë, gjithë mrekullia e Bregut ishte përmbledhur në shikimin e tij; në tërë universin ai kërkoi prehje dhe askund nuk gjeti, përveçse në një kënd të Bregut, ku kishte ëndërr të mbyllte sytë.
Shpesh herë, të gjitha pushtetet, mendonin se Petro Marko ishte një terr i papritur, kur në të vërtetë ai ishte qetësia që të pushton shpirtin mbas Dritës.
“Fjalët, thotë filozofi dhe eseisti francez, Brice Parain, janë kobure të mbushura”, por Petro Marko i përdori fjalët vetëdijshëm si shenjë mirësie, në mënyrën më magjepse të mundur, sepse ai përdori fjalët e kuptueshme, jetësore, me të cilat ishte rritur dhe për të cilat ai ishte i gatshëm të gozhdohej në kryqin e jetës së tij.
Ka qenë çmendurisht i dashuruar me jetën, në të njëjtën kohë e pranonte vdekjen si krijesë e vetë njeriut. Njeri i përmasave të mëdha, më shumë nga sa mund të mendohet, i ngritur në lartësi të pamatura dhe i rënë në gremina të pafund, rrënjët i ka në Bregun e tij, në Dhermi, Himarë, Piqeras, buzë detit, ku dikur tundeshin qitrot e mëdha si copëza hëne të nderura në degë.
Ndërsa gjithnjë njerëzit tundohen të thonë se rrënjët e tyre janë në tokë, në truallin e tyre amtar, Petro Marko i ka rrënjët e tij njëkohësisht në të kafejtën e tokës dhe në ujrat e detit. Ndërsa tokën e ndjen nën këmbët e tij, detin e ka në sy. Ky burrë i bukur, i çkujdesur, me ecjen e natyrshme të njeriut të detit, duhan pirës i përhershëm dhe vetëtitës në sy, në fushëpamjen e tij ka diçka që njerëzit e kanë të vështirë ta kuptojnë, ta kapin që në çastin e parë, diçka që gjallon në qënien e tij , por që do të mund të mbetej e panjohur, nëse në një çast nuk do të derdhej nga sytë e tij pasqyrimi i të vërtetës dhe i sinqeriteti të mos kishte bërë folenë e tij.
Asnjë poet i kohës së tij nuk ka pasur mundimin e Petro Markos. Të paktë ata që kanë pasur kryelartësinë e tij. Edhe më të paktë ata që qëndruan deri në fund. Duke qenë tokësor deri në dhimbje, ai ishte poeti i vuajtjes njerëzore, por që, jo befasisht, edhe i kryengritjes. Ai nuk ka ndjenja të heshtura, nuk e njeh mjegullën, as hiçin e pashmangshëm. „Qyteti i fundit“ i Petro Markos është fillimi i romanit modern shqiptar dhe vazhdon të mbetet ndër më joshësit, sepse, sepse ka arritur shkallën më të lartë ,pasi Petro Marko, thellësisht realist, harron ngizjen artistike, rregullat e moralin fantast dhe ndjen ekzistencën e së vërtetës si një realitet të prekshëm. Është kaq e afërt, kaq e vërtetë, e prekshme sa që nuk guxojmë të mendojmë se gjithçka është e trilluar, se fantazia është bërë pjesë e së shumtës. Ai hapi botën reale, madhërisht, me rikrijimin e saktë të realitetit, vertësinë tronditëse, natyrshmërinë naive dhe stilin ngulmues drejt njohjes.
Ai ishte i mënçuri dhe i Heshturi i pashoq, pa shëmbëlltyrë!
Një mbrëmje ndoqa në Top Channel një emision për Petro Markon. I bukur, por jo i plotë; më shumë nga gjithë shkrimtarët e tjerë Petro Marko kishte lindur për të qenë një njeri i lumtur, guximtar, rebel mahnitës, dhe sado që emisioni ishte tejshkuar me kujtime të profesor Bardhosh Gaçes,njohës i madh i Petro Markos, që risillnin shkrimtarin e madh, sëbashku me dëshirën të jetë përjetësisht pranë detit, dhe, si zbaticat e dukshme kishte tjerrëza që nuk të emocionin.
Nëse letërsia është shprehje, atëherë Petro Marko është njëri ndër shprehësit më të fuqishëm të saj. Nëse themi se gjuha shqipe, në të gjithë dialektet e saj, është një gjuhë e kumbueshme – këtë na e sjell qartësisht Petro Marko, që nga poezitë e tij të para dhe deri tek romani i fundit i tij, ndoshta nga më të fuqishmit e letërsisë shqipe, ” Retë dhe gurë”.
Petro Marko ishte ligjërues i gjuhës shqipe. Mendohet gabim se ligjërimi i përgjigjet realitetit, kësaj gjëje misterioze që quhet realitet. Besojmë se proza është më afër realitetit se sa poezia. Petro Marko, përmes prozës së tij poetike dhe poezisë mugëlluese na sjell një gjë krejt të ndryshme. Ai ka prozën poetike dhe poezinë sipërore; kjo e fundit, e shkruar kryesisht në rininë e tij, është luftarake dhe e vrullshme, pasi bregasi flokëgjatë dhe i vrullshëm nuk e përceptonte dot veten – veçse të vrullshëm, pasionant, të ndershëm dhe jetësor.
Nëse dikush ka bërë luftë jetësore – ai është Petro Marko.Petro Marko ka një varg në rininë e tij, ” heshtja e gjelbër e detit” – e askush nuk mund ta dijë se si mund të heshtë ai, me dallgët dhe brigjet, askush,si asnjë njeri tjetër, nuk e mendon dot se si mund të heshtë poeti Petro.Katër herë, në katër regjime është burgosur ai: nga Zogu, sepse ishte ndër komunistët e parë idealistë; nga italianët, sepse ishte antifashist; nga gjermanët sepse ishte antinazist dhe nga Shqipëria, sepse ishte antikomunist dhe në të njëjtën kohë antiserbomadh.
Petro Marko ishte kryeredaktori i parë i gazetës Bashkimi dhe kur ambasadori jugosllav, në vitin 1947 i tha se gazeta Bashkimi duhet të mësojë nga gazeta Borba e Beogradit, Petro Marko ia ktheu, ” e përse Borba të mos mësojë nga Bashkimi” – dhe përfundoi në burg. Ishte i katërti i tij, por jo i fundit i familjes së tij. Pesë romane të Petro Markos, sipas bindjes sime, do të ngelin domosdo në historinë e letërsisë shqipe . Qyteti i fundit, Hasta la Vista, Stina e Armëve, Nata e Ustikës dhe Retë dhe Gurë.Secili mund të shtojë se çfarë mund të mbetet më tej. Bukuria dhe forca e romaneve të Petro Markos është si një bukuri gjithnjë e gatshme për të na gllabëruar. Po të kishim më shumë ndjeshmëri, këtë do të mund ta shihnim qartas në të gjithë korpusin e madh të botimeve të tij. Është shkrimtari i vetëm i botuar dhe pastaj, menjëherë, i ndaluar.I ka ndodhur kështu me të gjithë romanet e tij. Ende pa u bërë si duhet shpërndarja, ka ardhur ndalesa. Kjo i ka bërë edhe më enigmë librat e tij, ka zgjuar një kureshtje ndryshe dhe ka përcjellë atë që u është dashur ta vrasin: shpirtin.Po të përdorim fjalët e Shkrimit të Shenjtë : shkronja vret, shpirti ngjall , atëherë do të dinim përse në një kohë qerthullore gjithçka e Petro Markos, pavarësisht nëse ishte monarki, fashizëm, komunizën ishte e ndaluar dhe përse ajo që ishte e ndaluar të ngjallte shpirtin. Petro Marko ishte poeti i rënë, që ngrihej; i rrëzuar nga të tjerët dhe i ngritur nga shpirti; i mallkuari që ishte i dëshiruar; i mbrojturi që duhej të luftonte; i leçituri që ngjallte admirim; i vetmuari që ndiqej nga të gjithë; njeriu që dihej se do të përndiqej nga fjala ende pa u tharë boceti i librit të tij; ai është njeriu që dashuron jashtë skolastikës. E mbani mend Gorin tek Hasta la Vista dhe dashurinë e tij me Anitën, ai nuk mund të dashurojë ndryshe, se të duash do të thotë të ndiesh, se të mungon diçka; është poeti që sjell qindra figura që në romanet e tij janë një botë dhe të gjithë ato janë pasqyrimi i tij.
Në fakt ai krijoi një botë. Të mbushur me dashuri, mendim, me cene, vuajtje, përplasje, burgje, mëkate, dhimbje fizike, çaste magjike, me ndjesi faji dhe përdëllim poetik. Tek ai flurimet nuk e humbasin asnjëherë forcën, ai largohet nga e pakufishmja për të qenë vetë i pakufi; largohet nga e fshehta për të qenë i pranishëm; bëhet lehtësisht i goditur nga e vërteta dhe ndjell retë e mëritë e gjithë botës për t’i shërbyer asaj përmes sinqeritetit, që është kaq i paktë në këtë botë të brishtë, të pasigurtë dhe me lumturi kaq të përkohshme.
Pak vetë e dinë se Petro Marko ishte botuesi i parë i Migjenit dhe, rastësi apo jo, i Qemal Stafës.
Do të jetë redaktori që do të vendosë pseudonimin letrat të Qemal Stafës gjimnazist, duke e mbiquajtur „Brutus“, sikur të parandjente se në vetvete ai djalë kishte diçka që thërriste përmbysjen e një tiranie, por që fundin vetë o e kishte tragjik.
Do të jetë redaktori që do të vendosë për emrin e Moikomit, një emër tjetërsoj, i pagjetur më parë dhe i vetëm, si të paralajmëronte se ky shkrimtar i ri, edhe ai i lindur buzë detit dhe pasionant i pazakontë, do të jetë i vetëm, i pangjashëm me askënd tjetër , në botën e madhe të artit dhe të mendimit.
Çfarë mendje gjigande që ka pasur, çfarë intuite, vështrimi i tij nuk ka qenë asnjëherë i zakonshëm. Nuk besoj se gjendet një shkrimtar tjetër që të ketë dashur me aq zjarr Bregun, Vlorën, poezinë, magjinë e fjalës, gjithnjë mirësie; i cili shpërndate rreth vetes fisnikërinë dhe kureshtjen, enigmën dhe të papriturën. Një tragjedi e madhe e moskuptimit e ka ndjekur atë, por, edhe përmes saj, ai e ka ripëtëritur botën si pak kush tjetër. Pandryshueshëm ka qenë besnik ndaj vetes.
Ditët e para të pas 29 nëntorit 1944 poeti i kalon në dy familje të ndryshme nga bindjet dhe prirjet, por me të përbashkëta: dy familje të vjetra shkodrane, të pasura, me trashëgimi të herëshme, të besimit katolik, me banesat jo shumë larg njëra tjetrës ; në 29 nëntor do të jetë tek Gjovalin Luka – një tjetër idealist i pakërkund shoq, ku nëna e shtëpisë u bën në atë ditë të shënuar një ëmbëlsirë të vjetër shkodrane, që quhet ” haxhimakulle” , dhe në tryezë do të jetë me Ramiz Alinë, dhe pak ditë më pas, ndoshta të nesërmen, tek familja Nush Topalli, ku do të jetë bujtës i disa ditëve. Në të dy shtëpitë do të jetë i mirëpritur, i besuar, ndjellës i së mirës, i fjalës së paqtë, mirëbesimit, pasi donte larushinë e botës. Ai e donte botën pa urrejtje, dhe kjo për të ishte gjë e zakonshme, e natyrshme dhe e domosdoshme, sepse, në honet ku e hodhi vrazhdësia ai e kishte përjetuar atë. Njëkohësisht donte një botë të dashuruar, sepse, si shkruante dikur, të jetosh pa dashuri, është një gjë e pamundur, lumturisht e pamundur.
Njëri nga shenjtët më pak të njohur tek ne, Shen Anselmi thonte dikur se ” të vësh një libër në duart e një të padituri është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije”.Kështu ndodhte edhe me ato që kishin nëpër duar librat e Petro Markos. Në vitin 1991 Petro shkoi të pushonte përjetësisht në Dhermi, aty ku dëshironte dhe që ia kishte lënë amanet Moikom Zeqos, Xhevahir Spahiut dhe Bardhosh Gaçes. Dy poetëve dhe studjuesit të njohur. Nuk ia kishte lënë amanet qeverisë, por miqve poetë, se poetët e mbajnë fjalën e dhënë një poeti – mësues.
E kam takuar pak herë, më shpesh në klubin e gazetarëve dhe në kafe me Moikomin. Një herë më tha se ” yt atë ishte i parakohshëm, ti përpiqu të gjesh kohën tënde”.Nuk është më.Më është kujtuar sonte një dijetar i shquar, Platoni, i cili donte të ngushëllohej për vdekjen e Sokratit, duke e përfytyruar se mësuesi i tij vazhdonte të punonte.Mjerisht ne nuk kemi asnjë Platon. Shteti hesht para së bukurës. Megjithëse e bukura është e përjetshme. E pyetën një herë shkrimtarin e shquar Bernard Shaw nëse besonte që Biblën e kishte shkruar Shpirti i Shenjtë.Ai u përgjegj se, ” Çdo libër që ia vlen ta rilexosh është shkruar nga Shpirti”.Dhe librat e Petro Markos, si e thamë, janë shkruar nga Shpirti.Ai ka sjellë Zotin brenda Letërsisë.Zotin e së mirës, të bukurës, të paqtës, që është befasisht edhe i qendresës dhe mosthyerjes.
Petro Marko në një kujtim për Ernesnt Heminguejn
“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.
Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:
– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!
– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.
Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.
Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”.

Eshte i vetmi shkrimtar shqiptar qe e meriton Cmimin “Nobel” edhe pas vdekjes.
…Po more PO-Cimi *NOBEL*duhet dhene
Te rrallit shkrimtar-Petro Mako!
I nderuar Beri Islami,me te lumte ajo mendie komanuar ate PENE,sot keto te pa thena brilante, per te madhin shkrimtar tonin Peto Marko sjelle.
Me mrekullove mua 86 vitet sa nisur, Nje muja jetuar me te *1967*mes vargut Kruje Dajt dhe *Mali me Gropa-Qaf shtambe* ai subjektet e librit *ARA ne Mal*mare. une si mesues i asaj zone(drejtor shkolle sa emeruar)shoqeuar sa njohur me personazhet qe ai kerkonte, me kryefjale nje fshatare nga Bulceshi,qe do ta mbante deri ne shtepi me jave mes Tiranes,krah se shiqes Safo-Artiste jo vetem e penelit. …Si e qysh perfundoi dihet Ai Roman dhe psene,po ishte mes kryeveprave te tij…Patur fatin pas asaj njohie nje mijore te jashtezakoneshme,te fitoj rrespektin etij deri ne fund te jetes,ne famile shkuar,perjetuar deri dhimbiet etij te kohes..
Faleminderit i nderuar Bashkim me bere mua sot te 86 vite te jetes nisur,te kaloj kete Nate, me shkrimin tuaj dhe ate GJENI te **Njeriut NJERI*te medhin e te ndierin Petro Marko,qe falendero Vlonjatet sa Bregdtasit *Leber* emrin vene Pallatit te Kujtures Vlore;*PETRO MARKO* .I perjethem Kujtimi i Tij me Veprat dhe shembelltyren njerzore dhene. Faleminderit dhe nje here,i madhi kohes aktuale,Bedri Islami, kete shkrim *MONUMENT*per te ndierin shkrimtar sa*shembelltyre NJERI* Petro Marko sjelle.qe me shume vend,komentuesi Martin*thote : *Eshte i vetmi shkrimtar shqiptar,qe meriton Cmimin *Nobel*edhe pas vdekies*.Petro Marko..
*Pasuesi veteran*nje jete MESUES sa rruget e emigracionit, pas 90tes marre- 85 vjecari-
Dh Xh.*Guri Naimit D.