Flet për pasuritë që Zoti i kishte dhënë Shqipërisë, por konstaton se në shumë raste fajtorë janë padituria dhe nganjeherë edhe veset e shqiptarëve, sigurisht pikësëpari të tregtarëve. Të duket herë pas here se brengat e tij kanë mbijetuar në mënyrë shembullore, fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite. Probleme si përmbytjet, apo vërshimi i mallrave të huaj kundrejt pazotësisë së shqiptarëve për të prodhuar e menaxhuar të mirat e tyre që ua jepte toka e deti, të bëjnë të mendosh se janë ringjallur si fenomene, ndërkohë që shumëçka në lidhje me bonifikimin e kanalizimet, për shumë dekada ishin harruar. Pjesa e tretë e shkrimit të Ing. Eshref Frashërit, botuar në revistën “Diturija”, Nr. 7, 1 maj 1927, përmbyllet me thirrje për të pasur e të ditur, për të bashkuar forcat, kapitalet e përveshur mëngët për t’ia hyrë punëve në të mirë të kombit, por duket se thirrja e tij do binte në vesh të shurdhër. Më poshtë shkrimi i plotë, i përshtuatur sipas normave drejtshkrimore të shqipes së sotme:
Në vendet e përparuara, liqenet janë rregulluar, brenda punojnë vaporë, barka; janë dhe burime pasurie me peshq. Lumenjtë përdoren sipas shkallës që zënë: për lundrim, ujitje dhe përfitohet prej forcës natyrale të tyre; anës tyre radhiten fabrika për industrira të ndryshme; popullit i hapet punë, vendit i shtohet begatia. Kënetat thahen dhe nuk lihen të bëjnë dëme.
Shqipërisë i janë lënë nga një pjesë e liqeneve të Shkodrës, Ohrit dhe Prespës. Liqeni i Shkodrës ka një pamje të bukur; brenda ka çdo farë peshku; havjari që del atje është fort i pëlqyer. Korani i liqenit të Ohrit, është me famë.

Përveç liqeneve dhe lumenjve, edhe në anë të detit të Shqipërisë ka peshq të shumtë e të mirë; me peshkun e Shqipërisë, Italia dhe Greqia plotësojnë nevojat e tyre, kurse në Shqipëri nuk gjen peshk të hash. Peshku që del në vendin tonë shkon jashtë me çmime fort më të ulëta, se del shumë, s‘ka mjete për ta ruajtur që të mos prishet. Afër qyteteve ku del peshku, ato nja dy ditë që ziret mund të gjejë njeriu, por ditët e tjera s’gjen aspak peshk; qytetet që janë larg detit, ose liqeneve, s‘e shohin me sy peshkun.
Përveç këtyre shihet edhe një send për t’u çuditur; në Durrës, Shkodër, Vlorë, Sarandë ku janë qendrat e peshqve, raftet e magazinave të bakallëve janë mbushur me kuti sardelesh të vjetra, që vijnë nga jashtë dhe konsumohen me shumicë të madhe.
Cili është shkaku i kësaj? Sipas mendimit tim, dy gjëra themelore janë që e shkaktojnë këtë; E para padituria për mjeshtëri të mëdha e të vogla, si kjo e të bërit sardele; e dyta, mosguximi i të filluarit të një pune të re. Shqiptari pret një punë t’a fillojë një tjetër, dhe pasi e sheh atë që puna i vete mbarë, atëherë sulen të tërë të bëjnë po atë punë dhe me konkurrencën që bëjnë mes tyre, prishin shoqi-shoqin; për shembull, sjell njëri automobilë dhe nis e fiton; kur të shohësh pastaj nëpunësin, tregtarin, të pasur e të varfër që blenë automobilë, djemtë e vegjël që shërbëjnë pranë shoferëve tre a katër muaj; i marrin për shofer dhe u dorëzojnë makinat; ky shofer makinën në pak kohë e djeg, automobilin e shkatërron dhe shumë herë bashkë me udhëtarët bie nëpër hendekë. Punimet kësisosj s’mund të quhen tregti; u thyen kurajon iniciatorëve dhe i sjell dëm vendit.
Ujrat janë të shtetit dhe peshkimin financa e shet për një mot, ose më të shumtën, për tre vjet. Njerëz seriozë me kapitale nuk afrohen në këto adzhudikata, se fitimi ose humbja në këto punë varet nga koha, me shirat që bien; lesat që zënë grykat e mëngëve të detit për ndalimin e ikjes së peshkut janë provizore, të dobëta dhe i prishin shpejt lumenjtë që derdhen në ato mëngë; që kështu të sigurohet fitimi i sipërmarrësit të peshkimit.

Financës, buxheti nuk i mjafton, po edhe sikur t’i mjaftonte, nuk është e arsyeshme që t’i bëjë vetë këto ndërtime, se teknikët i mungojnë, puna s’bëhet si duhet dhe kushton më tepër.
Vetëm financa me specialistët mund të përgatisin projektet e përmirësimeve të vendeve të peshkimit. Peshkimin e nxjerr në adzhudikatë bashkë me goditjen e projektit, për aq kohë sa të jetë e duhur për amortizimin e kapitalit bashkë me interesin e tij. Me këtë mënyrë mund të sigurohet ndreqja e pasurive dhe shtimi i burimeve financiare.
Nga emigrantët që erdhën nga Turqia në Greqi, kish njerëz me kapitale e me zotësi për mjeshtrinë e peshkimit dhe vivaret e Greqisë u morën për disa vjet me peshkim nëmasë, po thua se dhjetë herë më tepër se ç’bëhej më parë. Siç kam marrë vesh, këta interesohen fort dhe dëshirojnë të marrin përsipër edhe vivaret e Shqipërisë.
Siç thamë edhe më sipër, në vendet e qytetëruara lumenjtë janë burim begatie, kurse në Shqipëri këta shtojnë varfërinë, janë pa zot, pa fre, të parregulluar; buçasin, mbytin fushat, prishin bimët, mbulojnë drithërat dhe katundet rreth e rrotull i lenë pa bukë; pakësojnë edhe të ardhurat e shtetit, u hapin punëra të pafundme zyrtarëve të vendit.
Me të vërtetë, buçitja e lumenjve të Myzeq esë, duket sikur sjell një dobi duke mbathur e duke ushqyer tokën, por kjo s’bëhet sipas nevojës, sipas rregullit, dhe kështu që dëmi që bën është më i madh se dobia.

Lumenjtë janë pa zot, thamë; por është e vërtetë se pronarët e tokave që u shkon lumi nëpër to, e përdorin si t’u thotë mendja; hapin vija për mullinj, për të ujitur, për të mbathur; e zënë lumin me gardhe; që të lartësohet uji e të rrjedhë në vijë; me këtë sistem mbaron punën e tij, por më tej?; në dimër ai zotni i vë kënetës zjarrin dhe as çan kryet se kur vjen lumi ç’dëme sjellin ato gardhe, ato vija që kish bërë në verë; ujët e le baltën përpara gardhit, e mbush shtresën, ndjek vijën që ish hapur, e zgjeron, e ndërron udhën, dhe merr një drejtim tjetër, nga fusha. Po të hedhim një sy në fushat e Shqipërisë, do të shohim shumë shembuj të tillë.
Shembujt më të dëmshëm dhe më të këqinj i shohim në fushën e Shkodrës. Një vijë mulliri ka shkaktuar që pjesa e më e madhe e Drinit të marrë udhën drejt Shkodrës dhe të rrjedhë në Bunë afër këtij qyteti. Në anën tjetër, Kiri ( një lumë tjetër që derdhet nga malësi e Shkodrës) më parë nga fusha e Shtojit derdhesh në liqen të Shkodrës, nga moskujdesi e ka lënë vijën e vjetër t’i afrohet qytetit, i ka prishur shumë tokë dhe derdhet në vijën e re të Drinit, që kështu, Drini edhe Kiri së bashku, rrjedhin në një pjesë shumë të madhe të anës së qytetit. Dihet fort mirë se sa dëme bëjnë këta dy lumenj në kohën e shirave.
Shpeshherë mbytin fushën dhe qytetin e Shkodrës gjer në atë shkallë sa nëpër rrugët e qytetit shkohet me barka. Nga kjo pakujdesi e vogël, do të shkaktohet edhe prishja e miliona frangave për të shpëtuar nga dëmet që po bëjnë këta dy lumenj dhe për të tharë valltot që kanë formuar, si dhe për të qëruar grykën e Bunës që derdhet në det, nga balta që është sjellë prej tyre dhe grumbulluar në gryka, e cila ndalon kajiket që të hyjnë në lumë.
Që në kohën e Turqisë po bëheshin projekte dhe hapa për të ndrequr ujrat e Shkodrës, por gjer më sot s’kanë marrë ndonjë përfundim. Në është se nuk do të vihet dot në veprim për së shpejti projekti i gjerë i ndreqjes së këtyre ujrave, atëherë, sipas mendimit tim, për të shpëtuar qytetin e Shkodrës nga rreziqet e ujrave, Kirit i duhet hapur kanal i vjetër të rrjedhë drejt në liqen, dhe Drinit t’i largohet vendi i bashkimit më Bunën, me anën e një kanali prej dy a tri kilometrash të gjatë.
Prefektët, nënprefektët, primatët dhe inxhinjerët duhet të përkujdesen e të mos i lenë botën të përdorë lumenjtë si ç’jua do interesi i veçantë, por të veprohet siç e do teknika.
Në fushën e Myzeqesë dhe Kavajës që rrjedhin Shkumbini, Semani, Vjosa, shihet çudia më e madhe. Kur buçasin këto lumenj, pothuajse e mbysin fushën plotësisht; Semani zë e rrjedh drejt Shkumbinit; një pjesë e ujrave vete në kënetën e Tërbufit, aty bashkohen të dy lumenjtë. Tërbufi rritet sa vete gjer afër Lushnjes. Katër të pestat e fushës së Myzeqesë nuk mbillen; ajo fushë aq e gjerë ka popullsi fare të pakët, nga shkaku i malarjes. Edhe ata që ndodhen atje janë të verdhë, të sëmurë, të pafuqishëm, e sidomos jo të zotë për punë; në atë fushë pjellore.., shkojnë dëm një jetë mizore, rrojnë në ujë dhe në baltë, vdesin për bukë.
Valltot që përbëjnë këta lumenj janë burim i gjithë këtyre fatkeqësive. Është për t’u habitur se në pranverë a në vjeshtë, fusha mbytet me ujë, kurse në verë, në atë fushë, le që s’është bërë gjë për të ujitur bimët, por nuk gjindet ujë për të pirë kafshët, dhe kështu digjen dhe kanë mbetur të regjura.
Shkaku i mbytjes së fushave që janë anës detit është se lumenjtë zbresin nga vende të larta dhe zvarrisin dhenë; kur vijnë në fushat që janë fort të sheshuara, e lenë baltën dhe mbushin grykat ku derdhen në det, mufatet lumi dhe merr një udhë tjetër; gropat që gjen në fushë i mbush dhe formon valltot; nga ana tjetër bregu i detit të Shqipërisë, nga valët e Adriatikut mbushet. Është shumë e lehtë për të shpëtuar fushat nga kjo gjendje e vështirë; po të sillen dy draga (makina që gërmojnë dhenë) dhe në kohërat e nevojshme me anën e tyre të qërohen grykat; atëherë uji i lumenjve rrjedh lirisht dhe nuk përhapet nëpër fusha.
Dragat mund të hyjnë edhe brenda në lumenj, t’a qërojnë shtresën, dherat t’i radhitin në të dy anët dhe kështu të formohen shtresat definitive të lumenjve; po të priten edhe brrylet e ngushtë, atëherë barkat të tërhequra prej një vapori të vogël me motor, mund të lundrojnë në Vjosë gjer afër Tepelenës; në Seman gjer në Urën e Kuçit, ku bashkohen Devolli me lumin e Beratit ( 16 kilometro nga ky qytet); në Bunë gjer në Shkodër.
Si të rregullohen lumenjtë, kënetat thahen shumë lehtë; disave duke hapur kanale për në det, ose në lumë, disave që janë të thella, duke lëshuar lumi brenda dhe me baltën që do të lerë mbathen gropat, humbet valltoja.
Këto lipsen të bëhen pas një studimi dhe si përgatitet projekti, Ministria Botore edhe vetë mund t’a bëjë këtë gjë; dy draga më tepër se 300 000 fr. ari nuk kushtojnë. Mali i Zi kishte nga këto makina me të cilat hapte grykat e lumenjve që rridhnin në liqen të Shkodrës; hapte dhe kanale e thante kënetat. Më e mira do të jetë që Ministria Botore të sjellë specialistë me kontratë për një kohë të caktuar, të bëhen studimet e duhura dhe të përgatiten projektet, të cilët do të përmbajnë rregullimin e lumenjve, tharjen e kënetave dhe kanalizimin për ujitjen e tokave.
Qeveria, si të ketë këto projekte në dorë, i vë në zbatim me sistemin që t’a shohë më të arsyeshme. Sipas mendimit tim, sistemi më i mirë është ekzekutimi i punës me anën e një shoqërie.
Turqia më 1911, me anën e një shoqërie, bëri kanalizimin për ujitjen e fushës së Konjës, për një milionë lira turke që të paguheshin për 20 vjet; këto të holla ia ngarkoi tokës që do të përfitonte nga ujitja; me këtë mënyrë, çdo hektar toke i ra një shumë fare e vogël që do të paguante për mot, dhe do ta lante për 20 vjet; ajo fushë që ishte një shkretëtirë në atë kohë, sot është bërë si një kopsht.
Është turp nga bota dhe mëkat prej Zotit kur kemi këta lumenj dhe fushat pjellore që japin oriz, pambuk, duhan dhe të tjera nga llojet më të mirë të botës, dhe ne shumë herë për ushqim sjellim edhe kallamboq nga jashtë.
Me një kanal që do të fillojë afër Peqinit duke marrë ujë nga Shkumbini, mund të ujitet fushë e Kavajës e të mbillet oriz sa të mjaftojë për gjithë Shqipërinë dhe të nxirret edhe jashtë. Po, në këtë lumë, me një kanal tjetër që të nisë nga Rrogozhina, ujiten Çerma dhe fusha poshtë; të dy anët e Shkumbinit ujiten. Kjo punë s’do kapitale të mëdha dhe punime të rënda dhe jep fitime të mira. Elbasani, Berati, Durrësi kanë njerëz mjaft të pasur që mund të venë kapitale për të bërë këto dhe kësisoj punëra të lehta dhe fitimprurëse.
Korçarët e hodhën hapin e parë për punëra të këtilla; vunë kapitale, formuan shoqëritë për elektrik dhe për tharjen e liqenit të Maliqit; këto punëra janë shumë më të rënda nga kanalet që shënuam më sipër.
Për përparimin e vendit, për lumturinë e popullit, çdo gjë s’lipset të pritet vetëm nga qeveria. Të pasurit dhe të diturit duhet të bashkohen, të marrin iniciativën e punërave; atëherë qeveria, pa dyshim, këto shoqëri do t’i përkrahë, t’i ndihmojë dhe do t’u japë lejë ose konçesione me kushte më të lehta se ç’mund t’ jepen të huajve. Për këtë gjë, shembullin e shohim në konçesionin e dhënë me lehtësirat më të mëdha dhe kënaqësi më të plotë.

o i ndrituri yne o inxhinjeri yne odietari yne ,edhe sot ne keto dite qe lexojme kete mendim tend te nditur egziston akoma…i ndrituri yne po ata njeres qe ju i kini bere thirje ne ate kohe po ata njeres jane sot…juve flisni per kohen e turqise ,por ne o inxhineri nga ata njeres te asjaj kohe dhe mos me keq po na qeverisi sot ..shkodra eshte akoma me keq sesa ajo kohe..i pa haruar kujtimi juaj profesor por shkodra qe permendni ju aq shume respekt permbytet tre her ne vit e shkodra [ jo e gjitha ]perpara liderit te tyre nuk duan te dine se shkodra permbytet..sikurte ishe gjalle c do tu thoshe shkodraneve///anadollaku qe kemi sot i ka vene zjarin c do gjeje dhe neve bejme duat cope c do te thote kjo ..kemi te mencur kemi te zgjuar sa te duash po ne keto momente nuk eshte kohe e tyre eshte kohe e maskarenjve i ndritur kujtimi juaj profesor