“Essential Kryeshqups”

redaktor

Bie çdo iluzion… Për fat të keq. Po pse kaq e pamundur xhanëm?

Pak energji – dhe opozita e sotme nuk do të dukej kaq apatike sa duket.

Pak mendim – dhe opozita e sotme nuk do të dukej kaq anemike sa duket.

Pak nerv – dhe opozita e sotme nuk do të dukej kaq amorfe sa duket.

Pak ndershmëri – dhe opozita e sotme nuk do ishte kaq pa peshë sa duket.

Pa formë, pa shije, pa ngjyrë, pa peshë… e padukshme.

Ekziston në të vërtetë? Si ta kuptojmë se ekziston? Si ta dalloj nëse ajo fytyrë pa shprehje që reciton përpara një ekrani të madh nuk është OJQ po është Opozitë? Eh jo. Nuk ka lidhje me Opozitën. Është thjesht një OJQ!

Një OJQ nga ato që nuk i hyjnë në punë as kotësisë, jo më shoqërisë apo vendit. Tipike e OJQ-ve që ekzistojnë për inerci, pa mision. Nga ato që mbushin ditarin e ekzistencës së tyre me lloj-lloj aktivitetesh boshe, ku vetë flasin e as vetë dëgjojnë. Nga ato me ekran të madh (madje edhe me tavolinë mbledhjesh shumë të madhe) por pa asnjë ide sado të vogël të projektuar në të.

Ja pra pse duhet energjia, forma, mendimi, pesha.

Që Opozita të vetëprezantohet pa patur nevojën e ciceronit. Që Opozita të ndjehet, pa patur nevojën që shefi i SHQUP-it të dalë e të flasë (duke tundur gishtin) në përpjekje të dështuar për t’i mbajtur gjallë kujtimin.

U kujtova për një karikaturë ilustruese nga fëmijëria, kur lexoja “Essential English”. Më pëlqente e më ka mbetur në kujtesë që atëherë. Në njërin nga mësimet, teksti ilustrohej nga karikaturat e një tipi fodull që ecte i shkujdesur. Aty ku thuhej “Ecni majtas!”, ai ecte djathtas, ose e kundërta. Aty ku thuhej “Flisni me zë të ulët!”, ai bërtiste fort. Por, diku ishte një derë jo shumë e lartë dhe shkruhej “Ulni kokën!”. Aty ai u bind dhe e uli kokën.

M’u kujtua ky cikël karikaturash ndërsa më kapi syri në TV tundjen e radhës së gishtit të Kryeshqups-it. Meqë më kishte marrë malli për Opozitën, i shtyrë edhe nga shpresa që dikur ajo do të gjejë të paktën dinjitetin, i ngrita zërin televizorit.

Kryefjala ishte Reforma Territoriale.

Pikërisht atëherë m’u kujtua ai tipi i “Essential English”.

Pse, do thoni ju.

Po ja, Luli po thoshte (sigurisht duke tundur gishtin ) se i dhimbsej Shqipëria dhe e ardhmja e saj “e rrezikuar” nga Reforma Territoriale prandaj kërkon Referendum popullor për ta miratuar atë.

Ty Lul të dhimbset Territori Shqiptar dhe kujdesesh për të ardhmen e Shqipërisë?!

Nuk po i futem fare të analizoj Reformën Territoriale, që për mua është e vonuar dhe mjaft e rëndësishme për një Shqipëri Europiane. Madje, unë mendoj se për një vend që ka lënguar gjatë nën ngastrat e qehajajve të rinj, që mbinë në çdo anë të të njëjtës kodër, ajo duhet të ishte më e thellë, më drastike. Po ky është diskutim tjetër.

Kryeshqupsi u kujtua të kërkojë Referendum dhe këtë e bën pikërisht për Reformën Territoriale! Për një Reformë Territoriale që thjesht riformaton të njëjtët kufij, pa i shkëputur asnjë grimë tokës mëmë…

E prapë, Luli na revoltohet. Luli kërkon Referendum.

Ato që në këtë pikë më vijnë në mend, janë natyrshëm dy pyetje:

Ku ishe ti Lul kur tradhëtisht e poshtërsisht u tentua të bëhej një tjetër “Reformë Territoriale” e Shqipërisë, por atëherë jo për t’i riformatuar pa i ndryshuar kufijtë kombëtarë, por për t’i ndryshuar përgjithmonë ata duke i falur pjesë të detit shqiptar Greqisë?

Pse nuk kërkove Referendum atëherë?

E pra, atëherë nuk bëhej fjalë thjesht për të bashkuar komuna shqiptare brenda kufijve kombëtarë, si në këtë Reformë Territoriale për të cilën ti, i bie alarmit (tund edhe gishtin) e kërkon Referendum. Bëhej fjalë për t’i bashkuar një pjesë të detit shqiptar, detit grek. Bëhej fjalë për një rrezik kombëtar.

Atëherë Luli nuk na u revoltua. Luli nuk kërkoi Referendum. Ah po. Ishte pak i zënë duke firmosur Paktin Tradhëtor!

E kaluara të bën të pabesueshëm Lul. E tashmja akoma më keq se aq.

Këtu pra lidhesh me karikaturën që përshkrova më sipër.

Tek e fundit, ti nuk ndjeve dhimbje kur firmose Paktin e Tradhëtisë Kombëtare!

Për ty ishte thjesht një situatë “Ecni majtas!”, “Ecni djathtas!” apo “Flisni me zë të ulët”.

Prandaj bëre të kundërtën me fodullëk. Pse mos ta bëje?! Dhimbja ishte për Shqipërinë, nuk ishte për ty.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                     Ja Ku flitet përsëri për Reformë Territoriale. Por këtë rradhë për ty është “Ulni kokën!”, sepse ke frikë se të cënohen interesat vetjake në territorin politik të OJQ-së që drejton. Pra dhimbja nuk është më për Shqipërinë, është për ty. Në këtë rast ti kërkon Referendum!

Merre lehtë Lul. Nuk je në “Essential English”. Thjesht, ti je “Essential Kryeshqups”!

Share This Article
16 Comments
  • Hahaha eshte fiks, mire e ke gjetur , mjafton te bej te kunderten ky eshte misioni i lul manekinit, por kur behet fjale per kaptinen e vet , aty do ruhet lulka .
    Komplimente

  • E cte thuash per Lulin dhe opoziten,vaj medet .
    Jane te denje per skece tek portokallia .
    Shkrim argetues dhe fshikullues njeheresh

  • Po qe me kujtohet vertet edhe mua ajo karikatur qe thua ti Ilir. Me duket ka qene te 3. Vertet I goditur shkrimi dhe paralelizmi me pelqen shume. Ne fakt per Lulin ka plot per te thene e nuk ngopesh lehte. E vetme gje qe duhet ta coje ne vend demin qe ai dhe babai i tija Saliu i kane bere ketij populli eshte ti shohim te dy bab e bir ne qeli ngjitur ne burg. Per gjithe jeten aty ama.

    • Edhe mua me pelqejn embelsirat @anxhela. Do e lexojm bashke shkrimin ndersa hame embelsire me torte dhe qershi? 🙂 Ops se harova shkrimi pak i gjat po i fort.

  • O Ilir ,,,, shkrim me banal, qe mos te thuash asgje ,nuk besoj se do shkruaj ndonjeri.Nivel me medioker te shkruari nuk besoj qe shohim perdite .Faleminderit qe na kujton qe ka dhe gazetare te tille qe nxijne fleten pa thene asgje….Thjesht Mediokritet i zakonshem dhe i lavderueshem nga injoranca Mjere per ty qe e nxjerr buken kesisoj…..

  • I ke thene te gjitha me ate fjalen vertikalisht z.Metaj. Gjetje interesante. Sa per reston me pelqejne gjithmone shkrimet tuaja. Keshilla ime eshte te shkruani me shume per tema sociale sepse aty keni shkrimet me te arrira. Pavaresisht se edhe ironia dhe argumenti ne shkrimet politike kane stil dhe argument. Gjithsesi urime.

  • Le te zhvendosim kete shkrim ne kohen kur ne opozite ishte PS-ja e do te gjenim shume ngjashmeri e te njejtat sjellje.
    Sa per OJQ, PS-ja tashme eshte shnderruar ne nje sherbyese te G99-Mjaft.
    I shkreti Ilir po kerkon nje kocke nga qeveria me shpresen se pas gjithe ketyre perpjekjeve do ta meritonte.

  • E habitshme se si nje gazete si dita e cila besoj se ka nje nje tirazh jo te vogel lexueshmerie, le hapesire per te shkruar nje personazh te tille medioker dhe qesharak si ky qe pozon ne foto si Napoleon Bonaparti. Sepse ne mendjen e tij ai eshte me shume se sa nje napoleon. Nuk kisha ndermend te komentoja , por dalja e ketij bufoni me floke te gjata kaq shpesh ne gazeten tuaj me shkrime kaq te dobeta , te mbushura me mllef dhe qe kane gjithmone si teme opoziten ( a thua se e ha shume meraku per te , ndekohe qe ka 12 vjet Drejtor ne Bashkine e Vlores ) me detyrojne te beje kete koment . Ndoshta keto etiketimet qe une po shpreh mund te jene pak emocionale , por gjithsesi te verteta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *