Historia e Margarita Kostaqit ka shënuar një rekord leximesh dy ditët e fundit dhe kanë qenë të shumta gjithashtu reagimet dhe komentet që kanë mbërritur në redaksi.
Një nga reagimet është ai i mjekut Lutfi Zhegu:
“Në atë periudhë kur do të përjashtohej Margarita Kostaqi nga partia, kam qënë i deleguar i Komitetit të Partisë të rajonit nr.1 në Tiranë, në organizatën e partisë të spitalit. Porosia nga komiteti i partisë i rajonit dhe i rrethit Tiranë ka qënë që Dr. Margarita (ndjesë pastë), të mos përjashtohej nga partia.
Organizata e partisë u nda në dy grupe: Për përjashtim ishte Sali Berisha, Nesti Kondili, Servete Kërçishta. Kryesori ishte Dr. Berisha. Këta e akuzuan për mendjemadhësi, dashnore e ish ministrit LLambi Ziçishti, apo përgjime telefonike në Francë, gjëra të tilla.
Kundër me sa më kujtohet, Dr. Fatos Panariti, i cili edhe ky më vonë u kthye ne kandidat partie. Mbas dy mbledhjesh të organizatës së partisë, kontaktova me sekretarët e partisë së rajonit. I thashë se më është bërë shumë e veshtirë të merresha me Sali Berishën dhe grupin e tij të akuzuesve.
Pas kësaj mbledhjet i drejtoi Xhemal Tafaj. Përjashtimi nga partia i Dr. Margaritës ishte dhe me rekomandim nga klinika speciale (e udhëheqësve të partisë).
Jam takuar me të ndjerën Margarita në vitin 2005 dhe e pyeta pse nuk ankohej për të drejtën e saj. Pergjigja ishte: “Ja kam lënë perëndisë”! Për disa nga emrat që ju përmendni në artikull, shumica kanë qënë oportunistë përveç Panaritit.
Vetkuptohet, trysnia e asaj kohe dhe rrebeshi i sekretarit të partisë. Më vjen keq per profesor Popen i cili u bashkua me këtë vendim. Sigurisht, ky mendim i profesorit ka qënë i rekomanduar.
Ngjarja e vitit 1982, regjistrimet e kolegëve të Margaritës dhe Berishës
Regjistrimet me kamera të fshehtë për “dosjen Margarita” në 2010, kanë një të përbashkët. “Mos më ngatërro me këtë histori” – kjo është fjalia që e thonë thuajse të gjithë.
Pas botimit të djeshëm të dëshmisë së vetë Margaritës, DITA sjell sot pjesë nga 5 dëshmi mjekësh që kanë folur rreth ngjarjes. E pohojnë atë që ka ndodhur dhe përmendin të gjithë mjekun Sali Berisha, por bie në sy që duan të shkëputen menjëherë nga intervistuesja:
Pjesë nga dëshmia e regjistruar nr.1 (mjeku B.S.)
Gazetarja regjistruese: Unë dua të bëj diçka për Margaritën dhe Milton, doktoreshën e zemrës që ju keni qenë në një organizatë.
Mjeku: Kjo është përjashtuar nga partia më 82-shin. I keni hyrë një valleje që do të thyeni qafën.
– Pse?
– Është me pasoja Margarita.
– Pse?
– Kur të kesh mbaruar punë me Margaritën eja dhe fol me mua pastaj. Prandaj po të them që i ke hyrë një pune me bela… Këtu është i implikuar Saliu, implikohen shumë anëtarë të një organizate. Pra ishin të involvuar në këtë problem…
– Po çfarë ka ndodhur tamam në atë mbledhjet e organizatës së partisë?
– Pikërisht kjo… (nuk kuptohet)
– Ju vetë si e njihnit Margaritën?
– Thjesht e njihja në punë. Di që atëherë janë bërë shumë mbledhje, di që kemi bërë 7 ose 9 mbledhje të tilla, di që vinin nga komiteti i partisë vazhdimisht për të zgjidhur problemin sepse deri sa erdhi dhe Xhemal Tafaji. Se me atë u zgjidh si të thuash problemi sepse nuk bihej dakord me ato vërejtjet që kishin për të. Kështu që ndonjë njohje të madhe me Margaritën nuk kam. Në organizatë mbaj mend se e sulmonin shumë. Unë nuk isha në asnjë grup se aty kishte dy palë që u thelluan pas vdekjes së Mehmet Shehut. Nuk isha as me ata që e mbronin dhe as me ata që e sulmonin. Por më dukeshin gjëra jo normale, gjëra të stisura. Diskutonin se ishte e përfshirë në veprimtari armiqësore. Sipas njërit grup ishte e përfshirë se kishte miqësi me Llambi Zeçishtin. Grupi tjetër thoshte se nuk dimë gjë. Ku ta gjejmë të vërtetën? Ku ta gjejmë të vërtetën? Si mund ta akuzonin një njeri sepse ka miqësi me dikë? E dimë ne, – na thoshin ata, – sepse ne jemi që punojmë në Bllok dhe e dimë ne këtë histori… Ne si puna ime për shembull rrinim dhe dëgjonim ç’thoshte njeri apo ç’thoshte tjetri… Por Margarita qe trime, ajo i ka rezistuar në mënyrën më dinjitoze, historike, unë do të isha dorëzuar për veten time.
– Por pse nuk mund të flas për këtë punë, qoftë dhe për vlerësimin që keni për Margaritën?
– Jo, jo. Nuk dua të përfshihem në këtë histori. Pastaj ua thashë në fillim, mbaro punë me Margaritën dhe eja flasim prapë. Nuk dua të përmendet emri im në këtë çështje. Kaq sa jua thashë e bëra për t’ju ndihmuar juve.
Pjesë nga dëshmia e regjistruar nr.2 (mjeku F.P.)
– E takova në mëngjes. Më tha që mos u afro, për Margaritën ishte muhabeti. Ndodhi ajo që ndodhi në darkë, pastaj u organizuan mbledhjet. Duke mbajtur atë qëndrim që dihej. U mblodh organizata 30-40 veta… Tek spitali 6-katësh atje u hodh mendimi që t’i viheshin Margaritës. Pastaj u dha orientimi se si do të organizohej mbledhja, si, qysh, tek do të bëhej. Ata thonin se duhej të përjashtohej nga partia dhe ne ngrinim duart.
– Pse ishte e rëndësishme përjashtimi nga partia?
– Pasi përjashtohesh nga partia automatikisht ishte e çmontuar nga çdo problem. Aso kohe Margarita ishte kthyer në një gur të mirë dhe unë kisha disa probleme. Të gjithë u futëm në këto linja dashje pa dashje. Në këtë mbledhje ishte për t’u përjashtuar edhe Ilir Bezarti po Berisha tha që të shkojë 6 muaj në prodhim për mua.
– Çfarë ishte Berisha në atë kohë?
– Ishte anëtar i organizatës dhe njëkohësisht në spital. Brenda ishte dhe një byro e madhe, ishte anëtar i byrosë së spitalit. Byroja kishte disa organizata pastaj vajti nga spitali tek fakulteti, gjithë këta që ishin pedagogë krijuan një organizatë të madhe partie që varej nga spitali. Na kapte rajoni nr. 1 që drejtohej nga Xhemal Tafaji.
– Sa zgjatën këto mbledhje?
– Një orë e gjysmë. Margarita ishte një grua e fisme që kishte çarë me aftësitë e veta, kurajoze. Ajo e mbajti veten po jo në atë shkallë… Se.. “Mjaft se të dëgjuam”… “E dimw çdo të na thuash” Dmth ia ndërpritnin muhabetitn
– E ke takuar më Margaritën?
– E kam takuar një herë në ’94.. Me tha: “Fatos nuk ta harroj kurrë”. I thashë se nuk e kupton se ishte koha. Ne udhëzim kishim marrë…. Që ta kuptosh, mbas Margaritës më erdhi radha mua prandaj ta lidha me Ladin. Se kështu ishte ajo kohë. Disa gjëra duhet t’i pranojmë na vjen apo s’na vjen mirë.
Pjesë nga dëshmia e regjistruar nr.3 (M.J. anëtar i organizatës së partisë, mjek)
“…Po shiko, puna e Margaritës ishe pak ndryshe sepse në fakt për transferime nuk ndodhte që bëheshin mbledhje të organizatës së partisë por puna e saj ishte ndryshe, ose ishte komuniste dhe mjeke shume e zonja.
– Po pse ishte ndryshe puna e Margaritës?
– Po se i shoqi ishte mjek në byronë dhe kjo nuk ishte pak për kohën. Megjithatë në këtë punë u bashkuan shumë interesa.
– Por çfarë akuzash u janë ngritur në mbledhje?
– Nuk e di nuk kam qenë unë në asnjë prej këtyre mbledhjeve. Thjeshtë kjo ngjarje bëri bujë se Margarita ishte mjeke shumë e mirë, por asaj nuk është se iu hoq e drejta e profesionit. Por ju kot e keni nisur këtë punë se nuk do të nxirrni gjë në shesh, sepse pothuajse është e pamundur të nxjerrësh gjë nga kjo histori. Dokumente nuk ekzistojnë, ata që e dinë mirë këtë punë nuk flasin.. Kështu që them më mirë ta lësh fare, për të mirën tënde them.
– Po mirë, doktor a mund të përmend emrin tuaj, qoftë për vlerësimin që ju keni si mjek për Margaritën?
– Jo, absolutisht nuk dua të përfshihet emri im në këtë histori, qoftë edhe për mirë.
– Doktor a mund të më thoni, përse këdo që pyes për këtë dosje të gjithë kanë frikë?
– Nuk di ç’të them por unë për veten time jam në një moshë që nuk e mbaj dot drurin moj vajzë. Le që edhe ti nuk do të nxjerrësh gjë nga kjo histori sa do që të këmbëngulësh…
Pjesë nga dëshmia e regjistruar nr.4 (R.K. ish-drejtor i Spitalit, anëtar partie)
– Doktor kam nevojë të më ndihmoni mbi historinë e Margarita Kostaqit?
– Çfarë…
– Dmth, cilët qenë arsyet që ajo u dëbua nga Tirana, dhe çfarë është diskutuar në mbledhjet maratonë të aso kohe?
– Në fakt unë edhe pse kam qenë drejtor i spitalit nuk ishte e domosdoshme që unë të merrja pjesë në mbledhjet e organizatës së partisë. Në fakt merrja pjesë vetëm kur më thërritnin por nuk më kujtohet të kem marrë pjesë në një nga këto mbledhje. Ajo që di është se përjashtimi i Margaritës u përfol gjatë pasi vërtetë ishte një mjeke e zonja.
– Por cilat ishin arsyet?
– Po ja, Miltoja ishte mjek personal i Mehmetit dhe pas vetëvrasjes së tij kuptohet që…
– Po çne që mbledhja në organizatën e Partisë është bërë për Margaritën, dhe jo Milton se në fund të fundit ai ishte mjeku i Mehmet Shehut?
– Po si të them, ndoshta u grumbulluan të gjitha…
– Përflitet që në këtë histori ka gisht Berisha?
– Janë pleksur shumë gjëra por unë nuk di ç’të them. Madje është e pamundur sot që të zbardhësh këtë histori apo të ngarkosh me faj dikë pasi situata është aq komplekse saqë thuajse është e pamundur. Megjithatë ti duhet të pyesësh njerëzit që kanë qenë në atë mbledhje…Mua nuk dua të më përfshish në këtë histori. I kam miq të dy palët kështu që të lutem mos më përfshi në këtë histori….
Pjesë nga dëshmia e regjistruar nr.5 (Gj.C. okulist, mjek i Byrosë)
– Doktor dua ndihmën tuaj për një shkrim që po bëj, për Margaritën?
– Kë Margaritë?
– Margarita Kostaqin dhe bashkëshortin e saj…
– Po pse më pyesni mua për këtë çështje?
– Po ja mua më thanë se ju keni qenë anëtar dhe më pas sekretar i organizatës së partisë dhe unë doja të dija ç’farë ka ndodhur me të?
– Po ju pse më pyesni mua, pyesni Saliun për këtë punë, ai i di..
– Në fakt, Berisha ka thënë se nuk ka qoftë dhe një njeri që ka internuar në kohën e tij…
– Kur e tha?
– Po para ca kohësh.. Në fakt si qëndron puna me Margaritën?
– Po ç’të them unë. Në fakt nuk dua të përzihem në këtë punë, sepse as që e mbaj mend. Ka kaluar një kohë e gjatë dhe kush i kujton tani….
– Përse mbledhja për përjashtimin e Margaritës është bërë 7 muaj pas vrasjes së Mehmet Shehut?
– Kuptohet që këtu janë dhe gjëra të tjera por unë nuk di…
– A ka pasur një rivalitet ndërmjet Margaritës dhe Berishës?
– A ka ndikuar Berisha në dëbimin e Margaritës?
– Po ju takoni Margaritën, çfarë thotë ajo për këtë punë se më mirë se ajo askush tjetër nuk e di si kanë rrjedhur ngjarjet. Unë nuk dija shumë se bëja pjesë dhe në klinikën speciale dhe ne vetëm llafet dëgjonim që na vinim.
– Po kaq sa folëm a mund të përfshij emrin tuaj?
– Jo, jo. Absolutisht qoftë edhe për mirë unë nuk dua të jem në këtë histori. Duhet të gjesh persona të tjerë. Mirë ketë punë e di Xhemal Tafaji, por ai ka vdekur. Është dhe një mjek tjetër por dhe ai ka ikur në Amerikë. Nuk di ç’të them. Por unë nuk dua të përfshihem në këtë histori.
Rasti i Margaritës dhe një deklaratë e Ramës
Rasti i Margarita Kostaqit është përmendur shumë pak në median dhe politikën shqiptare. Edi Rama që e ka përmendur këtë rast shkarazi, duke komentuar një vendim të Berishës për të ngritur një “muze të diktaturës”.
Shkruan Rama:
U bënë njëzët vjet që Saliu flet për një muze të diktaturës, pa ditur as ç’do as ç’thotë, po e nxjerrë nga goja sa herë i duhet të hedhë një gurë çoroditës kur lumi i debateve futet në rrjedhën që nuk e dëshiron….
Është rritur me atë frymë dhe i ka ngjitur me atë frymë shkallët e besimit të Byrosë Politike duke mos u ndalur përpara asgjëje, duke u bërë kanakari i zemrës së udhëheqjes komuniste dhe persekutori i kolegëve të tij, dy prej të cilëve u degdisën në fshatrat e Kavajës çiftë të shkretët, burrë e grua, me kamion me gjithë shtëpinë mbi karroceri, syrgjynosur vetëm e vetëm prej zellit fanatik të një sekretari partie që habiti edhe vetë Komitetin Qendor me ngulmimin e tij.
Dhe që ishte ky vetë, varrmihësi i çdo vlere morale të politikës së pas vitit ’90, prurësi në demokracinë e sapolindur i dyfytërësisë së skajshme ngritur mbi artin e mashtrimit….
——–
Botuar në DITA. Vijon nga numri i kaluar. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen e redaksisë dhe.pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit
keta “anonimet” me iniciale jane mjeke, intelektuale te pavarur. Nuk duan tu permendet emri. Kane frike e mos ua mesojme emrin ne lexuesit, se kane qene 1 miliard mjeke aty rrotull dhe Berisha s’i gjen dot. E pastaj shajne popullin qe s’ka kuraje. Por qe te jemi te shkoqur ne llafe, keta heshtin se kane frike nga humbja e privilegjeve pikesepari. E pastaj e dine mire qe Saliu eshte hafije i dosjeve dhe sulmon qenshe. Dmth, te na rrojne teveqelet, se trimat i mori plumbi.
yfffffff ndonje plaku ne shtratin vdekjes ia keni nxjerre keto