Është krijuar ideja se…në qarkullim ka monedha false

anazapta

Kishte dhjetë ditë që qarkullonin fjalë se mes nesh ka… monedha 20 lekëshe false. Duhej dhe një lajme në media e  ja ku na u mbush mendja top. Thoshin që kanë shkëlqim më të lartë dhe janë më të lehta. Madje në disa pika të këmbimit valutor ishte dhënë urdhër nga eprorët që të mos pranoheshin se mund të jenë të falsifikuar. Ne të “Ditës” u nisëm për të gjetur dhe për të vërtetuar këtë ide. Qytetarët thoshin që: “Po kemi dëgjuar, më kanë rënë dhe mua në dorë, po po, ekzistojnë!”. Shkuam në një pikë të këmbimit valutor pranë “Shallvareve” dhe u interesuam nëse e kishin hasur diçka të tillë dhe a ishin të shqetësuar për këtë fakt. Pronari i saj, një njohës i mirë i lekut, na u përgjigj shkurt: “Nuk ka mundësi që të falsifikohet kjo monedhë, pasi ai që do e bënte nuk do të fitonte asgjë. Kush vete dhe e shtrydh këtë. Ka kosto. Nuk është e mundur sepse nuk do ndërmerrte askush këtë mision. Unë për vetë nuk kam venë re, por dhe nuk e besoj. Marr dhe jap 20 lekësha gjithë ditën”, e mbyll ai sqarimin e tij, ndërsa në radhë pret klient.

Po ashtu ishte krijuar ideja se… Posta Shqiptare në punën e saj të përditshme nuk e pranonte fare monedhën 20 lekëshe, si pasojë e kësaj legjende urbane, që mes tyre ka edhe të falsifikuara. Shkuam në Postë. I morëm me radhë të gjitha sportelet e saj. Askush nga ato nuk ishte në dijeni të falsifikimit dhe ato punonin normalisht me këtë monedhë. Një nga sportelistet e postës shpjegon se, nuk janë të falsifikuara, por ka dalë prerje e re dhe na dha mundësinë të kemi një prej tyre në dorë. Një vajze e re, kliente e momentit në Postë, ndërhyn duke pohuar se edhe asaj i kishte rënë në dorë ky lekë fals. Ajo na rrëfen me detaje ndryshimet: “Së pari, ngjyra është më e verdhë sesa ajo e të zakonshmit. Falsi ka një peshë më të lehtë sesa origjinali, i cili është 5 gramë. Dhëmbëzimi anësor është i rregullt tek origjinali dhe jo i rregullt te falsi. Po kështu, origjinali është më i madh sesa falsi, edhe pse ndryshimi është thuajse i papërfillshëm. Viti i shtypjes që mban monedha false është ai i 2012, ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka filluar shtypjen në këtë format që nga viti 2002”. Ups! Ia kërkuam provën fizike. Nuk e kishte. Na tha me krenari se ja kishte “ngecur” fatorinos së urbanit.

 

Hapi tjetër? Banka e Shqipërisë

U lidhëm me zëdhënësen e këtij institucioni, e cila me qetësi na sqaroi që në fillim se nuk bëhet fjalë për lekë të falsifikuar, por për hedhjen në treg të një monedhe të re. “Ne nuk kemi asnjë ankesë nga asnjë institucion deri më tani. Nuk bëhet fjalë për falsifikime, por për prerje të reja të së njëjtës monedhë. Gjithsesi do ju nis një njoftim zyrtar për këtë shqetësim që iu ngrini”, e mbyll sqarimin e saj, zëdhënësja e Bankës së vendit.  Më tej nga njoftimi mësuam se në 25 qershor të këtij viti është hedhur në qarkullim monedha metalike shqiptare me vlerë nominale 20 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2012.

 

Njoftim: Monedha e re ka më tepër shkëlqim dhe kontur më të gjerë

Banka e Shqipërisë njofton publikun shqiptar se në datën 25 qershor 2013 është hedhur në qarkullim monedha metalike shqiptare me vlerë nominale 20 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2012. Rishtypja e monedhës metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 20 lekë është miratuar me vendimin nr.08, datë 15.02.2012 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Monedha metalike e re, me vlerë nominale 20 lekë, emetim i vitit 2012, ka të njëjtat pamje, ngjyrë, peshë dhe përmasa me monedhën metalike me vlerë nominale 20 Lekë, emetim i vitit 1996, hedhur në qarkullim më 01.01.1997 dhe rishtypjen e saj në vitin 2000, hedhur në qarkullim më 01.01.2001. Ndryshimet në emetimin e fundit janë ai i lëndës së parë, nga aliazh me përbërje bakër, alumin dhe nikel, në çelik të veshur, si dhe viti i emetimit në trupin e monedhës metalike është “2012”. Duke filluar nga data 25 qershor 2013, monedha metalike me vlerë nominale 20 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2012, përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, të emisioneve të mëparshme. Duke qenë një monedhë e sapoprodhuar, monedha metalike 20 lekë, emetim i vitit 2012, ka më tepër shkëlqim krahasuar me monedhat e tjera në qarkullim, të cilat nga përdorimi i gjatë dhe nën ndikimin e agjentëve atmosferikë kanë zbehur disa nga vetitë e tyre fillestare. Gjithashtu, konturi rrethues i saj është lehtësisht më i gjerë në pjesën e brendshme të saj, pa ndryshuar diametrin apo trashësinë e monedhës. Ky zgjerim i lehtë i konturit rrethues i jep monedhës më tepër kontrast dhe ndihmon gjithashtu në rritjen e jetëgjatësisë së saj. Një ndryshim i tillë është zbatuar me sukses dhe në monedhën 5 lekë, emetim i vitit 2011. Banka e Shqipërisë thekson gjithashtu, se referuar statistikave të saj, nga viti 1992 e deri sot, për prerjen e monedhës metalike 20 lekë, me kurs ligjor, nuk ka pasur asnjë rast falsifikimi. Informacione të mëtejshme, mund të merren nga publikimet e Bankës së Shqipërisë, pranë çdo banke tregtare dhe zyre të këmbimit valutor që operon në Shqipëri.

 

Share This Article
3 Comments
  • Pika Bankes sone!!! Eshte qesharake se si nje zedhenese e Bankes (nuk eshte faji i saj, te kuptohemi) vetem pasi media i kerkon sqarim thote: “Gjithsesi do ju nis një njoftim zyrtar për këtë shqetësim që iu ngrini”.

    Nderkohe qe eshte gjeja me normale ne bote, qe banka jone, me jave te tera para se te hidhej ne treg monedha e re duhej te kishte bere cdo dite lajmerime ne gazeta, stacione tv qe i kemi me aq shumice, per kete event, ne menyre qe njerezit te mos coroditeshin.

    Drejtuesit e bankes mire qe nuk dine, por te pakten te mesojne nga koleget e tyre europiane, se jashte shtetit e kalojne shumicen e kohes. Nuk ka as dy muaj qe u vu ne qarkullim kartemonedha e re e 5 Euro-shit. Me jave te tera perpara, cdo dite, u lajmeruan njerezit permes medias. Madje edhe per modalitete shoqeruese si p.sh. a do te jete kartemonedha e vjeter e vlefshe dhe deri kur, etj.

    Tung,
    Blendi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *