Estetika ndikuese e arteve

Leda Hysa

MOIKOM  ZEQO

Pjesa e dyte/ (vijon nga numri i kaluar )

IMPRESIONIZMI, -FJALEKRYQI I NGJYRAVE

Estetika mitologjizuese parakupton edhe një pikturë mitologjike, kështu guri filozofal i kthen tërë konfliktet në mite të arta, në mite të mendimit, të tingullit dhe të pamjes, Renuari: impresionizmi është një fjalëkryq i ngjyrave, funksioni hedonist i artit për Matisin arrihet, duke mohuar ligjet e perspektivës, kënaqësia fiziologjike e ngjyrave është si shuarja e urisë për të pangrënin, Matis, Matis ti i pranon kinse sendet, po me kusht që t’ua zhdukësh me dinakëri vulgare substancialitetin, për Sezanin pamjet e ndryshme duhen parë në zanafillat e tri formave gjeometrike: cilindrit, sferës dhe konit, ka një perspektivë optike ka dhe një perspektivë metaforike, të prapakthyeshme, Leonardo Da Vinçi skicat gjoometrike i shikonte si fillim, si parapregatitje, modernistët skematizmin gjoometrik e quajnë përfundim dhe kurorëzim të krijimtarisë, simbolizmi gjoometrik nuk është e njëjta gjë me gjoometrinë simbolike, Malarmeja e quante edhe paraqitjen grafike të germave të fjalëve të shtypshkrimit tipografik potencial sugjestionues e simbolizues, Rembo shkroi sonetin e famshëm të ngjyrave, zanoret qenë kështu dyzime fonetike të ngjyrave dhe ylberet fare mirë mund të konsiderohen partitura mozartiane, ose polifoni kukuzelike, grigoriane, kore të tredhurish mjeshtërisht, mëshirisht. ( 1995)

RACA, PERPARA PERMBYTJES SE NOES

Mos u mërzit, o Mona Liza, hidhe tej trishtimin kërdisjellës dhe jetëpikëllues, qesh, ose buzëqesh më ndryshe, më kuptueshëm, ose bëhu e egër dhe hakmarrëse si një amazonë luftarake, si një valkire vagneriane, si një Ajkunë alpine, sfido botën, tmerroje botën, shkatërroi dyshimet e pambarimta dhe të padobishme, përgjërohu Mona Lizë, a e njeh Mona Liza Hyismanin e përkorë dhe qejfmbetës, gjenial dhe të mençur, dekartian i nikotinizuar dhe paranojak i mëshirshëm, që në 1884 botoi romanin “Së prapthi” më hero aristokratin Dezensent, njeriun më të mbindjeshëm dhe me delikatesë heroike, madje barbare, skithiane, iliro-trakase, etruske, groenlandeze etj, plot neveri të justifikuar për realitetin rrethues, për të shpëtuar nga gracka e këtij realiteti absolutisht armiqësor, izolohet brenda vilës së tij të gurtë, gati pa dritare, Dezensenti jepet mbas artit si forma më shpëtimtare e drogës, i zbukuron muret me ngjyra, të cilave u jep kuptime simbolike, planetare, zadiakale, kabalistike, hermetike, lasgushiane, danteske, vila kullë e tij është edhe Ferr edhe Parajsë, po pa Purgator (mohim rebel dhe i butë i Trinitetit dogmatik dhe frymëzues i krishtërimit botëror moralistik dhe utopik,, sipas autonomive artistike përkatëse të fjalëve dhe të imazheve pamore, në këtë mjedis të kundërt dhe së prapthi, ose së mbari, se realiteti jashtë është prespektivë negative e prespektivës së vetmisë së tij universale dhe të vetëquajtur pozitive Dezensenti bën një jetë-trupëzim të artisticizmit të kulluar dhe esencial, krijon instrumente të “rinj” muzikorë, që të habisin për një lidhje imagjinare të tingujve muzikorë me aromat e pijeve dhe me ngjyrat e forta dhe të pakorruptueshme,, një portret ngjyrë blu të Mona Lizës me parukë egjyptiane e kishte lidhur me një instrument pitagorik ne formë spiraleje dhe ne tasta trikëndëshe e me sistem algjebrik të komandimit të mendimeve, duke përjashtuar me vetëdashje të kotë telepatinë e tepruar dhe të rrezikshme dhe dhe vetëkuptohet ngjyra blu vepronte krejtësisht me virtuozitet si muzikanti më gjenial dhe më i papërmbajtur, nga qepallat e Mona Lizës nuk rridhnin lotë, që nuk i ka ditur as Leonardoja i pafantazi, po verë lulëkuqesh të pllajave të planetit Mars, nga e gjelbra e një muri i dilnin kafshë fabulore të tejpashme, një zoologji shpirtrash, as të frikshëm dhe as sarkastikë, salamandra me koka femrash me bukuri të pazakontë, kuaj me koka dragonjsh japonezë, pjatat, gotat dhe lugët dhe pirunjtë e arta mbi tryezë qenë vetvetiu tasta të një piano hibride dhe ca puro të argjenta nxjerrin fjolla ëndrrash alegorike të mbretit të mbretërve Nabukodonozorit të Babilonisë, një herbarium me flutura të balsamosura lexohej si partitura më e hatashme e vetë Zotit Djall, te çdo peshqir lëvizin insekte fosforeshente që janë paraqitja algjebrike dhe metaforike e vetë hyneshës Ishtar gjatë një akti seksual me hero të bakterizuar të quajtur Gilgamesh, kurse pasqyrat në paradhomë janë shtatzënë me njëmilion fantazma princërish bimorë dhe kuajsh me koka delfinësh biblikë leviatanas, racë e zhdukur dikur, që përpara përmbytjes së Noes.(1996)

UNIVERSI I SOZIVE

Ne 16 qershor 1904 Leopold Blumi dhe Stiv Dedali shëtisin në mungesën prespektive të udhëtimeve guliveriane suiftiane, Blumi shikon Blumin dhe i del përpara Shtum, kurse Stiven kthehet në Bliven, duke u parë në pasqyrë që të dy shikojnë jo veten e tyre por Shekspirin, Mona Liza shikon në pasqyrën e lashtë që i atribuohet Aleksandrit të Madh të rigjetur në labirintin nëntokësor të një piramide faraonike fytyrën e Leonardo Da Vinçit, vetë Leonardo shikon përballë kornizës bronxore të Mona Lizës fytyrën e sozisë së vet femër, mëmën e tij, gruan që nuk e pati kurrë, Ofelinë e Hamletit, ose Orfeun Ofeli, ose Hamletin Mona Lizë, sepse homoseksualizmi është një triumf i matriarkatit mbi meshkujt fodullë, se Mona Liza është Hamleti femër që shtron dhe diskuton me trumcakun e Migjenit kryetemën e vetëvrasjes që deri më sot e ka kuptuar vetëm Juda flokëkuq si një posterior të pashmangshëm të puthjes së Krishtit hyjnor… Krishti i porsa ngjallur nuk lejon Maria Madalenë Mona Lizën që ta prekte… se do të ngjitej në qiell te Ati…  formula bipolare e artit ka të bëjë me të dukshmen dhe me të padukshmen: piktura me trupin dhe muzika me shpirtin, Shopenhahur: muzika “arti më i palëndshëm”, portreti i Mona Lizës është piturë, kurse buzëqeshja e saj është muzikë, Leonardo, Leonardo, ç’muzikant i fshehur dhe i hatashëm që paske qënë(?),, e ke lexuar romanin “Myra Breckonride” të Gore Vidalit, historia e një burri që transformohet në grua (madje të virgjër) dhe më pas i kësaj gruaje, që transformohet rishtas në burrë, homo duplex, gruaja kërkon vetëm të pëlqehet seksualisht nga meshkujt, burri i urren femrat dhe kjo duket sidomos nga këmbëngulja gati prehistorike për të përdhunuar. What has gone wrong? Luciano Fontana ka ekspozuar telajo të thjeshta pikture të çara me thikë,, sepse nuk ka murgërim në islam, natyrmortet kuranike vetvetiu neveriten nga një portret i Mona Lizës pa ferexhe- e “bekuhr”. ( 1996)

SURREALIZMI BIZANTIN

Prokopi i Cezaresë në librin e tij të fshehtë “Historia sekrete” na jep një dëshmi të surrealizmit të paktën që nga shekulli i VI mbas Krishtit: disa oborrtarë të Justinianit perandor, që i qëndruan pranë në Pallatin Vllaherana kishin përshtypje, se në vend të tij shihnin një fantazmë të huaj, njeri prej tyre pohoi, se perandori u ngrit befas nga froni dhe nisi të bënte ecejake nëpër sallë (sepse me të vërtetë nuk mund të qëndronte gjatë ulur në një vend), papritur koka e Justinianit u zhduk, ndërsa trupi vazhdonte të sillej përqark, duke menduar, se po humbiste shikimin oborrtari shtangu për një kohë të gjatë, i shushatur dhe i pafuqishëm, megjithatë, më pas kur, koka u kthye në vendin e vet mbi trugun e trupit të Justinianit, konstatoi me habi, se përsëri shikon, gjë, që më parë mungonte, dualizmi nuk është filozofia më e lartë njerëzore, po dualizmi është trajta më e lartë e jetës, liria është kategori jashtëmendore, Hegel: esenca e lirisë është fryma, esenca e frymës është liria, siç është pesha esencë e materies, piktura është nostalgji ose kujtesë që pjell vetveten, shkenca zbulon, arti krijon.(1996 )

FIGURA,BIJA E PIKELLIMIT

Jean Dubuffet: arti në esencë është i padobishëm, i rrezikshëm dhe antishoqëror në raport me antishoqërizmin e vetë shoqërisë, Mona Liza as nuk gatuan, e shpërfill kulinarinë, as nuk fshin, nuk i njeh makinat larëse elektrike, tharësen e flokëve, prezervativat, pilulat kundër mbetjes shtatzënë, minifundet dhe sfilatat e Versaçes, Bryen: piktura është mungesa e plotë e të folurit, një botë e veçantë vizuale në të cilën piktori… i shërben vetvetes, fazë metafizike, të cilën kritika nuk di ta shpjegojë, sepse është detyruar të veprojë me të folurin, pra Mona Liza është heraldika mitologjike e shurdhmemecëve, po jo e të verbërve, që janë muzikantë gjenialë dhe vetkuptohet llafazanë shpërdorues sipas teorisë së kompensimit, ose të mungesës së paralindur, Arnold Hauser: vepra artistike është formë dhe përmbajtje, rrëfim dhe mashtrim, lojë dhe porosi, është afër dhe larg natyrës, ka edhe nuk ka qëllim, është historike dhe johistorike, Franc Kafka: gjithësia është përplot shenja, që ne s’i kuptojmë,, baleti i lashtë japonez Gigaku nis me “kohën e krijimit të botës” skulpturat e Mikelanxhelos janë ringjallje e krishtërimit të hershëm, janë ungjilli në mermer,, Mejerholdi ka ëndëruar për një teatër të së ardhmes, ku të luhej pambarimisht dhe me ndryshime universale – “Hamletin”, a mund të thuhet e njëjta gjë sikur piktorë të ndryshëm në kohëra të ndryshme të pikturonin përherë portretin e Mona Lizës, arti kiç është raporti ndërmjet njeriut dhe sendeve dhe send, mbiemër jo emër, vizitat nëpër galeritë e botës mund të na lenë mospërfillës, nëse nëpër tablotë nuk shihet akoma e ndezur “flaka e përjetshme”, dikur ishin piktura, tanimë s’janë më (Jean Dubuffet), imazhi, figura nuk është rezultat i analizës dhe i mendimit logjik po “bijë e pikëllimit dhe e dhembjes”. (1996 )

VELLO E HOLLE MISTIKE

Piktura është pasqyrimi i pamërisë së natyrës; piktura, e mirë është ajo që i ngjan sa më shumë objektit dhe gjendjes së vërtetë që ka pasqyruar, po kjo ngjashmëri nuk duhet të jetë vetëm materiale, nuk duhen të pikturohen vetëm gjymtyrët e njeriut po dhe ndjenjat dhe gjendja shpirtërore e tij, piktura është njëra nga tri gjërat në botë të cilat duhet të jenë të përsosura dy të tjerat janë poezia dhe muzika, nuk dihet, se kur është shfaqur piktura për herë të parë, ka mundësi të jetë shfaqur njëkohësisht me poezinë dhe ndoshta përpara saj edhe shfaqja e shkrimit në fillim me figurat e shtazëve dhe të shpendëve është një provë e prirjes së stërlashtë të njeriut për pikturë.. çdo bukuri që vihet re në gjithësinë lëndore është homogjene me bukurinë e shpirtit, çdo objekt i natyrës ka në vetvete si të thuash një fjalë të ngjashme me fjalët e njeriut – e barazvlefshme me vlerën estetike të objekteve, e bukura është gjithmonë morale rregullsia materiale e linjave të fytyrës njerëzore merr flakëe gjallërohet nga bukuria e shpirtit, që është gjithmonë burim i vlerës së trupit, arti përpiqet të nxjerrë në pah dhe në mënyrë sa më të plotë aspekte të botës,, që secili si përmes një velloje të hollë mistike të lexojë kuptimin që kanë gjërat dhe që vetë filozofia kërkon. ( 1996)

LULEZO O MBRETERI E PLUHURIT

Emerson: të folurit është një poezi e fosilizuar, ahere, o Leonardo piktura është një univers i fosilizuar, nëse Aristoteli e krijon metaforën për sendet dhe jo për të folurën, ahere, o Leonardo piktura është një metaforë ndoshta më shumë se sa poezia, ose metafora pikturike qëndron më lart se sa metafora poetike, futurizmi i Marinetit donte të shkatërronte muzetë, armiku më i kobshëm i futurizmit s’dihet pse u shpall Leoardo Da Vinçi, vetëkuptohet marrëzia e papërmbajtur ndaj një femre kaq delikate dhetë kerthneset si Mona Liza, futurizmi në dimrin e historisë donte të digjte bibliotekat si dikur perandori kinez Che Huang në Kinë, sepse ne të gjithë mund ta harrojmë latinishten, po ajo që flasim në një farë mënyre është një dialekt latin, ose filiz i pafajshëm dhe heretik indoevropian,, Suifti në “Udhëtimet e Guliverit” tregon historinë e llahtarshme të Jahuve, të cilët janë forma njerëzore të mjera të disa majmunëve, emri i të cilëve imiton një hingëllimë në republikën platoniane – marksiste të kuajve të arsyeshëm, Ferri është atdheu u abstraktes dhe i kërkuesve të fatit, është streha e atyre, që i iin qiellit – atdheut të zotave të realitetit dhe i atyre, që i ikin tokës – atdheut të skllevërve të realitetit, sa shumë vdekje dhe kalbësirë, që kemi në ndërgjegje, lulëzo përgjithmonë o mbretëri e pluhurit në gjirin tim.(1996)

REALITETI,- QE NA TREMB

Dante: Lasciate ogni speranza voi ch’entrate,- ideja se arti imiton natyrën mund të jetë e besueshme nëse marrim parasysh Wilde që thotë se natyra e imiton artin,, herezitë janë variante të ortodoksisë,, fuqia e përqëndrimit sjell në jetë një qenie vetëm nga forca e mendimit, kjo është të ngjallësh një Golem argjili, Njeri rëre, nëse Dante luan shah me Shekspirin, do të luajnë ose me Ferrin, ose me Parajsën, Purgatori si diçka e tretë është vetvetiu i përjashtuar, i pakuptimtë, ireal, thjesht kompromis, ose artific mendor, po jo logjik, fjalë, po jo mendi, të pamurit, dënimin më të madh në Ditën e Kjametit do ta kenë skulptorët që kanë imituar të bërët dhe të krijuarit që i takon vetëm Allahut dhe vetëm Atij, çdo skulptor do të digjet përjetësisht në zjarr,, çdo skulpturë të bërë prej tyre do t’i jepet shpirt e do bëhen njerëz të gjalë dhe kështu dënohen edhe ato në zjarrin e Xhehnemit, pema e quajtur Tuba rritetnë Xhenet, udhëtimi për të dalë nga hija e saj vazhdon njëqind vjet, nga lëkura e kësaj peme qepen rrobat e banorëve të Xhenetit,, a mundësh dot, o Leonardo t’i pikturosh këto çudira (?), nëse e ke të vështirë të pikturosh të dukshmen ahere nuk e di sekretin e balsamimit të kalueshmërisë, çdo ahere të kërkosh kaq paturpësisht të pikturosh të padukshmen d.m.th. amëshimin,(?) kali është një krijesë e çuditshme, enigmatike, hyjnore, që nuk na lejon që ta vizatojmë, dekoret e pyllit në teatër janë të thella si ëndrra, era në muzeume është aromë shpirtërore shekujsh, hijet e vdekura shndërrohen në ide dhe idetë në skulptura mermeri,, realiteti i përputhur me fantazinë na tremb si ëndrra që na bën të klithim të djersitur në mankth të gjumit, e pamundura është kuakja e bretkosave në Hënë, gladiatorët në arenat e amfiteatrit e kanë ditur se edhe kafshët që ata i vrisnin qenë martirët fabulorë të krishtërimit të hershëm, në muzgun e përgjithshëm të perëndive Bukuria është sot perëndesha e fundit që po i shuhet diadema metafizike, paranjeriu, kanibali e ndali kohën në shkemb duke lënë gjurmën e pëllëmbës së tij të lyer me gjakun e purpurt të kafshëve në shpellat e Altamirës, daktiloskopi e fillimeve të artit, dhe prehistori e Mona Lizës,, që ëndrrat tona formësohen edhe nga instiktet tona të brendshme e kanë ditur edhe magjistarët egjyptianë shumë më përpara se sa Frojdi dhe Jungu.

(  1996)

LUNDRIMI NE KAOS

Afreskat bizantine janë Bibla e Analfabetëve Bibla Pauperum, nga ikonoklastet e shekullit të VIII deri te Luteri bukurinë e nxjerrin jashtë tempullit të Zotit si të tepërt dhe të pakumtimtë, një utilitarist si Çernishevski pohon se suxhuku është më me rëndësi se sa Shekspiri, netët e Athinës në kohën e Platonit kanë më tepër kuptim dhe ndriçime mendore se sa netët e fundit të mijëvjeçarit të dytë plot reklama dhe semafore, hymni i Horacit “Nunc pede libero pulsanda tellus” nuk është i pasur si ndonjë mozaik antik gal, që është zbardhur në ngjyra dhe fikur i turbullt, por në të cilin edhe sot depërtojnë të vërtetat jetësore, nëpër të cilin shkelin brezni të tëra njerëzore, të bartura nga ligjet e verbëta të trupit të vet vetiak, kurse ato të vërteta të vjetra të Horacit ende nuk e kanë humbur asnjë gërmë nga bukuria e tyre, e turbullta është karakteristika kryesore e paplotshmërisë artistike,, turmave në pllajën me muza të therrura mes tymrave të luftrave të çmendura  u prin bualli kretez me brirë Zeusi,, Athina e Periklit është një yjësi gati e fikur, or neve ende na ndriçon,, historia skalpon kohërat barbare, jeta udhëton hpesh me karrocën e të vdekurve, Shopenhauer: të gjithë perënditë e Lindjes dhe të Perëndimit kanë lindur nga problematika morale, Ovidi: kali qan për vendlindjen e vet, Brunetiere: në art është fjala për kanone estetike par excellence, pra, kanone morfologjike estetike të disa modeleve artistike, imitime që janë parësore dhe për artistin subjektivisht më të rëndësishme se sa baza ekonomike, jetojmë në mënyrë integrale në një punkt matematikor diku në qendrën e Udhës së Qumështit, Leonardo, ti di diçka për simultanitetin e kohërave po nuk di asgjë për simultanitetin e stileve dhe të ngjyrave, o ç’ekspedita të shpirtit në botën e vizioneve skizofrenike, o ç’lundrim aventurier në kaosin e relativitetit figurativ,, realja dhe irealja në natyrë nuk është njësoj si realja apo irealja në pikturë, Mishle: një rrobaqepës i mirë vlen më shumë se sa tri skulptorë klasikë, artistin nuk e zbulon askush, përpos vetja e tij, gjatë shekujve që do të vijnë ai vetë i plotëson veprat e tij, përgjigjet dhe garanton vetëm vetveten, vdes pa pasardhës, …kali është më pjellor dhe gjithësibërës se sa Mona Liza që as mbarset dhe as nuk lind dot.( 1996)

KALI KOZMOS

Në “Upanishadat” thuhet qartë se kozmosi u krijua nga kali: prej kokës u krijua agimi mëngjesor, ose mëngjesi agimor, prej frymëmarrjes – era dhe shtërngatat, prej mishit – tok, prej gjymtyrëve – ditët dhe netët, prej kockave – yjet, prej venave – lumenjtë, prej flokëve – pyjet, bimët, bari, sorkadhja në Bjeshkët e Namuna ka qenë në fillim njeri e pastaj u bë kafshë prandaj qan me lotë njeriu, stërgjyshi prehistorik kishte formulën e vetme “të gjitha në të gjitha”, Buda kishte rezervë 500 metamorfozat e tij në peshk, krokodil, elefant, mushkonjë, gjarpër, bretkosë, drizë, dushk, palmë, kripë, hekur, karkalec, grenxë, breshkë, akrep, flutur, dragua, shi, vetëtimë, stalakmit, mermer, rërë, kameleon, pështymë, gjak, plagë, zgjebe, zbokth, dhi, dash, kentaur, sirenë, grifon, pilivesë, Onufër, ikonë fildishi, shpatë alabastri, meteor, xixëllonjë, yll deti, jargë, zjarr, (s’duhet harruar se në sankrishte mungon fjala e përgjithshme “zjarr”, por ka 35 emra gjendjesh konkrete të zjarrit), vizatim prehistorik, banane, halë pishe, asbest, ethe, sëmundje e tokës, morr, mushë, tryezë rituale, xhind me njëqind koka, shqiponjë, rëshirë, shkumë, kafshë jashtëtokësore, amforë, urnë, avlemend, çark poçari, perandor kinez, luftëtar samuraj, murg tibetian, re, muzg, kafkë oshënari, lëkurë e rrjepur leopardi, nofull e lashtë profeti të paemërt, mollë guri e pakalbëshme, vezë struci, majmun, anije, llambë, astragal, unazë kocke, kaktus, baltë, e pëgërë, vesë etj, Buda është ai që është dhe njëkohësisht ai që s’është, gjithë-përfshirës dhe jashtë çdo gjëje, dendësi dhe boshllëk.( 1993)

EMRAT,- QE S’KA PSE T’I DIME

Në mitet e Egjyptit ka 674 emra për devenë, kur argonautët lundruan anash mollëve të arta të Hesperideve këto u bënë pluhur dhe humbën sikur të mos kishin qenë kurrë, mitologji është çdo iluzion, fluturimi i shpirtit mund të shfaqet vetëm me anë të figurës, po kurrë nëpërmjet konceptit, miti bashkon, asgjëson veçimin e njerëzve dhe të perëndive, bashkësia është miti ahere dhe arti është miti. (  1994)

HIEROGLIFI,- QE PJELL PIKTURA TE CUDITESHME

Protagora: njeriu është masa e çdo gjëje, etiopasit i përfytyrojnë hyjnitë e tyre me ngjyrë të zezë të lëkurës, thrakasit me sy blu dhe flokëpurpurt, ka një formulë kimike të oksigjenit por nuk ka një formulë të vetme për artin, arti nuk është materja është pjesë përbërëse e materies, arti si i tillë në vetvete nuk egziston, ka vetëm artistë, në gjuhën egjyptiane fjala që emëron skulptorin do të thotë “Ai – që – të – mban – gjallë”, Akhnatoni heretik adhuronte vetëm një Zot-Atoni, që paraqitej në trajtën e diskut diellor që lëshonte përreth rrezet, secila rreze përfundonte në formën e duarve o, ç’Diell me miliona duar njerëzish, Leonardo, Leonardo mos u mburr për sakrificat e heshtura, për modestinë asketike, për përvujtërinë e trishtueshme dhe gati të pashpjegueshme të ruajtjes deri në fund të Mona Lizës, e di ti historinë e Sakrificës së Madhe si princi i ri Gautama që u mbiquajt Buda la pallatin e prindërve për t’u mbyllur si heremit në shpella të pabanuara, ai iu drejtua kështu kalit të tij të parapëlqyer Kanthaka: “Kanthaka im i shtrenjtë, të lutem mbartmë edhe një herë sonte, kur me ndihmën tënde do të bëhem Budë, do tu sjell shpëtim botës së perëndive dhe të njerëzve”, kush është më i rëndësishëm kali Kanthaka që të çon në asketizëm dhe dlirëzim, apo Mona Liza që të çon drejt gostive të gëzimit dioniziak ritual (?), Grigori i Madh: piktura është për analfabetët si shkrimi për ata që dinë të lexojnë,, murgjërit kinezë të lashtë qenë piktorë se mund të meditonin për dhjetë vjet rresht edhe për një fjalë të vetme, kështu një hieroglif kinez pillte mijëra piktura të çuditshme, Ci Baj Shi: piktura është përputhja midis ngjashmërisë dhe pangjashmërisë, quajeni po deshët dhe identitet, ose identifikim, data janë gozhdë për të varur tablonë ose pëlhurën e qëndisur të historisë,, për pëlhurat e artit nuk ka gozhdë të tilla se në të vërtetë nuk ka rëndësi kronologjia, arti e sfidon dhe e kundërshton kronologjinë, historia e artit në të njëjtën kohë nuk ka fare histori, demat e Altamirës dhe Mona Liza mund të shikohen dhe të shijohen artistikisht njëherësh, duke harruar mrekullisht mijëvjeçarët e bezdisshëm, për Xhoton piktura nuk është zëvendësim i fjalës së shkruar. (1994)

PUSHTIMI I REALITETIT NGA ARTI

Shekulli i XV në Itali është pushtimi i realitetit nga arti, arti i perspektivës e shton më tej iluzionin e realitetit, kështu idealja bëhet materie,, stili gotik francez është stil flakërues ose perpendikular,, kompjuterat nuk do dinë kurrë të jenë religjiozë, artisti – Homo Ludes,, Mona Liza është si tulla magjike që pjell shumë shtëpi, kështjella, ura, katedrale, opera, teatro, aeroporte,, Leonardo Da Vinçi: njeriu për herë të parë në rërë tërhoqi vijën rreth hijes së vet, duke bërë kështu pikturën e parë, piktura është një personazh në “Prologun në qiell” të Gëtes, televizioni rrezikon lirinë më tepër se policia, burgu dhe kampet e përqëndrimit, teknika që përjashton është mëkati i parë i kulturës, vetëvrasje e pashmangshme, Ciceroni: De finibus bonorum et malorum, piktura nuk është neurozë, po pse psikologët, psikoanalistët shkruajnë kaq shumë traktate idiote për Mona Lizën (?), natyra ka determinizmin, njeriu fatin, njeriu në antikitet ka qenë i verbër, sytë e statujave nuk kanë lunulat e bebëzave. ( 1993)

PARTI SHAHU ABSTRAKTE

Kandinski është një gambit – parti shahu abstrakte, shpirtëzimi i artit është eksperimentuar përpara Kandinskit, psh. nga Kazimir Malevici, Larionovi, Goncarova, Braku, Bikabia, trekëndëshat e Kandinskit janë qënie shpirtërore, plagjiatura e mjerë dhe krenare e rolit të figurës së syrit trekëndësh të Zotit dhe të deltës së Nilit në Egjypt, Kandinski e mohon jo pa frikë bllasfemie çdo sintaksë figurative,, po kush mund ta kopjojë atë velin pastel të tejdukshëm muzikor të Korosë (?), metafizika është degë e letërsisë fantastike, po piktura metafizike a është fantastike (?), po të fitonin sektet gnostike të Aleksandrisë kuptohet që nuk do të kishim një Konstandinopojë të krishtërimit, as një Romë dhe më pas as një Avinjon, as inkuizicion spanjoll, kryq të Maltës, kryqtarë analfabetë dhe rrethime normale të kështjellës së Durrësit, piktura e vërtetë thurret me simbole dhe jo me alegori, origjinaliteti në art nuk qëndron në mungesën e paraardhësve, as në teprinë e bezdishme të pasardhësve, poezia është mbërthyer nga demoni i krahasimit kurse piktura është më metonimike, arti i amshuar është i tillë nga rrezikshmëria e përhershme e dykuptimësisë,… Moisiu e pa Zotin, Zotin në formën e një shkurreje, që digjej, po nuk konsumohej, Mona Liza ka përbrenda vetes zjarrin përvëlues të jashtëzakonshëm të Leonardo Da Vinçit, por nuk bëhet dot shkrumb dhe hiri i saj shpërndahet në erë, në hiç, në mosgjë, në kotësi, ç’do të bënte Moisiu po ta shikonte Zotin, Zotin në formën e një Mona Lize, madje nudo në banjë, nën ujëvarën e Niagarës, apo në peizazhet e pikturuara nga Koroja, Moisiu, Moisiu do të zbriste nga mali Hereb, duke mbartur me delikatesë portretin e Mona Lizës dhe jo tabelat e gurta të ligjeve, dekalogu do të ikonizohej nga Mona Liza si një tjetërsim, ose arti i pikturës do të zëvendësonte tërë jurisprudencën e kohërave, ligjet e stërlashta të Hamurabit të thandruara në shkëmb në të vërtetë janë prehistoria e vrazhdë, primitive e Mona Lizës, parapiktura, paradhoma prej Ferri për në Parajsë pa ndërmjetësinë letrareske të Purgatorit të famsuar më kot.( 1995)

DEMONE PLASTIKE TE DEKADENCES

Gjithësia nuk vetëzhduket se nuk vetëlindet më, as hapësira as koha, arti është Mbretëria e Oshënarëve, Madame De Stal: bota është një tirani që moderohet vetëm përmes vrasjes – arti është më tepër diktaturë se sa republikë, çdo utopizëm i tejskashëm është një perpetuum mobile, personazhet e mëdhenj të artit veprojnë herë-herë si polici psikiatrike, nëse Adami ishte Leonardo Da Vinçi Eva ishte Mona Liza, kështu thotë një Bibël e dytë e pa shkruar por e menduar heronj flokëpurpurt dhe syblu dalin nga pylli i Tacitit, Richard Wagner: çifutët janë demonë plastikë të dekadencës së njerëzimit, Mona Liza zbukuron të shëmtuarit, gëzon të pikëlluarit, piktorët janë deistë “gott-glaubig” më tepër i besojnë Votanit se sa Krishtit, teozoologjistët fasin për racën që zanafillon nga hyjnitë Azë, me një natyrë elektromagnetike dhe pushtet hyjnor, po Eva (një nga përfytyrimet e Evës, jo ai që lidhet me Mona Lizën) u çiftua me një demon të llojit të majmunëve, biopolitika e racave shpjegon pse lindi Hitleri po jo pse lindi Leonardo Da Vinçi, ç’është komenti i një kryevepre (?), ne kemi nevojë jo për kapele po për kokë, piktorët gjenialë janë somnambulë që ecin me siguri në rrugën nga Providenca, gjaku i rrufeve bërtet nga toka në qiell, mund të thuhet për artistët: never did so few do so much for so many, krimi është anusi i botës, paraja daljen e fundit e ka nga anusi, në pasqyrë shohim një teatër sekret të hijeve, pasqyra është fantazma për Hamletin, Jorge Luis Borges donte të shkruante një shënim lakonik dhe dinak për Mona Lizën në gjuhën e shpikur vetë të quajtur panlengua, që bazohej në astrologji, në horoskopet zodiakale, në teorinë e hapësirës së lakuar (kurbëzuar),, llojet fëminore të onomatopeve si psh panpanpanpan, pinpinpinpin, sorsorsorsor, etj, në vizionet haskatologjike, në ekuacionet e Tiho Brahes, në metaforat me origjinë arabe, të bastarduara nga nënkuptimet e vrazhda latine dhe akoma më tej neolatine,, jemi të gjithë përpjashtim pjella të yjeve-syri ynë është i përbërë nga e njëjta lëndë që përbën Diellin, syrin e ka gatuar Dielli, ne shohim Diellin ndërmjet Diellit, atomi i syrit i flet atomit të Diellit, atomi i syrit të Leonardo da Vinçit është i njëjti me atomin e pigmentit të ngjyrës së syrit të pikturuar të Mona Lizës, absolutisht e njëjta gjë jo vetëm materialisht, estetika është astrofizika dmth martesa e tokës me qiellin në mendjen e njeriut, Orfeu që kthehet nga Ferri ka nevojë të na kthejë kokën pas dhe të flasë, por nga që nuk përmbahet i zhduket në çast Mona Liza e quajtur gjithashtu me emrin e Euridiçes, kjo shpjegon pse nuk u kthye në një grua të gjallë Mona Liza dhe mbeti pengu i Ferrit të admirimit dhe të dyshimeve tona të pafundme, Mona Liza vetëm hesht. ( 1996)

FRIKA NGA ZBRAZESIA

Shën Tereza e Aviles ka mbetur e paharruar për klithmën e saj mistike “Ay, que no puede faltar en el padecer deleite” – “Ah, mos qoftë kurrë e papranueshme brenda dhimbjes endja “ajo ndjente kënaqësi nga turturimi i trupit të saj, jo më kot në librin “Zogu kopshtar” të Paul Caros thuhet, se truri për të luftuar kundër dhimbjes sekreton vetvetiu substanca me përmbajtje opiumi endorfina, kështu shën Terezës së Aviles i vinte kënaqësia fsheurazi brenda vetes, Nostradmi shpallte me përvujtëri se astrologjia i ndihmonte njerëzit për të hetuar, se çdo njeri ka frikë nga zbrazësia dhe nga vetmia, misteri mbush boshësitë e frikshme, femrat si Mona Liza kanë bukuri që të shastis, Salvador Dali thoshte “pitagoreske”, ne mund të kuptojmë një ekuacion matematikor po a mund të zbërthejmë deri në fund emocionin që të shkakton një kryevepër arti, debat i vjetër, disa përgjigjen preras, një ndër ta është dhe Leonardo Da Vinçi, dihet thëmia e tij e famshme për pikturën që është “Cosa Mentale”, nëqoftëse piktura është një prodhim i mendjes, veprimtari e mendimit ahere një tru i stërvitur mirë mund ta rivlerësojë e ta kuptojë saktësisht një pikturë, kjo është apologjia e njohjes, Valery e mbështet Leonardon, Valery ka shkruar me gërma të arta në frontonin e Chaillot se “dora e artistit është e barabartë dhe rivale me mendjen”, po ai shton se “njëra s’bën dot pa tjetrën”, Andre Breton dhe Max Ernst e quajnë mendimin si paralizues dhe shtërngues, kërkojnë shpërthimin e brendshëm, automatizmin, gjithçka që mund të burojë drejtpërsëdrejti nga errësira, nga thellësia pa kaluar në mullirin e analizës, zëri i artistit kalon pothuajse vetvetiu nga ajo që Viktor Hygo e quante “Gryka e errësirës” natyra s’ka asnjë arsye që të jetë e thjeshtë dhe e qartë, poeti Susuki: ajo që është e qartë nuk është japoneze, toka është një planet barbar po ka lindur Mozartin (Mona Lizën mashkull të muzikës). ( 1997)

S’KA VETEM NJE SHEKSPIR

Herakliti: nga të gjitha gjërat e shpërndara sipas rastësisë më e bukura është gjithesia, Shekspiri është i madh pikërisht se brenda tij ka shumë Shekspirë, me miliona Shekspirë nga një për çdo lexues, ose spektator, nuk ka një univers po një pafundësi universesh. ( 1989)

SHPEJTESIA E ERRESIRES

Salvador Dali: urrej më shumë se gjithçka thjeshtësinë, mendjet e thjeshta gënjehen lehtë, Hyjnia indiane Krishna fluturon me krahë të zinj (fjala Krishna do të thotë e E zezë), Krishna është një parakusht, formë e grafikes, nëse dimë shpejtësinë e dritës dimë si të barabartë të kundërtën shpejtësinë e errësirës, Zoti, Zoti tha “Fiat Lux” (Të bëhet Drita”) pra më parë ishte errësira, kur prek me gishta trupin e Mona Lizës je në marramendje, nuk e di në prek qenien seksuale të një gruaje, apo qenien joseksuale të një sirene, politeizmi e ve theksin mbi shumësinë, monoteizmi njësinë, shën Pali flet për trupin me mish shpirtëror, përbërja kimike e pikturës së Mona Lizës të dëshpëron, të huton, të shmang nga misteri, Creo quia absurdum, heretiket gnostikë mendonin se trupi i Krishtit ishte nga brenda “ajror dhe fantastik”, po si mund të përfytyrohen jashtëqitjet e Zotit, Zotit, për Kryengjellin nuk ka WC.( 1993)

ORENDREQESI I GJITHESISE

Bazili, heretiku i mrekullueshëm dhe kokëshkëmb i shekullit të II, i hyjnisë Abrakas – Aparkeas, ka guxuar të shkruajë se Jezu Krsihti ia dha pamjen e tij të jashtme Simonit të Sirenës, i cili u kryqëzua në vend të tij, vetë Krishti ishte mes turmës gjatë ndëshkimit pa u njohur prej të tjerëve, Laclos: misteri të çon drejt guximit, oportet haereses esse – heretikët janë të domosdoshëm, Marivaux: të qenurit tonë në këtë botë është për t’u kënaqur dhe jo për të njohur, Buda: të qenurit tonë në këtë botë është për të njohur dhe jo për t’u kënaqur, Bllejk: ja një botë e tërë në një grimcë rerë dhe vetë Parajsa në një lule të egër, o, në pëllëmbë të dorës të mbash pafundësitë dhe brenda një ore amëshimin, një piktor i lashtë kinez, (njëkohësisht dhe poet,) me një fjalë Leonardo Da Vinçi i shndërua në kët piktor kinez (shekuj të tërë pa lindur) ecte rrugëve dhe shkruante vargje pikturike, hieroglifike nëpër mure, ndër të tjera edhe vargun “pa patur nevojën e syve i shoh qytetet e yjeve”, sistemi astronomik i Ptolemeut mos qe ëndrra e një orëndreqesi të gjithësisë (?). ( 1993)

INFINITI SI MOSMENDIM

Julien Gracq: kaq shumë duar për ta shndërruar këtë botë dhe kaq pak sy për ta soditur, simetria është një maskë mashtruese, parregullsia është një rregull i fshehtë, për budistët mendimet janë shtëpia e imagjinatës, copëzimi i shikimit tonë nuk është doemos iluzion, një tekst i vjetër zen: në çastin që nisni të flisni për diçka ajo ju shket nga duart, realiteti është fundi i çarë i një kove, ku rrjedhin universet, hyjninë, rëra, uji, zjarret, kuajt, gjarpërinjtë, kaktuset, devetë dhe delfinët, kështjellat dhe verbëria e poetëve, gotat e verëssë Khajamit , sperma e adoleshentëve, mendimet, boshllëku dhe ankthi i ateistëve, nirvana është dehje nga dykuptimësia, Claud Peker: i diskutueshëm nuk është horoskopi por shpjegimet e tij, shenja zoodiakale e Mona Lizës është Binjakët, dynjësia e saj me Leonardon nuk ka dyshim, sepse nuk është një dyshim, Midis Mona Lizës dhe Leonardo Da Vinçit kush është vallë Dioskuri i tretë (?) gjithësia është më shumë mosmendim, s’ka kuptim mosmendimi për gjithësinë, enigmat e mendimit na çojnë vetëm e vetëm te mosmendimi, mos vallë infiniti është mosmendim (?)  (1995)

MAGJIA E ZANAFILLES

Piktori lind midis dy brinjëve të Shenjtanit, e rrethon zjarri me një qafë llave, me sy, që shohin dhe vesh, që dëgjojnë, zjarri është ad-habel-huldi (dënimi i përjetshëm), krenaria eshtë këmisha e flakëve dhe madhështia është gunë e cinizmit, sipas profetit të profetëve Muhametit shpirtrat e të mirëve janë në brendësi të shpendëve të gjelbër, prandaj e gjelbra është ngjyrë profetike, gjë, që në të vërtetë nuk dinte Botiçelli, kur krijonte në pikturat e tij muzgje të gjelbër, të çuditshëm, Mona Liza, Mona Liza a e di ti, se në Xhenet ka gra të mrekullueshme me bukuri të paimagjinueshme me sy e sisa të mëdha, që nuk u vijnë kurrë menstruacionet gra, të cilave u shihet brendësia e pulpave (?) Mona Liza, Mona Liza çdo grua në Xhenet kur e shikon tokën, terrin, salamandrën, fundin e pusit, Atlantidën e mbytur e ndriçon me vështrim – pse nuk e provon edhe ti të njëjtën gjë, (?), vërtet nuk flet dhe nuk ta dëgjojmë të qeshurën, por ti,o Zonjë e Pikturës shikon, je Mona Liza Meduzë, ose Meduza Mona Liza, Ferri i Muhametit është më i pakonceptueshëm se sa ai i Dantes, sepse në të largësia midis dy krahëve të pabesimtarëve kur ai përvëlohet në zjarrin ndëshkues është sa udhëtimi tri ditësh i kalorësit të shpejtë dhe dhëmballa e tij rritet e bëhte sa kodra e Uhudit (kodra që është përballë Medinës), gjerësia e lëkurës së tij është sa largësia midis Mekës dhe Eufratit, ky zmadhim i trupit të pabesimtarit bëhte si shkak i dënimit dhe dhimbjeve të tij,, mishin ia sqepojnë shqiponja vigane me qafa si të deveve, nëse Mona Lizën Muhameti i madhnueshëm do të fuste në Xhehenem ç’ndryshime përmasash që do t’i ndodhin, dhëmbët që nuk i duken mes buzëve që ndonëse janë në një lëvizje të papërcaktuar  të buzëqeshjes, dhëmbët, njëri pas tjetrit do t’i formonin zinxhirin e maleve të Bjeshkëve të Namuna, duart e Mona Lizës do të ishin si bashkimi i dy kontinenteve në ngushticën e Dardaneleve: Evropa dhe Azia, mes detin Bosfor të një magjie të zanafillës.( 1996)

 

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *