Eshtë zgjedhja jote

anazapta

PYETJE

Doktor, jam një vajzë virgjëreshë tetëmbëdhjetë vjeç dhe i dashuri insiston të bëjmë seks bashkë. Ne kemi tetë muaj që njihemi dhe ai më thotë se ka pritur shumë.  Ideja që të bëj seks në këtë moment më shqetëson, sepse më trembin pasojat. Përpiqem ta bind veten, se duke bërë seks të mbrojtur nuk do të kemi pasoja, por, të them të vërtetën, ndjej se tani nuk jam gati për seks, edhe pse një zë i mekur brenda meje më thotë: “Pse shqetësohesh? Seksi nuk është ndonjë gjë e madhe.” Unë e di që nuk është një gjë e madhe dhe shumë shoqe të mia bëjnë seks, por unë e vlerësoj si gjë të madhe dhe dua që të pres edhe ca kohë. Kam vetëm një jetë për të jetuar dhe dua ta jetoj atë në rregull. Kam bërë gjëra për të cilat jam penduar, por kjo më duket se ka shumë rëndësi për mua. Shpesh fantazoj sikur bëj dashuri me dashnorin dhe ndjehem mirë, por kryerja e aktit më shqetëson shumë.   Për të gjitha këto që u thashë kam dy pyetje për ju: a- A mendoni se frika që kam nga seksi është e panatyrshme dhe pasojë e mënyrës si unë jam rritur? b- Çfarë të bëj që t’i harroj gjithë ato histori pendimi dhe dhimbjesh të herës së parë, që kam dëgjuar nga shumë vajza dhe ta dorëzoj trupin tim tek djali që dua.

PËRGJIGJE

O vajzë konfuze!

E kuptoj, ti ke zgjedhur të mos bësh seks tani dhe për mua, ky është një vendim i arsyeshëm, që meriton të mbështetet edhe nga dashnori yt. Letra jote tregon qartë, se ti dëshiron të presësh akoma. Ti e ndjen këtë sepse kjo është bindja jote, se këto janë vlerat e tua, pse jo dhe frika që ke për pasojat. Kjo është zgjedhja jote dhe kjo meriton të respektohet e të dëgjohet, pavarësisht, se çfarë qëndron pas saj.

I dashuri yt ndjen se është gati të bëjë seks. Ky  është, gjithashtu, një vendim i tij korrekt. Në këtë moment, ju të dy ndjeni në mënyra të ndryshme lidhur me seksin. Do të bënit mirë të vazhdonit të diskutonit akoma me njëri-tjetrin për këtë çështje dhe të përpiqeni të kuptoni dëshirat e njëri-tjetrit. Kjo, besoj, do t’u ndihmojë të forconi miqësinë.

Është shenjë e mirë, që në fantazitë e tua ti kënaqësh kur mendon se bën seks me djalin që do. Kjo është me rëndësi dhe do të të ndihmojë kur do të vendosësh të bësh seks. Kjo është, gjithashtu, një mënyrë që u jep juve kënaqësi seksuale.

Një ditë, pa dyshim,  ti do të vendosësh të “dorëzohesh” dhe të bëhesh aktivisht seksuale me djalin tënd. Ditën kur do të ndodhë kjo do ta vendosësh vetë.  Të marrësh vendim për të bërë seks, në fakt, për shumë njerëz, është një vendim me rëndësi dhe nuk je ti e vetmja që e provon këtë  konfuzion. Për të sqaruar ndjenjat e tua, bëj vetes dhe dashnorit këtë pyetje: Ne do të bëjmë seks bashkë për shumë vite, pse të ngutemi? Ndërkohë që do diskutoni dhe do të përpiqeni t’i përgjigjeni kësaj pyetje, të tjera pyetje do të dalin për t’i diskutuar si këto: Çfarë kuptimi ka seksi në marrëdhënien tuaj? Çfarë duhet të ndjej për një person me të cilin do të bëj seks? A jemi të përgatitur për të praktikuar seksin e sigurtë? A duam të bisedojmë hapur për ndjenjat tona përpara dhe pas bërjes seks herën e parë.

Diskutimi i këtyre çështjeve para se dy dashnorë do të bëjnë seks, duhet të jetë një bisedë intime dhe e këndshme. Ajo duhet t’u ndihmojë të informoheni në mënyrë të ndërsjelltë për ndjenjat, dëshirat, shpresat, fantazitë, dijenitë dhe sofistikimin tuaj seksual. Kjo bisedë duhet të hapë rrugën për marrëdhënien tuaj seksuale. Madje, kjo bisedë, do t’u ndihmojë të bëni  parashikimin më të mirë, për vlerat që do të ketë marrëdhënia juaj në të ardhmen.

 

Diskutimi Para Seksit, duhet të jetë më shumë se sa vetëm pyetja: “ A ke prezervativ?”. Diskutimi Para Seksit, kur kryhet mirë, minimizon rreziqet dhe maksimalizon kënaqësitë prej seksit. Ky diskutim duhet të përfshijë:

 

1-Kuptimin që ka seksi për ju të dy.

2-Të vlerësojë rreziqet e aktivitetit seksual, siç janë parandalimi i sëmundjeve infektive seksuale dhe i shtatzënive të padëshirueshme.

3-Në këtëdiskutim, ju të dy, duhet të bini dakord nëse do të bëni, ose jo seks bashkërisht.

4-Ky diskutim duhet t’u ngucë për ndershmëri të ndërsjelltë, sepse seksi pa ndershmëri nuk ka kuptim, nuk zgjat për shumë kohë dhe nuk ka gëzim.

 

Kur ju të dy do të përfshiheni në marrëdhënie seksuale, zemrat tuaja duhet të rrahin bashkë dhe seksi nuk duhet të lëndojë as njërin e as tjetrin. Diskutimi Para Seksit, ndihmon që të mos lëndoheni dhe as të mos  shfrytëzoheni. Është e qartë, ju nuk do t’i evitoni dot të gjitha rreziqet. Çdo aventurë e vërtetë, përfshi edhe seksin, e ka brenda saj pak rrezik.

Shumë të rinj, seksin e sigurtë e kuptojnë, vetëm, si përdorim të  kondomit, sa herë që bëjnë seks. Unë dëshiroj që ju ta zgjeroni kuptimin e seksit të sigurtë. Ta bëni seksin e sigurtë sa më efektiv, më të vërtetë dhe tej përqendrimit të vëmendjes, vetëm, tek kondomi. Kondomet janë me shumë rëndësi, por që interkursa vaginale dhe seksi oral të jenë me sa më pak probleme, ju duhet të merrni në konsideratë edhe këto dy porosi:

 

  1. Para se të filloni të bëni seks, bëni mirë, që të dy, të testoheni për HIV/AIDS dhe për sëmundje të tjera infektive seksuale

 

  1. Kur do të vendosni të jeni seksualë, ju duhet, bashkë, të vendosni stacionin seksual ku do të ndaloni. Tej këtij stacioni ju nuk duhet të shkoni.

Vazhdoni të zbuloni ndjenjat tuaja lidhur me djalin që doni. Bisedo me djalin për gjërat që dëshironi të bëni bashkë, qofshin ato shoqërore, romantike, apo seksuale. Bisedoni, gjithashtu, edhe gjërat që nuk dëshironi t’i bëni. Ka plot mënyra që ju të dy t’i përputhni nevojat tuaja, të jeni seksualë edhe duke mbetur, akoma, virgjëreshë.

Përpara se të vendosni të bëni seks, do të bënit mirë të ndërgjegjësoheshit për kontrollin e lindjes, opcionet që përdoren për këtë dhe si të mbroheni nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Lexoni të dy lidhur me seksin, Sëmundjet, kontracepsionin, seksualitetin dhe shëndetin seksual.

Bëhu një dashnore kurajoze. Seksi do të jetë për ty një mrekulli kurdo që do të vendosësh  ta bësh, qoftë  ajo hera e parë, qoftë hera e pesëmbëdhjetë apo e pesëdhjetë, Çështja se kur?, ku? dhe me kë?,  varet nga e gjitha nga ti.

Shpresoj, të jeni dakord me të gjitha këto që sapo u shkrova.

Paç fat e shëndet Doktori

Nga New York për Dita, Shkurt 21, 2013 (Rubrika “Jeta në cift” – Pyetje-Pergjigje me Dr.Harxhin botohet cdo te diel ne DITA)

Share This Article
1 Comment
  • pershendetje,,,jam nje vajze 19 vjec.kam nje vit e gjysem qe jam lidhur me nje djal per seriozisht.kemi kryer marredhenie bashke prej gati nje viti po djali asnjehere nk me ka kerkuar te aplikoj seksin oral.a lidhet kjo me faktin se ndoshta nk me dashuron?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *