Suksesi i mësimdhënies varet nga shumë faktorë, të dukshëm dhe të padukshëm, të efektshëm ose jo. Hyjmë në shumë diskutime për mësimdhënien e të nxënit, evidentojmë shkaqet dhe shohim pasojat. Nuk dua të mohoj që për shumë arsye mund të kenë të drejtë edukatorët dhe mësuesit. Gjithmonë përpiqemi që përgjegjësinë për pasojat jo të kënaqshme në edukim dhe të nxënë t’ia përcjellim nxënësve pa e kuptuar as vetë se shkaku kryesor jemi ne mësuesit, prindërit dhe shoqëria. Dëgjon shpesh thënie të mësuesve: Çudi si nuk mësojnë! Unë lodhem kaq shumë! Shpjegoj shumë mirë mësimin e ata s’të ndjekin! S’kanë interes dhe nuk mësojnë.
Deri këtu mësuesit mund të kenë të drejtë, por harrojnë se nuk i njohin nxënësit që kanë përpara, nuk përpiqen ta arrijnë këtë. Si rrjedhojë ata nuk vendosin dot një ekuilibër mes katër dimensioneve të ndryshme të të nxënit: dimensionit intelektual, emocional, fizik dhe shpirtëror.
Gjatë procesit të mësimdhënies pamja jonë si mësimdhënës përballë nxënësve ka rëndësinë e saj. Fytyrat tona përcjellin mesazhe të ndryshme gjatë orës së mësimit, por kur ato janë të vrazhda, pa jetë, të thata, pa shpirt, pa pamje estetike dhe sipërfaqësore atëherë kjo ndikon negativisht në procesin e të nxënit. Herë-herë ato bëhen demotivuese dhe fyese për një pjesë të nxënësve. Me mësues që nuk lexojnë letërsi, psikologji, pedagogji dhe nuk përpiqen të reflektojnë edhe kur marrin mesazhe se ora e mësimit të tyre është pa jetë, sigurisht që nuk mund të jetë efektive dhe e dëshirueshme nga pjesa më e madhe e nxënësve.
Nxënësit nuk janë makina ku ne kemi për detyrë të shkruajmë në dërrasë apo të flasim dhe ata të regjistrojnë informacion. Kalojnë muaj, vite dhe ndodh që mësuesit nuk i njohin nxënësit që u japin mësim. Shohin në klasat e tyre nxënës pa jetë, pasivë dhe nuk shqetësohen të kuptojnë “psenë”, nuk e dinë që ata nxënës e kanë humbur qëllimin e ardhjes, pavarësisht se fizikisht janë aty. Në qoftë se pyesim mësuesit sa i njohin apo sa përpiqen të identifikojnë vizionet personale të çdo nxënësi që e bën atë të motivuar dhe të inkurajojë atë grup për të vendosur ura lidhjeje mes vizionit të tij personal dhe procesit mësimor, vështirë se mund të marrësh një përgjigje. Kjo tregon se mësuesit nuk i njohin aspak ose fare pak nxënësit e tyre. Kur mësuesi shpjegon, duhet të shohë në sytë e nxënësve ato momente ku gjatë orës së mësimit ata çelen, buzëqeshin, janë entuziastë. Gjatë një ore mësimi ku lider është një mësues që reflekton art komunikimi dhe shpjegimi, pamja e nxënësve ndryshon pozitivisht, ata çelen, bëhen aktivë dhe të dëshirojnë si mësues. Një psikolog amerikan këtë e quan: “estetika e të mësuarit”. Pra mësuesit i kanë prekur nxënësit në shpirtin e tyre duke bërë një lidhje midis vizionit të tyre personal dhe trajtimit të grupit në orën e mësimit, ku asnjë të mos ndihet i mënjanuar apo i braktisur.
Para disa vitesh dy prindër më përcjellin të shqetësuar gjendjen e djalit të tyre në lëndën e matematikës, në klasën e VII të një shkolle në Tiranë. Mësuesja e matematikës në fund të simestrit të parë u dha përshtypjet e saj prindërve për fëmijën e tyre (sigurisht jo të mira) dhe ndërkohë që shprehte këtë opinion u vendos prindërve notat dhe elementët tregues për një nxënës tjetër.
U përpoqën fillimisht të sqaronin mësuesen se nuk ishte ai për të cilin ajo po u fliste, djali i tyre. Dukej qartë reagimi dhe zhgënjimi i prindërve. Të mendosh që kjo mësuese nga moskonceptimi fizik duhej të njihte nivelin intelektual apo shpirtëror të nxënësit!!!
Për çfarë “estetikë mësimdhënie” mund të flitet ku në shumë raste të ngjashme mësuesi e ka kthyer atë në formalitet? Kënaqësia për orën e mësimit nuk ekziston, si rrjedhojë s’mund të flitet për estetikën e saj.
Që të flitet për “estetikë të orës së mësimit” mësimdhënësi së pari duhet të ndërtojë infrastrukturën e saj. Kjo do të thotë që me hyrjen në klasë ai duhet të vendosë veten në rolin e nxënësit duke pyetur: Çfarë dëshiron ai në këtë orë mësimi? Çdo nxënës do të dëshironte nga mësuesi të ishte në qendër të vëmendjes së tij gjatë orës së mësimit. Mësuesi duhet të njohë mirë veçoritë psikologjike, interesat e çdo nxënësi në lidhje me vizionet dhe talentet e tyre. Çfarë pasionesh kanë në jetë, si i shfaqin ato dhe si i ndihmojnë mësuesit për t’i përmbushur.
Në kujtesën time ruaj të gjalla emocionet e një ore mësimi në lëndën e edukimit muzikor në klasën e tretë fillore. Unë si nxënës i mirë në matematikë dhe në lëndët e tjera, emocionohesha dhe prisja me ankth momentin kur duhet të këndoja para klasës. Mësuesja ime e talentuar më dëgjoi deri në fund e duke më përqafuar tha: Nuk e dija që ti di edhe të këndosh bukur! U mrekullova! Ky përqafim dhe vlerësim i mësueses sime ruhet i gjallë pavarësisht se unë nuk shfaqja kurrë një talent në këngë. Sa energji pozitive mora atë orë mësimi! Kaq u desh që unë të motivohesha për një përgatitje sa më të mirë e të çlirohesha emocionalisht momenteve kur më duhej të këndoja para klasës.
Përgatitja për orën e mësimit nuk fillon e mbaron me ditarin e mësuesit, që fatkeqësisht përgatitet dhe kërkohet si skemë. Në shumë vlerësime të këtyre ditareve kam vendosur shënime: Pa jetë! Pa shpirt!
Një mësues i mirë konceptin e derivatit apo të integralit si mësim të parë të kapitullit të matematikës duhet ta përgatisë një ditë para ku të shfrytëzojë 2-3 orë literature në histori matematike dhe shkencë. Duhet menduar mirë, nuk mjafton një ditar për t’u sjellë nxënësve brenda 45 minutave atë që shkencëtarëve u është dashur dhjetëra vite për të pasur këtë zbulim aq të rëndësishëm jo vetëm për matematikën po aq sa dhe për fizikën, astronominë dhe inxhinierinë. Kjo orë mësimi e cila alternon historinë dhe rëndësinë e zbulimit në shkencë duhet trajtuar nëpërmjet fjalëve të përzgjedhura. Jam i bindur (këtë vetë e kam provuar) se s’do të këtë nxënës, pavarësisht shkallës së interesit apo nivelit të mos dëgjojë me kureshtje një orë të tillë mësimi.
Orë të tilla jo vetëm ngjallin interes por nuk fshihen kurrë nga kujtesa për efektin emocional dhe shkencor që përcjellin. Orë “estetikisht të realizuara” kërkojnë mësues dhe staf të kulturuar dhe tepër të përkushtuar. Nuk është e thënë që mësuesi të ketë atë shkallë euridicioni që të plotësojë standarde të tilla mësimdhënie aq të mirëpritura dhe të vlerësuara nga nxënësit, por mësuesit nuk duhet të ndalen nga kultura e leximit të vazhdueshëm për ta transmetuar një gjë të tillë edhe tek nxënësit të cilët duhet të trajtohen si partnerë, bashkudhëtarë në rrugën e vështirë por të bukur të përvetësimit të dijeve.
Njohja e karakteristikave të nxënësve, e veçorive psikologjike, talentit, interesave, individualitetit të secilit e vendos mësuesin në pozita të tjera mësimdhënieje. Kjo e parapërgatit atë për të ndërtuar planin ditor dhe punën për anën shkencore të shpjegimit dhe vendosjen e ekuilibrave intelektualë e shpirtërorë në orën e mësimit. Për një mësues të kulturuar dhe të përgatitur, nuk duhet të ekzistojë ndarja në klasë dhe për më tepër braktisje e “hapur” ose e “fshehtë” në orën e mësimit. Thënie të tilla si: “Ta kam thënë njëqind herë, por ti nuk kupton! Kushedi ku e ke mendjen! Kam faj unë që merrem me ty! Mos u merr me këtë ushtrim se ti nuk e bën dot! Sikur gjithë orës ta punosh ti nuk e zgjidh dot!”, demotivuese dhe fyese në raste më ekstreme, jo vetëm që nuk ndihmojnë për një të nxënie reale dhe të efektshme, por çojnë drejt një ndarje të padrejtë të nxënësve brenda klasës dhe si rrjedhojë vendoset një gjendje shpirtërore mosbesuese, mungesë respekti dhe humbje besimi në vetvete tek ata. Mësuesi prej mosnjohjes ka fyer inteligjencën dhe individualitetin e nxënësit. E kundërta vërehet tek ata mësues njohës, respektues dhe ndërtues të punës së përbashkët me nxënësit për të bërë secilin të ndihet i aftë, i barasvlefshëm me grupin, duke marrë nga këta mësues vlerësime të ndryshme në kohë të ndryshme gjatë orës dhe në orë të veçanta. Në këtë mënyrë fitohet prej tyre dashuria, mirënjohja dhe respekti. “Infrastruktura” shpirtërore e grupit është jashtëzakonisht pozitive dhe nxënësit marrin maksimumin e mundshëm nga orë dhe mësues të tillë.
Një nxënës në klasën e X-të më erdhi i entuziazmuar në drejtori: Drejtor! Mësuesja e vlerësoi esenë time me notën 9-të! Ishte shumë e kënaqur që unë mund të krijoja kaq mirë! Kur nxënësi shkoi në shtëpi ua transmetoi me të njëjtin entuziazëm prindërve, të cilët vunë re që atë mbasdite ai qëndroi shumë më gjatë duke studiuar krahasuar me herët e tjera. Në klasë shfaqte interes më të madh, duke u bërë pjesë aktive e saj. Prindi vuri re ndryshimin e fëmijës dhe kërkoi nga stafi më shumë motivim dhe vlerësim. Kjo gjendje shpirtërore pozitive e krijuar ndryshoi situatën mësimore të nxënësit në të gjitha lëndët. Ndodh shpesh që mësuesit t’ua hedhin përgjegjësinë për gjendjen apo pamundësinë për të mësuar nxënësve kur nivelet e ulëta të të nxënit nuk justifikojnë punën tonë si mësimdhënës.
A i bëjmë një analizë vetes si mësues se mangësitë shpeshherë të nxënësve janë rrjedhojë edhe e paaftësisë sonë? Shkaqet janë të shumta dhe komplekse. Ne duhet të njohim dhe të punojmë e të ndryshojmë veten dhe metodën e punës në mësimdhënie. Kur puna dhe përkushtimi ynë të përfshihen në vizionet personale të nxënësit, por edhe të grupit, kur ne të bëhemi pjesë e tyre dhe e zgjidhjes që kërkojnë ata, kënaqësia dhe estetika e të mësuarit do të bëhen pjesë e të gjitha palëve. Kënaqësia estetike në procesin e të mësuarit nuk mund të jenë ekskluziv vetëm e njërës palë, ajo s’mund të jetë e veçuar. Sa më tepër palë të përfshijmë në këto momente estetike, prindërit, komunitetin aq më e suksesshme bëhet mësimdhënia. Mësues të tillë, me cilësi të mira si qytetarë dhe mësimdhënës ka në çdo staf pedagogjik. Është koha që strukturat drejtuese, të evidentojnë të vlerësojnë dhe të përhapin përvojat dhe modelet e tyre. Njehsimi i vlerave me antivlerat, i të aftëve me të paaftët, i të përkushtuarve me dembelet do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej shkollës.
Organet drejtuese të arsimit siç bëjnë mirë që konstatojnë dhe vlerësojnë, duhet edhe të ndërtojnë një politikë vizionare me kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve. Strategjia e publikuar nga MAS sigurisht që do të hartojë programe e kurrikula për kualifikime të vazhdueshme e të detyrueshme për mësuesit. Atëherë do të kemi më shumë modele mësimdhënieje, estetikisht koherente me kërkesat e nxënësve, prindërve dhe gjithë komunitetit qytetar të cilët besojnë se cilësia e shkollimit çon drejt një shoqërie të emancipuar dhe të zhvilluar.
*Arsimtar
