Ekstradohet nga Italia një 39-vjeçar i shpallur në kërkim për pengmarrje. Julian Dauti, nga Durrësi u ekstradua ditën e djeshme pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Gjykata e Apelit Tiranë më datë 18 nëntor të vitit 2004, e ka dënuar 39-vjeçarin me 10 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimit ose marrjes peng të personit“, kryer në bashkëpunim. Ngjarja për të cilën akuzohet Dauti ka ndodhur më datë 6 gusht të vitit 2001 në qytetet Tiranë, Durrës, kur ai në bashkëpunim me shtetasin Fatjon Dauti, kanë marrë dhe mbajtur peng shtetasin Raimond P. Ata keqtrajtuan pengun për ta detyruar që të nxjerrte në pritë shtetasin Dritan M., me qëllim që ta vrisnin për motive gjakmarrje. Pas ngjarjes dy autorët u larguan me shpejtësi duke u shpëtuar prangave ndërsa u shpallën në kërkim. Julian Dauti u kap në Itali pak kohë më parë për tu ekstraduar ditën e djeshme.
