Eufori e çuditshme për notin

redaktor

Nga Bashkim Aliraj*

Në ditën e dytë të aktivitetit Kombëtar që u organizua në Tiranë në dt 2-3 Shtator 2016, u bë një takim (drekë pune) me trajnerë dhe specialistë të notit, nga sekretarja e përgjithshme e Federatës së Notit Znj.S.Haxhija. Takimi u bë për shqetësimet dhe problemet që ka noti dhe për të çuar atë përpara. Sot nuk është vështirë të dallosh nivelin në not me ekipet e Stelës, Tiranës, Durrësit e Partizanit në krahasim me notarët e qyteteve të tjera. Rezultate të mira sidomos me mosha të vogla, kanë arritur dhe notarët e shoqatës “Jon”, duke thyer rekorde kombëtare. Natyrisht që dhe baza materiale sidomos në Tiranë që ka pishina me ujë të ngrohtë, kanë ndikuar sepse u është dhënë mundësia notarëve që të stërviten gjatë gjithë vitit.

Mirëpo ka akoma ekipe sportive në not sidomos në Shkodër, Vlorë, Sarandë, Pogradec e të tjera që notarët stërviten në det të hapur ose liqen. Gjendja vazhdon të jetë po ajo. Rezulatet në not nuk duhet që të na vetëkënaqin. Shpesh rekordet e fëmijëve sidomos në veprimtaritë kombëtare të të rinjve dhe të rriturve, shërbejnë si mburojë për të mbuluar mangësitë. Edhe në këtë Kampionat u pa se rreth 50-60% e notarëve as normat nuk kapin. Nga viti në vit bie numri i pjesëmarrësve. Disa notarë dhe largohen nga vendi. Niveli i drejtimit dhe organizimit të aktiviteteve nuk i përgjigjet kërkesave të kohës. Me të drejtë trajneri i Butrintit të Sarandës, mjeshtri i sportit z. M.Didati tha: Aktiviteti që bëhet në muajin Qershor për fëmijët në Tiranë për ne nuk ka vlerë, sepse ne atëherë biem në ujë dhe kujt i shërben kjo? Po në këtë situatë janë dhe qytetet e tjera si Shkodra, Vlora, Pogradeci etj. Dhe u la nga të gjithë trajnerët që ky aktivitet i fëmijëve të zhvillohet në fillim ose ne mes të Korrikut me qëllim që notarët të kenë më shumë kohë për t’u përgatitur, dhe aktiviteti Kombëtar i Shtatorit u la të zhvillohet në fund të Korrikut sepse notarët në muajin Gusht shkojnë me pushime. Dhe nga mesi i Shtatorit të zhvillohet Kupa e Republikës ose një aktivitet tjetër.

Nga ana tjetër, në disa stile dhe disiplina si delfin, 4-notim, mix, shpinë punohet dobët. Kështu psh dhe në këto vlera në 200m delfin për femra merrnin pjesë vetëm 3 vajza, ose në 200m 4-notim mix pati vetëm një bateri të përbashkët (djem dhe vajza). Kjo tregon se dhe përsa i përket përgatitjes së gjithanshme të notarëve dhe nga ekipet cilësore nuk punohet sa duhet. Në analizë u tha se gara duhet të organizohet me eliminatore dhe finale, sidomos ne ato gara qe ka shumë pjesëmarrës. Një rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet dhe stimulimit të notarëve cilësorë që thyejnë rekorde kombëtare me të rinj dhe të rritur. Ja çfarë tha trajneri i mirënjohur A.Xhini: “Një diplomë apo një medalje që u jepet notareve nuk mjafton, ata per rekordet që thyejnë duhet të shpërblehen me lekë”. Jo vetëm notarët, por dhe trajnerët për trofetë ose kupat që marrin si ekip duhet të shpërblehen.

Garat e notit akoma zhvillohen pa tabelë elektronike.Për këtë në disa raste ka patur dhe anomali për rezultatin. U tha nga federata e notit që në muajin shtator garat e notit do të zhvillohen me tabelë elektronike, por përsëri e njëjta gjendje. Jemi i vetmi vend në Rajon që nuk kemi tabelë elektronike për garat e notit. Mos vallë jemi më të varfër se Mali i Zi, Maqedonia, apo Kosova? Mendoj se jo. Vetëm se mungon kujdesi dhe interesimi. Dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve nuk duhet të qendrojë indiferente. Ka rekorde në not si ai 200m shpinë për djem dhe vajza që nuk janë thyer akoma, të vendosura këtu e 30-40vjet të shkuara nga notarët I.Ymeri dhe E.Xhindi. Në gazetën Telegraf në dt 03/09/2016, thuhet për rekordin e fundit për të reja në 200m shpinë nga notarja S.Kapedani e Stelës me 2’45’90, por e vërteta është që ky rekord është 2’43’80 i vendosur që në vitin 1976 në Durrës nga notarja E.Xhindi e Flamurtarit Vlorë.

Pse ky fiktivitet në not, për të thënë që “ja po thyejme rekorde”? Për këtë problem këshilli i trajnerëve dhe trajnerët nuk kanë dijeni. Unë nuk dua të mohoj punën e mirë që kanë bërë disa trajnerë dhe rekordet që kanë arritur me grupmoshat, sepse jam vetë trajner, por euforinë nuk e kuptoj. Po bëhen afërsisht 10vjet, e ne nuk kemi akoma një notar në 50m stil të lirë me kohën 23-24 sek, ose në 100m stil të lirë me kohën 52 apo 53 sek.Rekorde që janë vendosur vite të shkuara nga notari i talentuar Sidni Hoxha.

*Trajner i merituar, Vlorë

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *