Kam dobësi për ish-kryeministrin Sali Berisha, pavarësisht vendimit për përjashtimin e tij 10 ditë nga Kuvendi. Por në Kuvend duhet të ruajmë etikën ndaj njëri-tjetrit”. Është ky reagimi i dhënë nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, një ditë pasi Byroja Parlamentare vendosi përjashtimin me 10 ditë nga të gjitha veprimtaritë e Kuvendit të deputetit Sali Berisha. Meta tha se pavarësisht këtij vendimi, dobësia e tij për Berishën nuk do të ndryshojë. “Berisha gjithmonë do të jetë i mirëpritur për të shprehur idetë dhe pikëpamjet e tij në Kuvend, por natyrisht që është detyra e të gjithë deputetëve duke filluar nga unë si kryetar i Kuvendit, që gjithmonë të ruajmë etikën me njëri-tjetrin dhe me opinionin publik”, tha Meta. Në seancën e të enjtes në Kuvend, deputeti Sali ka përdorur një fjalor fyes për dy gra, njëra prej të cilave bashkëshortja e ministrit Erion Veliaj. Meta është politikani i vetëm deri tani që ka tentuar ndëshkime ndaj Saliut. Në vitin 2000 ishte urdhri i tij që të shoqërohej në polici kreu i opozitës së asaj kohe.
