Etrit Berisha, oreks për më tepër aktivizim me Lacion

redaktor

Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha, e shfrytëzoi më së miri shansin që iu dha në Europa League ndaj Apolon Limasol, ku u aktivizua si titullar i Lacios në vend të Federiko Marketit. Lacio fitoi 2-1 dhe tani trajneri Vladimir Petkoviç mund të mbështetet plotësisht te 25-vjeçari, të paktën në ndeshjet evropiane dhe në Kupën e Italisë. Në një intervistë për shtypin suedez, portieri i Shqipërisë u shpreh i kënaqur për debutimin me bluzën bardhekaltër. “Mendoja se mund të isha pak nervoz në takimin e parë me Lacion, por në fakt isha i qetë dhe në gjendje të bëja lojën time. Edhe trajneri me përgëzoi, ndaj jam shumë i kënaqur. Eksperienca me Lacion është diçka e re për mua dhe më duhet pak kohë për t’u ambientuar. Gjithsesi, mendoj vetëm si të bëj më mirë punën time, të jap maksimumin”, rrëfen portieri. Ai shton se kapiteni i kombëtares ka pasur një ndikim shumë të madh në përshtatjen me skuadrën dhe me ambientin që e rrethon në Romë. “Lorik Cana më ka ndihmuar shumë që nga dita e parë, brenda dhe jashtë fushës. Kam filluar të afrohem edhe me lojtarët e tjerë, prej të cilëve mora përgëzime pas ndeshjes me Apollonin. Fjalët e tyre janë shumë të rëndësishme për mua. Për sa i përket Romës, është një qytet i madh dhe nuk kam pasur mundësi për ta vizituar, edhe pse do të më pëlqente shumë. Mund të them se është një nga qytetet më të bukura në Evropë. Gjithsesi, unë nuk do ta harroj kurrë Kalmarin. Kam kujtime të bukura për këtë qytet, ku kam takuar njerëz fantastikë. Do ta gjej shumë shpejt kohën për ta vizituar”. Në fund numri një i Shqipërisë tregon dëshirën për më tepër aktivizim, pasi i tregoi vlerat kundër qipriotëve: “Ishte shumë e rëndësishme për mua që m’u tha rasti për të luajtur titullar. Tani trajneri e di se çfarë mund të bëj, shpresoj të kem më shumë mundësi në të ardhmen. Më duhet të punoj fort për ta pasur këtë mundësi”.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *