Në fillim të shekullit XX Elbasani kishte një etje aq të madhe për kulturë, sa intelektualët elbasanas u angazhuan për krijimin e bibliotekës dhe muzeut të qytetit. Përgjegjës për të themeluar muzeun u vendosën Lef Nosi dhe Filip Papajani, ndërsa sa i përket bibliotekës së qarkut u vendosën përgjegjës Ahmet Dakli dhe Shefqet Daiu.
Në pothuajse të gjitha numrat e Kopshtit Letrar në rubrikën “Lajme e Zadhanie” është lajmërimi ku “qarku letrar i lutet zotërinjve dhe autorëve të cilët kanë dëshirë për të falur libra për bibliotekën t’i dërgojnë tek kujdestarët e bibliotikës, z. Ahmet Dakli dhe Shefqet Daiu”. Thanas Floqi ka qenë një tjetër patriot që është angazhuar për mbledhjen e librave.
Në artikullin “Vullnet e qendresë në punë” duke folur për punët që duhet të bëjë bashkia e kohës së viteve 1923, shkruan: Besojmë se nuk do të ishte keq të organizonte Bashkia e këtushme një Theatër Kombëtar, nji Biblitokekë Popullore të vogël e nji muze sido-ludo”.
Në të njëjtën kohë është bërë një propagandë e madhe për librin.
Foti Papajani, i njohur si fotografi i parë i qytetit, por edhe një mësues, do të shkruante: Libri ka vlera edukuese dhe se është një influencë e madhe ndikimi i shkrimtarëve të mëdhenj”. Dihet që një pjesë e madhe e bibliotekës së Lef Nosit ka pasuruar bibliotekën e Elbasanit.
Historia e ndërtimit të bibliotekës
Biblioteka e Elbasanit ka një histori të veçantë pasi godina dhe një pjesë e fondit të librave janë dhuratë. Që në ndërtimin e saj familja Baholli dhuroi tokën dhe ndërtoi godinën, madje bleu edhe një sasi librash duke zbatuar amanetin e Nazif Bahollit, i cili pas vdekjes së djalit në moshë të re vendosi t’ia dedikojë atij bibliotekën. Një pjesë e madhe e librave të tjerë të këtij fondi u dhurua nga patriotët, gjuhëtarët, Klubet dhe Shoqëritë në vitet 30-të.
Godina e vjetër vitet e fundit u rikonstruktua totalisht madje duke shtuar edhe një pjesë anësore në shërbim të zgjerimit të ambienteve. Godina është me dy kate, në njërin kat fondi ndërsa në katin tjetër janë lexuesit dhe sallat e veçanta. Teksa hyn shikon se lexuesit aty nuk mungojnë, megjithëse një pjesë e madhe janë të moshuar që duan të shfletojnë shtypin e ditës. Në një pjesë janë studentë që përgatisin diplomën, bëjnë detyra apo i duhet të shfletojnë vëllime që nuk gjenden thjesht. Biblioteka e Elbasanit ka një fond prej 200.000 mijë librash nga këto rreth 160.000 janë botime në shqip, 20.000 në gjuhë të huaj dhe 12.000 koleksione të periodikut.
Si pasurohet fondi
Fondi bazë është nga Buxheti i Bashkisë i cili në vitin 2008 ka qenë 100 mijë lekë të reja më shumë. Por në pasurimin me tituj nga ana e Bibliotekës çdo fund viti i bëhet kërkesë edhe institucioneve të tjera. Kështu kreu i Këshillit të Qarkut i ka kaluar 160 mijë lekë të reja bibliotekës me destinacion blerjen e librave.
Drejtuesja e bibliotekës, Drita Cankja, thotë se me paratë e marra nga institucionet këshilli shkencor ka zgjedhur edhe titujt e duhur dhe bashkëkohor që i mungonin bibliotekës. Po kështu Cankja thotë se për pasurimin e titujve ka ndihmuar korrespondenca me Ambasandat apo Organizatat joqeveritare, të cilat kanë sjellë vëllime në gjuhë të huaj. Po kështu biblioteka pasurohet edhe nga bashkëpunimet ndërbibliotekare si ajo e Prizrenit me të cilën ka binjakëzim, por edhe dashamirës nga Kosova e Maqedonia.
Një ndër dhuratat e mëdha për bibliotekën e Elbasanit ka qenë edhe një pjesë e madhe e fondit të Mahir Domit në vitin 2003. Kjo dhuratë i erdhi bibliotekës nga familja pas vdekjes së profesorit të mirënjohur që kishte shprehur dëshirën që librat t’i dhuroheshin Elbasanit.
Sa për frekuentimin e bibliotekës, Cankja thotë se vitet më të zeza kanë qenë 1991-2000 ku pati një rënie frekuentimi. Sipas saj, me përmirësimin e kushteve është rritur interesi. Kështu në vitin 2008 janë regjistruar 9834 frekuentues, ndërsa viti 2007 ka pasur 5097 frekuentues.
Lexuesit janë të moshave të ndryshme, por të moshuarit janë ata që bien më tepër në sy si frekuentues të stërvitur të shtëpisë së librit. Drita Cankja kujton fjalët e Ylli Popës i cili i thoshte: “E dua Bibliotekën e Elbasanit sepse aty u rrita, aty u bëra ky që jam sot. Do të doja të bëja më shumë për të pasi është biblioteka e vendlindjes sime..”. Ajo tregon se për të afruar lexuesit më të vegjël janë hapur lexime kolektive, Dita e Përrallës, promovimet e librave dhe takimet me shkrimtarët kanë bërë që fëmijët të edukohen me librin.
Në një krahasim mes bibliotekës dhe librarive frekuentuesit e bibliotekës thonë se janë disa arsye pro bibliotekës gjithmonë kur ajo ka titujt e mjaftueshëm. Ata thonë se superioriteti i një biblioteke vjen nga fakti se mund të gjesh libra nga më të vjetrit, larmishmëri titujsh, kursim parash. Një prej frekuentuesve quhet Çlirim Gega. Ai është duke realizuar një studim dhe një përkthim mbi një shkrimtar turk.
Gega tregon se e ka pasur të vështirë të gjejë në librari materialin që kërkonte. Madje duhen llogaritur shpesh edhe kostot ekonomike pasi nuk kanë mundësi të blejnë çdo libër. “Për shembull: drejtuesit e bibliotekës shkuan e blenë fjalorin e turqishtes vetëm që biblioteka ta kishte dhe ne të mund të realizonim punën tonë. Kushtet janë një tjetër e mirë e kësaj biblioteke, por edhe mundësitë që të ofron me sallat dhe fondin e saj”.
Katalogët dhe klasifikimi
Baza e klasifikimit është ajo e klasifikimit dhjetor universal i përdorur që nga viti 1968. Katalogët janë:
1- Katalogu i alfabetit për autorin
2- Katalog sistematik sipas KDU
3- Katalog topografik
4- Katalog kronologjik
5- Katalog gjeografik
Biblioteka ka karakter shkencor dhe publik. Ajo është qendër e depozitimit dhe e ruajtjes së botimeve shqip, qendër bibliografike kryesore për komunitetin, qendër studimi, edukimi dhe trajnimi për komunitetin, qendër e shërbimit të albano-ballkanologjisë, qendër katagolizimi etj.
Sasia në volume dhe koleksione
1-Arkivi i fondit të Albanologjisë 4556 tituj
2-Arkivi i periodikut shqip të paraclirimit 895 koleksione
3-Arkivi i periodikut shqip pas clirimit 3754 koleksione
4-Fondi i librit shqip 133001 volume
6- Fondi i librit për fëmijë 27000 volume
7- Fondi i librit të huajj 22.330 volume
8- Arkivi i periodikut të huaj 1.606 koleksione
9- Dhurata 109 libra nnë shqip, 2487 libra në frëngjisht dhe 1030 libra në gjuhën angleze.
Botime të vjetra të bibliotekës
Biblioteka publike “Qemal Baholli” në Elbasan shquhet për librat e rrallë që zotëron. Librat marrin vlerë për nga koha e botimit, autorët dhe temat që trajtojnë.
Ndër librat e vjetër përmenden libra në turqisht dhe arabisht botuar në shekujt XVI-XVII. Nga fondi i albanologjisë përmenden botimi “Ilustrimet e veprimeve të lavdishme dhe fitoret e ushtrisë shqiptare të udhëhequra nga Skëndërbeu në luftën kundër turqve”, botuar në vitin 1591. Duponcet R.P. Historia e Skëndërbeut, Mbret i Shqiptarëve 1709. Historia e Konstandinopojës që prej mbretërimit të Ancian Justinit dhe deri në fund të sundimit bot. i shek XVII.
Biblioteka zotëron botime të vjetra fetare, dorëshkrime të rilindasve, gramatikën dhe abetaren e Kristoforidhit, botime të Fishtës, Xhuvanit, etj.
Fatos Kongoli
Bota është e zhvilluar, ka mjete të tjera të komunikimit masiv, informacioni, internet, por unë do të thoja dhe nuk është vetëm mendimi im, se asgjë nuk do të zëvendësoj librin, absolutisht është i pazëvendësueshëm. Atë që e merr nëpërmjet librit, nuk e merr nga asgjë tjetër