Nuk dihet nëse është i rastësishëm, apo dikush e ka paramenduar me kujdes faktin se këtu, gjithçka tenton drejt Perëndimit. Drejt Perëndimit rrjedhin dy përrenj që burojnë jo shumë larg nga njeri tjetri. Drejt Perëndimit zgjatet udha e vjetër. Drejt Perëndimit rrëshqet dielli, aq sa të duket se gjithë ditën, je duke vështruar një diell, që përshkon vetëm gjysmë udhën e tij.
Drejt Perëndimit vrapojnë ëndrrat e fëmijërisë së hershme, drejt Perëndimit ikin fjalët, këngët, grindjet, dashuritë. Drejt Perëndimit kanë ikur të gjitha ata që donin të merrnin udhët e botës. Në të njëjtën kohë, po nga Perëndimi vijnë të gjitha lajmet e botës. Nisur nga kjo pllajë, Perëndimi nuk ka qenë vetëm një pikë ku çdo muzg mbyllej dita e vogël e kësaj pllaje, po dhe një portë enigmatike ku hapej bota.
Nisur nga kjo pllajë, vetëm Perëndimi është i pafund dhe në veçanti Lindja, është e kaq e kufizuar sa thuajse nuk ekziston. Gjithçka tjetër, është ngritur mbi një shpat si thikë, aq sa dhe dielli duket se lind nga gjiri i pllajës. Pllaja dhe maja e malit mbi të, nuk të krijojnë asnjë shans të hedhësh shikimin në drejtim të Lindjes. Dielli këtu, ndoshta vonon ca, vonon, sepse do që të shfaqet pak më i rritur, sikur ta dijë se aty në pllajë do t’i duhet të ledhatojë kurmin e një vajze që ka hedhur shtat. Dihet se më e bukur është, që një vajzë të ketë pranë një djalë të rritur, se sa një diell-foshnjë. E pra, dielli pret ca çaste sa të vet rritet e pastaj pushton kurmin që shtrihet në këtë pllajë.
Natyrisht, ky nuk është fshati më i bukur në botë, por ky është i vetmi fshat në botë, i cili që në krijimin e vet, shekuj më parë, ka besuar se për të pasur një imazh të bukur, duhet të ketë në qenien e vet diçka femërore. Ky është i vetmi fshat në botë që në fëmijërinë e vetë, flaku tej mentalitetit mashkullor të mjedisit përreth, dhe hodhi mbi vete një tis femëror.
Ai që e pagëzoi si fillim, ndoshta nuk i ishte ndërgjegjshëm, për fytyrën që do t’i jepte përjetësisht këtij fshati. Mbase nuk e kishte parashikuar se në çdo tavolinë të atyre anëve, kur të ulej pjesa burrërore ai, i pagëzuara me emër femëror, ndoshta do endej kokulur nëpër korridore, larg tavolinave. Më keq akoma nuk dihet nëse ka menduar se do vinte ndoshta një moment, që pjesa mashkullore që e rrethonte, do ushtronte trysni që ky fshat, ta linte pas emërtimin e vet, sepse një vajzë është vetëm prej mishi e gjaku dhe nuk ka asnjë lidhje me shpate, ullinj e përrenj.
Në vijim të kësaj, nuk di të them nëse ky fshat, ka pasur momente që është ndjerë keq, nga emri që e kishin pagëzuar shekuj më parë.
Nuk dihet që edhe shekuj më vonë, kur shumë fshatra përreth morën ndonjë prapashtesë sllave, greke a italiane, dikujt edhe mund t’i ketë shkuar në mendje se edhe ky fshat duhet të ngjasonte me të tjerët dhe mund të thirrej “девојке”, “κορίτσια”, apo “ragazze”. Erërat e këtyre gjuhëve kanë fryrë edhe deri këtu. Nuk dihet nëse është tunduar. Nuk dihet nëse i kanë thënë se ka ardhur koha që ky emër nuk të shkon për shtat! Por ajo që dihet me saktësi, është fakti se sot e kësaj dite, ky fshat vazhdon të emërtohet krenarisht: Vajzë!
Emërtim thellësisht i veçantë, thellësisht i çuditshëm që nuk është një konvencion, nuk është thjesht një shenjë dalluese për njerëzit që banojnë atje, mbështetur në një pllaje, me sytë vetëm nga Perëndimi.
Pagëzimi i bërë qindra vite më parë, është një moment i bukur dashurie dhe lidhjeje shpirtërore. Është një akt i bukur ku ngjizet malli. Nëse në çdo raport dashurie, vjen një çast që thinjen ata që duhen, ky pagëzim ka vendosur një kusht. Ata që kanë dalë nga gjiri i kësaj “vajze”, ata që janë tani dhe ata që do vijnë më pas, ata që janë thinjur, ata që sapo kanë hedhur hapat, po edhe ata që ende nuk kane lindur ende, janë “të dënuar”, e njëkohësisht kanë fatin që përjetësisht të dashurojnë një vajzë. Ky emërtim ndoshta i ka bërë më të bukur, më të bukur në shpirt, dhe më të prirë për të dashuruar.
Banorët e saj pllaje, kanë një tipar që nuk e gjen tek banorët e asnjë fshati tjetër në botë. Sapo hapin sytë, më saktë sapo krijojnë lidhje me ambientin përreth, u ngulitet në kujtesë imazhi i një vajze. Më pas, edhe kur marrin udhën atje poshtë, për tek kodra e vogël në hyrje të fshatit, mbajtur mbi supe të të tjerëve, imazhi i saj i ndjek pas deri në fund, një imazh me flokë të praruar, më sy plotë dritë, me trupin si një lastar i bukur që shtrihet mbi kodra, si mbi në një shtrat të butë. Thjesht vajzë!
Ka plot arsye të shkosh atje, le të themi “tek Vajza”, sepse po të thuash se po shkoj “në Vajzë”, duket sikur padrejtësisht ja zbeh tisin femëror këtij udhëtimi. Duket sikur e zhvesh atë nga të qenit vajzë.
Po ka dhe një arsye që do më duhet ta përmend, thuajse me përkëdheli emrin e këtij fshati, ndërsa eci drejt tij, dhe kjo është vogëlushja që do të jetë bashkudhëtarja ime. Ajo i veshi këtij udhëtimi imazhin e vetë, sepse ajo nuk më tha, më shpjer atje, si thuhet zakonisht kur dëshiron të vizitosh një vend. Nuk më tha se dua të shkoj atje në Jug, atje ku nisë e i rrjedhë gjaku, si mund thotë çdo vogëlushe e moshës së saj që ka rritur brenda vetes, mallin e Jugut. Nuk më tha se dua të takoj ndonjë emër, siç ndodhë me mallin e njerëzve që ke lënë atje pas. E rritur mes bisedave pa fund, mes ca burrave grave, që pavarësisht moshës së secilit, flisnin e flisnin pa fund për një vajzë, si për një dashuri, ajo padyshim që e çonte shpirtin herë pas here atje larg në Jug, tek një nur vajze. Nisur nga ky perceptim, ngulitur në botën e saj, para se të niseshim, ajo nuk më tha thjesht se dua të shkoj atje, po si të ishte duke thënë diçka, të cilën e kishte menduar gjatë, por thuajse më dha urdhër: Dua të shkoj të takoj shoqen time!
Mund të flasim, për atë fshat, si për të gjithë fshatrat e botës, rrënjët e të cilëve shtrihen thellë në shekuj. Madje një çast mund ta lemë dhe mënjanë emrin e tij kaq delikat dhe të përzhitemi në britma lufte e trishtimi, por kjo nuk do ishte një bisedë e goditur, në një kohë që je mes dy vajzave, njërën prej të cilave e kam për dore dhe tjetrën përballë. Kjo më bënë të flasim krejt më ndryshe, në një bisedë që u shkon për shtat këtyre dy vajzave.
Nisur nga kthesat e pafundme, që ngjasojnë me dyer të panumërta të një kështjellë të madhe, dhe ta bëjnë të pamundur pamjen para syve, nisur nga malli i atyre që marrin udhën drejt atij fshati, nisur padurimi e ngutja, jo shumë larg prej tij, jo më shumë se një kilometër e ca më poshtë, toka është fundosur, apo “vithisur”, siç thuhet këtu dhe pak metra më tej ajo që të del para syve, është më shumë se mall. Vajza pra, Vajza! Nëna dhe bija ime! Gruaja dhe motra ime!
Flokë shpupuritur, mes ullinjve të moçëm, shpërndarë tej e tej, me trupin e lakuar deri poshtë, kjo “vajzë” nuk ngjason me asnjë vajzë tjetër. Po ta shikosh nga afër, do bindesh se tej anonimatin të saj në emërtim, si thjesht vajzë, ajo nuk mund të anashkalohet kaq lehtë.
Kodra e ngritur në mes të saj, ka nj emër që lidhet me vetë Zotat, shpati ku ka venë shpatullat, ka një përkatësi beu, Beu-n, dhe pak më lart saj, atje ku bora rrallë ikën, maja e malit thërritet, po me një kurorë mbretërish. Edhe më poshtë çdo kodër, apo çukë, është e lidhur me emra të fismë, ku duket se vete Perëndia, ka dashur të ngrejë ca anekse të selisë së saj. Ky imazh si bijë mbretërish, e ka bërë atë fshat të mbrojtur nga tërë peizazhi mashkullor tej e tej. Unë them se ata që e kanë pagëzuar me atë emër të brishtë, natyrisht e ka ditur se ai fshat ngrihet mbi një terren me emra perëndish dhe fisnikësh dhe pas kësaj, tamam si një motër që ka në krah vëllezër të fuqishëm, askush nuk do të mundje të guxonte ta përgojonte emrin e saj, në shekujt që do vinin.
Nëse jeni diku larg, diku ku askush nuk ju njeh, nëse keni ndrojtje si i panjohur dhe hezitoni të uleni atje në mes të bisedës, nëse imazhi juaj prej burri ndoshta ju bënë të stepeni, kur t’ju pyesin se nga jeni, mos hezitoni të thoni me krenari emrin e fshatit tuaj, atë emër të çuditshëm, ashtu si mund të thoshit emrin e bijës, apo nënës suaj, dhe pas kësaj të jeni të bindur se do t’ju bëjnë vend atje në krye të tavolinës.
Vite më vonë, ata që se kanë pasur idenë se mund të ekzistoj dhe një fshat me një emër kaq të pazakontë, ndërsa më kanë pyetur për të, fillimisht dhe unë kam hezituar. Kam hezituar jo se kam pasur ndrojtje, po thjesht se më dukej se nuk do më kuptonin se vërtet fshati im ishte një “vajzë”. Ose më saktë, ndërsa ata që nuk e dinë se ekziston ai fshat, kur duan të dinë emrin e tij, të krijohet ideja sikur dikush është duke të pyetur për emrin e nënës. Vetëm emri i nënës është aq i shtrenjtë, është aq intim për ty, është aq shumë vetëm yti, sa nëse bie rasti të interesohet dikush për të, nuk është çudi t’i thuash, për çfarë e do emrin e nënës sime ti!?
Atje poshtë në qendër të fshatit, gjithçka ngjason me portën e një shtëpie të madhe, me tre rrugë, si korridore të ngushtë që të çojnë në brendësi të kësaj shtëpie. Në hyrje, më përmasa thuajse normale, silueta e poetit derdhur në bronz. Nuk është rastësi që vetëm pak metra larg tij, është busti i heroit që ra në luftën e fundit. Ky fshat ka ditur se cilët ka nxjerr tek porta për të pritur ata që vijnë këtu. Ata janë të dy të bukur në atë që përfaqësojnë. Heroi, një idealist i lindur, poeti që ishte tej ideve të tij, e donte Atdheun sipas mënyrës së tij. Heroi që iku nga kjo botë aq i ri dhe poeti që jetoi shumë më pas, si për të parë si u përdhos ideali i heroit. Heroi që e shikonte botën pak më ndryshe dhe poeti që bisedonte me yjet për të tjera gjëra. Të dy e donin njeri tjetrin, e megjithatë nëse uleshin së bashku në një tavolinë, ndoshta nuk do merreshin vesh kurrë, po jam i bindur se do flisnin për mallet që ishin të përbashkëta tek të dy. Ndoshta poeti, kurrë nuk i pati për zemër ca ide politike të heroit dhe jo se ai do ta kundërshtonte, sepse nga natyra e tij poetike, ishte kaq i heshtur, por ndoshta i lodhur nga një trusni politike që sa vinte e rritje, poeti do arratisej në ndonjë lirikë poetike dhe do vazhdonte ta donte heroin, po aq shumë. Madje do vazhdonte t’i thurte poezi, poetit, siç dhe bëri në fakt.

Ky nuk është një fshat që është rropatur qetësisht në fatin e vetë. Tej emrit të tij delikat, ai ka brenda vetes nervin kryeneç pjesës së botës ku shtrihet. Ky nuk është një fshat që i është nënshtruar butësisht fatit të vetë. Shtëpitë e bardha nga gëlqerja, thuajse të ngjitura me njëra tjetrën, kanë mbajtur brenda vetes, njerëz që në momente të caktuara, ka besuar në bindje krejt të ndryshme politike, por kurrë nuk ka besuar tek një ide që do t’i ndante nga njeri tjetri. Në gjirin e tij janë prodhuar me shumicë mendime që kishin lidhje me të majtët, apo me të djathtë, por kurrë nuk kanë prodhuar ide që do t’i vinin banorët kundër njeri tjetrit. Tej asaj që diktonte kohëra, është një veçori e bukur, një veçori që ka ruajtur dashurinë mes banorëve të këtij fshati. Kurrë nuk është dëgjuar dhe në kohërat më të errëta, që këtu të flitej keq për dikë, që le të themi nëse politikisht mendonte, apo vepronte ndryshe nga të tjerët. Kurrë nuk është lënduar njeri për këtë shkak.
Ndërsa vogëlushja që kam në krah, prek me dorë bustin e poetit, më duket e tepërt ta lodhë duke i dhënë shpjegime rreth tij. Me kohë ajo do ta mësojë se mes atyre që dinë ta zbulojnë shpirtin e njeriut, ka edhe të tillë që e bëjnë shpirtin të këndojë. Më tej, nuk dua t’i them se vetëm nga fakti se ajo është bijë e një “vajze”, kur të rritet dhe ca, do dijë të këndojë bukur. Nuk dua t’i them se dhe vite më vonë, kur të hyjë në portë, kur të ulet në kolltukët prej guri rreth oborrit, kur të jetë duke lëvizur nëpër shtëpi, kur të jetë duke u ngjitur nëpër shkallë, apo kur të ngrejë gotën, ndërsa do ta ftojnë të këndojë, siç dinë vetëm ata që e rrethojnë, do gjendet dikush që do t’i përsërisë, pafundësisht: Sa na kishte marrë malli o bijë!
Më tej akoma, këtu pranë bustit, nuk dua t’i them se ndërsa ky fshat është rrudhur deri në kockë, që shpesh ndihet i harruar nga të gjithë, që ka provuar dhe trishtime pa kufi, e pra nuk duhet t’i them se kjo Vajzë pra gjen kohën t’i jepet dhe trilleve të tilla, duke i pagëzuar shtigjet e veta më të thepisura, me emërtime ti tilla, si “shtegu i poezisë”. Nuk dua t’u them dy syve të saj si drita, se një fshat që ka trille të tilla, është tej imazhit të një vajze të trishtë, që e lë veten e saj pas dore. Ose e thënë më thjesht, një vajzë e tillë, vërtetë nuk ka shkelur nëpër dyqanet mode, po kjo nuk e pengon t’i zbukurojë flokët dhe nurin e saj, si di vetëm ajo.
Udha zgjatet, duke e rrethuar fshatin nga e majta, e pastaj ikën për në Gjirokastër, Janinë, Selanik, apo në hapësirat aziatike, më tutje akoma. Është dhe një rrugë tjetër, e cila e rrethon fshatin nga e djathta, deri sipër në krye të tij, ndërsa njëra ngjitet mes për mes tij.
Është i butë ky fshati. I butë, jo vetëm nga emri i tij, jo vetëm nga ullinjtë që janë thuajse në çdo oborr e që ngjajnë si flokë të bukur mbi fytyrën e saj. Është i butë jo vetëm se kurmi i saj lahet me dy përrenj të kulluar që ngjajnë si lot ngazëllimi të një gruaje të bukur. Është i butë jo vetëm se duket si i bekuar nga pllajat dhe kodrat me emra perëndish, të cilat natyrisht i japin një nur ikone. Është i butë edhe nga mendimi i krijuar për të, nga ata që jetojnë larg këtij fshati, se ky fshat ka vajza të bukura. Kjo është e vërtetë, madje kjo është më e vërteta nga të gjitha.
Po ky fshat me imazh vajze, është më i butë se kaq, për shkak të banorëve të tij. Ata kanë mbetur ashtu, të mirë, fisnikë deri në detaje dhe ndoshta duhet të mendohesh gjatë që të gjesh ndonjë rast që një banorë i këtij fshati ka lënduar një banorë tjetër, dhe nuk duhet të mendohesh fare se nuk ke për ta gjetur një rast kur një banorë i po këtij fshati i ka bërë një pabesi dikujt tjetër, që ka jetuar pranë vetes, apo tej një gardhi, a një përroi. Duhet të mendohesh gjatë që të gjesh të paktën një rast që ky apo ai banorë, mban mëri me dikë tjetër, dhe nuk duhet të mendohesh fare se nuk ke për ta gjetur të paktën një rast, që ky apo ai banor i ka bërë një të keqe fqinjit të tij. Duhet të mendosh gjatë për të gjetur një rast se ku apo ai banorë, është grindur me një tjetër dhe nuk duhet të mendosh fare se nuk ke për të gjetur asnjë rast hakmarrje. Duhet të mendosh gjatë për të gjetur një rast kur i tëri ku fshat nuk ka marrë pjesë në çdo gëzim të banorëve të vetë dhe nuk duhet të mendohet fare se nuk ke për të gjetur asnjë rast kur i gjithë fshati pa përjashtim të mos ketë marrë pjesë në dhimbjen e secilit banor.
Në çast më kujtohen ca detaje të bukura, ndërsa hedh sytë në çdo gur, në çdo kthesë, në çdo çukë a gëmushë, ku secila prej tyre ka një histori njerëzore. Mbi çdo gurë, a çukë, tani duket se frynë një tis trishtimi dhe vetmie, por dhe ashtu, ato mbajnë nga një emër të bukur. Pikërisht emrin e atij burri që në perëndim të jetës së vetë, dilte dhe rrinte atje, duke dhuruar mirësi për ata që mblidheshin rreth tij. Dhe ashtu në heshtje, pa u deklaruar, ata gurë, a çuka, morën emrin e një burri fisnik të këtij fshati. Unë që njoh jo vetëm çdo gur, a çukë, por edhe çdo banorë, ndjej një gulç sa hedh sytë drejt tyre, sepse gurët dhe çukat janë po atje, po fytyrat e dhembshura që rrinin mbi to, nuk janë më. Ata kanë ikur me kohë, duke lënë atje kujtimin e pashlyer te vetes. Të gjitha ato më duken si piedestalet ku mungojnë përmendoret, dhe përmendoret e vërteta të tyre janë ata banorët, që para se të ikin atje poshtë, tek kodra në fund të fshatit, linin të përjetësuar në ato gurë dhe çuka pjesë nga shpirti i tyre. Jam i bindur se nuk gaboj, nëse them se ata që dilnin e rrinin atje, para se të iknin nga kjo botë, ishin njerëz të zgjedhur për nga mirësia e tyre që u shkonte jo vetëm fjala, por dhe ai qëndrim atje. Nuk gaboj të them se ato gurë e çuka, ishin një lloj podiumi ku mund të ulej vetëm fisnikëria e atij fshati.
Shumë larg prej këtej, atje në botën e urbanizuar, ka plotë lokale ku banorë të thjeshtë zgjedhin një tavolinë, ku ulen çdo ditë, ka plotë kënde ku ulen shkrimtarë, poetë, apo filozofë, kënde ku nuk guxon të ulet askush tjetër dhe kur ata mungojnë. Dhe unë them se ky rregull është zbatuar edhe këtu. Pikërisht atje ku dikur uleshin, ata të urtët, të mirët, filozofët këtij fshati, në një gurë të thjeshtë a në një çukë, sot e kësaj dite, nuk ulet askush. Ose më saktë, askush nuk ka mundur, tu ndryshojë emrin që u dha ai që ulej dikur dhe sot nuk është më. Hedh sytë drejtë atyre “këndeve” dhe “tavolina lokali” dhe ndjej trishtim, ndërsa sjell në mëndje ca imazhe.
-Më the se do më tregosh gjëra të bukura!, – më thonë sytë e vogëlushësh që kam në krah, duke ndërprerë mendimet e mia. Zgjat dorën drejt saj dhe e drejtoj tek kodra më tej, atje ku ngrihet busti tjetër dhe vë buzën në gaz se më kujtohet lutja e saj: Dua të shkoj të takoj shoqen time!
Të solla i them, ndërsa i ledhatoj flokët. Ajo ngre gishtat e asaj në drejtim të ullinjve, në mes të fshatit, si të donte edhe ajo të ledhatonte flokët e “vajzës” përballë, ashtu si po bëja unë me flokët e saj.
-Më prij!, – i them asaj, ndërsa ajo zgjedh rrugën që ngjitet lart. Unë nuk i tregova nga duhet të ecte ajo. Nuk i thash se udha që zgjodhi ishte më e pjerrtë. As nuk i thash se udha që zgjodhi ishte lakorja brenda shpirtit tim, po me sa duket ajo e dalloi atë lakore ku duhet t’i hidhte hapat.
Unë ndjek hapat e saj të vogla, duke ngjitur tre-katër shkallët, pranë bustit të poetit dhe me pas marrim rrugën e pjerrtë. Këtu udhët kanë një veçori. Ato janë shtruar të gjitha me kalldrëm, nuk dihet se kur ka ndodhur kjo gjë me udhët. Thuajse të gjitha, edhe ajo që vjen nga mbas kodrës me emër perëndie, edhe ajo në mes të fshatit, edhe ajo pak më majtas me një emër si rimë poetike, apo edhe ajo që ikën pak më në Jug të saj, të gjitha janë me kalldrëm. Udhët vazhdojnë të jenë po aty dhe po ata gurë gri janë po aty, si për të treguar, se vërtet këtu jemi larg botës, por fare pranë një qyteti të lashtë, i cili dy mijë e ca vite me parë kishte qytetërimin e vetë, që matej me botën e qytetëruar.
Dhe pse vogëlushes që kam në krah, i thash se në vijim do t’i tregoj vetëm gjëra të bukura, do t’i tregoja grimca “vajzash”, nuk mund të mos i tregoj dhe një detaj. Diku në mes të udhës, ndal një çast dhe hedh sytë, poshtë kthesave dhe ndjej se shpesh herë vitet e largëta, braktisin harresën dhe të mblidhen si dy pika loti në sy. Po edhe pse mund ta trishtoj, do ja tregoj se ndoshta nesër kur të rritet, do ndjej se ajo histori, ka ndodhur edhe brenda gjakut dhe zemrës së saj. Dhe unë i them asaj se pikërisht këtë udhë, për më shumë se një çerek shekulli, një burrë e bëri dy herë në ditë, duke përshkruar çdo ditë njëzetë kilometra. Unë i them asaj, se ai burrë e nisi atë udhëtim si djalë i ri dhe e la kur ishte thinjur. Unë i them asaj se atje larg, ai derdhte djersën duke mbledhur pas çdo pike djerse, një grimcë buke për ata që kishte lënë në shtëpi. Unë i them asaj se pikërisht ai burrë, nuk patin fatin t’i shikonte fëmijët e tij në dritë të diellit, sepse i linte në gjumë dhe i gjente në gjumë. Të trishtova e vogla ime?
-Prit të të shikoj në sy!, – i them, aty për aty dhe më pas shtoj:-Ke diçka prej tij në sytë e tu?
-Po, kam!-thotë vogëlushja. E thotë si me inat dhe kryeneçe, si dojë të më thotë se ajo që kam prej tij, është pikërisht kjo kryeneçësi. Shikoj sërish sytë e saj. Ajo ka të drejtë. Krenaria e dy syve të saj të bukur, ka përjetësuar imazhin e tij, në sytë e saj. Nuk e di nëse këto çaste, ai burrë i drejtë, që rrallë bënte kompromise në jetë, na shikon dhe e dëgjon atje lart, përgjigjen të prerë të vogëlushes. Nuk di nëse shpirti i tij atje lart, ka ndjerë dhimbje në këto çaste. Por unë jam i bindur se ai i ka lexuar sytë e saj dhe në heshtje ka tundur kokën, duke vënë buzën në gaz.
Janë pak metra që më ndajnë nga fëmijëria ime. Këtu pranë ka qenë një shesh, një shesh i bukur, shtruar me pllaka, një shesh që nuk duhej të prishej, por siç u prishën dhe shumë gjëra të tjera,, u shkul nga themelet dhe bashkë me të, u shkul dhe një pjesë e fëmijërisë sonë. Ai shërbente si një lloj teleskopi, me të cilin ne shikonim hapësirën e pafund që shtrihej para nesh. Aty shikonim makinat që vinin nga Perëndimi dhe ato që vinin, nga mbas kodrës dhe iknin, po në drejtim të Perëndimit.
Larg, në të tjera fshatra të botës, ka plotë gjëra që mund t’i tregohet një fëmije. Në botë ka kështjella, monumente, ndërtesa shumë katesh, po ndryshe nga bota, mua do më mjaftonte lëmi me pllaka ngjyrë gri, lëmi që nuk është më.
Dhe meqenëse është fjala, le të themi se këtu ka pas disa lëmenj, që ishin thuajse të skalitur, dhe që nuk janë më. Në kohëra të tjera, kjo “vajzë” që mburrej me emrin e saj femëror, dhe derdhte pa fund imazhe burrërore atje ku duhej, sa herë ja donte puna i mblidhte burrat e saj, ja tek këta lëmenj. Ishte kaq e bukur, ishte kaq poetike, që sa herë duhet të merrnin një vendim madhor, shpallnin me krenari, se ne duhet ta bëjmë këtë gjë se jemi bijë të saj, dhe pas kësaj përmendnin pjesën femërore të qenies s tyre, atë pjesë që lidhej me shpatin ku jetonin. Përmendin atë pjesë që i bënte më burrëror, më të butë, më të matur, dhe më të kujdesshëm në veprimet që merrnin. Pesëdhjetë, apo pak metra më tej, atje ku rruga bëhet më e butë, pas pjerrësisë së saj, ajo që më ecën në krahun, shkallmon portat e shpirtit tim dhe hynë brenda tij, siç vetë ajo, duke përsëritur çdo fjalë timen. Këtu kam lindur unë! Thotë ajo. Them unë. Themi ajo-unë. Këtu jam zot unë! Thotë ajo. Them unë. Themi unë-ajo! Këtu gjithçka është imja! Thotë ajo. Them unë. Themi të dy me një zë.
Në çast në portë shfaqet ime më. Dhe ato, dy femrat, femrat më të fisme në botë, nëna ime dhe vogëlushja që ishte në krahun tim, humbasin në krahët e njëra tjetrës. Shikojnë njëra tjetrën në sy si të njiheshin prej vitesh. Ime më e përqafon, duke i mërmëritur mes flokëve ca fjalë që vetëm ato dyja i kuptojnë. Ndoshta i thotë se ti nuk je mikeshë këtu, ndoshta i thotë se ti nuk vjen në një vend të panjohur, sepse ti je lindur nga malli i ngjizur këtu. Ndoshta i thotë se ti je rritur tek ajo dritare, tek ajo shkallë, pranë asaj shege, a ja këtu, nën hardhi.
Para se të niseshim, vogëlushes që mori atë udhë të gjatë bashkë me mua, i kisha folur për një vajzë të bukur që jeton atje në Jug. I kisha folur për një vajzë me nur, thuajse engjëllor që shpatullat i ka mbështetur në një pllajë, që ka dy sy të bukur, nga ku rrjedhin dy përrenj, si lot të bukur, që ka një hundë si të skalitur, në mes të tij, se ka ca ullinj si flokë të shpupuritur, dhe pas kësaj më tha më shpjerë tek shoqja ime! E ri them këto për të shpjeguar se nesër ku të rritet, ajo do ta kuptoj se imazhi i vajzës është i shpërndarë si kristale tek imazhi i asaj që e priti në portë, tek imazhi i çdo gruaje dhe vajze, që ka lidhje me këtë fshat, apo dhe tek çdo burrë. Imazhi i këtij fshati, është gdhendur përjetësisht edhe në sytë e asaj vogëlusheje.
-Kjo portë është imja!,- thotë ajo. Zgjatë dorën drejt asaj porte dhe mundohet ta hap, po si të gjitha mallet që djegin shpirtin edhe kjo portë është kaq e rëndë për duart e saj.
-Të mijat janë këto dy shkallë që zbresin në oborr, ky shesh i vogël mbuluar me hardhi, kjo çezmë pak më poshtë, ky ulli i moçëm djathtas në skaj!
Ajo lodron nëpër oborr, si për të dashur të prek çdo gjë dhe gjithçkaje t’i vendos emrin e saj.
-Edhe ky korridor i ngushtë, ky burrë fisnik në foton në mur që shikon me një mall të paplotësuar sa ishte gjallë, është imi!,- dhe unë e ngacmoj sërish: -Prit të të shikoj në sy! Ke diçka prej tij në sytë e tu? Dhe pas kësaj ajo përgjigjet, po me aq kryeneçe:-Po, kam!
-Të mijat janë dhe këto shkallë që ngjiten lart, kjo odë e madhe, këto shegë ende me gjethe dhe fruta të çara. Imi është ky qiell që griset në degë ullinjsh, ky diell që ende djegë. Imja je dhe ti, i thotë nënës sime, të mitë jeni dhe u thotë atyre që qeshin përreth.
Pas kësaj nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’u them, atyre që ishin përreth, duke ndjekur gazin e tyre:
-E donit pronaren e mallit tuaj!? E donit zonjën e mallit tuaj!? Ja, ua solla!
Ka plotë gjëra të bukura që mund t’i bësh në jetë. Ka gjëra që kur i bënë bien, në çast në sy nga rrezatimi i bukurisë së tyre, po ka dhe gjëra që i ngjasojnë të përditshmes dhe janë kaq fine, kaq njerëzore, sa ndoshta nuk duken në çastin që ndodhin. Ka gjëra që i ngjajnë ajrit që thithim e që e kuptojmë madhështinë e tyre vetëm në çastin që na mungon. Ka dhe gjëra të tilla që janë tej madhështisë, si kjo pamje kur kjo vogëlushe thuajse ka humbur mbështjellë me krahët e mallit të nënës sime. Dhe duke ndjekur ashtu, mua që kisha vendosur që atë sy bukur ta çoja tek një “vajzë” tjetër si ajo, më duket së vërtetë, ajo është në krahët e “vajzës” që kishte në fantazinë e saj.
Frynë një erë e ngrohtë që vjen nga thellësia e Jugut. Të ulur përballë portës, më duhet të them se ndihem mirë që jam larg botës. Ndihem mirë të them se mua më mjafton kjo botë, ku nisi bota ime. Më mjafton imazhi i thinjur, apo dhe ajo vogëlushe që ka humb në krahët e saj. Ndihem mirë të them të them se ky kënd është Atdheu im, apo më saktë ky është Atdheu im, ai i pari. Ky kënd ku bëra së pari poetin dhe që duket se ka magjinë ta shikojë botën edhe pak filozofikisht. Unë kam krijuar Atdheun tim, ose më saktë unë e kam gjetur Atdheun tim, pikërisht këtu.
Po gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Ne jetojmë në kohëra të trazuara. Jetojmë në kohëra kur secili ka krijuar Atdheun e vet, sipas mënyrës së vet. Atdheu kanë krijuar edhe ata që nuk shkulen prej tij, po kapen fort pas brinjëve të tij, duke e zhvatur pa fund, madje duke e mallkuar kur zhvatja nuk u ecën si duhet. Atdhe kanë krijuar edhe ata që rropaten baltërave të tij, në kërkim të bukës së gojës dhe kurrë se hapin gojën t’i hakërrehen Atdheut të tyre. Atdhe kanë krijuar edhe ata që kanë ikur në fund të botës dhe vazhdojnë ta duan atë andej nga janë edhe pse ndoshta, sytë do t’i mbyllin larg tij. Atdhe kanë krijuar dhe ata që ndërsa enden larg tij, nuk rreshtin se hedhuri mallkime në drejtim të tij. Dhe pas kësaj të gjithë thonë, kam Atdhe, po pikërisht këtu gabojnë se Atdheu ose është dashuri, ose nuk ekziston fare! Nuk ka palo Atdhe! Nuk ka Atdhe që mund ta zhvatësh, që mund ta mallkosh, që mund ta tallsh, që mund ta urresh. Atdheu është i tillë për sa kohë e do, ndryshe ai, gjithçka mund të jetë, por jo Atdhe.
Ndihem mirë që harrohem në një kënd të botës, ku njohë çdo rrugë, çdo çukë, çdo gurë, e për më tepër që njoh çdo banor të saj. Nisur nga kjo do ishte fare pak, nëse do mjaftohesha me faktin se ky fshat ka magji e nuk do thosha se ky fshat është i tëri i veshur me fisnikëri.
Ulur në portë, më duket se të përqafuara janë tre imazhe femrash, që në shpirtin tim krijojnë një ndërthurje mishi e gjaku, toke e ullinjsh. Nëna më ngjason me një imazh ullinjsh, që më mbanë rrënjët të pa shkulura këtu. Askush si ime më, nuk ka të fshehur në sytë e saj imazhin e Vajzës, “vajzë”! Dhe kjo është kaq e vërtetë, jo vetëm për atë, po për të gjitha moshataret e veta. Ime më, më tregon, ashtu me vogëlushen në gjirin e saj, ca histori të trishta.
-Iku edhe…edhe…,- dhe pas kësaj më rreshton ca emrash moshataresh të saj, dhe vazhdon:
-Pritën t’u vinin nipërit e mbesat nga larg, po nuk erdhën. I pritën gjatë, aq sa u lodhën nga pritja.
-Ndoshta vinë…,- shtoj unë.
Po ajo nuk më lë të vazhdoj më tej:
-Do vinë, do vinë, po ato janë kthyer në një kube dheu atje poshtë! Kanë ikur shumë nëna, aq sa tani, më shumë janë atje poshtë se këtu nëpër porta.
Është e trishtë kjo fjali. Është e rëndë kjo fjali, tamam si ato kube dheu, tek kodra e butë në fund të fshatit. Është lotuese kjo fjali, tamam si shamia e zezë që endet në ballin e rrudhur të nënës. Është e ashpër kjo fjali dhe duket sikur kërkon një llogari, ndaj kujt? Nuk di. Ndoshta edhe ndaj meje që e kam vonuar këtë udhëtim. Ndoshta dhe unë kam faj që kubet e dheut atje poshtë janë shtuar dhe unë nuk kamë qenë këtu. Kam faj që nuk jam ndodhur në udhëtimin e shkurtër, kur ata kanë iku atje. Kam faj që nuk kam ardhur t’i takoj një nga një sa ishin gjallë dhe do më duhet t’i takoj së bashku, po tani në formën e një kubeje dheu.
Po duket se edhe ime më ka mallet e saj. Ka malle jo vetëm nga atyre që ka larg, por edhe ndaj atyre që ka afër. Ashtu e mbyllur brenda portës, ajo nuk ecëm tej saj, udhëve me kalldrëm të fshatit. Në ato çaste, them se jam duke lexuar dëshirat e saj për dashurinë e saj për udhët tej portës së saj.
Pas një ore, me vogëlushen për dore dal nga porta. Eci në rrugën e ngushtë, në drejtim të Jugut, mes ca ullinjve të vjetër, të vetmit që nuk i kanë djegur luftërat Lagjja më tej, është më e dendur, me shtëpitë thuajse ngjitur. Nëna mbeti atje në portë, me shpirt të qetë, jo si ndodh kur iki larg, sepse e dinte se edhe nëse do vonohesha ca duke ecur nëpër fshat, kjo vonesë i ngjante ecejakeve nëpër kthinat e korridoret të një shtëpie të vetme.
Ik më tha, po mos harro se për ty kanë mall gurët, po sot ata gurë kanë mall edhe për dikë tjetër, shtoi duke ndjekur me sytë e mbushur me dritë, vrapin e vogëlushes, tej portës. Do tentojmë të takojmë ca moshatare të nënës sime, i them shoqërueses sime të vogël, ndërsa pak më tej, përball portës sime, ndaloj tek porta e parë. Këtu ka jetuar një dashuri e madhe, i them asaj që më shikon me habi. Sytë e mi, duken si të lagur, tamam si re në prag të nisjes së shiut. Këtu ishte një grua e heshtur, trup vogël, ja si ti. Ishte imazhi që ndiqte rritjen time. Një grua që se pash kurrë të qeshur, që kurrë se pash të zemëruar. Ishte tamam si një stacion reshë, ca lot që kishin ngrirë, kush e di sa vite më parë. Një grua që i kishte ndalur koha, shekullin e kaluar, pa dalë nga vajzëria e saj. Tani gjithçka është e heshtur. Ca shkallë të vjetra dhe të trishta, me barë të vjetër mes të çarave të pllakave. Dy dyer të mbyllura që nuk dihet sa kohë kanë që rrinë ashtu. Më vjen keq që nuk e njohe e mira ime! Bota vërtet do ishte po kjo, po natyrisht do kishe në sy një mall më tepër.
Kthehemi pas dhe zbresim më poshtë, tek një kthesë, ku dikur ishte një thanë, në një udhë të ngushtë, mes ullinjve. Tej në një lëndine të vogël, nisë një rrugë, dikur e bukur, si një tunel nga pemët, të shtruar me kalldrëm, por që tani nuk funksionon më. Ndalim tek një portë tjetër, me ca gur të gdhendur. Dritaret e vogla janë të mbyllura dhe porta po ashtu, e mbyllur. Kanë ikur banorët e saj. Ka ikur dhe ajo, moshatarja e nënës sime që dikur bënte dritë tek ajo portë. Në dalje të portës, një ndenjëse e ultë prej guri, mbuluar me myshk që ngjason si ndryshkë. Thuajse të gjitha portat, kanë nga një ndenjëse të tillë, para se të hysh brenda. Ato shërbenin si një ftesë, për të trokitur, a çlodhje për atë që do të trokiste tek ajo portë. Ndoshta ishin të lodhur, dhe mund të uleshin aty sa të hapej porta. Ndoshta ishte më mirë që biseda me atë që ishte brenda të bëhej po aty. Ato ishin si zgjatim i mikpritjes që vinte nga brenda, si aromë e ngrohtë shtëpie. Veç kësaj, ato ishin dhe “studiot” nga shpërndaheshin lajmet, portë në portë. Atje uleshin gratë me furkën në dorë dhe tirrnin edhe mendimet e tyre me atë që ishte në portën përballë. Ky imazh që ngjasonte me një gravurë të lashtë, më ka shoqëruar kudo. Vite më vonë, ndoshta dekada më vonë, ka ndodhur të kem harruar fytyrën e ndonjë vajze që kam takuar diku. Kam harruar të kujtoj emrin e saj, a detaje të tjera, por kurrë, absolutisht kurrë, nuk kam harruar asnjë nga ato gra shamizeza, që uleshin ja tek këto porta. Ato gra ishin tej të qenit thjesht grua, a nënë. Ato ishin si imazhe filmi bardhë e zi, që ishin ngurtësuar në një ekran të hirtë.
Ishin si copëza historie të trishta dhe të papërsëritshme. Ishin gra që vrisnin në heshtje, rininë dhe vajzërinë e tyre. Askush si detyronte ta bënin këtë gjë, po e bënin vet si një mision që dinin ta bënin vetëm ato. Pas tridhjetave, të gjitha pa përjashtim, vishnin në trup petka të zeza, ndërsa mbi ballin ende të pathinjur, ndernin shaminë e zezë, dhe pas kësaj merrnin atributin e përjetshëm e të quajturit nënë. Ndoshta është tragjike ta mendosh, se një nënë, zezuar e tëra, ende në gji mëkonte fëmijën e saj. Ndoshta ishte më e drejtë se për sa kohë fëmijët pinin gji në gjokset e tyre, ato duhet të ishin edhe në pamje, pak më tepër vajza, pak më tepër të veshura me ngjyra të çelura. Po ja që nuk ndodhte kështu. E mos mendoni se pas kësaj fëmijët u rritën si krijesa të një dhimbjeje. Absolutisht jo. Ata u rritën si një lot i bukur, që pikonte nga cepi i zi i shamisë së tyre, nderur në ballë, si krijesa të dashurive të mëdha.
Afrohemi tek një portë dhe puhiza e lehtë që frynë mbi murin e saj, duket sikur thotë, ajo që kërkon nuk është më. E unë them se porta që nuk ka brenda vetes dikë që ta hap atë, është e dhimbshme, dhe jo vetëm kaq. Ato porta, ku mungon bukuria e dikurshme, pikërisht ato gra të ulura atje, është pak të thuash se janë një faqe e rrudhur ku edhe loti është tharë dhe nuk rrjedhë më. E unë them se jam me fat, që vogëlushja që kam në krah, nuk i lexon deri në fund ato që ndjej unë. Ndoshta ajo nuk di t’i shikoj pikat e lotit që rrjedhin në gurët e murrmë të portës. Tek të gjitha portat, mungojnë jo vetëm ato gra që dikur i hapnin, duke shpërthyer tej kanatave të tyre vetëm mall, por tek ato porta mungon dhe nëna ime. Mungon për sa kohë atje nuk janë ato, shoqet e saj.

Ecim dhe pak më lart, tek një portë tjetër, një portë po me ndenjëse jashtë saj, dhe puhiza edhe aty pëshpëritë, as kjo nuk është më. Aty për aty, më vjen të qajë, t’i drejtohem dikujt, si nuk më keni thënë se paska ndodhë një gjëmë e madhe?! Po unë, unë ku isha!? Ku!? Aty për aty, më vjen të pyes, po mua pse nuk më keni thënë?? Pse?? Dhe në çast ndihem keq. Vdekja nuk di të njoftoj kur vjen, më pëshpëritë puhiza e butë që përkëdhelë myshkun ngjyrë hekuri të ndryshkur, portë në portë. Vdekja nuk është lajm që bënë zhurmë. Vdekja është gulç që mbytet brenda shpirtit. Nëse ti nuk e ndjen lotin e saj, ashtu vetvetiu, thjesht ti nuk e meriton të jesh në përcjelljen e saj. Thjesht ti nuk meriton të marrësh pjesë në ardhjen dhe përcjelljen e saj.
E njëjta gjë më ndodhë edhe në një portë më tutje, edhe në një akoma më tutje, dhe po e njëjta pëshpërimë, ajo nuk është më!
Portat e fëmijërisë sime, këto imazhe të trishta, ku mungojnë zhurmat, ku mungon fëmijëria ime, ku mungon edhe e tashmja e nënës sime! Portat e fëmijërisë sime, ju nuk duhet të mbylleshit kështu! Ju duhet të kishit dërguar një lajmë para se të varnin çelësin e të mos hapeshit më.
Hidhemi dhe tek lagjja më tej, para çdo porte. Edhe aty heshtje. Edhe aty një çelës i mbyllur, i ndryshkur, kush e di sa vite më parë. Edhe aty fijet e barit pëshpëritin, ajo nuk është më!
Të lodha e shtrenjta ime? Po ajo pafajësisht përjeton të tjera gjëra. Ajo qesh hareshëm dhe vrapon para meje, si të ishte duke rendur në ca rrugica, ku është lindur dhe është rritur edhe vet ajo. E qeshura e syve të saj, duket sikur më thotë të mos mërzitem se ja pas një muri do gjejmë dikë në portë. Mua më duket se herë pas here, ndryshohen rolet mes meje dhe asaj. Mua më duket se ai i huaji jam unë, që po eci në udhët e fëmijërisë së kësaj vajze të vogël. Mua më duket sikur ajo më ka marr prej dore duke më thënë, eja të të tregoj rrugicat ku kam lindur. Ndoshta kjo është e vërtetë! Po pse të mos jetë!? Gjithçka e saj, ka lidhje me gjithçka këtu. Pak çast më parë, i thash eja me mua të të çoj tek fëmijëria ime, po në çast u ndjeva i kapur në një kurth të bukur. Ishte ajo që po më çonte tek fëmijëria e saj dhe imja bashkë. Unë dhe ajo kemi të njëjtën fëmijëri. Unë dhe ajo ndjejmë se jetojmë në të njëjtën në të njëjtin fëmijëri, në të njëjtën rini dhe në të njëjtën pjekuri. E nëse në atë çast, dikush do më pyeste se ku kisha lindur unë, mos u çudisni nëse do ju thosha, të pyesni atë vogëlushe që ecën me mua udhëve të ngushta. Unë kam lindur ku ka lindur ajo. Sytë e saj kanë dritën e vendlindjes sime, ndoshta më me shumicë se sytë e mi. Ndoshta edhe të qenit e saj vajzë, e bënë më të lidhur me këtë fshat me emër të çuditshëm.
Ne ngjitemi më lart. Këtu portat janë edhe më pranë e pranë. Tek njëra prej tyre, ndalim hapat. Ndalim sepse aty, njëra nga ato prej grave më të mira në botë, do dalë në çast. Do dalë dhe duke më kujtuar dhe emrin e nënës sime, do na ftoj të hyjmë brenda. Do dalë, ashtu me shtiza në dorë, duke me kujtuar se po vjen dimri dhe do më thotë, ja po t’i mbaroj çorapet ty dhe kësaj dritës që ke me vete. Dhe vërtet ajo del dhe unë shoh imazhin e njërës prej moshatareve të nënës sime dhe sytë gati më mbushen me lot. Ajo del si mall, ajo del si dhembshuri, ajo del si qortim nëne. Ke një jetë që ke humbur më thotë, po unë dhe jot ëm e dimë çfarë do të thotë të humbasësh kështu. Dhe mua më pëlqen kaq shumë, shprehja e saj, “jot ëm”, një shprehje që në këto anë shpesh, nuk përdoret si një tingëllim i bukur. Po mua më pëlqen, sepse këtë fjali, që nuk mund të ta thotë askush tjetër, këtë përcaktim, “jot ëm”, me të cilën nuk mund të drejtohet askush, mund ta thotë vetëm dikush që ka për ty mall nëne.
Kapërcejmë rrugën, dhe ngjitemi pak metra më sipër dhe ndalim po tek një portë tjetër, e sërish myshku mbi muret e portës pëshpëritë: Ajo nuk është më!
U ngjitëm edhe më tej. U ngjitëm edhe pse dija se nuk do takoja dikë tjetër. U ngjitëm që ta shtrydhja deri në fund burimin e lotit tim. U ngjitëm që ta ngjitja dhe më lart drejt zemrës, trishtimin tim, si një gjemb gërvishtës, sepse dhe atje, do ndjeja po të njëjtën pëshpërimë: Ajo nuk është më!
Pas kësaj, nga lartësia ku e ngjitja zemrën time, nga lartësia e humnerës, doja që ajo të copëtohej deri në fund, kur ta shihja si do rrëzohej nga lartësia. Doja që ajo të copëtohej nëpër gurët e rrugëve të fshatit tim, deri atje poshtë, ku të përfundonte në ca grimca dhimbshme.
Kush nuk e ka provuar ndjesinë, pasi kërkon të qajë, të qajë, pa ndrojtje. Pas kësaj ai e di se do ndihet më i qetë. E pra unë doja të qaja, të qaja ashtu i turpëruar para syve të bukur të asaj që më shoqëronte mua.
Ndërsa u ulëm, tek secila nga ato porta, aty në ndenjëset prej guri në hyrje, vërtet e ndjeva veten si biri i tyre, sikur sapo kisha dal nga secila portë. Por kaq. Kaq ishte ngazëllimi im! Më tej më mbyti trishtimi, thjesht nga fakti se tek asnjë portë, nuk guxoj të trokas. Nuk guxoj jo se e di se brenda tyre nuk është askush, por sepse unë në ato porta, jam mësuar të hyj ashtu vrullshëm, pa trokitur. Tani gjithçka është ndryshe. Mbi çdo portë tundet një degë hardhie e thyer, e harruar aty që mbahet në jetë, ndoshta nga një mall i trishtë. Të harruara nga ata që ikën , në ngutje e sipër, degët e hardhive ngjasojnë me krahun e shamive të zeza që dikur shfaqeshin atje, por që tani mungojnë përjetësisht. E sërish nuk do lodhemi tek shkojmë portë më portë, deri sipër dhe në të katër cepat dhe pse di se në prag të çdo porte, flladi do pëshpëritë trishtueshëm, ajo nuk është më. Ajo nuk është më! Nuk është më!
Edhe ndenjëset e gurta para çdo porte, nuk ishin më si dikur. Brejtja e viteve i kishte kthyer në kube, dhe myshku mbi to, ngjante me imazhe flokësh të thinjur dhe mua më dukej se në çdo portë, shikoja të ulura shoqet e nënës sime, po tani si tufa resh. Kthemi pas, deri tek një lëm tjetër atje lart. Tutje një shkëmbi i thepisur që thonë se ka mijëra e mijëra vite që pikon mjaltë dhe një përrua që derdhë uji kristal, dal nga gjiri i malit. Prek me duar ca guraleca të ardhur nga ai shpat dhe them thuajse pa zë, si të flisja me vete”: “Shoh një fëmijë e brengën s’e mbaj dot./Në faqe të kodrës, atje në Beun./ Dhe sytë e mi më pikojnë lot./E dini? Ai fëmijë jam unë!/”.
Më pas me zë të lartë, them në mënyrë gati deklarative: Ai fëmijë jam unë! E në këtë çast, sy bukura që më shoqëron mua, deklaron dhe ajo po me zë të lartë:
-Ai fëmijë jam unë!
-Je ti!?
-Po unë jam!,- thotë ajo.
Natyrisht që në çdo udhëtim, duhet zgjedhur një udhëtar që të ta bëjë udhëtimin më të bukur, po kur nisesh drejtë fëmijërisë, ky bashkudhëtar duhet të jetë ose vetmia jote, ose vetja jote e kthyer në një imazh tjetër, ja si kjo vogëlushe në krahun tim. Në këto çast dua t’i them ca fjalë të bukura. Dua t’i them si përshembull, ti je pjesa më e bukur e shpirtit tim, po kjo më duket kaq e stërthënë, dhe aspak e veçantë për çfarë është ajo për mua.
-E di se çfarë je ti për mua?
-E di, thotë ajo!, – pa u menduar gjatë.
Po unë, si gjithë ata që një çast ndihen të dobët, ndoshta për të mos u ndjerë edhe më i dobët më tej, i them si ti je plotësimi i një mungese tek unë, po le të mos i themi të gjitha. Le të mbajmë një sekret unë dhe ti dhe thjesht ta mbyllim me një shprehje që e kuptojmë unë dhe ti: Ti je plotësimi i një mungese tek unë. Mungesa e bijës që se kisha!
Pastaj ngjitemi lart, pak mbi udhën me kalldrëm. Atje poshtë, në hyrje të fshatit, apo dhe tutje, po edhe këtu, unë i njoh të gjitha ato këndet që edhe këtu ngjasojnë si tavolinat e lokaleve të botës së largët, ku ulen vetëm shkrimtarët, poetët dhe filozofët e botës. Edhe këtu lart, unë i njoh gurët dhe çukat, ku ulej fisnikëria e ca burrave në zgrip të jetës. Edhe këtu lart, nëse doni edhe emra, unë ju them edhe emra, por tani që emrat e tyre, kanë ngelur në çdo gur e çukë, nuk dua t’i trazoj heshtjet e tyre. Nuk dua ta trazoj solemnitetin e tyre, atje në botën e tyre, e le themi më shkurt: Nuk ka cep ku të mos ulej fisnikëria e fshatit tim! Dhe pas kësaj, ata, ashtu fytyrë rrudhur, atje lart nga qielli do ta kuptojnë se unë flas me ta, veç e veç me secilin.
Thuajse në pikën më të lartë të tij, fshati duket si një imazhi i gjallë që merr frymë butësisht mes erës së Jugut që ka nis të shtohet pak e nga pak. Ndoshta nisur nga emri i tij, ndoshta nga përfytyrimi i krijuar në rininë time, po ndoshta dhe nga vetë relievi i dallgëzuar, që nga kjo pikë, ai të ngjanë realisht me trupin e një gruaje, shtrirë butësisht deri poshtë. Ky nuk është thjesht një përfytyrim imagjinar, po ka vërtetë një ndjesi femërore, tek e vështron, këtu ka lartësia e tij.
Aty sipër, fshati të duket kaq i lidhur, si një shtëpi e vetme, ku portat duken sikur dalin nga i njëjti oborr. Ndoshta dikur, shekuj më parë, ky fshat ka hedhur shtat nga një derë e vetme, ndryshe nuk ka si shpjegohet ajo afërsi kaq e bukur mes banorëve të saj. Le të themi dhe një detaj. Le të themi se ky fshat edhe pse jo i vogël, banorët e tij kanë qenë si prej një gjaku, po prej një gjaku në shpirt. Le të themi se bijat e bukura të këtij fshati, janë rritur dhe kanë hedhur shtat në sytë e djemve, me imazh motre. Ndoshta kjo mund të duket si një gjetje e sforcuar, po është fakt se ato martoheshin, larg dhe atje pas linin ata, vëllezërit e tyre, që do të thotë moshatarët e tyre, sepse rrallë ndodhte të martoheshin mes njëri tjetrit. Këtyre të rinjve, si në një rregull të pashkruar, u ishte imponuar një miqësi, deri në kufijtë e gjakut. Ky ishte një rregull kaq i bukur dhe ata e kishin pranuar. Vërtet që ndoshta humbnin diçka, po ata fitonin përjetësisht një motër, apo vëlla dhe kjo nuk është pak.
Edhe dy fise që kanë ardhur nga të tjerë fshatra, ashtu të vendosur në supet të tij fshati dhe në krah të këtij fshati, të duket se kanë një mision të bukur, që të krijojnë siguri dhe ngrohtësi në krahët e brishtë të kësaj “vajze”, gjë që ata e kanë bërë me shumë dashuri.
Edhe këtu rruga shtrihet deri tutje. Më pas ndalemi e zbresim tek çezma më e bukur në botë, atje buzë përroit, një përrua me emër shpendi. Edhe çezma duket, një portë e mbyllur dhe pse uji rrjedh prej saj, me po atë zhurmë si dikur.
Ajo vazhdon të pikojë uji nga buzët e saj, si ka pikuar qindra vite, po tani, në kohëra të tjera, askush nuk pi uji tek ajo. Askush nuk i vë buzët atje ku harliset uji, ndërsa ngutet të derdhet. Dhe çezma thonë është si një grua. Nëse të gjithë e anashkalojnë, nëse askush nuk vë buzët mbi çurgun që rrjedh uji, nëse askush nuk freskohet me ujin e saj, pak nga pak ajo thinjet dhe mbytet në trishtim, si një grua që i ka lënë pas puthjet.
Ashtu e lënë në harresë, rreth e rreth saj, mbinë një bar zbehtë, duke e veshur imazhin e saj, dikur të bukur, me imazhin e vetmisë dhe braktisjes. Ulem pranë saj dhe zgjat gishtat drejt uji që rrjedh dhe ashtu i braktisur. Tamam si të prekja lot e një gruaje, ndjej lotët e fëmijërisë që më bëjnë me turp para syve të bashkudhëtares sime. Marrë mes duarve të mia, duart e saj, dhe imazhi i saj më ngjanë me imazhin tim, vite e vite më parë.
Edhe kjo, është çezma ime thotë ajo dhe nis të luaj me ujin që rrjedhë prej saj. Natyrisht them me vete, duke vënë buzën në gaz, nga pasioni i saj aq i bukur që gjithçka aty ta quaj pronë të saj. Që kur i fola për një vajzë, jo thjesht prej mishi e gjaku, po edhe prej mishi e gjaku, prej bari i gurësh, prej fushash me malesh, prej burimesh dhe përrenjsh, e më tej, që kur më tha, se dua të shkoj të takoj shoqen time, mu desh të hiqem mënjanë dhe t’i lë këto dy “vajza” të merren vesh vet me njëra tjetrën dhe të ndajnë gjithçka mes njëra tjetrës.
Po nëse do më pyesnin mua, edhe unë do isha gati që gjithçka këtu, të kishte vetëm një pronare. Gjithçka të hipotekohej në emrin e saj. Kur ajo së pari zgjati gishtat e saj të vogla dhe tha, kjo është imja, dukej se ajo mori pozën e pronarit, kur shkon tek pronat e veta. Unë vet i thash kur u nisëm se do të çoj diku, ku gjithçka është jotja, dhe mua më pëlqen fakti se ajo deklarohet si zonja e gjithçkaje.
Po meqenëse kur deklarohet dikush pronare, ka një problem, meqenëse kur dikush thotë se kjo është prona ime e dikush tjetër do ndihet pa këtë pronë, mos u ngutni të paragjykoni, arsyen e dhurimit kësaj vajze të gjithçkaje, pa asnjë kusht. Mos do bëni asnjë sherr, për punë pronësie, si ndodhë zakonisht në këto kohëra. Ka ndodhë diçka e dhimbshme në këto vite. Ka ndodhë që sa e sa njerëz të braktisin mallin e tyre dhe këtu, nuk është për mallin si nocion fizik, po për mallin e shpirtit. .Ka ndodh një gërryerje e dhimbshme edhe në këtë fshat, si kudo. Dhjetëra familje kanë ikur, duke i lënë portat dhe oborret e tyre bosh, pa njeri. Dhjetëra moshatarë të kësaj vajze, kanë lindur larg shumë larg, në ca rrugë dhe oborre, ku asgjë nuk është e tyre, ku nuk mund të thonë për asgjë, se kjo është imja. Ka lindur fëmijë që ndërsa ecin në udhë të huaja, askush prej tyre nuk guxonte të thoshte se kjo udhë, kjo kodër, kjo çezmë, apo thjesht ky qiell, është imi. Askush prej tyre, nuk mund t’i bjerë cep më cep “pronave” të saj, siç po bënë kjo vajzë. Do ishte bukur të vinin, të vinin ja po si kjo, dhe të ndalnin tek çdo portë, dhe pavarësisht nga emri që lexohet në të, le të thoshin pa hezitim, kjo portë është imja! E kështu të bënin për të gjitha portat, për të gjitha rrugët, për të gjitha livadhet, për çezmat dhe ullinjtë. Do ishte kaq bukur që një fshat i tërë, çdo portë e tij, të kishte një pronare, edhe një e vetme po të ishte, ja si kjo vogëlushe, një pronare që do kishte emrin e të gjithë atyre fëmijëve që kanë lindur dhe jetojnë larg, se sa mbi muret e portave të varej një degë e tharë hardhie, që ngjason me një lot të trishtë.
Unë jam i bindur se të tjerë fëmijë atje larg, ndërsa dëgjojnë këtë vogëlushe që vrapon nëpër portat e tyre dhe çuçuritë se kjo portë është imja, nuk ndihen keq. Fytyrën e saj, është imazhi i tyre, të cilat patjetër duhet të vinë dhe ja kështu në një çast dashurie edhe ato të thonë se këtu është imja gjithçka, gjithçka e kurmit të shtrenjtë të kësaj “vajze” që lanë pas dhe ikën.
Dhe ecim më tutje, në udhët e gjëra të shtruara me kalldrëm. Ky fshat përshkohet thuajse cep në cep të tij, nga rrugë të ndërtuara për mjete automobilistike. Duhet thënë ky fakt është i çuditshëm, sepse këto rrugë janë ndërtuar në të kaluarën e këtij fshati, ku makinat kanë munguar. Kush ka qenë ajo mendje tej kohës së tij, që e ka çuar rrugën automobilistike thuajse në çdo portë? Kush ka qenë ajo mendje që i ka parë me imagjinatë makinat, duke ecur nëpër çdo udhë fshati, edhe pse realisht, ato nuk ekzistonin? Ndoshta kjo ka ardhur, edhe si rrjedhojë e ndikimit të udhës mbi njëqind vjeçare që kalon poshtë, në fund të fshati e që zgjatet deri në pafundësi.
Ndoshta duke parë makinat e rralla të një shekulli më parë, që kanë gulçuar në atë udhë që gjarpëron për në thellësi të maleve, dikush ka menduar se do vinte dita që ato makina, apo ndoshta një tip tjetër shumë më i vogël se ato, do ndalej portë në portë të këtij fshati emër bukur. Edhe pse ato rrugë u rrahën nga makinat shumë më vonë se ndërtimi tyre, ashtu ne heshtje, thjesht duke ekzistuar, kanë pasur një ndikim të veçantë në formimin e psikologjisë urbane të banorëve të këtij fshati. Për shumë e shumë vite, mbi ato udhë të gjëra, nuk kanë rendur realisht mjete automobilistike, por udhëtimi imagjinar ka nisur që në çastin e ndërtimit të tyre.
Ndërsa ndjek bashkudhëtaren time që luan me ujin e çezmës në Veri të fshatit, brenda meje, gurgullojnë të tri çezmat e tij fshati. Ato ishin të bukura të tria. Ato ishin shpirti i kësaj “vajze” që pikonin për të mbajtur gjallë, banorët e vetë.
Po ndryshe nga dy të tjerat, të cilat kishin mision të shuanin vetëm etjen, e banorëve të këtushëm, kjo çezmë kishte një mision edhe më fisnik. Ajo ishte ndërtuar në anë të udhës nacionale që të shuante etjen e gjithë udhëtarëve që vinin nga larg dhe iknin, apo larg. Banorët e fshatit, ishin në anën tjetër të kodrës, dhe e përditshmja e tyre, nuk i çonte tek kjo çezmë, po ai që e kishte ndërtuar, kishte menduar se do ishte kaq bukur, do ishte thuajse si dhembshuri që dikush, i etur për ujë, i lodhur nga udha, të pinte aty dhe kur të ikte të thoshte, kalova pranë portës së një vajze dhe gjeta atje një pagurë. E kishte lënë për mua. Piva dhe ika.
-Tani do ngjitemi në Olimp!, – i them bashkudhëtares sime duke i treguar kodrën me emër hyjnor. Këtu ka një Olimp të vërtetë, jo imagjinar. I ngritur në qendër, me shpate jo të lehta për t’u ngjitur, ai është imazhi i parë që shikon sapo del nga çdo portë. I papërshtatshëm për të jetuar mbi të, ku nuk mund të ndërtohet asnjë strehë, i papërshtatshëm për të mbjellë bimë, veç ca pishave të deformuara nga era atje në majë, fundja si të gjitha objektet e kultit, ky Olimp është fytyra e mistershme e kësaj “vajze”. Rrallë ndodhë, ose më saktë, janë fare të paktë ata që marrin udhën për atje. I ashpër, ngjyrë gri, me ca imazhe varresh që i përkasin ndoshta disa shekujve më parë, kjo kodër ka një forcë imponuese, aq sa kur je atje në majë, edhe malet që janë përball, natyrisht më të lartë se ai, duket sikur i shikon nga lart.
-Atje është nëna!, -thotë bashkudhëtarja ime, me faqet e skuqura nga lodhja, sa ngjitemi atje në majë, duke zgjatur dorën poshtë. Dhe më pas dora e saj, zgjatet tej e tej. Atje poshtë është gjithçka. Atje janë shtëpitë pranë e pranë, shumë prej të cilave, tani të mbetura në heshtje dhe vetmi, po mua më bënë të ndihem mirë një fakt i thjeshtë. Edhe ashtu, pa njerëz brenda, thuajse të gjitha shtëpitë mbahen në këmbë. Mua më pëlqen që nuk shikoj asnjë mur të rrëzuar, apo çasti të vithisur. Mua më pëlqen që shikoj ca dritare, që ende duket sikur dikush do zgjatë një dorë prej tyre, apo do dalë atje dhe do përshëndesë. Mbahet vajza ime, mbahet them me vete. I gjithë fshati, më duket si një grua e menduar, ulur atje në një portë. Një grua që pretë e pretë dashuritë e saj. Vazhdon e mbahet vajza ime, po sa do mbahet, nuk e di.
Ndoshta kjo pritje, do vazhdojë gjatë e muret, pak nga pak, njëri pas tjetrit, do çahen nga malli, si një mall i krisur. Ndoshta, ata që duhet të vinë, atje larg i lodhë harresa , e udha për këtu do ju duket një mision i pamundur. Ndoshta për një çast, do ju duket se kudo mund të gjendet një udhë, një shteg, një kodër si kjo, ca ullinj, dy përrenj dhe nuk e kuptojnë, ose më saktë, nuk u shkon të mendje se mes gjerave të trishta që ka pa fund kjo botë, ka dhe në trishtime të heshtur. Trishtime që nuk dinë të flasin.
Ka dhe trishtime që shpesh herë të shfaqet si mall, e malli nuk di të ankohet. Ka dhe trishtime që vijnë nga larg, e kthehen në një plagë që shpesh anashkalohet, po malli nuk di të lutet, më shpjerë atje! Ka dhe trishtime që shpesh here, atje larg ku jemi, mundohemi të hiqemi sikur nuk është, po harrojë të kujtohemi se malli jem vet ne!
Nuk ka gjë më të trishtë se kur shkëputet lidhja mes brezit që iku dhe atij që vjen, apo që do vijë edhe më pas. Nuk ka gjë me të trishtë se kur fëmijët e një gjaku, nuk ecin nëpër të njëjtat udhë.
Nuk ka gjë më të trishtë, se sa kur një fëmijë që lind sot, apo që do lind nesër, nuk do shikojë, po atë diell, po atë portë, dhe nuk do ngjitë po ato shkallë, ku para tij, vite, dekada, apo dhe shekuj më parë, është rritur dikush që ka gjakun e tij, që ngjason me të nga shtati dhe ka po atë shikim në sy.
A, ju do të thoni se kjo është e pamundur të ndodhë! Ju do të thoni se në botën ku jetojmë, të mbash lidhje të tilla, është dëshirë që nuk realizohet kurrë. Natyrisht që kjo mund të jetë plotësisht e vërtetë, po në të njëjtën kohë, ky fakt nuk më ndalon të them se është aq sa e vërtetë, po aq dhe e trishtueshme.
Ka lot që rrjedhin si pa shkak, ka lot që ne nuk i ndalojmë të bien, po i lemë të ikin me shpresë se më pas, do ndihemi më të lehtësuar. Edhe nëse duam t’i ndalojmë, kurrë nuk do të mundemi.
-Ti po qan!?-bashkudhëtarja ime vrapon atje majë kodrës që mban emër Zoti dhe unë e ndjej se ajo është një arsye që vërtetë të mos qaj. Ajo është fëmijëria ime që ecën në udhët e mia të dikurshme dhe kjo nuk është pak. Një çast, ajo sulet në krahët e mi dhe unë ndjej si kohërat bëhen bashkë nga kjo pamje, ku ne të dy duket sikur jemi mbi botën përreth.
Në atë çast, duket sikur, atje poshtë, dalin nga porta, gjyshi, ati dhe bashkë me ta unë, kjo vogëlushe, e kush do vijë më pas saj. Dhe pas kësaj, them se vraga ku rrjedhë fëmijëria ime jeton. Pas kësaj, them se ato mure dhe çati, tutje nëpër fshat, nuk do rrëzohen kurrë.
Më pas zbresim. Nëna ishte po atje ku e kishim lënë, si një pritje e drithëruar në portë. Ajo ndihet mirë edhe pse nuk pyet se ku isha dhe çfarë pash, sepse ajo di më shumë se kaq. Ajo di edhe çfarë ndjej në këto çaste, apo çfarë ndjeva kur shkova portë në portë, dhe i pash ashtu të mbyllura. Dhe sytë e saj duken si fajësi. Duken si fajësi që kanë ndodhë aq shumë gjëra dhe ajo nuk mundi t’i ruaj sa të vija unë, nuk mundi t’u ndalte udhën, sa të shfaqesha unë. Duken si fajësi që ajo nuk mundi ta ruaj fëmijërinë time, si e kisha lënë. Po duken edhe si ngazëllim. Ja, të paktën më ke mua thonë sytë e saj. Dhe kjo është madhështore dhe ta mendosh. Për sa kohë do kem atë, unë do kem dikë që do ruaj fëmijërinë time, rritjen time. Do kem dikë që do më ruaj mua. Mua më duhet të mos resht së lexuari sytë e saj, të lexoj dritën e saj, ata sy që nuk m’i ndanë. Më duhet të vërej çdo detaj tek ajo, sepse do më duhen. Dhe kjo ka një arsye të fortë që të ndodhë. Nesër do më duhet, kur të marrë rolin e saj dhe të ruaj fëmijërinë dhe rritjen e bashkudhëtares sime. Ndoshta e bëra një hap, duke e çuar atë shteg në shteg e portë në portë. Ndoshta atje lash ca nga imazhi i saj, që nesër kur ajo të jetë si unë, sa herë të eci mbi udhët e këtij fshati, të mos ndihet bosh. Të mos ndihet e huaj. Të mos ndihet pa fëmijëri. Fëmijëri e vërtetë, fëmijëri që është vetëm jotja, është ajo që çapitet në hapat e të parëve të tu. Fëmijëria që çapitet në udhë të tjera, mund të jetë vërtet fëmijëri, po nuk është fëmijëria jote!
Dielli atje në Perëndim, duket si një frutë i pjekur, gati të shpërthejë lëkurën e vetë. Bashkudhëtarja ime zgjat dorën drejt pllajës me emër beu. Mes gishtave të saj, shoh degët e ullinjve, që duken si flokët e shpupuritur të një gruaje dhe gishtat e saj, duket sikur janë futur mes atyre flokëve dhe i ledhatojnë. Është një imazh i bukur, një imazh ku ndërthuren ato tria, “vajza, nëna dhe bashkudhëtarja ime. Ajo kishte të drejtë, që në nisje më tha, dua të shkoj të takoj shoqen time! Dashuritë e mëdha nuk lexohen nga thinjat. Dashurit e mëdha nuk bëhen të mëdha nga mosha. Dashuritë e mëdha, quhen të tilla kur grimcat e një dashurie, bashkohen me grimcat e një dashurie tjetër. Kjo duket vërtet e thjeshtë, po kur ndodhë që bashkohen bashkë, një dashuri prej mishi e gjaku e një fytyre të thinjur dhe të shtrenjtë gruaje, me dashurinë e një fytyre me ca duart imcake, të një vajze, po kaq të shtrenjtë dhe të dyja bashkë ngjizen me dashurinë prej dheu e ullinjsh, kodre e shtegu, rrugice e përrenjsh dhe që çuditërisht është po kaq femërore sa dy të parat, kjo nuk është thjesht dashuri. Kjo është madhështore dhe ta mendosh. Vite më vonë, kur bashkudhëtarja ime të vijë sërish këtu dhe të kujtoj atë lutjen e saj të dikurshme, dua të shkoj të takoj shoqen time, jam i bindur se edhe ajo do kërkojë të eci përsëri, rrugë në rrugë e portë në portë. Jam i bindur se aty në portë, do jetë sërish ime më. Jam i bindur se hapat e saj do t’i ndjek sërish unë. Ndoshta do ndihet edhe e trishtuar, ja si unë sot. Ndoshta do ndihet edhe e mallëngjyer, ja si unë sot. Po kur të kujtoj se dikur, në fëmijërinë e saj, ajo hidhte hapat tek secila nga ato porta, do thotë se tek secila prej tyre, ajo do niset të kërkoj fëmijërinë e saj. E pas kësaj, do ndihet e lumtur, ja si unë sot, kur atje të gjejë fëmijërinë e saj e bashkë me të, edhe fëmijërinë time. Po ndryshe nga unë sot, jam i bindur se ajo, do gjejë më shumë porta të hapura, ku dikush nga brenda do ta ftojë në ato porta, ashtu natyrshëm, si bijën e vetë.
DITA, dhjetor 2021






e ke qare si bir i atij fshati.. eshte e vertete te gjithe vajzjotet janr njetez te mire…