Është gjithmonë Pejiç, Kukësi “prek” finalen

redaktor

The Kukësi, ke thënë Pero Pejic. Sulmuesi kroat rezultoi vendimtar edhe në takimin e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, pasi shënoi golin e vetëm të takimit, që e bën skuadrën verilindore favorite për të prekur finalen. Në një impiant të boshatisur për shkak të pezullimit të fushës, Skënderbeu nuk arriti ta shmangte humbjen, që ia vështirëson edhe më shumë çështjen e kualifikimit.

Një tjetër betejë e fituar nga 32-vjeçari ndaj ish-skuadrës së tij, që duhet t’i paguajë gati 15 mijë Euro për shkak të detyrimeve të prapambetura nga sezoni i kaluar. Në kampin kuksian, Shaqiri kishte luksin të aktivizonte formacionin më të mirë të mundshëm, ku në vijën u parë Pejiç mbështetej nga treshja Pit-Zeqiri-Lushtaku.

Që në minutën e 4-t, korçarët u shfaqën të rrezikshëm në zonën e Kukësit, ku Martins ftoi në gjuajtje Sabien Lilajn, por topi i goditur që prek mesfushorin u ndal nga shtylla. Në vijim të aksionit provoi edhe Abazi, por finalizimi i tij la për të dëshiruar. Kundërpërgjigjja e Skënderbeut ishte e menjëhershme. Pero Pejic, pasi stopoi saktësisht një top të ardhur nga thellësia, la pas bashkëkombësin e tij Radas dhe Jashanicën me një lëvizje të bukur dhe përballë Shehit e dërgoi topin në rrjetë ngjitur me shtyllën e djathtë.

Në minutën e 28-të, braziliani Pit provoi me një diagonale të fortë nga e majta e sulmit kuksian, por topi si në rastin e Lilajt u ndal nga shtylla. Pjesa e parë u mbyll me një depërtim të bukur të Radas në qendër të zonës së Kukësit, por goditja e tij përfundoi mbi tra.

Pjesa e dytë nisi me një moment të vështirë në portën e Skënderbeut, por Lushtaku pas një sllallomi që nga mesfusha nuk e shënjestroi si duhet portën e korçarëve. Pak çaste më vonë provoi edhe Dushku, por Shehi i mohoi golin. Me kalimin e minutave Josa hodhi në fushë dy sulmuesit Stojkov dhe Sefa, për të rritur forcën goditëse, por formacioni i Artim Shaqirit, u mbrojt mirë, duke mos lejuar prekjen e rrjetës, edhe pse në minutat shtesë u desh ndërhyrja vendimtare e Halilajt për të shmangur një gol të sigurt pas goditjes me kokë të Stojkov. Pavarësisht kësaj humbjeje, Skënderbeu ka shanse të mira për t’u kualifikuar në finale, por duhet të fitojë me dy gola diferencë në sfidën e kthimit që do të luhet pas dy javësh në Korçë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *